Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Durrës – Finalizohet operacioni policor i koduar “Ikona”. Operacioni i zhvilluar nga Seksioni i Hetimit të Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në DVP Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës. Sekuestrohen 12 kilogramë e 150 gramë lëndë narkotike cannabis dhe një ikonë e vjetër me vlera historike. Arrestohet në flagrancë një 45-vjeçar, i dënuar më parë për kultivim të bimëve narkotike dhe përvetësim të mallrave ose parave që rrjedhin nga veprimtaria kriminale. Strukturat e Hetimit të Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme Operacionale në DVP Durrës, në bazë të informacioneve të siguruara, pas një pune të mirorganizuar, kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Ikona”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi Ç. P., 45 vjeç, banues në Kavajë, i dënuar më parë për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Përvetësimi i mallrave ose parave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi nga shërbimet e Policisë iu gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 12 kg e 150 gr. lëndë narkotike cannabis sativa dhe një ikonë e vjetër me vlera historike (e kohës bizantine), të cilën ky shtetas dyshohet se e ka vjedhur në një kishë dhe do i shiste kundrejt vlerave monetare. Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Trafikimi i veprave të artit”.
DVP Durrës – Shijak/Organizoi ceremoni festive pas orarit të përcaktuar për mbyllje, procedohet penalisht dhe ndëshkohet me masë administrative menaxheri i lokalit. Vihen në prangat e Policisë 4 shtetas dhe procedohet penalisht 1 tjetër, për vepra të ndryshme penale. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shijak vijojnë kontrollet për zbatimin e planit të masave për garantimin e rendit dhe qetësisë publike dhe monitorimin e lokaleve që vijojnë organizimet me muzikë pas orarit të përcaktuar për mbyllje, në kundërshtim me masat anticovid të vendosura nga organet kompetente. Në vijim të kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë konstatuar dhe proceduar penalisht për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”, shtetasin G. B., 33 vjeç, banues në Pjezë, Shijak, menaxheri i lokalit, pasi është konstatuar duke organizuar një ceremoni festive me muzikë, pas orarit të përcaktuar për mbylljen e aktiviteteve. Gjithashtu, ndaj këtij shtetasi është vendosur masa administrative 1.000.000 lekë. Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në vijim të kontrollit në territor, për rritjen e parametrave të sigurisë dhe kapjen e personave që lëvizin me sende të kundërligjshme, kanë ndaluar në lagjen nr. 1, Durrës, mjetin me drejtues shtetasin A. B., të cilit gjatë kontrollit fizik i gjetën dhe i sekuestruan 7 doza me lëndë narkotike cannabis sativa. Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës u arrestua në flagrancë shtetasi A. B., 22 vjeç, banues në Durrës. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin e përshkallëzimit të dhunës në familje, arrestuan në flagrancë për veprën penale “Dhuna në familje”, shtetasit F. B., 60 vjeç, K. B., 67 vjeç (vëllezër) dhe K. B., 24 vjeç, si dhe kanë proceduar penalisht shtetasen S. B., 52 vjeçe, pasi në Sukth, gjatë një konflikti për motive pronësie kanë ushtruar dhunë ndaj njëri-tjetrit. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
Gramsh – Vijon kontrolli i territorit, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike. Vihet në pranga inspektori i Shërbimit Pyjor në bashkinë Gramsh, për shpërdorim detyre. Procedohen penalisht në gjendje të lirë dhe dy kryepleqtë e fshatrave Vidhan dhe Lemnush në Gramsh. Në vijim të kontrolleve të zhvilluara në territor, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gramsh kanë goditur dy raste të kultivimit të bimëve narkotike, konkretisht një rast në një zonë të pyllëzuar të fshatit Vidhan dhe një rast tjetër në një zonë të pyllëzuar të fshatit Lemnush, ku janë gjetur të kultivuar fidanë kanabis. Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Gramsh bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. Z., 52 vjeç, banues në Gramsh, me detyrë inspektor i Shërbimit Pyjor në bashkinë Gramsh, si dhe kanë proceduar penalisht në gjendje të lirë shtetasit: A. B., me detyrë kryeplak i fshatit Vidhan dhe B. J., me detyrë kryeplak i fshatit Lemnush, Gramsh. Vijon puna për identifikimin e personave të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Rrethit Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Velipojë/Shkodër – U konstatuan duke ushtruar aktivitet me muzikë pas orarit të përcaktuar për mbyllje, procedohen penalisht pronari dhe menaxheri i subjektit. Gjithashtu, vendoset masë administrative 1.000.000 lekë për subjektin. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 8 pajisje muzikore. Shërbimet e Stacionit të Policisë Velipojë vijojnë kontrollet për zbatimin e planit të masave për garantimin e rendit dhe qetësisë publike dhe monitorimin e lokaleve që vijojnë organizimet me muzikë pas orarit të përcaktuar për mbyllje, në kundërshtim me masat anticovid të vendosura nga organet kompetente. Në vijim të kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë konstatuar dhe proceduar penalisht për veprën penale “Prishje e rendit dhe qetësisë publike”, shtetasit: V. M., 34 vjeç, banues në Gomsiqe e Re, Velipojë, pronari i subjektit në Velipojë dhe E. J., 25 vjeç, banues në Shkodër, menaxher i subjektit, pasi janë konstatuar duke vijuar organizimin e aktivitetit me muzikë pas orarit të lejuar. Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë vendosur masë administrative 1.000.000 lekë për pronarin e këtij subjekti. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 8 pajisje muzikore që u gjetën në ambientet e këtij subjekti. Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër apelon për të gjithë administratorët dhe pronarët e lokaleve që të respektojnë masat anticovid dhe orarin e përcaktuar për ushtrimin e aktivitetit.
Vlorë – Plagosi me armë gjahu një 55-vjeçar, shoqërohet autori i dyshuar i ngjarjes. Sekuestrohet një armë gjahu çifte. Pas marrjes së njoftimit se në vendin e quajtur “Lumi i Kripës”, në afërsi të fshatit Dëllënjë, është plagosur me armë gjahu shtetasi V. H, menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë të cilat bënë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar. Falë reagimit në kohë dhe punës profesionale u bë e mundur shoqërimi i autorit të dyshuar, shtetasit S. Gj., 58 vjeç, banues në Delisuf, i cili gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, dyshohet se ka plagosur me armë gjahu çifte, shtetasin V. H., 55 vjeç, banues në Novosel, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e gjahut çifte (të cilën ky shtetas e posedonte me leje). Shtetasi S. Gj. u shoqërua në Komisariatin e Policisë Vlorë, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale hetimore.
Pogradec – Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, filluan procedimin penal në gjendje të lirë për shtetasen G. Sh., 51 vjeçe, banuese në Tushemisht, Pogradec (me detyrë mjeke në maternitetin e qytetit të Pogradecit). Kjo shtetase më datë 24.07.2021, dyshohet se ka neglizhuar në trajtimin e nevojshëm mjekësor pas lindjes, të foshnjës së shtetases D. Y., e cila më pas u transportua në Tiranë për mjekim të specializuar dhe më datë 31.07.2021, ka ndërruar jetë. Materialet për hetime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Pogradec.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 211 shtetas, konkretisht: 13 janë ndaluar, 59 janë arrestuar në flagrancë dhe 139 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 7 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 22 raste, me 11 autorë të arrestuar në flagrancë, 11 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 5 autorë të shpallur në kërkim.
Në fushën e krimeve kundër personit, në gjithë territorin, gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 21 raste, konkretisht: 3 raste të “Kanosja”, 7 raste të “Plagosja e lehtë me dashje” dhe 11 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 17 raste të dhunës në familje, në të gjithë vendin, me 10 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 10 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 27 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.
Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 35 raste: 10 raste me 7 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 25 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 5 raste të ndërtimit pa leje, në të gjithë vendin, me 5 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 11 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të shkatërrimit të pronës, me 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të shkatërrimit të pronës me zjarr, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 5 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 2 raste të “Trafikimi i mjeteve të motorike”, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Fshehja e të ardhurave”, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të “Prishja e qetësisë publike”, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të “Pushtim toke”, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Falsifikimi i dokumenteve”, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Përndjekja”, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 2 raste të “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të ‘Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 9 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të armëmbajtjes pa leje, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 2 raste të mbajtjes pa leje të armëve të ftohta, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Vetëgjyqësia”, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për veprën penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.
Është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë” dhe 1 tjetër, për kundërshtim të punonjësit të policisë.
Janë evidentuar 2 raste të “Prerja e paligjshme”, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë proceduar penalisht 4 shtetas, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe 1 tjetër, për “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Është evidentuar 1 rast i “Organizimi i lotarive të palejuara”, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë.
Është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Janë proceduar penalisht 4 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Janë arrestuar në flagrancë 9 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Janë arrestuar në flagrancë 4 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 3 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Gjatë 72 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë, kanë ndodhur 17 aksidente, me 3 viktima dhe 24 persona të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.