Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Tiranë – Finalizohet operacioni i koduar “Portions”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Operacioni, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 6. Goditet 1 rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza. Vihen në pranga 3 shtetasit që ushtronin këtë veprimtari kriminale. Sekuestrohet lëndë narkotike cannabis sativa, e ndarë në doza, gati për shitje. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Portions”, gjatë të cilit është goditur 1 rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike. Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve M. M., 19 vjeç, F. Xh., 21 vjeç, dhe A. T., 20 vjeç, të tre banues në Tiranë. Në rrugën “Tre Dëshmorët”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, gjatë kontrollit fizik ndaj këtyre shtetasve, kanë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, sasi lënde narkotike të llojit cannabis sativa, të ndarë në doza, gati për shitje. Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit M. M., është gjetur dhe sekuestruar një tjetër sasi lënde narkotike e ndarë në doza. Nga verifikimet hetimore ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi siguronin sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike cannabis sativa, e shisnin atë në doza të vogla, në zonën e Unazës së Re dhe në Yzberisht. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Tiranë – Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar bënë ekzekutimin e masave të sigurisë “Arrest në burg”, të caktuara nga Gjykata, për shtetasit V. M., 47 vjeç dhe D. M., 60 vjeç, për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Durrës – Vijon puna për parandalimin e tentativës për kultivim të bimëve narkotike. Goditet një rast i tregtimit të farave narkotike, me qëllim kultivimin e tyre. Arrestohen në flagrancë 2 shtetas. Sekuestrohen 260 fara të dyshuara narkotike cannabis sativa. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bazë në informacioneve të siguruara në rrugë operative për një rast të tregtimit të farave narkotike, arrestuan në flagrancë shtetasit S. D., 21 vjeç dhe G. R., 21 vjeç, të dy banues në Durrës. Arrestimi në flagrancë i këtyre shtetasve u bë sepse gjatë kontrollit në automjetin me të cilin ata po udhëtonin, në Shkozet, iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale 260 fara të dyshuara narkotike cannabis sativa. Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.
Fier – Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor në DVP Fier arrestuan në flagrancë shtetasit: Gj. Z., 58 vjeç, banues në Divjakë, pasi është kapur duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur; E. M., 38 vjeç, banues në Vlorë, pasi duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, është përfshirë në një përplasje mjetesh me dëme materiale. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për veprën penale “Shkatërrimi i pronës”, për shtetasin E. K., 56 vjeç, banues në Kraps, pasi dyshohet se, gjatë natës, ka qëlluar me armë gjahu në drejtim të qendrës shëndetësore të fshatit Kraps. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Skrapar – Deklaroi se ishte vetëdëmtuar me mjet të mprehtë, arrestohet në flagrancë, për veprën penale “Moskallëzim krimi”, 43-vjeçari që u paraqit në spitalin e Beratit, ditën e djeshme. Shpallet në kërkim 47-vjeçari që dyshohet se e plagosi aksidentalisht me armë zjarri. Nga specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Skrapar u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit V. B., 43 vjeç, banues në Skrapar, sepse ditën e djeshme është paraqitur me dëmtime në trup, në Spitalin Rajonal Berat dhe gjatë deklaratës përpara oficerit të Policisë Gjyqësore, ka pretenduar se ishte vetëdëmtuar aksidentalisht duke punuar në oborrin e shtetasit A. A. Nga veprimet hetimore të punonjësve të Policisë, këqyrja e vendit të ngjarjes dhe këqyrja e të dëmtuarit nga eksperti mjeko-ligjor rezultoi se ky shtetas ishte plagosur me armë zjarri. Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve shpallën në kërkim, për veprat penale “Plagosja e lehtë nga pakujdesia” dhe “Armëmbajtja pa leje”, shtetasin A. A., 47 vjeç, pasi dyshohet se në oborrin e banesës së tij, në fshatin Grevë, Skrapar, ka plagosur aksidentalisht me armë zjarri shtetasin V. B. Vijon puna për kapjen e tij. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.
DVP Durrës – Goditet një rast i tentativës për të kaluar kufirin me dokumente false, arrestohet në flagrancë 1 shtetas. Vihen në pranga dhe 3 drejtues mjetesh. Shërbimet e Policisë Kufitare në Port Durrës, në bashkëpunim me specialistët e Krimit Ekonomiko-Financiar në DVP Durrës, arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, shtetasin A. D., 62 vjeç, banues në Kosovë, pasi është kapur nga shërbimet e Policisë Kufitare, në PKK Port Durrës, duke tentuar të kalojë kufirin me dokumente të falsifikuara. Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt, shtetasit G. L., 29 vjeç dhe E. K., 28 vjeç, banues në Durrës, pasi u kapën nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar pa leje drejtimi, motomjetet përkatëse, pa targa. Gjithashtu, specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, shtetasin E. S., 31 vjeç, banues në Tiranë, pasi duke drejtuar automjetin, mesditën e djeshme, në Fushë Krujë, është përplasur me automjetin me drejtuese shtetasen V. D., e cila ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Kolonjë – Informacion shtesë në lidhje me trupin e dekompozuar që u gjet dy ditë më parë në malin e Gramozit. Në vijim të informacionit paraprak të datës 11.06.2022, i cili bën fjalë për gjetjen e një kufome të seksit mashkull, të dekompozuar, në vendin e quajtur “Hau i Kreshovës”, në malin Gramoz, Kolonjë, ju informojmë se në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga grupi hetimor i ngritur për zbardhjen e kësaj ngjarjeje dhe identifikimin e viktimës, nga këqyrja e skeletit, në pjesën e kafkës është konstatuar një vrimë tejshpuese që dyshohet se mund të jetë shkaktuar nga përdorimi i armës së zjarrit. Nga kontrolli i ushtruar në vendngjarje, nuk është gjetur gëzhojë apo predhë arme zjarri. Në cilësinë e provës materiale u gjetën dhe u sekuestruan një xhup, brenda të cilit kishte një aparat celular. Nga të dhënat e deritanishme dyshohet se trupi i përket shtetasit Sh. M., 29 vjeç, banues në fshatin Starje, Kolonjë, i cili rezulton i larguar nga banesa që pas kallëzimit të bërë nga babai i tij, më datë 10.11.2021, pranë Komisariatit të Policisë Kolonjë. Pas kryerjes së veprimeve të para hetimore, mbetjet kockore do të dërgohen në morgun e Institutit të Mjekësisë Ligjore Tiranë, ku do t’i nënshtrohen ekzaminimeve përkatëse. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vrasja me paramendim”.
DVP Vlorë – Vihen në pranga 3 shtetas dhe procedohet në gjendje të lirë 1 tjetër, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin A. S., 41 vjeç, banues në lagjen “1 Maji”, Vlorë, pasi ka ushtruar dhunë ndaj babait të tij. Specialistët për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në DVP Vlorë referuan materialet në Prokurori, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin K. G., 29 vjeç, banues në Kosovë. Gjatë kontrollit në dhomën e hotelit ku po qëndronte ky shtetas, së bashku me shtetasen E. B., e cila rrëzua aksidentalisht nga ballkoni i këtij hoteli, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa, një sasi lënde të dyshuar narkotike ekstazi dhe një peshore elektronike. Shtetasja E. B. ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve B. A., 50 vjeç, banues në fshatin Panaja, Vlorë, pasi ditën e djeshme, në aksin rrugor Novosel-Panaja, duke drejtuar automjetin, ka aksidentuar një fëmijë 10 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën; A. K., 23 vjeç, banues në Sarandë, pasi u kap nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 145 shtetas, konkretisht: 6 janë ndaluar, 35 janë arrestuar në flagrancë dhe 104 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 4 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 16 raste, me 9 autorë të arrestuar dhe 14 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 16 raste, 2 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa 14 rastet e tjera rezultojnë me 1 shtetas të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilit vijon puna nga ana e Policisë, si dhe me 16 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 6 raste, me 2 shtetas të ndaluar dhe me 4 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 3 raste, me 1 shtetas të arrestuar dhe 2 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.
Është evidentuar një rast i veprave penale në fushën e organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 1 shtetas të shpallur në kërkim.
Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë janë evidentuar 9 raste, prej tyre 2 raste janë me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa autorët e dyshuar të 7 rasteve të tjera po procedohen në gjendje të lirë. Është evidentuar edhe një rast i vjedhjes me anë të dhunës, me 1 autor të arrestuar në flagrancë.
Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 12 raste, me 14 autorë të dyshuar të proceduar në gjendje të lirë.
Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 13 raste, me 3 shtetas të arrestuar dhe 10 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 22 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Janë evidentuar nga 3 raste të veprës penale “Ngacmimi seksual”, me 3 autorë dyshuar të proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të kundërshtimit të punonjësit të Policisë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 të tjerë të shpallur në kërkim.
Janë ndaluar 2 shtetas, për veprën penale “Mashtrimi” dhe 1 tjetër, për veprën penale “Moskallëzim krimi”.
Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Kanosja për shkak të detyrës’, me 6 autorë të dyshuar të proceduar ne gjendje të lirë.
Janë proceduar në gjendje të lirë 3 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 16 aksidente, si pasojë e të cilëve janë dëmtuar 17 shtetas.
Janë evidentuar 11 raste të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, me 5 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar në total 42 raste të veprave penale”Drejtimi i automjeteve në nënyrë të parregullt, me 26 shtetas të arrestuar dhe 15 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.