Raporti i ngjarjeve për 72 orët e fundit, Policia e Shtetit

Durrës – Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës, në bashkëpunim me Interpol Tirana. Vihet në pranga 1 shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia, me qëllim ekstradimi drejt këtij shteti. Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, specialistët për Hetimin e Narkotikëve, si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve me ZQK Interpol Tirana, kanë bërë të mundur lokalizimin dhe arrestimin provizor të shtetasit G.(D).Gj., 43 vjeç, banues në Durrës. Këtë shtetas Gjykata e Padovas, Itali, me vendimin e datës 13.09.2003, e ka dënuar me 5 vjet burg për veprën penale “Shfrytëzim i prostitucionit” dhe “Përdhunimi”, të parashikuar sipas Kodit Penal Italian. Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijojnë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.

Qarku Korçë – Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme në kuadër të operacionit “Perimetri”. Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit. U kap duke transportuar 11 emigrantë të paligjshëm, vihet në pranga 44-vjeçari.  Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me Policinë Rrugore dhe Policinë Kufitare, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies së ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit G. D., 44 vjeç, banues në Durrës. Ky shtetas u kap nga shërbimet e Policisë Rrugore në qytetin e Pogradecit, duke transportuar në drejtim të Tiranës, me mjetin tip “Ford”, 11 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit prej 1000 euro në total, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.  Po punohet për vënien përpara përgjegjësisë ligjore edhe të personave të tjerë, të dyshuar si të implikuar në këtë ngjarje. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim.

Dibër – U kap me lëndë narkotike kokainë në një lokal gjatë fashës orare të ndaluar, vihet në pranga 18-vjeçari. Procedohen penalisht për moskallëzim krimi edhe tre shtetas të tjerë që shoqëronin 18-vjeçarin. Ndëshkohet me masë administrative 1.000.000 lekë shtetasi F. Z.,  pronari i lokalit i cili ushtronte aktivitetin në kundërshtim me Aktin Normativ për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër , në bashkëpunim me forcën e posaçme ‘Shqiponjat’ dhe Seksionin për Hetimin e  Narkotikëve në DVP Dibër, në zbatim të detyrave për kontrollin e territorit me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri dhe lëndë narkotike, si dhe për monitorimin e zbatimit të masave anticovid, gjatë kontrollit të territorit rreth orës 21.40 të mbrëmjes së djeshme kanë konstatuar një lokal të hapur ku brenda ndodheshin disa të rinj. Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e policisë i kanë gjetur në trup shtetasit XH. K, 18 vjeç. një dozë me lëndë narkotike të dyshuar kokainë. Shtetasi XH. K., së bashku me tre shtetas të tjerë që ndodheshin në tavolinë me të janë shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër ku në përfundim të veprimeve  është  bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit XH. K.,  për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Si dhe janë proceduar penalisht për veprën penale “Moskallëzim krimi”, shtetasit S. E., K. A. dhe R. M. Gjithashtu nga forca e posaçme ‘Shqiponjat’, i është vendosur masa administrative 1.000.000 lekë  pronarit të lokalit shtetasit  F. Z., pasi ushtronte aktivitetin në fashën orare të ndaluar, në kundërshtim me  Aktin Normativ. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Dibër, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Falë bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit  midis Policisë të Tiranës dhe Policisë së Shkodrës, u bë e mundur kapja në Shkodër e 66-vjeçarit të shpallur në kërkim.  Në vijim të veprimeve nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar u bë ekzekutimi i  vendimit të ndalimit për shtetasin Prend Kola., 66 vjeç, i kapur nga shërbimet e Policisë së Shkodrës, pasi Gjykata e Apelit Tiranë e ka dënuar këtë shtetas me 12 vite burg, për veprën penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit J. L., 23 vjeç, si dhe proceduan në gjendje të lirë babin e tij shtetasin A. L., 49 vjeç, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin pas një konflikti të çastit për motive të dobëta kanë goditur me sende të forta shtetasit A. Xh dhe M. Xh. (vëllezër). Më datë 20.03.2021, shtetasja L. T., 45 vjeçe,  kallëzon se në rrugën “Skender Jareqi”, në banesë, i ka shkuar një grua (e paidentifikuar), e cila në anë të mashtrimit i ka marrë shumën prej 160.000 lekë. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autores. Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

DVP Durrës – Vijon puna për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Bien në prangat e Policisë 5 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Në vijim të operacionit “Arrameras”, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, arrestuan për veprën penale “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”, shtetasin H. C., 30 vjeç, banues në Thumanë, pasi ka blerë një motomjet të vjedhur nga personat e arrestuar në kuadër të këtij operacioni. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, arrestuan në flagrancë shtetasit Sh. H., 46 vjeç, banues në Kamëz, Tiranë, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë në lagjen nr. 15, Durrës, duke vjedhur në banesën e shtetasit V. M; A. M,. 40 vjeç, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë në lagjen nr. 13, Durrës, duke vjedhur disa vegla pune, në garazhin e shtetasit Sh. J. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, arrestuan në flagrancë shtetasin A. M., 40 vjeç, banues në Tiranë, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë e Policisë Durrës, arrestuan në flagrancë shtetasen A. K., 39 vjeçe, banuese në Durrës, dhe u procedua penalisht shtetasi B. S., 49 vjeç, banues në Durrës, pasi në Hamallaj, shtetasja A. K., duke drejtuar mjetin tip “Audi”, ka goditur mjetin motorik, bujqësor, që drejtohej nga shtetasi B. S., që si pasojë e përplasjes është lënduar dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Shkodër – Vihen në pranga dy vëllezërit Doçaj që mbetën të plagosur mbrëmjen e djeshme gjatë një konflikti me armë zjarri. Shpallet në kërkim autori i plagosjes së dyfishtë me armë zjarri. Në vijim të veprimeve për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme në fshatin Bardhaj, në përfundim të veprimeve të para hetimore u  bë arrestimi në flagrancë i shtetasve M. D., 26 vjeç dhe H. D., 31 vjeç,  banues në fshatin Bardhaj, Shkodër, si dhe u shpall në kërkim shtetasi B. P., 29 vjeç, banues në fshatin Bardhaj, Shkodër. Nga veprimet hetimore rezultoi  se më datën 20.03.2021 rreth orës 19.30, në fshatin Bardhaj Shkodër,  gjatë një konflikti për motive të dobëta shtetasit M. D. dhe H. D. kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit B. P. i cili i është kundërpërgjigjur duke qëlluar me armë zjarri automatik,  ku për pasojë mbetën të plagosur jashtë rrezikut për jetën  dy vëllezërit ndërsa shtetasi B. P.,  u  largua  nga vendi i ngjarjes dhe u shpall në kërkim. Vijon puna intensive për kapjen e shtetasit B. P. Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar  prova materiale që shërbejnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes si dhe mjeti tip Audi, i shtetasit M. D. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër në ngarkim të shtetasve M. D. dhe H. D. për veprat penale “Vrasje me paramendim, e kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë”, si dhe “Mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, ndërsa për shtetasin B. P. për veprat penale të “Vrasje në rrethana cilësuese, e mbetur në tentativë”, dhe “Mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”.

Tiranë – Vidhte me dhunë nëpërmjet kanosjes me thikë, qytetarët në vende të ndryshme të Tiranës, vihet në pranga 27-vjeçari me precedent penal të mëparshëm në fushën e vjedhjes.  Zbardhen dhe dokumentohen 3 raste të  vjedhjes me dhunë dhe tentativës për vjedhje të sendeve me vlerë. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr.2 në bashkëpunim me Forcat e Posaçme “Shqiponjat” në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe zbardhjen e rasteve të vjedhjeve të pronës dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit T. S., 27 vjeç, banues në Laç.  Ky shtetas është kapur në flagrancë nga Forcat e Posaçme “Shqiponjat”, mbrëmjen e djeshme, në bulevardin “Gjergj Fishta” duke tentuar të vjedhë me dhunë sendet me vlerë një shtetaseje.  Nga hetimet dhe provat e siguruara rezulton se ky shtetas dyshohet se është  autor edhe  i dy ngjarjeve konkretisht: i vjedhjes me dhunë nën kërcënimin e thikës të një shume parash dhe disa sendeve me vlerë të shtetases E. I. dhe i tentativës së vjedhjes së sendeve me vlerë të shtetases M. H. Materialet në ngarkim të shtetasit T. S. i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 155 shtetas, nga këta: 34 janë të arrestuar, 12 janë ndaluar dhe 109 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 6 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 10 raste, në të gjithë territorin, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 12 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit, në gjithë territorin, gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 23 raste, konkretisht: 11 raste të “Kanosja”; 6 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, me 1 autor të arrestuar në flagrancë; 1 rast i “Vrasja” dhe 1 rast i “Vrasja” mbetur në tentativë, ku po punohet për kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 10 raste të dhunës në familje, në të gjithë vendin, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 9 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 29 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.

Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 43 raste: 12 raste me 6 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 7 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 31 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 2 raste të “Vjedhja me dhunë”, 1 rast me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 rast me autor të paidentifikuar.

Janë evidentuar 10 raste të ndërtimit pa leje, me 16 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të shkatërrimit të pronës, me 5  autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të “Mashtrimi”, me 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Vetëgjyqësia”, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Fshehja e të ardhurave”, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Përndjekja”, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.

Është evidentuar 1 rast i “Mashtrimi në kredi”, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është proceduar penalisht 1 shtetas për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me dhune me të rritura”.

Është evidentuar 1 rast i “Ngacmimi seksual”, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Janë proceduar 5 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Gjatë 72 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë, kanë ndodhur 15 raste aksidentesh, me  viktima dhe 17 persona të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe arrestuar 10 shtetas që drejtonin automjetet nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

Janë evidentuar dhe proceduar 5 shtetas që drejtonin automjetin pa u pajisur me leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.