Raporti i ngjarjeve për 72 orët e fundit, Policia e Shtetit

Bulqizë – Vodhën mjete pune në një subjekt minerar, arrestohen në flagrancë nga Policia, 4 shtetas. Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjes së pronës, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe kapjen e vënien para përgjegjësisë të autorëve të tyre, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Bulqizë, u arrestuan në flagrancë shtetasit E. L., 19 vjeç, dhe E. L., 20 vjeç, (vëllezër), banues në Bulqizë, pasi në mesnatën e datës 2 prill, 2021,  në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë vjedhur mjete pune (motorseka) në pronësi të një subjekti minerar. Në vijim të veprimeve për gjetjen dhe sekuestrimin e sendeve të vjedhura nga shtetasit e lartpërmendur, shërbimet e policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasve E. M., 25 vjeç, dhe E. M., 29 vjeç, (vëllezër),  ku në garazhin e makinës së tyre u gjetën mjetet e punës të vjedhura nga shtetasit e lartpërmendur. Në përfundim të veprimeve hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve E. M. dhe E. M., për veprat penale “Vjedhje” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Durrës – Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Pushtimi i tokës” dhe “Ndërtim i paligjshëm”, shtetasin L. L., 51 vjeç, banues në Kamzë, Tiranë, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë, në lokalin e tij tek Gjiri i Lalëzit, duke kryer punime pa leje (rrethim me beton), në tokë publike, me qëllim përfitimi. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme. Shijak/Durrës – U referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës dhe vijon puna për kapjen e shtetasit K. Ç., 16 vjeç, banues në Shijak, pasi më datë 02.04.2021, rreth orës 22:00, në Shijak, dyshohet se pas një konflikti të çastit ka goditur me mjet prerës (thikë), shtetasin B. K., 21 vjeç, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Vlorë – Vijon puna për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Arrestohen në flagrancë 2 shtetas, për vepra penale të ndryshme. Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë u arrestua në flagrancë shtetasi K. Y., 37 vjeç si dhe u bë shpallja në kërkim policor e shtetasit M. H., 49 vjeç, banues në Vlorë, pasi këta shtetas, në lagjen “29 Nëntori”, Vlorë, kanë vjedhur një biçikletë, në pronësi të shtetasit A. M, banues në Vlorë. Po nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë u arrestua në flagrancë shtetasi G. J., 17 vjeç, banues në Vlorë, pasi gjatë një konflikti për motive të dobëta, në lagjen “Pavarësia”, Vlorë, ka goditur me mjet prerës (thikë), shtetasin E. D., 17 vjeç, banues në Vlorë, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Policia godet një tjetër rast të armëmbajtjes pa leje. Qarkullonte me armë zjarri me vete, kapet dhe arrestohet në flagrancë 29-vjeçari. Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative për një shtetas që po qarkullonte me armë zjarri me vete, kanë organizuar punën dhe falë veprimeve të shpejta dhe profesionale bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit palestinez A. D., 29 vjeç. Ky shtetas u kap në rrugën “Bruzi” në zonën e Laprakës, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar iu gjet dhe iu sekuestrua një armë zjarri pistoletë.  Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.

Shkodër – Finalizohet operacioni policor i koduar “Mushan”. Vihet në pranga një nga autorët e ngjarjes së ndodhur më datë 28.11.2020, ku mbeti i vrarë shtetasi R. H. Nga strukturat e posaçme të DVP Shkodër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shkodër, pas informacioneve të marra në rrugë operative dhe punës së mirorganizuar u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim Hydajet Mehmedaj, 34 vjeç, banues në fshatin Mushan, Shkodër. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pas informacioneve të marra dhe lokalizimit të tij në një bar-kafe në fshatin Mushan, Shkodër. Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasit D. M. (i shpallur në kërkim) dhe M. Gj. (i arrestuar ditën e ngjarjes), më datë 28.11.2020, ka vrarë me armë zjarri shtetasin R. H., 46 vjeç, banues në fshatin Darragjat, Shkodër. Për shtetasin Hydajet Mehmedaj, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Shkodër, më datë 01.12.2020, ka nxjerrë urdhër ndalimi për veprat penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Sarandë – Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim. Kapen dhe ndalohen 2 shtetas të shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, në vijim të punës për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të shpallur në kërkim bënë ndalimin e shtetasit turk E. A., 42 vjeç, pasi Gjykata e Apelit Gjirokastër, me vendimin e datës 20.03.2021, e ka dënuar me 8 muaj burg, për veprën penale ‘’Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”. Po nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Sarandë u bë ndalimi  për shtetasin në kërkim E. S., 31 vjeç, banues në Sarandë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim në datën 01.04.2021, pasi dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me një shtetase të mitur. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Krujë – Vijojnë kontrollet e territorit, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Evidentohet dhe goditet një rast i tentativës për kultivim të kanabisit dhe armëmbajtjes pa leje në Krujë. Sekuestrohen një sasi kubikë me fidanë kanabisi, pajisje të ndryshme elektrike dhe një armë zjarri. Vihen në pranga 3 shtetas. Shërbimet e Policisë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, gjatë kontrollit masiv të territorit, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, kanë evidentuar dhe goditur një rast të tentativës për kultivim të kanabisit në pyllin e Krastës, ku janë asgjësuar fidanë të dyshuar cannabis sativa. Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit Krujë arrestuan në flagrancë shtetasit S. B., 20 vjeç, E. G., 29 vjeç dhe K. G., 20, banues në lagjen Nr. 4, Krujë. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në vendin e quajtur “Krastë”, qyteti Krujë, janë kapur në flagrancë duke kultivuar në një ambient të shpyllëzuar, 40 fidanë të sapombjellë në kubikë. Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit S. B., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan fidanë me lëndë narkotike cannabis sativa. Ndërsa në banesën e shtetasve E. G. dhe K. G (vëllezër), shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan pajisje të ndryshme elektrike që përdoreshin për kultivimin e bimëve narkotike.  Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të zonës përreth u gjet një armë zjarri dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 178 shtetas, nga këta: 34 janë arrestuar, 18 janë ndaluar dhe 126 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 7 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 13 raste, në të gjithë territorin, me 6 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 9 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit, në gjithë territorin, gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 20 raste, konkretisht: 3 raste të “Kanosja”; 8 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”; 7 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 2 raste të “Plagosja e rëndë me dashje”, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 11 raste të dhunës në familje, në të gjithë vendin, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 9 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 19 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.

Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 31 raste: 12 raste me 7 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 19 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 18 raste të ndërtimit pa leje, me 18 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të shkatërrimit të pronës, me 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Mashtrimi kompjuterik”, me 7 autorë të ndaluar dhe 1 autor të shpallur në kërkim.

Është evidentuar 1 rast i “Trafikimi i mjeteve motorike”, me 1 autor të procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të armëmbajtjes pa leje, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 3 raste të “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Goditje për shkak të detyrës”, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të “Pushtim toke”, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Prishja e qetësisë publike”, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”, me 1 autor të ndaluar dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të “Vetëgjyqësia”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.

Është ndaluar 1 shtetas për veprën penale “Vepra të turpshme”, ndërsa 1 tjetër është proceduar penalisht për veprën penale “Ngacmimi seksual”.

Gjatë 72 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë, kanë ndodhur 14 raste aksidentesh, me 18  persona të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.