Raporti i ngjarjeve për 72 orët e fundit, Policia e Shtetit

Berat – I vodhi me dhunë aparatin celular një shtetaseje, arrestohet 28-vjeçari i cili ishte i shpallur në kërkim për veprën penale “Vjedhje”. Gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe një sasi e vogël lënde narkotike. Specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Berat, në vijim të punës për zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë, identifikimin, kapjen dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë penale, kanë kapur dhe ndaluar shtetasin M. H., 28 vjeç, banues në lagjen “Çlirim”, Berat. Ky shtetas, në datën 7 nëntor 2020, dyshohet i ka marrë me dhunë aparatin celular një shtetaseje. Në vijim të veprimeve ka rezultuar se ky shtetas ishte shpallur në kërkim policor për veprën penale “Vjedhja”, pasi më datë 27 tetor 2020 i ka marrë një tjetër shtetaseje, portofolin me një sasi parash dhe dokumentet personale. Gjatë kontrollit fizik shtetasit M. H., iu gjet një sasi e vogël lënde narkotike e dyshuar heroinë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.

Vlorë – Vihen në pranga 2 shtetas, njëri prej tyre i shpallur në kërkim. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë kanë arrestuar në flagrancë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, shtetasin E. O., 24 vjeç, banues në Sarandë, pasi gjatë kontrollit fizik i janë gjetur dhe sekuestruar 8 doza me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, në vijim të punës për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim, kanë kapur dhe ndaluar shtetasin R. B., 31 vjeç, banues në Vlorë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë e ka dënuar me 8 muaj burg, për veprën penale  “Moskallëzimi i krimit”. Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Durrës – Arrestohet në flagrancë autori i aksidentit të ndodhur mbrëmjen e djeshme në qytetin e Durrësit. 34-vjeçari, i cili ishte me masën “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”, ishte i dënuar disa herë më parë, për vepra të ndryshme penale. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin D. M., 34 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhja”. Gjithashtu ky shtetas është autori i një aksidenti me pasojë vdekjen, të ndodhur në vitin 2008. Ky shtetas, më datë 08.11.2020, rreth orës 22:55, duke drejtuar mjetin tip “Audi”, ka aksidentuar biçiklistin me iniciale H. B., 63 vjeç, i cili për pasojë ndërroi jetë. Shtetasi D. M. ishte me masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, “Largimi nga vendi i aksidentit” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Korçë – Finalizohet operacioni antidrogë i koduar “Lapidari”. Operacioni, për goditjen e veprimtarisë së paligjshme të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve. Vihen në pranga dy shtetas, të dy me precedent të mëparshëm penal në fushën e krimeve kundër jetës, kundër rendit e sigurisë publike, si dhe falsifikimit të monedhave. Sekuestrohet një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë të Rrethit, finalizuan me sukses operacionin e koduar “Lapidari”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve A. B., 37 vjeç, banues në Moravë, Korçë (i dënuar më parë për veprën “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”); A. Q., 36 vjeç, banues në fshatin Dvoran, Korçë (i dënuar më parë për veprat penale “Vrasja” dhe “Falsifikimi i monedhave”). Forcat e Policisë, pas informacioneve të siguruara në rrugë policore se dy shtetas do të transportonin lëndë narkotike në zonën e Vithkuqit, kanë organizuar shërbimet dhe kanë bërë të mundur lokalizimin dhe kapjen e dy shtetasve të mësipërm në vendin e quajtur “Lapidari” tek Qafa e Martës. Gjatë kontrollit fizik dhe në çantat e tyre të shpinës u gjet një sasi prej 2 kg e 100 gr. lëndë e dyshuar narkotike kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës të Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.

Lezhë – Vijojnë operacionet për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Operacioni nga Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Interpol Tirana. Kapet dhe ndalohet një 32-vjeçar i dënuar me 8 vite burg, me qëllim ekstradimi në Itali.  Në vijim të punës për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, si rezultat i shkëmbimit të informacionit mes Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë dhe Interpol Tirana, nga shërbimet e Policisë Rrugore në DVP Lezhë është bërë lokalizimi, kapja dhe arrestimi provizor, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, i shtetasit shqiptar Patrick (Edmir) Shyti (Paloka), 32  vjeç, banues në Lezhë, pasi Gjykata e Monza-s, Itali, në maj 2019, e ka dënuar me 8 vite burgim, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga Kodi Penal italian. Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.

Kukës – Finalizohet me sukses nga strukturat e DVP Kukës, operacioni policor i koduar “Astiri 2020”. Operacioni për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. Arrestohen në flagrancë 2 vëllezër, shpallen në kërkim 3 shtetas, si dhe procedohet në gjendje të lirë një shtetase. Efektivët e DVP Kukës, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Astiri 2020”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit: F. M., 25 vjeç dhe F. M., 25 vjeç, banues në Tiranë (vëllezër binjakë), u procedua në gjendje të lirë shtetasja R. B., 19 vjeçe, banuese në Tiranë, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit Xh. Xh., I. Xh. dhe F. D., banues në Tiranë. Shtetasit F. M., R. B. dhe F. M., në bashkëpunim me shtetasit Xh. Xh. dhe I. XH., do të transportonin disa shtetas sirianë që të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme, në drejtim të Kosovës, kundrejt fitimit. Nga hetimi ka rezultuar se shtetasit F. M., F. M. dhe R. B., kishin rolin e paraprijësit të mjetit “Land Rover”, ku ndodheshin shtetasit Xh. Xh. dhe I. Xh., për t’i njoftuar në rast se do të kishte pika kontrolli nga Policia. Shtetasit Xh. Xh. dhe I. Xh. që udhëtonin me mjetin “Land Rover”, me të cilin dyshohej se po transportonin shtetasit sirian, nuk i janë bindur urdhrit të punonjësit të Policisë për të ndaluar. Gjatë kontrollit të dokumentacionit rezultoi se shtetasi F. M. drejtonte mjetin në mënyrë të parregullt. Në vijim të veprimeve u shpallën në kërkim shtetasit Xh. Xh. dhe I. Xh, si dhe pronari i mjetit me të cilin ata qarkullonin, shtetasi F. D. Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për kapjen e personave të shpallur në kërkim. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim, “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

DVP Durrës – Vijon puna për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Policia e Durrësit ka ndëshkuar me nga 1.000.000 lekë gjobë, 2 pronarë subjektesh që u konstatuan duke ushtruar aktivitet në kundërshtim me Aktin Normativ.  Shërbimet e Policisë në DVP Durrës, në vijim të kontrolleve të ushtruara në subjekte të ndryshme, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, kanë konstatuar 1 lokal në Fushë Krujë dhe 1 në Manzë, në të cilët ishte organizuar ceremoni festive në kundërshtim me Aktin Normativ, duke mos respektuar protokollet e sigurisë. Shërbimet e Policisë i kanë vendosur pronarit të subjektit në Manzë, shtetasit, A. M., masën administrative 1.000.000 lekë. Gjithashtu, shërbimet e Policisë i kanë vendosur pronarit të subjektit në Fushë Krujë, shtetasit Xh. B., masën administrative 1.000.000 lekë. Policia e Durrësit apelon për të gjithë pronarët e subjekteve që ushtrojnë aktivitet, të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë dhe masat kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Tiranë – Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, operacioni “Vazhdimësia”. Arrestohet në flagrancë 1 shtetas, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij. Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme të veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandimit të emigrantëve nga vendet e treta drejt vendeve të BE-së, specialistët e Seksionit për Trafiqet, bazuar në informacionet e marra se një 34-vjeçar transportonte me mjet, emigrantë të paligjshëm nga Tirana në drejtim të Fushë Krujës, me qëllim transportimin e tyre drejt qytetit të Kukësit, me destinacion final vendet e Bashkimit Europian, zhvilluan operacionin policor të koduar “Vazhdimësia”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi E. A., 34 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë ndjekjes nga Policia, në afërsi të Fushë Krujës, ky shtetas është përfshirë në një aksident, duke u dëmtuar vetë dhe 5 emigrantë të paligjshëm që gjendeshin me këtë shtetas, të cilët pas marrjes të mjekimit, kanë dalë nga spitali. Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni u bë shpallja në kërkim të shtetasit O. C., 26 vjeç, pasi dyshohet si bashkëpunëtor i shtetasit E. A. në këtë veprimtari kriminale.  Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Tiranë – Policia godet një tjetër rast të armëmbajtjes pa leje. Qarkullonte me armë zjarri me vete, forca e posaçme “Shqiponjat” dhe Komisariati i Policisë Nr. 2 e vënë në pranga. Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak. Në vijim të punës për rritjen e parametrave të sigurisë, si rezultat i kontrolleve të shtuara për kapjen e personave në kërkim dhe atyre që qarkullojnë me armë zjarri me vete, nga forca e posaçme “Shqiponjat” dhe “Shigjetat”, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në rrugën “Peti” tek “Liqeni i thatë”, gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit J. M., 25 vjeç, banues në Kamzë. Në pikën e kontrollit të ngritur nga ana e “Shqiponjave”, në rrugën “Peti” tek “Liqeni i thatë”, u bë ndalimi i mjetit tip “Ëolksëagen Golf” që drejtohej nga shtetasi J. M. Gjatë kontrollit të mjetit, Policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë që e mbante pa leje, me një krehër me 14 fishekë luftarak, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale iu dërguan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”, për të cilën parashikohet dënimi deri në 7 vjet burgim.

Elbasan – Janë referuar materialet në Prokurori dhe punohet për kapjen e shtetasit K. Gj., 27 vjeç, pasi më datë 08.11.2020, në mbrëmje, ka qëlluar me armë zjarri pranë banesës së tij në lagjen “Çlirimi” Elbasan, në drejtim të shtetasit R. M., pas shkaktuar dëmtime. Gjithashtu u referuan materialet për shtetasin E. R., 17 vjeç, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Lezhë – Njësia Operacionale e Autostradës Milot-Morinë bllokon një automjet që transportonte mineral kromi, pa dokumentacion përkatës. Procedohet penalisht 36-vjeçari, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave”. Në kuadër të bashkëpunimit me strukturat e DVP Lezhë dhe në zbatim të planit të masave për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimit ekonomik, shërbimet e Njësisë Operacionale për Autostradën kanë shtuar kontrollet dhe si rezultat kanë konstatuar dhe ndaluar në Milot, mjetin kamion tip “Benz” me mineral kromi. Gjatë kontrollit të ushtruar, shërbimet e Policisë kanë konstatuar se drejtuesi i këtij mjeti, shtetasi A. Xh. transportonte mineral kromi në mënyrë të paligjshme, pa dokumentacionin përkatës. Në vijim të veprimeve specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar pranë DVP Lezhë proceduan penalisht shtetasin A. Xh. 36 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave”. Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Ndërkohë, gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 159 shtetas, nga këta: 43 janë të arrestuar, 9 janë ndaluar dhe 107 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 9 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 10 raste, në të gjithë territorin, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 8 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit, në gjithë territorin, gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 16 raste, konkretisht: 3 raste të “Kanosja”, 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje” dhe 9 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 2 raste të “Vrasja” mbetur në tentativë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 9 raste të dhunës në familje, në të gjithë territorin, me 6 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 7 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 20 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.

Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 24 raste, 8 raste me 7 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 16 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 2 raste të “Prerja e paligjshme e pyjeve”, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të falsifikimit të dokumenteve, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 2 raste të “Mashtrimi”, me dy autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Pushtim toke”, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 11 raste dhe autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 1 rast i “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Vetëgjyqësia”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të shkatërrimit të pronës, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të “Fshehja e të ardhurave”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të armëmbajtjes pa leje, ku autori janë arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Organizimi i lotarive të palejuara”, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Vjedhja me dhunë”, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë proceduar 3 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Gjatë 72 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë, janë evidentuar 6 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 10 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 13 shtetas që drejtonin automjetet nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

Janë evidentuar dhe proceduar 8 shtetas që drejtonin automjetin pa u pajisur me leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.