Durrës – Finalizohet me sukses operacioni i koduar “Mbikalimi”. Operacioni i zhvilluar nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, Komisariati i Policisë Durrës në bashkëpunim me DVP Kukës.
Sekuestrohen 1 armë zjarri, 19.5 kallëpe tritol, 10 kapsolla detonatore, 20 granata ofensive dhe 20 ndezësa. Arrestohet në flagrancë poseduesi i tyre i cili do ti shiste kundrejt fitimit. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Durrës, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, kapjen e personave që lëvizin me armë zjarri ose sende të kundraligjshëm dhe rritjen e parametrave të sigurisë në qytet, në bazë të informacioneve të siguruara nga seksioni për Hetimin e Krimeve, organizuan punën dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Mbikalimi”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi: N. K., 47 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Drejtimi automjeti në mënyrë të parregullt”. Shërbimet e Policisë, në vëndin e quajtur “Mbikalimi i hekurit”, në Sukth, Durrës, kanë ndaluar shtetasin N. K., dhe gjatë kontrollit fizik iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 16 kallëpe tritol dhe 10 kapsolla detonatore të cilat ky shtetas do i shiste kundrejt fitimit. Kontrollet kanë vijuar nga DVP Kukës, në banesën e shtetasit N. K., në Kukës, ku shërbimet e Policisë, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri, 3.5 kallepë tritol, 20 granata ofensive dhe 20 ndezësa. Në bashkëpunim me Prokurorinë , Strukturat hetimore të DVP Durrës, po vijojnë punën për zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, kapjen dhe arrestimin e personave të tjerë, të përfshirë në këtë veprimtari. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
Nga shërbimet e Policisë Mat është kapur dhe proceduar në gjendje të lirë shtetasi I. K., 51 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Shkatërrim i pronës me zjarr”, pasi më datë 20.11.2020, ka djegur pjesërisht kabinat e dy ekskavatorëve në pronësi të një firme që po kryen punime për ndërtimin e një hidrocentrali. Materialet i kaluan Prokurorisë Mat për veprime të mëtejshme.
Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 158 shtetas, nga këta: 41 janë të arrestuar, 7 janë ndaluar dhe 110 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 7 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 12 raste, në të gjithë territorin, me 13 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit, në gjithë territorin, gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 34 raste, konkretisht: 10 raste të “Kanosja”, 7 raste të “Plagosja e lehtë me dashje” dhe 14 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja nga pakujdesia”, ku autori është arrestuar në flagrancë: 2 raste të “Vrasja”, ku autorët janë arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 9 raste të dhunës në familje, në të gjithë territorin, me 7 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 17 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.
Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 27 raste, 7 raste me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 7 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 20 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 2 raste të “Prerja e paligjshme e pyjeve”, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Mashtrimi”, me dy autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 11 raste dhe autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, me 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të “Vetëgjyqësia”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të shkatërrimit të pronës, me 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Fshehja e të ardhurave”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Falsifikimi i dokumenteve”, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i armëmbajtjes pa leje, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Është evidentuar 1 rast i “Transportimi i mbeturinave toksike”, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Janë proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Gjatë 72 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë, janë evidentuar 12 raste aksidentesh, me 4 viktimë dhe 12 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe arrestuar 11 shtetas që drejtonin automjetet nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
Janë evidentuar dhe arrestuar 7 shtetas që drejtonin automjetin pa u pajisur me leje drejtimi.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.