Raporti i ngjarjeve për 72 orët e fundit, Policia e Shtetit

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Sarandë – Vijon operacioni policor i koduar “HESHTJA”. Shpallen në kërkim dy shtetas. Më parë, në kuadër operacionit policor të koduar “HESHTJA”, është arrestuar shtetasja  R. P., 31 vjeçe, si dhe u shpall në kërkim shtetasi P. P., 66 vjeç. Në vijim të operacionit policor të koduar “HESHTJA”, për goditjen e aktivitetit të kundërligjshëm në fushën e ndërtimeve pa leje  në qytetin e Sarandës, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Sarandë bënë shpalljen në kërkim të shtetasve M. A., 30 vjeç, dhe N. J., 26 vjeç, banues në Sarandë, me detyrë Inspektor në Inspektoriatin Vendor të Mbrojtjes së Territorit, pranë Bashkisë Sarandë. Pasi janë siguruar prova ligjore në lidhje me ndërtimin e paligjshëm të një pallati 7 katesh ende të pa perfunduar por edhe disa shtesa pa leje, në disa pallate në ndërtim, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë me vendimin Nr.21, datë 24.02.2022, ka vendosur për këta dy shtetas,  masat e sigurisë në mungesë  “Arrest në burg”, per veprën penale “Shpërdorimi i  detyrës”,  Të dy këta shtetas dyshohet se me veprimet/mosveprimet e tyre kanë lejuar ndërtimet pa leje në zona të ndryshme në qytetin e Sarandës, në bashkëpunim me Kryeinspektoren e IMT  R. P., e arrestuar me datë 21.02.2022,  për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprime të mëtejshme.

Kamzë – Goditet një tjetër rast i armëmbajtjes pa leje. Vihet në pranga një 52-vjeçar. Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar në informacionet  e marra nga DVP Gjirokastër, në vijim të operacionit policor të koduar “Road Guard 3”, se babai i një prej të arrestuarve në kuadër të operacionit, mund të kishte armë zjarri në banesë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 organizuan punën dhe ushtruan kontroll në banesën e shtetasit N. B., 52 vjeç, banues në Kamzë. Gjatë kontrollit të banesës së këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë  të lyer me graso dhe  futur në një kllëf lëkure, katër krëhëra dhe 173 fishekë luftarak. Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit N. B., 52 vjeç, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.  Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

DVP Vlorë/Arrestohen 2 shtetas dhe procedohen penalisht 2 të tjerë, për vepra të ndryshme penale. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Komisariatin e Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, shtetasin K. C., 60 vjeç, pasi duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur, është përfshirë në aksident me një automjet tjetër, dhe si pasojë kanë mbetur të dëmtuar lehtë, drejtuesi i automjetit tjetër, shtetasi R. N., si dhe pasagjeret, shtetaset A. B. dhe E. N., të cilët janë jashtë rrezikut për jetën. Po nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u arrestua në flagrancë për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, shtetasi F. B., 30 vjeç,banues në lagjen “Bashkimi”, Vlorë, pasi është konstatuar nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.  Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Sarandë proceduan penalisht për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një funksion publik”, shtetasin A. S., 19 vjeç, banues në Sarandë, pasi ka bërë kallëzim shtetasi G. L., 22 vjeç, me detyrë punonjës policie, se 19-vjeçari e ka ofenduar me fjalë dhe e ka shtyrë me forcë gjatë ushtrimit të detyrës së tij.  Specialistët e Hetimit të Krimit në Stacionin e Policisë Selenicë proceduan penalisht për veprën penale “Kanosja”, shtetasin Sh. H., 41 vjeç, banues në Peshkëpi, bashkia Selenicë, pasi ka bërë kallëzim shtetasi I. D., 48 vjeç, se 41-vjeçari e ka kanosur për jetën.  Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 100 shtetas, konkretisht: 19 janë ndaluar, 63 janë arrestuar në flagrancë dhe 128 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 15 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 22 raste, me 8 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 16 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit, në gjithë territorin, gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 16 raste, konkretisht: 7 raste të “Kanosja”; 4 raste të “Plagosja e lehtë me dashje” dhe 5 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 12 raste të dhunës në familje, në të gjithë vendin, me 2 autorë të ndaluar/arrestuar në flagrancë dhe 10 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 20 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.

Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 17 raste, 5 raste me 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 12 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 14 raste të ndërtimit pa leje, në të gjithë vendin, me 15 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas dhe është arrestuar në flagrancë 1 tjetër, për shkatërrim prone.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për vjedhje të energjisë elektrike.

Është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për korrupsion ndaj punonjësve të policisë.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.

Janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas për “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit” dhe 2 shtetas të tjerë, për mbajtje pa leje të armëve të ftohta.

Janë arrestuar në flagrancë 6 shettas, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Vetëgjyqësia”.

Është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Keqpërdorimi me dashje i thirrjeve telefonike”.

Është arrestuar në flagrancë 1 shtetas për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitura” dhe 1 tjetër për “Ngacmim seksual”.

Janë proceduar penalisht 5 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Janë arrestuar në flagrancë 18 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë proceduar penalisht 9 shtetas dhe janë arrestuar në flagrancë 4 të tjerë, për “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor.

Janë arrestuar në flagrancë 3 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 6 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Gjatë 72 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë, kanë ndodhur 14 aksidente, me 2 viktima dhe 18 persona të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.