Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Policia e Shtetit
Ekstradohet nga Spanja, shtetasi L. L. alias L. S., i cili akuzohet nga GjKKO-ja se rreth 2 vjet më parë, në Vlorë, organizoi vrasjen e 2 shtetasve (krim i parandaluar si rezultat i ndërhyrjes së Policisë).
Shtetasi L. L. alias L. S., u arrestua në Spanjë, 1 vit më parë, gjatë operacionit të koduar “Rekrutuesi”.
Si rezultat i bashkëpunimit mes autoriteteve të Shqipërisë dhe Spanjës, në zbatim të marrëveshjes së ekstradimit, u ekstradua nga Spanja, shtetasi L. L. alias L. S., 47 vjeç, i lindur në Vlorë.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.
47-vjeçari akuzohet në bashkëpunim me pjesëtarë të tjerë të grupit kriminal, kishte organizuar vrasjen e shtetasve E. M. dhe I. H. Ky krim u parandalua nga Policia, pasi u arrestua shtetasi A. N., i cili dyshohet se i paguar prej shtetasit L. L., do të kryente vrasjet. Shtetasit A. N., në momentin e arrestimit, iu sekuestrua pistoleta me fishek në fole, e gatshme për qitje.
Gjirokastër/Finalizohet pas 4 muajsh hetime me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Porosia”.
Përvetësoi 42000 euro, nëpërmjet mashtrimit, ndalohet 27-vjeçari.
Si rezultat i një hetimi me metoda proaktive, të kryera për 4 muaj, në bashkëpunim me Prokurorinë Gjirokastër, për sigurimin e provave për një rast të mashtrimit, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, të DVP Gjirokastër në bashkëpunim me Sektorin Operacional të DVP Gjirokastër dhe me Komisariatin e Policisë Sarandë organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Porosia”.
Si rezultat i tij, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, u kap dhe u ndalua shtetasi A. K., 27 vjeç, banues në fshatin Picar, Gjirokastër, për veprat penale “Mashtrimi” me pasoja të rënda, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
Ky shtetas dyshohet se nëpërmjet mashtrimit ka përvetësuar një shumë prej 42000 euro, nga një shtetase. Ditën e djeshme, shërbimet e Policisë gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e këtij shtetasi, gjetën të fshehur dhe sekuestruan një armë sportive pistoletë, të cilën e mbante pa lejen përkatëse.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Shkodër
I shpallur në kërkim për armëmbajtje pa leje dhe prishje të qetësisë publike kapet dhe vihet në pranga 25-vjeçari.
Në vijim të kontrolleve bazuar dhe në inteligjencën policore, për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, kapën në fshatin Grudë e Re dhe ndaluan shtetasin A. L., 25 vjeç, banues në fshatin Pult.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”
Më datë 13.08.2024, në fshatin Postribë, ku gjatë një konflikti për motive të dobëta, ndërmjet disa shtetasve, ka mbetur i plagosur me armë zjarri një 43-vjeçar.
Vijojnë kërkimet për kapjen dhe të 2 shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim, për këtë rast.
Në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, vijojnë hetimet për të individualizuar përgjegjësinë penale të secilit prej shtetasve të implikuar në këtë rast.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Tiranë
Lëvizte i armatosur dhe me lëndë narkotike, falë inteligjencës policore lokalizohet dhe arrestohet në flagrancë 40-vjeçari.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Klienti” nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë.
Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë me krëhër e municion luftarak dhe sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë.
Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive, bazuar dhe në inteligjencën informative se në një lokal në rrugën “Halit Bega” ndodhej një shtetas i armatosur, menjëherë kanë organizuar punën për kapjen e tij dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Klienti”.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi H. Q. (G)., 40 vjeç, banues në Tiranë.
Në rrugën “Halit Bega”, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar shtetasin H. Q. (G) dhe gjatë kontrollit fizik të tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë me krëhër e municion luftarak dhe sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë.
Materialet i kaluan Prokurorisë.
Elbasan
Vodhën disa biçikleta, në muajin nëntor 2024 identifikohen, kapen dhe vihen në pranga 2 autorët e dyshuar.
Të dy të arrestuarit, të dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale.
Njëri prej të arrestuarve u kap në flagrancë duke shitur një nga biçikletat e vjedhura.
Si rezultat i veprimeve hetimore dhe profesionale të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, menjëherë pas administrimit të kallëzimeve nga qytetarët, për vjedhjen e biçikletave, në lagje të ndryshme, është organizuar puna dhe është bërë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi i autorëve të dyshuar, shtetasve M. T., 38 vjeç dhe L. Xh., 33 vjeç, të dy banues në Elbasan.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta 2 shtetas, janë autorë të vjedhjeve të 3 biçikletave, konkretisht;
-më datë 07.11.2024, në lagjen “28 Nëntori”, kanë vjedhur biçikletën në pronësi të shtetasit S. T., 42 vjeç;
-më datë 06.11.2024, në lagjen “Dyli Haxhire”, dyshohet se kanë vjedhur biçikletën në pronësi të shtetases F. P., 38 vjeçe;
-më datë 05.11.2024, në lagjen “Kongresi”, dyshohet se kanë vjedhur biçikletën në pronësi të shtetasit E. K., 58 vjeç.
Vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore dhe të disa rasteve të vjedhjeve të tjera të ndodhura më parë që dyshohet se janë kryer nga këta dy shtetas.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.
Peqin
Identifikohet dhe procedohet penalisht autori i dyshuar i një rasti zjarrvënieje.
Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve operacionale të kryera me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të zjarrvënieve të qëllimshme apo nga pakujdesia, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Peqin identifikuan autorin e dyshuar të një rasti zjarri në fshatin Bishqem, shtetasin A. B., 63 vjeç, banues në fshatin Bishqem, për të cilin u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas ka ndezur zjarr për të djegur disa mbeturina dhe si pasojë e përhapjes së flakëve janë djegur rreth 2 hektarë sipërfaqe toke me shkurre.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Lezhë/Si rezultat i kontrolleve të Policisë, konstatohet dhe goditet një tjetër rast në fushën e narkotikëve.
Lëviznin në qytet, me sasi Cannabisi në automjet, për ta shitur në doza, arrestohet 1 shtetas dhe procedohen penalisht 3 të tjerë.
Sekuestrohen lënda narkotike dhe automjeti me të cilin lëviznin këta shtetas.
Gjatë kontrolleve të kryera 24/7, nga Forca e Posaçme “Shqiponja” e DVP Lezhë, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive, si dhe për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, në lagjen “SMT”, është ndaluar automjeti tip “Golf”, i cili drejtohej nga shtetasi K. B., 22 vjeç dhe kishte pasagjerë shtetasit S. K., 19 vjeç, K. B., 22 vjeç dhe S. Sh., 23 vjeç, të katërt banues në Mamurras.
Nga kontrollet, nën sediljen ku ishte ulur 19-vjeçari, është gjetur një sasi lënde narkotike Cannabis Sativa, e cila dyshohet se posedohej me qëllim shitjen.
Në përfundim të veprimeve procedurale për rastin, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Lezhë arrestuan shtetasin S. K. dhe referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për 3 shtetasit e tjerë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Rinas/Parandalohet dhe goditet një rast i tentativës për të futur lëndë narkotike nga Dubai në Tiranë.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Fluturimi”, nga Komisariati i Policisë Rinas, autoritetet doganore të Rinasit dhe Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë.
Trafikoi nga Dubai në Tiranë, 26 kg e 700 gramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis që e kishte fshehur në bagazhet e tij, kapet në Rinas dhe arrestohet në flagrancë 21-vjeçari.
Sekuestrohet sasia e lëndës narkotike.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Rinas në bashkëpunim me autoritetet doganore në kuadër të kontrolleve të shtuara për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë dhe në veçanti të trafikimit të lëndëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore se një shtetas që do të udhëtonte nga Dubai drejt Rinasit, kishte fshehur në bagazhet e tij, sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, menjëherë kanë organizuar punën dhe në bashkëpunim me Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Fluturimi”.
Gjatë këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasit B. T., 21 vjeç, banues në Luksemburg.
Gjatë kontrollit në bagazhet e 21-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 26 kilogramë e 700 gramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis.
Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 204 shtetas, konkretisht: 51 shtetas janë vënë në pranga, 143 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 10 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, vijon intensivisht puna nga ana e strukturave të Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 19 raste. 5 shtetas janë vënë në pranga dhe 21 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 23 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 4 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 28 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 10 raste, për 2 prej tyre po hetohet për të zbardhur autorësinë, ndërsa për rastet e tjera, 3 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 8 raste. 3 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimit kibernetik janë evidentuar 2 raste, njëri prej të cilave me autor/ë të paidentifikuar. Për rastin tjetër, 1 shtetas është shpallur në kërkim.
Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë/tentativat për vjedhje të pasurisë, janë evidentuar 13 raste, 7 prej tyre me autorë të paidentifikuar. 3 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 5 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, për vjedhje të tjera.
Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me zjarr ose me mjete të ndryshme, janë evidentuar 22 raste, 4 prej tyre me autorë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 6 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 16 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 11 raste. 2 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 7 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 19 kërkesëpadi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Janë evidentuar:
-6 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrave të punonjësve të Policisë, me 3 shtetas të vënë në pranga dhe 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-6 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 6 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-4 raste të veprës penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Kanosja për shkak të detyrës”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. 1 shtetas është ndaluar për një rast të mëparshëm në këtë fushë;
-2 raste të veprës penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-nga 1 rast i organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, goditjes për shkak të detyrës dhe i përkrahjes së autorit të krimit, me nga 1 shtetas të vënë në pranga;
-nga 1 rast i veprimeve në kundërshtim me vendimin e gjykatës dhe trafikimit të mjeteve motorike, me nga 1 shtetas të shpallur në kërkim;
-1 rast i veprave penale “Përndjekja” dhe “Heqja e paligjshme e lirisë”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim;
-1 rast i veprave penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Ndërtimi i paligjshëm” dhe “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”, për të cilin vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat;
-nga 1 rast i falsifikimit, njoftimit të rremë në organet e rendit, braktisjes së kafshës së shoqërimit, keqtrajtimit të kafshës dhe keqtrajtimit të të miturit, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
1 shtetas i shpallur në kërkim për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, është ndaluar.
1 shtetas i shpallur në kërkim për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, është ndaluar.
1 shtetas i shpallur në kërkim për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Keqtrajtimi i të miturit”, është ndaluar.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 19 aksidente, si pasojë e të cilave 1 shtetas ka humbur jetën dhe 26 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 64 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, 2 prej tyre me autorë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 25 shtetas janë vënë në pranga dhe 38 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.