Raporti i ngjarjeve për 48 orët e fundit, Policia e Shtetit

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Krujë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Luzi 2”. Goditet një rast i dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. Transportonte 2 emigrantë të paligjshëm, arrestohet në flagrancë 20-vjeçari. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Krujë, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Rrugore, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se një shtetas po transportonte emigrantë, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Luzi 2”. Gjatë këtij operacioni, në fshatin Luz, Fushë Krujë, u bë e mundur kapja dhe arestimi në flagrancë i shtetasit A. M., 20 vjeç, banues në Kukës.  Në automjetin që po drejtonte ky shtetas ishin pasagjerë 2 emigrantë të paligjshëm, të cilët 20-vjeçari po i ndihmonte, kundrejt fitimit, për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.

Durrës – Finalizohet operacioni policor i koduar “Butterfly”. Goditet një rast i përshtatjes së lokaleve për përdorim droge. Arrestohen në flagrancë pronari i lokalit dhe 2 shtetas të tjerë. Sekuestrohen lëndë e dyshuar narkotike kokainë, një shumë e konsiderueshme parash që dyshohet se është përfituar nga shitja e lëndës narkotike, një peshore elektronike dhe 3 aparate celulare. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shijak, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Butterfly”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit V. K., 41 vjeç, banues në Durrës, pronari i lokalit, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Përshtatja e lokalit për përdorim droge”; L. K., 21 vjeç dhe B. I., 22 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.  Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin në pronësi të shtetasit V. K., në Maminas, Durrës, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike të dyshuar kokainë të ndarë në doza gati për shitje, një peshore elektronike që shërbente për peshimin e lëndës narkotike, 3 aparate celulare, 62.000 lekë të rinj, 900 euro dhe 100 paund, që dyshohen se janë përfituar nga shitja e lëndës narkotike. Vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve. Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Më datë 30.05.2022, shtetasja V. F., ka kallëzuar se në vitin 2012, është larguar nga banesa në drejtim të Gjermanisë, bashkëshorti i saj, shtetasi A. F., 65 vjeç, dhe në vitin 2016, ka humbur konktaktet me të. Punohet për gjetjen e tij.

Gjatë 48 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 98 shtetas, konkretisht: 6 janë ndaluar, 24 janë arrestuar dhe 68 po procedohen në gjendje të lirë, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 9 raste, me 6 shtetas të arrestuar dhe 9 të tjerë të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 6 raste: 3 raste të veprës penale ‘Kanosja”, me 1 autor të shpallur në kërkim, 1 autor të arrestuar dhe 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, me 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, me 1 autor të arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuaqr 8 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, me 4 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, me 1 autor të dyshuar që po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 10 raste të dhunës në familje, me 3 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 8 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 22 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Për veprën penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës” është evidentuar 1 rast, me 1 autor të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Vjedhja e energjisë elektrike”, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Shkatërrimi i pronës”, njëri prej tyre me autorë të paidentifikuar, ndërsa rasti tjetër me 1 autor të proceduar penalisht në gjendje të lirë. Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”, me 2 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë dhe 1 autor të arrestuar në flagrancë.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar në total 10 raste, prej këtyre janë 5 raste janë me autorë të paidentifikuar, për të cilët vijon puna nga ana e strukturave policore, ndërsa 5 rastet e tjera rezultojnë me 2 shtetas të arrestuar dhe 3 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të falsifikimit të dokumenteve, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë të proceduar penalisht në gjendje të lirë. Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Fshehja e të ardhurave”, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 10 raste të veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”, njëri prej tyre me autorë të paidentifikuar dhe për të cilin vijon puna intensive nga ana e Policisë, ndërsa 9 rastet e tjera rezultojnë me 6 shtetas të arrestuar, 2 shtetas të ndaluar, 1 i shpallur në kërkim dhe 2 të tjerë të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i mbajtjes pa leje të armëve të ftohta, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 12 aksidente, me 1 viktomë dhe 20 persona të dëmtuar, që ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Janë evidentuar në total 11 raste të veprës penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, me 4 shtetas të arrestuar dhe 7 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.