Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Berat
Mbi rastin e transmetuar në emisionin investigativ ”Fiks Fare”, për një nxënëse 14 vjeçe që ka pohuar se është ngacmuar seksualisht nga mësuesi i saj, në shkollën e fshatit Barç, Skrapar, sqarojmë opinionin publik se:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Skrapar e kanë shoqëruar menjëherë shtetasin S. B.(mësues), në ambientet e Komisariatit.
Gjithashtu, në ambientet e DVP Berat, i është marrë deklarata nxënëses 14 vjeçe, në prani të prindit të saj, psikologut dhe avokates.
Në përfundim të veprimeve, shërbimet e Policisë kanë referuar materialet në prokurori dhe ka nisur procedimi penal për shtetasin S. B., 62 vjeç, banues në fshatin Barç, Skrapar, për veprën penale “Ngacmimi seksual”.
Drejtoria Vendore e Policisë Berat është e angazhuar maksimalisht për të parandaluar, evidentuar dhe goditur paligjshmëritë, në çdo fushë, dhe në këtë kuadër inkurajon qytetarët që për çdo rast paligjshmërie, të denoncojnë në numrin 112 ose në Komisariatin Dixhital, duke iu garantuar reagim të shpejtë dhe ligjor.