Reagim i Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë
Në lidhje me një video të postuar në rrjete sociale, që pasqyron denoncimin e një qytetari për veprimet e një punonjësi policie në detyrë, në PKK Qafë Thanë, bëjmë me dije se:
Drejtori i DVKM Korçë, sapo u njoh me rastin, ka pezulluar menjëherë nga detyra punonjësin e Policisë që shfaqet në video, inspektor R. S.
Gjithashtu, Drejtori i DVKM Korçë ka nisur ndaj punonjësit të Policisë hetim disiplinor, në zbatim të nenit 121 të ligjit nr. 82/2024, “Për Policinë e Shtetit”, pika 1, germa “m”, “Kryerja e veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të policisë, institucionit apo shërbimit policor në tërësi”.
Materialet i kaluan Drejtorisë së Standardeve Profesionale në DPPSh e cila do të kryejë hetim më të thelluar për rastin.
Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit Korçë fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast shkeljeje apo paligjshmërie që konstatojnë, dhe i garanton ata se do të ketë një reagim të menjëhershëm, konform ligjit.