Raporti i ngjarjeve për 72 orët e fundit, Policia e Shtetit

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

DVP Durrës – Goditet një tjetër rast i armëmbajtjes pa leje dhe i shpërndarjes së drogave të forta. Finalizohet operacioni policor i koduar “Sallmone”. Operacioni i zhvilluar nga Forca Operacionale dhe strukturat e Narkotikëve në DVP Durrës, në bashkëpunim me Komisariatet e Policisë Durrës dhe Shijak. Sekuestrohen 1 armë zjarri, municion luftarak, lëndë narkotike kokainë dhe sende të tjera të kundërligjshme, arrestohet në flagrancë poseduesi i tyre. Në zbatim të planit të masave për rritjen e parametrave të sigurisë në qytet, kapjen e personave që lëvizin me armë zjarri dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, Forca Operacionale dhe strukturat e Narkotikëve në DVP Durrës, në bashkëpunim me Komisariatet e Policisë Durrës dhe Shijak, në bazë të informacioneve të mara në rrugë operative, kanë mirorganizuar punën dhe kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Sallmone”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi: E. V., 26 vjeç, banues në Sallmone, Shijak, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “Audi”, me të cilën ky shtetas po qarkullonte, iu gjet dhe sekuestrua një armë zjarri pistoletë, 1 krehër dhe 10 fishekë. Në vijim të kontrollit, në banesën e shtetasit E. V., shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale rreth 14 gr. lëndë narkotike e dyshuar kokainë, 1 peshore elektronike, një shkop metalik dhe sende të tjera të kundërligjshëm. Gjithashtu, në banesën e këtij shtetasi u konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje”, “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.

Tiranë – Forca e Posaçme “Shqiponjat” në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve K. M., 20 vjeç dhe E. D., 21 vjeç, pasi gjatë kontrollit të mjetit me drejtues shtetasin K. M dhe pasagjer E. D, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi me lëndë narkotike kanabis sativa dhe disa bimë narkotike të llojit kanabis. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 bënë kapjen e shtetasit F. M., 61 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës Parë Korçë, e ka dënuar me 6 muaj burg, për veprën penale “Kallëzimi i rremë”. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit N. H., 56 vjeç, pasi në banesë, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, të cilës iu plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: A. M., 48 vjeç, S. M., 41 vjeç dhe J. R., 40 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur; G. N., 22 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin pa lejen përkatëse. Më datë 19.09.2021, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, për veprën penale “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik” për shtetasin G. A., 18 vjeç, pasi në Golem, u kap në flagrancë duke bërë thirrje me autoparlant ”Dilni jashtë, tërmet 8 ballë”, duke ngjallur panik tek banorët. Më datë 19.09.2021, shtetasi R. B., 22 vjeç, kallëzon se në rrugën e Unazës së Madhe, gjatë një konflikti të çastit, dy persona ende të paidentifikuar i kanë dëmtuar mjetin e tij me sende të forta. Punohet për identifikimin e autorëve dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Dibër – Paraqitën formularë vaksinimi me të dhëna të falsifikuara, me qëllim kalimin e kufirit, arrestohen nga Policia 2 shtetas (babë e bir). Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Dibër, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë të Pikës së Kalimit Kufitarë Bllatë,  u arrestuan në flagrancë shtetasit: E. N., 47 vjeç; E. N., 24 vjeç, (babë e bir), banues në Peshkopi. Arrestimi i tyre u bë pasi, gjatë verifikimit të dokumenteve në lidhje me masat anti-covid, dhe kufizimet që zbatohen gjatë udhëtimit për kalimin e kufirit, shtetasit e lartpërmendur iu kanë paraqitur shërbimeve të Policisë në PKK Bllatë, formularë vaksinimi me të dhëna të rreme e të falsifikuara, me qëllim kalimin e kufirit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprime të mëtejshme.

Bulqizë – Në vijim të ngjarjes së ndodhur me datë 15.09.2021, ku si pasojë e shembjes së një masivi materiali (minerali e inerte), mbeti i bllokuar në një galeri kromi shtetasi M. P., 60 vjeç, pas disa ditësh pune të pandërprerë për pastrimin e galerisë, rreth orës 23.50, datë 19.09.2021, u bë e mundur gjetja e trupit dhe  nxjerrja e tij nga galeria. Për ngjarjen e mësipërme është ndaluar nga Policia drejtuesi teknik i një subjekti minerar, si dhe është proceduar penalisht në gjendje të lirë tekniku i subjektit minerar. Nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Bulqizë, u bë ndalimi  i shtetasit V. L., 61 vjeç, banues në Bulqizë, (me detyrë Drejtues teknik)  si dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin S. H.,  54 vjeç, banues në Bulqizë,  (me detyrë Teknik miniere), për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”. Shtetasit e lartëpërmendur kanë patur detyrimin ligjor për kontrollin e vazhdueshëm të gjendjes teknike të galerisë, ku si pasojë e neglizhencës së tyre, mesditën e datës 15.09.2021, në një nga nënkatet e një subjekti minerar, është shembur një masiv materiali dhe për pasojë ka humbur jetën 60-vjeçari  (punëtor në minierë). Materialet  procedurale i kaluan  Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 218 shtetas, konkretisht: 8 janë ndaluar, 61 janë arrestuar në flagrancë dhe 149 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 5 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 14 raste, me 7 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit, në gjithë territorin, gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 14 raste, konkretisht: 1 raste të “Kanosja”, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 4 raste të “Plagosja e lehtë me dashje” dhe 8 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, ku po punohet për kapjen e autorit.

Janë evidentuar 15 raste të dhunës në familje, në të gjithë vendin, me 6 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 9 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 20 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.

Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 24 raste: 8 raste me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 13 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 16 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 13 raste të ndërtimit pa leje, në të gjithë vendin, me 18 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 7 raste të shkatërrimit të pronës, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Janë evidentuar 7 raste të “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 7 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Trafikimi i mjeteve motorike”, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 4 shtetas, për veprën penale “Mashtrimi”.

Janë evidentuar 3 raste të “Fshehja e të ardhurave”, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të armëmbajtjes pa leje, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 2 raste të mbajtjes pa leje të armëve të ftohta, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Pushtim toke”, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 7 raste të “Falsifikimi i dokumenteve”, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.

Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”.

Është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë” dhe është proceduar penalisht 1 shtetas, për “Kanosja për shkak të detyrës”.

Është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Veprime në kundërshtim me vendimin gjykatës” , 1 për “Vetëgjyqësia”, 1 për “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”.

Janë proceduar penalisht 5 shtetas, për shpërdorim detyre.

Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Janë arrestuar në flagrancë 19 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 2 të tjerë, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë arrestuar në flagrancë 10 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 7 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Gjatë 72 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë, kanë ndodhur 12 aksidente, me 17 persona të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.