📌Reagim i Komisariatit të Policisë Bulqizë
Në lidhje me një rast të publikuar mbrëmjen e datës 25 prill 2023, në emisionin investigativ “Fiks Fare”, ku shtetasja L.XH., kishte marrë nga shkolla dy regjistra të klasave të ndryshme dhe nuk i kishte dorëzuar ato, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Bulqizë, referuan materialet në Prokurori për veprën penale “Shpërdorim detyre”, dhe nisën procedimin penal në gjendje të lirë për shtetaset L.XH., 52 vjeçe; E.S., 33 vjeçe, banuese në Bulqizë.
Shtetasja L.Xh., duke qenë me detyrë mësuese në shkollën 9-vjeçare Gjoricë në Bulqizë, ka marrë nga ambientet e shkollës dhe nuk ka dorëzuar dy regjistra të dy klasave të ndryshme, duke i publikuar më pas në media. Ndërsa shtetasja E.S., me detyrë nëndrejtoreshë e shkollës Gjoricë, ka kryer veprime në kundërshtim me ligjin duke mos ruajtur dhe administruar dokumentat zyrtarë (regjistrat) e kësaj shkolle.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Dibër falenderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë të gjitha rastet e paligjshmërive dhe i fton sërish ata që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112.