Reagim i DVP Durrës për një lajm të publikuar në një portal

Në lidhje me një postim të publikuar ditën e sotme, në një portal, ku një shtetase kallëzon se i është vjedhur banesa dhe se Policia e Durrësit, nuk ka reaguar ju informojmë se:

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, menjëherë pas marrjes së njoftimit për rastin, organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Falë veprimeve të shpejta profesionale e hetimore bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e shtetasit B. N., 41 vjeç,

Nga veprimet hetimore dhe këqyrja e pamjeve filmike, rezultoi se ky shtetas ka vjedhur në banesën e shtetases M. T.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar sendet e vjedhura në banesën e shtetases M. T.

Grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon punën për dokumentimin e disa vjedhjeve të tjera që dyshohet se janë kryer nga ky shtetas.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës garanton qytetarët se është maksimalisht e angazhuar për të garantuar rendin e sigurinë, parandalimin e vjedhjeve dhe zbardhjen e atyre të ndodhura më parë.

Në këtë kuadër fton qytetarët që të besojnë dhe denoncojnë te Policia rastet e paligjshmërive në çdo formë të shfaqjes së tyre në numrin 112, duke iu garantuar reagim të menjëhershëm.