Tiranë – Specialistët e Seksionit për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë bënë ndalimin për veprën penale “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, të shtetasit E. B., 30 vjeç, si dhe shpallën në kërkim për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”,” shtetasin E. J., 32 vjeç, kandidat për deputet i një subjekti politik për qarkun e Tiranës. Në kuadër të procedimit penal, datë 23.04.2021 të SPAK dhe bazuar në pamjet filmike të transmetuara në media dhe rrjete sociale, këta dy shtetas janë të dyshuar për një rast korrupsioni në fushatën zgjedhore. Shërbimet e Policisë kanë ushtruar disa kontrolle por deri tani nuk është bërë e mundur kapja e shtetasit E. J. Materialet proçeduriale iu kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në ngarkim të shtetasit E. B., për veprën penale “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, dhe në ngarkim të shtetasit E. J., për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.
Maliq – Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Maliq filluan procedimin penal në gjendje të lirë në ngarkim të shtetasve F. D., 25 vjeç; E. D., 21 vjeç dhe A. G., 54 vjeç, banues në fshatin Podgorie, Maliq (simpatizanë të një subjekti politik). Këta shtetas në mënyrë të kundërligjshme në fshatin Podgorie, Maliq, i kishin bllokuar rrugën me automjetin e tyre shtetasit Q. B., me detyrë administrator i Njësisë Administrative Vreshtas, Maliq, i cili udhëtontë me mjetin e tij, me pretendimin se në automjet kishte lekë për të blerë vota. Nga verifikimet e kryera dhe kontrolli i ushtruar nga ana e grupit hetimor dhe shërbimeve të policisë në automjetin e shtetasit Q. B., nuk u gjet asnjë send kompromentues, në lidhje me procesin zgjedhor. Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale “Njoftimi i rremë në organet e rendit” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të trasportit”.
Dibër – Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Dibër filluan procedimin penal në gjendje të lirë për shtetasit: A. S., Gj. M., L. H., B. D., A. O., banues në Dibër, (simpatizanë të një subjejti politik). Këta shtetas në mënyrë të kundraligjshme, në fshatin Burim, kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin, duke ndaluar dhe kontrolluar një automjet , që udhëtonte shtetasja F. M, punonjëse në Postën e Maqellarës, (me detyrë pagatore shpërndares e pensioneve) në Njësinë Administrative Maqellarë, me pretendimin se kjo shtetase po shpërndante para në këmbim të votave. Nga verifikimet e kryera dhe kontrolli i ushtruar i grupit hetimor dhe shërbimeve të Policisë në automjetin që udhëtonte shtetasja F. M., nuk u gjet asnjë send kompromentues në lidhje me procesin zgjedhor. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Dibër, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”.
Qarku Korçë – Vijon operacioni policor i koduar “Perimetri”. Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit. U kap duke transportuar 6 emigrantë të paligjshëm, vihet në pranga 1 shtetas. Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Korçë, në bashkëpunim me strukturat e SHÇBA-Korçë, Policinë Kufitare, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit E. F., 38 vjeç, banues në Korçë. Ky shtetas është konstatuar nga shërbimet e policisë, pranë vendit të quajtur “Kryqëzimi i Libonikut”, duke transportuar në drejtim të Tiranës, me mjetin tip “Mercedes-Benz”, 6 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Po punohet për identifikimin dhe vendosjen përpara përgjegjësisë penale, të personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim.
Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Dërgesa e fundit”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e mashtrimit me qëllim përfitimin e vlerave monetare. Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar nën drejtimin e Prokurorisë e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Arrestohen në flagrancë 1 shtetas, si dhe shpallet në kërkim 1 tjetër. Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, pas disa muaj hetimesh bazuar në informacione të siguruara në rrugë operative si dhe nga kallëzimet e bëra nga disa qytetarë të ndryshëm për 2 shtetas, të cilët nëpërmjet mashtrimit iu merrnin shuma të konsiderushme parash me pretendimin që do të përfitoheshin nga kompani sigurimi shëndetësore jashtë vendit ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Dërgesa e fundit”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi: L. M., 51 vjeç, lindur në Kosovë dhe resident në shtetin e Zvicrës. Si dhe u shpall në kërkim bashkëpunëtorja e tij shtetasja R. B. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri- tjetrin, duke bërë dokumenta shëndëtsore të falsifikuara iu kanë marrë disa shtetasve vlera të konsiderueshme të cilat kapin vlerën mbi 1 milion euro, me pretendimin që do të përfitoheshin nga kompani sigurimi shëndetësore kryesisht në Zvicër dyfishin e shumave që u jepnin këtyre personave. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dokumenta të ndryshme të kësaj veprimtarie kriminale si dhe 1 aparat celular. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale ”Mashtrimi”, “Pastrim i produkteve të veprës penale”, “Fshehje të ardhurash” dhe “Mospagim taksash dhe tatimesh”.
Tiranë – Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit O. Th., 30 vjeç, pasi në banesë ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 u bë ndalimi i shtetasit D. D., 19 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Vjedhja”. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: Gj. M., 35 vjeç, pasi duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur ka aksidentuar mjetin me drejtues N. L. Si pasojë e aksidentit janë dëmtuar 2 pasagjerë në mjetin e shtetasit N. L., të cilët ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën; E. R., 35 vjeç dhe E. D., 44 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur. •Shtetasja Gj. Ç., 35 vjeçe, në gjendje të rënduar psikologjike, ka konsumuar një sasi medikamentesh, dhe për pasojë ka ndërruar jetë në spital. •Më datë 24.04.2021, në orët e para të mëngjesit të sotëm, në “Ali Dem”, një mjet me drejtues ende të paidentifikuar ka humbur, kontrollin. Si pasojë janë dëmtuar, shtetasit A. B., 30 vjeç, M. Z., 23 vjeç dhe S. D., 24 vjeç, të cilët ndodhet në spital, në gjendje të rëndë shëndetësore.•Më datë 24.04.2021, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe punohet për kapjen e 2 shtetasve të mitur të moshës 13-vjeçare, pasi kanë vjedhur 5.000 lekë në dyqanin e shtetasit I. P. Punohet për kapjen dhe shoqërimin e tyre. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.
Tiranë/Informacion paraprak – Më datë 25.04.2021, rreth orës 03:50, në Kashar, në rrethana ende të paqarta, është plagosur me armë zjarri roja private i një restoranti, shtetasi S. L., rreth 52 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, ku vijon puna për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.
Durrës – Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë për krimet zgjedhore, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, arrestuan në flagrancë për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, shtetasit N.M., 37 vjeç, banues në Qerret dhe Xh.T., 23 vjeç, banues në Qerret, Durrës, përfaqësues të një subjekti politik. Shërbimet e Policisë nga informacionet e marra në rrugë operative se në një mjet tip “Passat” po kryheshin veprime të kundraligjshme kundrejt shit-blerjes së votës, në vendin e quajtur Bishti Kamëz, kanë ndaluar dhe kanë kapur në flagrancë dy shtetasit. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 28 zarfë me nga 5 dhe 10 mijë lekë secili, që dyshohen se do të përdoreshin për blerjen e votës. Gjithashtu gjatë kontrollit në mjet u gjendën fletë votimi të cikluara për një subjekt politik. Materialet i kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për veprime të mëtejshme.
Dibër – Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Dibër filloi procedimi penal dhe u referuan materialet procedurale në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit automobilistik”, për shtetasit F. A., 54 vjeç, S. L., 46 vjeç, banues në Dibër, (simpatizantë të një subjekti politik). Procedimi penal ndaj tyre filloi pasi në bashkëpunim me disa shtetas të tjerë, në fshatin Arras, kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin, në drejtim të heqjes së paligjshme të lirisë, kundrejt shtetasit A. C. Këta shtetas kanë ndaluar dhe kontrolluar automjetin që drejtohej nga shtetasi A. C., (kryetar i degës lokale i një subjekti politik), dhe është mbajtur i bllokuar deri në mbërritjen e shërbimeve të Policisë, me pretendimin se ky shtetas, posedonte materiale që mund të ndikonin në procesin zgjedhor. Nga verifikimet e kryera dhe kontrolli i ushtruar nga grupi hetimor në automjetin që drejtonte shtetasi A. C., nuk u gjet asnjë send kompromentues në lidhje me procesin zgjedhor. Vijon puna për identifikimin dhe procedimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.
Tiranë – Më datë 25.04.2021, rreth orës 10:10, është marrë njoftim nga Komisioni i Qendës së Votimit Nr. 1767, e cila ndodhet në shkollën “Andon Zako Çajupi” se është bllokuar përkohësisht procesi i votimit, pasi nga anëtarët e Komisionit është konstatuar një shtetas që po fotografonte votën e tij. Me vendimin Nr. 1 të datës 25.04.2021, të Qendrës së Votimit, është kërkuar ndihma e Policisë së Shtetit. Pas marrjes së vendimit, shërbimet e Policisë të Komisariatit të Policisë Nr. 4 kanë hyrë brenda qendrës dhe nga kryerja e veprimeve të para ka rezultuar se shtetasi G. S., 30 vjeç, pasi është regjistruar, ka marrë fletën e votimit dhe ka shkuar tek dhoma e fshehtë. Pasi ka kryer veprimet, ka fotografuar votën e tij dhe ky veprim është parë nga anëtarët e Komisionit. Shtetasit G. S. i është bllokuar fleta e votimit dhe më pas nga sherbimet e Policisë është bërë shoqërimi i tij në ambientet e Komisariatit, për veprime të metejshme hetimore. Në përfundim të veprimeve nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit G. S., 30 vjeç, për veprën penale “Shkelja e fshehtësisë së votës”.
Divjakë – Nga Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Divjakë filloi procedimi penal për shtetasit: E. A., S. K., I. Dh., E. V., A. M., S. S., L. Z., H. D., L. Zh., F. M., A. M., A. B., A. K., A. P., A. K., L. Rr., A. K., D. S., A. Sh., F. Sh. Në datën 24.04.2021, në orën 22:35, në Sallën Operative ka telefonuar një qytetare e cila thotë se në fshatin Shën e Premte, Divjakë, përreth banesës së saj ka grumbullim personash dhe automjetesh. Pas telefonatës, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe konstatuan se përreth banesës së shtetases K. G ishin grumbulluar disa mbështetës të një subjekti politik, të cilët pasi u pyetën nga policia, pretendonin se ishin për mbrojtjen e votës së lirë. Për këta shtetas u morë masa administrative për shkelje të aktit normativ dhe i’u kërkua që të shkonin në banesat e tyre. Në këto momente në vendngjarje kanë mbërritur edhe drejtues politikë të kësaj partie me disa simpatizanë të tjerë të cilët edhe pas thirrjeve që ju bëri Policia për t’u larguar, bllokuan rrugën. Në vijim të veprimeve të kryera në koordinim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë dhe me Specialistët për Hetimin e Krimeve në DVP Fier, u proceduan në gjëndje të lirë 20 shtetas për veprat penale “Organizime dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme”, dhe “Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik”.
Tiranë/Informacion paraprak – Në sallën operative ka ardhur njoftim se në sheshin “Skënderbej”, një drejtues mjeti ishte duke kryer manovra të rrezikshme në rrugë, duke rrezikuar jetën e qytetarëve. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në adresën e dhënë kanë shkuar shërbimet e Policisë, të cilët në bashkëpunim me Policinë Bashkiake dhe qytetarë të rastit kanë bërë të mundur neutralizimin dhe prangosjen e drejtuesit të mjetit, shtetasit A. M., 32 vjeç, i cili është shoqëruar në Komisariat, për veprime të mëtejshme hetimore. Nga verifikimet paraprake të Policisë nuk ka persona të lënduar dhe dyshohet se drejtuesi i mjetit është nën efektin e lëndëve narkotike. Gjithashtu, këtij shtetasi gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi me lëndë të dyshuar kanabis. Ky drejtues mjeti fillimisht ka përplasur tri automjete në vende të ndryshme duke shkaktuar dëme materiale dhe më pas ka thyer barrierat mbrojtëse dhe ka hyrë në sheshin “Skënderbej” duke rrezikuar seriozisht qytetarët. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Shkodër – Më datë 25.04.2021, rreth orës 10:00, është marrë njoftim nga Komisioni i Qendrës së Votimit Nr. 0299, e cila ndodhet në shkollën “Neki Lezha”, në lagjen “Salo Halili”, pasi nga anëtarët e Komisionit është konstatuar një shtetas që po fotografonte votën e tij. Me vendimin nr. 3 të datës 25.04.2021 të Qendrës së Votimit është kërkuar ndërhyrja e Policisë. Pas marrjes se vendimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër kanë hyrë brenda Qendrës dhe nga kryerja e veprimeve të para ka rezultuar se shtetasi D. U., 32 vjeç, pasi është regjistruar, ka marrë fletën e votimit dhe ka shkuar tek dhoma e fshehtë. Pasi ka kryer veprimet, ai ka tentuar të fotografojë votën e tij, por është konstatuar nga anëtarët e Komisionit. Shtetasit D. U. i është bllokuar fleta votimit dhe më pas, nga shërbimet e Policisë është bërë shoqërimi i tij në ambientet e Komisariatit, për veprime të mëtejshme hetimore. Në përfundim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Shkodër u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit D. U., për veprën penale “Shkelja e fshehtësisë së votës”.
Tropojë – Kërcënuan me armë zjarri dhe goditën me sende të forta një shtetas, si dhe nuk iu bindën urdhrit të punonjësit të Policisë, vihet në pranga njëri nga autorët, shpallen në kërkim dy të tjerë (vëllezërit e tij). Nga Komisioni i Qendrës së Votimit Nr. 0489, e cila ndodhet në shkollën e fshatit Lekbibaj, është kërkuar ndërhyrja e Policisë për një konflikt në ambientet e shkollës. Pas marrjes së vendimit Nr. 01 datë 25.04.2021, janë afruar shërbimet e Policisë dhe nga kryerja e veprimeve hetimore ka rezultuar se shtetasi Gj. Gj., përfaqësues i një subjekti politik, së bashku me vëllezërit e tij shtetasit Sh. Gj. dhe M. Gj., kanë kërcënuar me armë zjarri të llojit pistoletë, si dhe goditur me sende të forta shtetasin A. N., përfaqësues i një subjekti tjetër politik. Gjithashtu, këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë dëmtuar dhe shkatërruar pronën e kësaj shkolle, si dhe nuk i janë bindur urdhrit të punonjësit të Policisë. Në përfundim të veprimeve hetimore u bë arrestimi i shtetasit Gj. Gj., 62 vjeç, banues në Lekbibaj, për veprat penale “Dëmtime të tjera me dashje”, “Shkatërrimi i pronës”, “Mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit luftarak”, “Kanosja” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të rendit publik”. Si dhe u shpallën në kërkim shtetasit Sh. Gj. dhe M. Gj. dhe po punohet për kapjen e tyre Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tropojë, për veprime të mëtejshme. Me vendim të Qendrës së Votimit, Nr. 2, datë 25.04.2021, ora 13:35, Policia është larguar nga QV dhe procesi i votimit vijon normalisht.
Fier – Bënte thirrje në afërsi të qëndrës së votimit në fshatin Agim për të djegur kutitë e votimit, kapet nga Policia dhe shoqërohet në Komisariat autori. Sekuestrohen shishe molotov, armë të ftohta dhe libra të një sekti fetar. Sot rreth orës 19:10, është marrë njoftim se shtetasi M. P., banues në fshatin Havaleas, ka shkuar në kishën e fshatit Agim dhe ka hedhur në oborrin e jashtëm të saj një shishe me molotov e cila ka shpërthyer dhe për pasojë ka pasur vetëm dëme të vogla materiale. Më pas është larguar dhe në rrugën kryesore të fshatit Agim, në afërsi të qendrës së votimit ka bërë thirrje duke sharë të gjitha subjektet politike duke kërcënuar se do digjte kutitë e votimit. Menjëherë shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin në Komisariatin e Policisë Fier të shtetasit M. P., 37 vjeç. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar tre shishe molotov, dy mjete prerëse (sëpatë dhe thikë) dhe libra të një sekti fetar të cilat i kishte me vete në një çantë. Po kryhen veprimet procedurale hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Fushë Arrëz, Pukë – Plagosi me thikë punonjësin e Policisë në krye të detyrës, kapet në kohë rekord autori. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në fshatin Bardhet të Njësisë Administrative Qafë Mali të rrethit Pukë, ku u plagos me thikë një punonjës policie që ishte në krye të detyrës, organizuan punën dhe falë kontrolleve dhe reagimit të menjëhershëm bënë të mundur që në kohë rekord të lokalizohej, kapej dhe arrestohej autori i plagosjes, shtetasi Mikel Lleshaj, 32 vjeç, banues në fshatin Qafë Mali, Pukë. Ky shtetas, rreth orës 19:00, gjatë mbylljes së procesit të votimit, në momentin e mbërritjes në QV për të shoqëruar kutitë e votimit dhe materialet zgjedhore, ka plagosur me mjet preres (thikë), punonjësin e Policisë G. O., i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pukë, për vepren penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit” mbetur në tentativë.
Krujë – Arrestohen në flagrancë dy autorët e dyshuar për ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme në Krujë, ku mbeti i lënduar me mjet prerës (thikë), një shtetas. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë arrestuan në flagrancë shtetasit K. V., 38 vjeç dhe K. B., 24 vjeç, banues në Fshatin Halil, Krujë. Arrestimi i tyre u bë pasi më datë 25.04.2021, në orën 11:00, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pas një konflikti për motive të dobëta, kanë plagosur me mjet prerës (thikë), shtetasin E. H., 29 vjeç, banues në fshatin Halil, Krujë, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.
Tiranë – Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. L., 53 vjeç, pasi ka vjedhur një shumë parash në dyqanin e shtetasit O. K. Në cilësinë e provës u sekuestruan disa nga mjetet që ky shtetas i përdorte për të kryer vjedhjet. Po nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit B. K., 55 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes, të cilës iu plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. H., 37 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve E. B., 44 vjeçe, pasi u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur; M. K., 38 vjeç, pasi duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, ka përplasur mjetin me drejtues E. Sh. Si pasojë janë dëmtuar lehtë 2 pasagjerë, të cilët pas marrjes së mjekimit u larguan për në banesë. •Më datë 25.04.2021 u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe punohet për kapjen e shtetasit A. S., 26 vjeç, pasi në rrugën “Qemal Stafa”, në një qendër votimi, ka goditur me grusht anëtaren e komisionit, shtetasen R. I. •Më datë 25.04.2021 u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe punohet për gjetjen e shtetases L. G., 69 vjeçe, sepse ka fotografuar fletën e votimit dhe më pas është larguar. Më datë 25.04.2021 u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për vlerësim, për shtetasit I. P dhe A. D., pasi kanë tentuar të fotografojnë fletën e votimit. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.
Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 174 shtetas, nga këta: 40 janë arrestuar, 8 janë ndaluar dhe 126 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 6 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste, në të gjithë territorin, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit, në gjithë territorin, gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 22 raste, konkretisht: 5 raste të “Kanosja”; 6 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”; 7 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë; 3 raste të “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë të shpallur në kërkim.
Janë evidentuar 15 raste të dhunës në familje, në të gjithë vendin, me 8 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 20 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.
Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 22 raste: 7 raste me 5 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 15 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 13 raste të ndërtimit pa leje, me 1 autor të ndaluar dhe 12 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 6 raste të shkatërrimit të pronës, 4 raste me 4 autorë që procedohen në gjendje të lirë dhe 2 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 3 raste të “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 3 raste të “Shkelja e fshehtësisë së votës”, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor të shpallur në kërkim.
Janë evidentuar 2 raste të “Dhënia e shpërblimeve dhe e premtimeve”, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 2 raste të “Prishja e qetësisë publike”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, me 1 autor të arrestuar në flagrancë.
Është evidentuar 1 rast i “Mashtrimi”, me 1 autor të arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 2 raste të “Fshehja e të ardhurave”, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”, me autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor të shpallur në kërkim.
Është evidentuar 1 rast i “Pengimi i zgjedhësit”, me 2 autorë të shpallur në kërkim.
Është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Përndjekja”, 1 për “Punësim i paligjshëm”, 1 për “Marrja pa të drejtë e fëmijës”, 1 për “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, 1 për “Pushtim toke”, 1 për “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” dhe 2 të tjerë për veprën penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës.
Është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Njoftim i rremë në organet e rendit”, ndërsa 3 të tjerë janë proceduar për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
Është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, 2 janë proceduar për “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë” dhe 2 të tjerë për “Kundërshtimi i punonjësit të policisë”.
Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Organizmi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme.
Janë proceduar 7 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Janë arrestuar në flagrancë 7 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Janë proceduar penalisht 3 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Gjatë 72 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë, kanë ndodhur 18 aksidente, me 1 viktimë dhe 26 persona të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.