Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Berat – Goditet një tjetër rast i veprimtarisë së paligjshme në fushën e narkotikëve. Sekuestrohen 1.4 kg lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa. Vihet në pranga poseduesi. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Berat, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë së paligjshme në fushën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, organizuan punën dhe bënë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit A. D., 64 vjeç, banues në Gjergjovë, Poliçan. Shërbimet e Policisë, bazuar në informacionet se shtetasi A. D. dispononte lëndë narkotike, kanë organizuar punën dhe kanë ushtruar kontroll në banesën e tij. Gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia, në banesën e tij u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1.4 kg lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa. Materialet hetimore do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Shkodër – Vijojnë kontrollet për parandalimin dhe goditjen e tentativës për kultivim dhe trafikim të kanabisit. Finalizohet operacioni policor i koduar “Gracka”. Sekuestrohen 4000 fara të dyshuara cannabis sativa. Vihen në pranga 2 shtetas që posedonin farat e kanabisit, me qëllim kultivimin e tyre. Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Seksionin e Hetimit të Krimeve kundër Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” në DVP Shkodër, në bazë dhe të informacioneve të marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor antikanabis të koduar “Gracka”, në kuadër të të cilit u bë kapja djhe arrestimi në flagrancë i shtetasve Zh. S., 29 vjeç, banues në Boriç i Vogël, Malësi e Madhe; A. L. 34 vjeç, banues në lagjen “Salo Halili”, Shkodër. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin siguronin farat e kanabisit, me qëllim kultivimin e tyre në zonat e thella të Dukagjinit. Në automjetin me të cilin udhëtonin këta shtetas, që drejtohej pa leje drejtimi nga shtetasi Zh. S., i cili nuk iu bind urdhrit të punonëjsit të Policisë për të ndaluar dhe tentoi të largohej me forcë, shërbimet e Policisë gjatë kontrollit gjetën dhe sekuestruan 4000 fara të dyshuara narkotike cannabis sativa. Gjithashtu u sekuestruan edhe 3 aparate celular dhe 1 automjet. Materialet procedurale i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorise pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Pastrimi i produktit të veprës penale ose veprimtarive kriminale”, në ngarkim të shtetasit Zh. S., ndërsa në ngarkim të shtetasit A. L. u referuan materialet për veprat penale ’’Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Pastrimi i produktit të veprës penale ose veprimtarive kriminale”.
Lushnjë – Goditet një tjetër rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike. Finalizohet me sukses nga Komisariati i Policisë Lushnjë në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, operacioni antikanabis i koduar “Krutja”. Policia zbulon në fshatin Krutje brenda një ndërtese, një ambient të përshtatur si laborator, që shërbente për kultivimin e bimëve narkotike, nëpërmjet ngrohjes me llamba. Sekuestrohen fidanë kanabisi dhe pajisje të ndryshme elektrike. Arrestohet në flagrancë një prej autorëve të kësaj ngjarje dhe dy punonjës të kompanisë OSHEE. Shpallet në kërkim pronari i ndërtesës i cili është organizatori i kësaj veprimtarie kriminale si edhe dy bashkëpunëtorë të tjerë. Në vijim të kontrolleve të pandërprera dhe punës për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, në bazë të informacioneve të marra më parë në rrugë policore, nga Komisariati i Policisë Lushnjë në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, u bë i mundur finalizimi me sukses i operacionit antikanabis të koduar “Krutja”. Në kuadër të këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi M. Ç., 40 vjeç, banues në Lushnjë, si dhe u shpallën në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasve E. R., 45 vjeç, banues në Tiranë, L. S., 54 vjeç dhe I. B., 27 vjeç, banues në Fier. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë përshtatur ambientin e një ndërtese në pronësi të shtetasit E. R., me aparatura që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike. Gjithashtu, u arrestuan në flagrancë për veprën penale “Shpërdorim detyre” shtetasit M. Z., 64 vjeç, banues në fshatin Ardenicë dhe V. L., 23 vjeç, banues në fshatin Gorre. Të dy këta shtetas, punonjës të kompanisë OSHEE, në kundërshtim me ligjin nuk kanë përmbushur detyrën, (duke mos kontrolluar linjën elektrike, si dhe matësin e energjisë elektrike). Gjatë operacionit shërbimet e Policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale pajisjet elektrike që kanë shërbyer për kultivimin e bimëve narkotike dhe fidanë të dyshuar narkotikë kanabis, të kultivuar në kushte laboratorike. Gjithashtu gjatë kontrollit të banesës së shtetasit L. S., u gjetën dhe u sekuestruan disa fishekë luftarak dhe pajisje që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike në kushte laboratorike. Materialet për veprime të mëtejshme do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Shpërdorim detyre”, “Vjedhja e energjisë elektrike” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.
Gjirokastër – Kërcënoi me granatë në dorë, punonjësit e Policisë, me qëllim moslejimin e kontrollit të banesës dhe më pas tentoi të largohej, por falë ndërhyrjes profesionale, shërbimet e Policisë gjatë ndjekjes neutralizuan dhe prangosën 51-vjeçarin. 51-vjeçari i dënuar më parë për vrasje dhe kontrabandë. Gjatë kontrollit në banesë, shërbimet e Policisë i kanë gjetur dhe një armë zjarri kallashnikov me një krehër me fishekë luftarakë. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, specialistët e krimeve në Komisariatin e Policisë Gjirokastër, në bashkëpunim me Forcat “Shqiponja”, në bazë të informacioneve të marra në rrugë policore se një shtetas, në lagjen “11 Janari”, Gjirokastër, dispononte armë zjarri në banesë, kanë organizuar punën për të ushtruar kontroll në banesën e shtetasit të dyshuar. Në momentin që shërbimet e Policisë janë afruar pranë banesës së tij, shtetasi A. I. ka marrë një granatë difensive me vete dhe ka tentuar të largohet duke kërcënuar punonjësit e Policisë që të mos e ndiqnin, pasi do t’i qëllonte. Shërbimet e Policisë, nisur nga rrezikshmëria që paraqiste ky person, kanë rrethuar zonën në një perimetër të gjerë dhe falë veprimeve dhe ndërhyrjes profesionale kanë bërë të mundur neutralizimin dhe prangosjen e këtij shtetasi, i cili mbante me vete një granatë difensive të montuar me ndezës universal. Gjithashtu, si rezultat i kontrollit të banesës, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri automatik, një krehër dhe 19 fishekë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Korçë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Parandalimi”. Operacioni për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe shpërndarjes së drogave të forta. Vihen në pranga dy shtetas, babë e bir. Sekuestrohet një armë zjarri tip automatik, një krëhër me 13 fishekë, sasi droge heroinë dhe kanabis të ndara në doza, gati për shitje. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në bashkëpunim me strukturat për Hetimin e Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë së paligjshme të armëmbajtjes pa leje dhe prodhimit e shitjes së lëndëve narkotike, finalizuan operacionin e koduar “Parandalimi”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve I. L., 43 vjeç dhe djalit të tij A. L., 25 vjeç, banues në Korçë. Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore se shtetasit e mësipërm, posedonin armë pa leje dhe ushtronin aktivitetin kriminal të shpërndarjes së drogave të forta, shërbimet e policisë organizuan veprimet dhe ushtruan kontroll në lokalin në përdorim prej tyre në lagjen nr. 15, Korçë, ku u gjet një armë zjarri tip automatik (me fishekë në fole), një krëhër me 13 fishekë dhe një sasi lëndë e dyshuar narkotike heroinë. Gjithashtu gjatë kontrollit të mëtejshëm të ushtruar në banesën e tyre, u gjet një sasi me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Tropojë/Kukës – Vijon operacioni policor i koduar “INFORMALITY – 3”, nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik në DVP Kukës, në bashkëpunim me Komisariatet e Policisë Tropojë dhe Kukës. Në kuadër të këtij operacioni u proceduan në gjendje të lirë, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Punësim i paligjshëm”, 9 shtetas, konkretisht A. H., I. L., Z. Gj., A. N., Sh. M., A. P., B. A., Rr. L. dhe R. K., banues në Tropojë. Këta shtetas ushtronin aktivitetin në subjektet bar – kafe, restorant dhe servis automjetesh, në zona të ndryshme të qytetit të Bajram Currit, pa u regjistruar në organet tatimore dhe me punonjës të paregjistruar/siguruar, duke shmangur detyrimet tatimore dhe sigurimin e detyrueshëm për të punësuarit. Gjithashtu, u proceduan në gjendje të lirë 9 shtetas, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, konkretisht A. K., G. C., I. R., Nj. S., M. C., S. J., Sh. S., K. K. dhe B. K., banues në Kukës, pasi këta shtetas ndërtuar objekte të ndryshme, pa lejen e organeve përkatëse. Vijon puna për evidentimin dhe goditjen e rasteve të tjera të informalitetit në territorin e qarkut të Kukësit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës dhe Tropojë, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Punësim i paligjshëm” dhe “Ndërtimi i paligjshëm”.
Durrës – Plan masash për rritjen e parametrave të sigurisë në qytet. Kontrolle të befasishme nga Patrrullat e Përgjithshme të Policisë Durrës, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje. Sekuestrohen armë zjarri, municion luftarak, lëndë narkotike heroinë dhe kokainë, fara cannabis dhe një shumë parash. Vihen në pranga 3 shtetas. Në zbatim të planit të masave për rritjen e parametrave të sigurisë, kapjen e personave që lëvizin me armë zjarri ose lëndë narkotike, Patrullat e Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Durrës kanë zhvilluar kontrolle të befasishme në qytet. Si rezultat i kontrolleve, bazuar edhe në informacione të marra në rrugë operative, kanë bërë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasve H. K., 43 vjeç, banues në Durrës, pasi në lagjen nr. 16, Durrës, është ndaluar nga shërbimet e Policisë mjeti tip “Smart”, që drejtohej nga ky shtetas, dhe gjatë kontrollit u gjet një armë zjarri pistoletë, 9 fishekë, 1 thikë dhe një sasi lëndë narkotike marjuanë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale; E. K., 34 vjeç, banues në Durrës, i cili po lëvizte me biçikletë në lagjen nr. 4, Durrës, dhe gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga Patrullat e Përgjithshme i janë gjetur 42 doza me lëndë narkotike heroinë, 17 doza me lëndë narkotike kokainë, një shumë prej 108.890 lekësh dhe 3 grirëse hashashi, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale; E. H., 25 vjeç, banues në Durrës, pasi shërbimet e Policisë e kanë ndaluar në lagjen nr. 1, Durrës dhe gjatë kontrollit fizik, në xhep, iu gjetën fara të dyshuara canabis sativa, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
Dibër – Vijon puna intensive hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të ndodhura më parë, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Zbardhen dhe dokumentohen 2 vjedhje të dyqaneve celularë të ndodhura në qytetin e Peshkopisë dhe në Maqellarë. Vihen në pranga dy nga autorët e dyshuar, shpallen në kërkim dy bashkëpunëtorë si dhe procedohen penalisht dy shtetas të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Specialistët për Hetimin e Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Dibër, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe zbardhjen e vjedhjeve të pronës të ndodhura më parë, si dhe kapjen e vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, kanë organizuar punën dhe si rezultat u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i dy vjedhjeve dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve A. Ll., 19 vjeç, M. P., 30 vjeç banues në Bulqizë. U proceduan penalisht shtetasit K. V., 17 vjeç, K. H., 17 vjeç; si dhe u shpallën në kërkim policor shtetasit R. Xh., K. Sh., banues në Bulqizë. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasit e lartëpërmendur në bashkëpunim me një tjetrin, në Maqellarë kanë vjedhur me thyerje një dyqan celularësh në pronësi të një 53-vjeçari, dhe më pas celularët e vjedhura i’a kanë dhënë për qëllime përfitimi shtetasit M. P., ku ky i fundit i ka fshehur, me qëllim mosgjetjen e tyre nga kontrolli i Policisë. Po në vijim të hetimit, ka rezultuar se shtetasit e lartëpërmendur janë autorë dhe të vjedhjes së një dyqani celularësh në qytetin e Peshkopisë, ku kanë arritur të marrin disa celularë. Janë sekuestruar nga Policia sendet e gjetura të vjedhura nga autorët dhe dy automjete me të cilët udhëtonin. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër për veprime të mëtejshme. Vijon puna intensive për dokumentimin e disa vjedhjeve të tjera të ndodhura më parë ku dyshohet se janë të implikuar shtetasit e lartëpërmendur.
Manëz/Durrës – Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Manëz, kanë proceduar penalisht për veprën penale “Mjekim i pakujdesshëm”, shtetasit Sh. B., 54 vjeç dhe J. K., 60 vjeç, banues në Durrës, me detyrë mjek në qëndrën shëndetësore Manëz, pasi si pasojë e përkeqësimit të shëndetit kanë ndërruar jetë shtetasit kosovarë E. H., 78 vjeçe, A. H., 56 vjeç dhe F. H., 57 vjeçe ( famijarë), të cilët nga hetimet paraprake dyshohet se këta shtetas kanë mbledhur kërpurdha dhe pasi i kanë konsumuar në banesën e tyre në Gjirin e Lalëzit janë helmuar. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
Durrës – Goditet një tjetër rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike. Finalizohet me sukses operacioni i koduar “Papafingo”. Arrestohet në flagrancë 1 shtetas, i cili banesën e marrë me qira e kishte përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, nëpërmjet ngrohjes me llamba. Procedohen penalisht dhe 2 punonjës të OSHEE-së, pasi nuk konstatuan vjedhjen e energjisë elektrike. Në vijim të kontrolleve të pandërprera dhe punës për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, nga stacioni i Policisë Plazh u bë i mundur finalizimi i operacionit të koduar “Papafingo”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi P. Ç., 62 vjeç, banues në Durrës. Arrestimi i tij u bë pasi gjatë kontrollit në banesën e marë me qira (papafingo), në lagjen nr. 13, Durrës, u konstatua se ky shtetas e kishte përshtatur banesën, me aparatura që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike dhe kishte ndërhyrë në matësin e energjisë elektrike. Gjithashtu u proceduan penalisht, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, shtetasit E. E., 34 vjeç banues në Xhafzotaj dhe S. D., 38 vjeç, banues në Durrës, me detyrë elektricist pranë OSHEE-së, të cilët nuk kanë përmbushur detyrën sipas ligjit, pasi nuk kanë kontrolluar linjën elektrike dhe matësin e energjisë elektrike. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan bimë narkotike canabis sativa dhe pajisje që shërbenin për kultivimin e tyre. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
Berat – Vijon puna për goditjen e paligjshmërisë në fushën e armëmbajtjes pa leje. Vihet në pranga një 38-vjeçar që dispononte armë zjarri pa leje. Nga hetimet paraprake ky shtetas dyshohet dhe si autor i një vjedhjeje të ndodhur më parë. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, specialistët e krimeve në Komisariatin e Policisë Berat, në bazë të informacioneve të marra se një shtetas, në fshatin Kutalli, Dimal, dispononte armë zjarri në banesë, kanë organizuar punën dhe kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit M. B. Gjatë kontrollit të banesës, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri automatik, një krehër dhe 7 fishekë. Gjatë veprimeve hetimore paraprake rezultoi se shtetasi M. B., 38 vjeç, është autor i dyshuar i vjedhjes së një shume parash në një pikë karburanti, në datën 22.04.2021. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për veprime të mëtejshme.
Sarandë – Tentoi t’i vidhte nën kërcënimin e thikës, një shumë parash një 34-vjeçareje, Policia identifikon dhe arreston autorin e dyshuar. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, pas marrjes së njoftimit se në lagjen nr. 1, Sarandë, pranë bankomatit të një banke, një shtetas nën kërcënimin e një mjeti të mprehtë (thikë), kishte tentuar t’i vidhte një shumë parash shtetases A. N., 34 vjeçe, kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe profesionale, Policia bëri të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar, shtetasit J. (L). K., 44 vjeç, banues në Livadhja. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprën penale “Vjedhje me dhunë”, mbetur në tentativë.
Policia e Shtetit – Vijon puna nga strukturat policore, për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar e ndërkombëtar. Fast Albania, në bashkëpunim me Interpol Tirana, ka kapur dhe arrestuar, me qëllim ekstradimi, një shtetas italian të dënuar me 5 vite e 6 muaj burg. Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar e ndërkombëtar, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative për një shtetas italian të shpallur në kërkim ndërkombëtar, i cili dyshohej se fshihej në Tiranë, Fast Albania, në bashkëpunim me Interpol Tiranën, ka organizuar punën për kapjen e tij. Si rezultat, në Tiranë, Fast Albania kapi dhe arrestoi me qëllim ekstradimi drejt Italisë shtetasin italian Luigi Colosso, banues në Cosenza, Itali, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma/Itali. Gjykata e Apelit në Trieste, Itali, në vitin 2016, e ka dënuar këtë shtetas me 5 vjet e 6 muaj burgim, për veprën penale “Mashtrimi me pasoja të rënda”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë. Ky shtetas dyshohet se në Tavagnacco, Itali, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, në cilësinë e administratorit të shoqërie sh.p.k, ka deklaruar falimentimin duke keqpërdorur dhe fshehur shuma të mëdha në euro. Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, po vijon proceduarat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 236 shtetas, konkretisht: 3 janë ndaluar, 50 janë arrestuar në flagrancë dhe 183 po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 28 raste, me 9 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 21 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit, në gjithë territorin, gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 19 raste, konkretisht: 4 raste të “Kanosja”; 9 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”; 6 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 12 raste të dhunës në familje, në të gjithë vendin, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 10 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 27 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.
Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 28 raste: 7 raste me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 7 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 21 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 32 raste të ndërtimit pa leje, në të gjithë vendin, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 6 raste të shkatërrimit të pronës, me 6 autorë që procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 17 raste të “Fshehja e të ardhurave”, me 17 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të mbajtjes pa leje të armeve të ftohta, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë arrestuar në flagrancë 4 shtetas dhe është proceduar penalisht 1 tjetër, për armëmbajtje pa leje.
Janë evidentuar 2 raste të “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.
Është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, ndërsa 1 tjetër është arrestuar për veprën penale “Përndjekja”.
Janë evidentuar 2 raste të “Vetëgjyqësia”, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Organizimi i lotarive të palejuara”, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për veprën penale “Veprime në kundërshtim me vendimin gjykatës”.
Është proceduar penalisht 1 shtetas, për “Pushtim toke”, 1 për “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, 1 për “Falsifikimi i letërnjoftimeve” dhe 1 për ‘Trafikimi i mjeteve motorike”.
Janë proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Janë arrestuar në flagrancë 8 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Janë arrestuar në flagrancë 9 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 8 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Gjatë 72 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë, kanë ndodhur 22 aksidente, me 2 viktima dhe 27 persona të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.