Raporti i ngjarjeve për 72 orët e fundit, Policia e Shtetit

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Durrës – Plagosi me armë zjarri 1 shtetas pas një konflitki për motive të dobëta, shpallet në kërkim autori i dyshuar.  Më datë 08.08.2021, rreth orës 23:41, në lagjen nr.18, Durrës, pas një konflikti për motive të dobëta shtetasi H. Ll., ka plagosur dyshohet se me armë zjarri në këmbë shtetasin I. S., rreth 26 vjeç, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën dhe vijojnë punën për kapjen e tij. Grupi hetimor nën Drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon punën për zbardhen e rrethanave të ngjarjes. Shijak/Informacion paraprak – Më datë 08.08.2021, rreth orës 21:45, në Shijak, Durrës, një mjet me drejtues shtetasin D. A., rreth 37 vjeç ka humbur kontrollin e mjetit duke u përplasur me shtyllën e ndriçimit rrugor. Si pasojë e përplasjes është lënduar drejtuesi i mjetit shtetasi D. A., i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

DVP Lezhë – Vijon për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Vihen në pranga 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë në fushën e narkotikëve, arrestuan në flagrancë shtetasin E. B., 26 vjeç, banues në Prishtinë, Kosovë. Arrestimi i tij u bë pasi në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Lapidarit”, Shëngjin, forca e posaçme “Shqiponja” gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin në të cilin ky shtetas ishte pasagjer, në çantën e tij ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale doza me lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa. Specialistët e Hetimit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Mirditë arrestuan në flagrancë shtetasin A. Ll., 31 vjeç, banues Rreth i Epërm, Mirditë, pasi në banesë, ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij. Gjithashtu, specialistët e Hetimit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit I. T., 45 vjeç, i dënuar më parë me 21 vite burg për vrasje, pasi në banesë ka ushtruar dhunë fizike ndaj vëllait të tij, shtetasit R. T., 32 vjeç, banues në fshatin Shullaz, Kurbin. Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit L. D., 27 vjeç, banues në Lezhë, pasi është kapur nga shërbimet e Policisë, në Kune, Shëngjin, duke drejtuar automjetin tip “Land Rover”, në gjendje të dehur.  Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier – Vijon puna për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrvënieve në territorin e qarkut Fier. Vihen në pranga 2 shtetas, një në Mallakastër dhe një në Fier. Në vijim të punës hetimore për zbulimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrvënieve të qëllimshme apo nga pakujdesia, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mallakastër ndaluan shtetasin E. A., 23 vjeç, banues në Anabreg, Mallakastër, pasi dyshohet se ky shtetas është autor i zjarrit në fshatin Çorrush, ku si pasojë është djegur sipërfaqe toke e konsiderueshme me bimësi të ndryshme. Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasin M. B., 39 vjeç, banues në Fier, pasi duke djegur disa mbeturina në pronën e tij, zjarri i ka dalë jashtë kontrollit dhe për pasojë janë djegur ullinj, dru frutorë dhe hardhi. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për të gjithë banorët, që në asnjë rast mos shkaktojnë zjarrvënie pasi do përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital për çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi duke ju garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm nga strukturat policore.

Kurbin – Vijojnë kontrollet nga Policia e Kurbinit, për monitorimin e subjekteve që vijojnë organizimet e ceremonive të ndryshme me pjesëmarrës mbi numrin e lejuar, para apo pas orarit të përcaktuar për mbyllje. Organizoi ceremoni festive me pjesëmarrës mbi numrin e përcaktuar, ndëshkohet me masë administrative pronari i subjektit. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin vijojnë kontrollet për zbatimin e planit të masave për garantimin e rendit dhe qetësisë publike dhe monitorimin e lokaleve që vijojnë organizimet me muzikë pas orarit të përcaktuar për mbyllje apo me pjesëmarrës mbi numrin e përcaktuar, në kundërshtim me masat anticovid të vendosura nga organet kompetente. Në vijim të kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë konstatuar në Mamurras, Kurbin, 1 subjekt që kishte organizuar ceremoni festive me pjesëmarrës mbi numrin e përcaktuar në Aktin normativ. Nga shërbimet e Policisë, në bazë të Aktit Normativ, është vendosur masa administrative 1.000.000 lekë, për pronarin e subjektit, shtetasin E. K., banues në Mamurras, për shkelje të numrit të pjesëmarrjeve të përcaktuar në Aktin Normativ, për zhvillimin e aktiviteteve. Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë apelon për të gjithë administratorët e lokaleve që të respektojnë masat anticovid dhe orarin e përcaktuar për ushtrimin e aktivitetit.

DVP Vlorë – Vijojnë kontrollet e pandërprera për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativës për kultivim të bimëve narkotike. Goditet një tjetër rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike, vihen në pranga 2 shtetas. Gjithashtu, vihen në pranga 2 shtetas të tjerë, për veprën penale “Dhuna në familje”. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, si rezultat i kontrollit të territorit, kanë evidentuar dhe goditur një rast të tentativës për kultivim të kanabisit në fshatin Xarrë, Konispol. Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë u arrestua në flagrancë shtetasi S. M., 24 vjeç si dhe u ndalua shtetasi A. A., 60 vjeç, të dy banues në Sarandë. Këta shtetas dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kultivuar fidanë të dyshuar cannabis sativa në një sipërfaqe të pyllëzuar në vendin e quajtur “Qafa e Sorones”. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Vlorë dhe Himarë arrestuan në flagrancë për veprën penale “Dhuna në familje”, shtetasit: Dh. M., 57 vjeç, banues në Vlorë, pasi ka kërcënuar dhe ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes dhe djalit të tij; A. V., 34 vjeç, banues në Fier, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Dibër – U konstatua duke ushtruar aktivitet me muzikë pas orarit të lejuar ndëshkohet me masë administrative 1.000.000 lekë, pronari i subjektit. Në zbatim të planit të masave për garantimin e rendit dhe qetësisë publike dhe monitorimin e lokaleve që vijojnë organizimet me muzikë pas orarit të përcaktuar për mbyllje, në kundërshtim me masat anticovid të vendosura nga organet kompetente, shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, gjatë kontrolleve kanë konstatuar një subjekt në qytetin e Peshkopisë i cili vijonte organizimin me muzikë pas orarit të përcaktuar. Në vijim të veprimeve,  shërbimet e Policisë kanë ndëshkuar me masë administrative 1.000.000 lekë shtetasin H. L., pronari i subjektit, për shkelje të orarit të përcaktuar në aktin normativ, për zhvillimin e aktiviteteve. Drejtoria Vendore e Policisë Dibër apelon për të gjithë administratorët dhe pronarët e lokaleve që të respektojnë masat anticovid dhe orarin e përcaktuar për ushtrimin e aktivitetit.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 219 shtetas, konkretisht: 10 janë ndaluar, 64 janë arrestuar në flagrancë dhe 145 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 4 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 14 raste, me 7 autorë të arrestuar në flagrancë, 7 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 3 autorë të shpallur në kërkim.

Në fushën e krimeve kundër personit, në gjithë territorin, gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 24 raste, konkretisht: 7 raste të “Kanosja”, 9 raste të “Plagosja e lehtë me dashje” dhe 7 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 2 raste të “Plagosja e rëndë me dashje”, 1 rast me 4 autorë që po procedohen ën gjendje të lirë dhe 1 rast ku po punohet për kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 11 raste të dhunës në familje, në të gjithë vendin, me 5 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 33 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.

Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 29 raste: 5 raste me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 24 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Është arrestuar në flagrancë 1 shtetas dhe janë proceduar penalisht 3 të tjerë, për vjedhje të energjisë elektrike.

Janë evidentuar 14 raste të ndërtimit pa leje, në të gjithë vendin, me 16 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 11 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 7 raste të shkatërrimit të pronës, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të shkatërrimit të pronës me zjarr, me 6 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë të shpallur në kërkim.

Janë evidentuar 4 raste të “Trafikimi i mjeteve motorike”, me 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të “Fshehja e të ardhurave”, me 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të “Pushtim toke”, me 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të “Falsifikimi i dokumenteve”, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të ‘Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të armëmbajtjes pa leje, me 5 autorë të arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 3 raste të mbajtjes pa leje të armëve të ftohta, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

 Janë evidentuar 2 raste të “Vetëgjyqësia”, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.

Janë proceduar penalisht 5 shtetas, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë” dhe 1 tjetër, për kundërshtim të punonjësit të policisë.

Janë evidentuar 2 raste të “Prerja e paligjshme”, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe 1 tjetër, për “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.

Është arrestuar në flagrancë 1 shtetas dhe është proceduar penalisht 1 tjetër, për “Braktisja e fëmijëve të mitur.

Është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të rritur”, 1 për “Marrëdhënie seksuale me persona të pazotë për tu mbrojtur” dhe janë ndaluar 2 të tjerrë, për “Ngacmim seksual”.

Janë proceduar penalisht 4 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Janë arrestuar në flagrancë 21 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë arrestuar në flagrancë 7 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 11 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Gjatë 72 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë, kanë ndodhur 14 aksidente, me 3 viktima dhe 20 persona të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.