DVP Kukës
Specialistët e qarkullimit rrugor arrestuan shtetasin I. D., banues në fshatin Pobreg, pasi u konstatua duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.
Më datë 30.09.2025, gjatë natës, në autobusin në pronësi të shtetasit R. H., 62 vjeç, banues në Tiranë, ka rënë zjarr, dyshohet nga hedhja e një sasie lënde djegëse benzinë, ku janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Vijojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Durrës/Kontrolle në terren dhe verifikime të koordinuara me organet kompetente, për parandalimin dhe goditjen e krimeve kundër mjedisit.
Konstatohen 4 raste të ndërtimeve dhe 1 rast i prerjes së pyjeve, në kundërshtim me ligjin.
Në përfundim të veprimeve procedurale për këto raste, specialistët për Hetimin e Krimeve të komisariateve të Policisë Shijak dhe Kavajë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-E. O., 38 vjeç, M. L., 38 vjeç, F. T., 54 vjeç dhe A. D., 30 vjeç, të katërt banues në Shijak, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”;
-L. A., 36 vjeç, banues në Rrogozhinë, pasi dyshohet se ka prerë dru në fshatin Gosë e Madhe, në kundërshtim me ligjin.
Kontrollet kundër këtyre veprimtarive të paligjshme, vijojnë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Kamëz/Finalizohet operacioni policor i koduar “Kombinimi”, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje.
Sekuestrohen 12 kg kanabis, municione luftarake (granata, ndezës minash, fitila detonatorë, tritol), armë të ftohta dhe peshore elektronike.
Zbulohet një banesë ku kultivoheshin bimë narkotike, me llamba. Sekuestrohen nga banesa, 168 bimë dhe fidanë narkotikë.
Vihen në pranga 2 shtetasit që kryenin këto veprimtari kriminale. Ata u kapën në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në Bathore, duke transportuar 4 kg kanabis, me qëllim shitjen në doza.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, për 2 shtetas që shitnin lëndë narkotike dhe posedonin sende të kundërligjshme në banesë, kanë organizuar dhe finalizuar në bashkëpunim me Seksionin e Narkotikëve, operacionin policor të koduar Kombinimi”.
Si rezultat i operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit: A. T., 53 vjeç, banues në fshatin Gjormë, Laç dhe T. T., 27 vjeç, banues në Tiranë, të dy, me precedent të mëparshëm penal në fushën e narkotikëve.
Këta shtetas janë ndaluar nga shërbimet e Policisë, në Bathore, duke qarkulluar me 2 automjete, në të cilat gjatë kontrollit, u gjetën në total 4 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, që dyshohet se ata e posedonin me qëllim shitjen në doza, në Bathore dhe në Kamëz.
Më tej, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, u krye kontroll në banesën e 53-vjeçarit, në fshatin Gjormë, ku u konstatua një ambient i përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, me llamba. Gjatë kontrollit në këtë ambient, u gjetën 48 bimë dhe 120 fidanë cannabis sativa, të kultivuara në vazo, 7 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, 4 kallep tritol, 2 granata, 2 ndezësa, 7 fitila detonator dhe 3 kuti me ndezesh minash luftarake.
Gjatë kontrollit në banesën e 27-vjeçarit, në Tiranë, u gjetën 1 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, 1 peshore elektronike, 1 shufër metalike dhe 1 armë e ftohtë (thikë).
Hetimet vijojnë për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të implikuar në këto veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës shpallën në kërkim shtetasin J. M., 35 vjeç, banues në Melgushë, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-A. B., 48 vjeç, banues në Shkodër, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur;
-V. S., banuese në fshatin Grudë e Re dhe I. T., banues në fshatin Lepurosh, pasi u kapën duke drejtuar automjetet, pa leje drejtimi.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, për rastet e mëposhtme:
-në orët e para të mëngjesit, në aksin rrugor “Shirokë-Shkodër”, dyshohet se për shkak të një defekti elektrik, ka rënë zjarr në automjetin në lëvizje, me drejtues shtetasin M. D., 36 vjeç, banues në fshatin Hot i Ri. Për pasojë është djegur pjesërisht automjeti;
-ditën e djeshme, në lagjen “Skënderbeg”, në banesat sociale, një fëmijë 2 vjeç, dyshohet se aksidentalisht ka rënë në një enë me ujë të nxehtë dhe ka pësuar djegie. Pasi mori ndihmën e parë mjekësore në Spitalin Rajonal Shkodër, vajza u transportua në QSUT;
-dje, ka kallëzuar shtetasi H. J., 49 vjeç, banues në Shkodër, se shtetasi A. P., 56 vjeç, po kryen punime ndërtimi, pa leje, në tokën që kallëzuesi pretendon se është e tija.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Vlorë
Aksidentoi një shtetase në vendkalimin e këmbësorëve dhe u largua nga vendi i ngjarjes, identifikohet dhe arrestohet autori i aksidentit.
Më datë 30.09.2025, rreth orës 16:00, në segmentin rrugor “Gjergj Kastrioti”, një shtetas, gjatë drejtimit të automjetit të tij, aksidentoi këmbësoren Z. M., 55 vjeçe, e cila ishte duke kaluar në vendkalimin e këmbësorëve dhe u largua nga vendi i ngjarjes. Si pasojë 55-vjeçarja mbeti e dëmtuar dhe aktualisht ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Falë veprimeve të shpejta hetimore, përfshirë këqyrjen e kamerave të sigurisë dhe mbledhjen e dëshmive nga shërbimet e Policisë Rrugore Vlorë, u bë e mundur identifikimi i automjetit që shkaktoi aksidentin dhe drejtuesit të tij.
Në vijim të veprimeve, u bë i mundur lokalizimi dhe arrestimi i shtetasit Xh. R, 29 vjeç, banues në Vlorë, i cili pasi kishte aksidentuar shtetasen Z. M, tentoi t’i shmangej përgjegjësisë duke fshehur edhe automjetin, i cili u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.
Mat/ Finalizohet faza e dytë e operacionit policor të koduar “Firemen”.
Kapet dhe ndalohet autori i dytë i ngjarjes së datës 1 qershor 2025, ku në qytetin e Burrelit u dogj automjeti që ishte në përdorim nga një 30-vjeçar.
Si rezultat i kërkimeve intensive për lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e shtetasve të shpallur në kërkim, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat finalizuan me sukses fazën e dytë të operacionit policor të koduar “Firemen”, ku u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit J. S., 25 vjeç, banues në Burrel.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi dyshohet se ka bashkëpunuar me shtetasin E. K. (H.), 24 vjeç (i arrestuar nga policia ditën e ngjarjes), dhe kanë djegur automjetin që përdorej nga një shtetas 30-vjeçar.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Dibrës, për veprime të mëtejshme.
Qarku Korçë
Shërbimet e Policisë Kufitare Kapshticë kapën shtetasin A. Sh., 32 vjeç, banues në Pogradec, i shpallur në kërkim më datë 25.09.2025, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”. Në vijim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi në gjendje të lirë për këtë shtetas.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Korçë referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal për shtetasit A. K., 54 vjeç, banues në Pogradec dhe G. D., 38 vjeç, banues në Has, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin J. S., 37 vjeç, banues në Korçë, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me grusht një 14-vjeçar.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtëtasin K. P., 25 vjeç, banues në fshatin Libonik, pasi i ka dëmtuar një sipërfaqe të mbjellë me bimë, një 63-vjeçari.
Gjithashtu, kapën shtetasin O. A., 34 vjeç, i shpallur në kërkim më datë 18.09.2025, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”. Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi në gjendje të lirë për këtë shtetas.
Maliq/Më datë 30.09.2025, në fshatin Vashtmi, dyshohet se për shkak të një defekti teknik, ka rënë zjarr në automjetin në lëvizje, që drejtohej nga shtetasja A. Q., 27 vjeçe. Si pasojë, automjeti është djegur pjesërisht.
Pogradec/Më datë 30.09.2025, në fshatin Tushemisht, ka humbur jetën në ambientet e hotelit ku ishte akomoduar, shtetasi K. Ç., 75 vjeç, dyshohet për shkaqe natyrale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Catch 2”.
Të dënuar për dhënie ndihmë kundrejt pagesës, emigrantëve që synojnë të lëvizin ilegalisht, ose për posedim armësh të ftohta, kapen 2 shtetas.
Si rezultat i kontrolleve intensive nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, të bazuara te informacionet e siguruara në rrugë operative, u kapën dhe u vunë në pranga 2 shtetas të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale. Konkretisht:
-Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, kapën dhe vunë në pranga shtetasin E. T., 45 vjeç, të cilin Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 4 vite e 8 muaj burgim, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”. Nga dënimi atij i kanë mbetur për të vuajtur 3 vjet e 2 muaj burgim.
-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 ndaluan shtetasin Z. M alias Z. M., 59 vjeç, të cilin Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 1 vit burgim, për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë
Shërbimet e Policisë Rrugore Lezhë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasen Sh. B., 63 vjeçe, banuese në Tiranë, pasi dje, në kryqëzimin e Patokut, duke drejtuar automjetin, dyshohet se ka përplasur shtetasen M. K., 77 vjeçe, banuese në Laç, këmbësore, e cila po merr mjekim në spitalin e Laçit dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Manovra”, me objektiv gjurmimin e aseteve të përfituara nga krimet.
Sekuestrohet automjeti “Lamborghini Urus” i një 34-vjeçari me precedent për disa vepra penale, ndër to, vjedhje nëpërmjet përvetësimit të padrejtë të detyrës shtetërore.
34-vjeçari dyshohet se e kishte regjistruar automjetin me vlerë rreth 160 000 euro, në emër të një kompanie, për të shmangur gjurmimin dhe për të justifikuar vlerën.
Vihen në hetim 34-vjeçari dhe pronari i kompanisë.
Në vijim të operacioneve policore që kanë qëllim gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive me burime kriminale, specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, finalizuan operacionin “Manovra”.
Në kuadër të operacionit, u ndalua në aksin rrugor “Sauk-TEG”, automjeti tip “Lamborghini Urus”, me drejtues shtetasin S. Sh., 34 vjeç, me precedentë për vjedhje nëpërmjet përvetësimit të padrejtë të detyrës shtetërore, dhunë në familje dhe kundërshtim të punonjësve të Policisë.
Nga verifikimet e mëtejshme dyshohet se ky shtetas e kishte regjistruar këtë automjet, në emër të një subjekti tregtar në pronësi të shtetasit E. D., me qëllim justifikimin e vlerës së tij.
Në vijim të veprimeve procedurale nisi procedimi penal për të 2 këta shtetas.
Vijojnë hetime për të gjurmuar dhe sekuestruar pasuri të tjera të shtetasit S. Sh.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Tropojë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Velishti”
Qarkullonin të armatosur, me armë zjarri e armë të ftohta dhe të pajisur me radio si të Policisë e dylbi nate, vihen në pranga dy shtetas.
Sekuestrohen 2 armë zjarri, 1 silenciator, 6 radio si të Policisë, 4 mjete prerëse (thika), 2 sëpata, 5 dylbi, 1 xhup multifunksional dhe municion luftarak.
Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se dy shtetas po qarkullonin me automjet dhe të armatosur, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, në bashkëpunim me shërbimet operacionale të DVP Kukës, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Velishti”.
Në kuadër të operacionit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
A. P., 43 vjeç
A. I., 44 vjeç, të dy banues në fshatin Lëkurtaj, Tropojë
Këta shtetas u kapën në vendin e quajtur Velisht, Njësia Administrative Bujan, Tropojë, ku gjatë kontrollit në automjetin tip “Mitsubishi”, në pronësi të shtetasit A. P., me të cilin ata qarkullonin, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 2 armë zjarri, 2 thika, 2 radio marrëse-dhënëse si të Policisë, 2 sëpata të vogla, 1 palë dylbi dhe municion luftarak.
Në vijim të operacionit, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit A. P., u gjetën dhe u sekuestruan: 4 radio marrëse-dhënëse si të Policisë, municion luftarak i kalibrave të ndryshëm, karikatorë, 4 palë dylbi, 2 thika, një xhup multifunksional si ato të Policisë dhe një silenciator.
Ndërsa në banesën e shtetasit A. I., u gjetën 2 radio si ato të Policisë.
Armët e zjarrit do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore për të përcaktuar nëse janë përdorur në ndonjë ngjarje kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme procedurale.