Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Çiklisti”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje. Operacioni nga Komisariati i Policisë Vorë. Sekuestrohen një armë zjarri kallashnikov dhe një krehër me municion luftarak. Vihet në pranga një 18-vjeçar. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vorë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, se një shtetas lëvizte me armë zjarri, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Çiklisti”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit B. M., 18 vjeç, banues në Fushë-Krujë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Ky shtetas është konstatuar në vendin e quajtur “Ura e Gjolës”, duke lëvizur me biçikletë dhe gjatë kontrollit të ushtruar, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov dhe një krëhër me municion luftarak. Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë vijon puna për zbardhjen e qëllimit dhe motiveve pse ky shtetas qarkullonte me armë zjarri. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Durrës – Më datë 18.03.2022 u referuan materialet në Prokororinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për shtetasin F. H., 35 vjeç, banues në Manzë, Durrës, sepse dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, shtetases I. Gj. (H), 41 vjeçe, e cila ndodhet në spital. Paraprakisht, mjeku ka deklaruar se në trupin e saj nuk ka shenja sipërfaqësore dhune (dyshohet për trompozë).
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 195 shtetas, konkretisht: 24 janë ndaluar, 22 janë arrestuar në flagrancë dhe 149 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 4 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 9 raste, me persona të dyshuar, të cilët po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 14 raste: 8 raste të “Kanosja”, prej të cilëve 1 rast i ndodhur për shkak të detyrës; 1 raste i “Plagosja e rëndë me dashje”, në qarkun Durrës; 3 raste të veprës penale “Plagosja e lehtë me dashje”, me autorë të dyshuar që po procedohen në gjendje të lirë dhe 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”.
Për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” janë proceduar penalisht 2 shtetas, ndërsa për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” është proceduar 1 tjetër.
Në qarkun Tiranë është evidentuar një rast i veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, me një autor të dyshuar, të proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të dhunës në familje, si dhe janë plotësuar 12 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në qarqet Gjirokastër dhe Vlorë janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 7 raste, me shtetas të proceduar në gjendje të lirë, si dhe 2 raste me autorë të dyshuar, ende të paidentifikuar, për të cilët vijon puna nga ana e strukturave policore.
Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Mashtrimi”, njëri prej tyre i kryer në bashkëpunim. Në qarkun Tiranë u ndaluan 18 shtetas, si dhe u proceduan në gjendje të lirë 75 të tjerë, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”.
Në qarkun Vlorë është evidentuar 1 rast i veprës penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, me 4 shtetas të arrestuar ne flagrancë. Në qarkun Lezhë është evidentuar 1 rast i veprës penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, me një shtetase të proceduar në gjendje të lirë.
Në qarkun Lezhë, është evidentuar 1 rast i veprës penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, me 1 autor të dyshuar që po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 7 raste të ndërtimit pa leje, 2 prej tyre në Tiranë, 3 raste në Berat, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Durrës.
Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”, si dhe janë evidentuar 2 raste për veprën penale “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.
Janë proceduar penalisht në gjendje të lirë 4 shtetas, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.
Janë evidentuar 5 raste për veprën penale “Shkatërrimi i pronës”, si dhe 1 rast tjetër për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Kalimi i kufirit në mënyrë të paligjshme”.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 4 aksidente, me persona të lënduar të cilët, pasi kanë marrë asistencë mjekësore, janë kthyer në banesa.
Janë evidentuar 6 raste të veprës penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, me 6 shtetas të arrestuar në flagrancë dhe 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.