Raporti i ngjarjeve, 9 tetor 2025

Morinë, Kukës

Finalizohet nga Policia Kufitare, në bashkëpunim me autoritetet doganore, operacioni policor i koduar “Tarifa”.

Goditet një rast i tentativës për të kontrabanduar në Kosovë, mallra për të cilat paguhet akcizë.

Sekuestrohen mallra të ndryshme, me vlerë totale rreth 54 350 000 lekë dhe 2 automjetet ku u gjetën këto mallra.

Arrestohen në flagrancë 2 drejtuesit e automjeteve.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Kukës kanë intensifikuar kontrollet në të gjitha pikat e kalimit kufitar, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare. Si rezultat i kontrolleve të ushtruara bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, për kontrabandë mallrash, shërbimet e Policisë Kufitare Morinë, në bashkëpunim me shërbimet doganore, finalizuan operacionin policor të koduar “Tarifa”.

Gjatë operacionit, në dalje të Republikës së Shqipërisë, shërbimet e Policisë Kufitare Morinë kaluan në vijë të dytë, për kontroll të detajuar, automjetin furgon me drejtues shtetasin B. L. dhe automjetin tip “Volkswagen”, me drejtues shtetasin F. M.

Gjatë kontrollit në automjetin me drejtues shtetasin F. M., u gjetën 1006 kuti me medikamente mjekësore të ndryshme, disa arka me 41 000 tableta dhe 2 194 celularë, ndërsa gjatë kontrollit në furgonin me drejtues shtetasin B. L., u gjetën 62 thasë me duhan, me peshë totale 930 kg.

Mallrat, me vlerë totale rreth 54 350 000 lekë, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale bashkë me 2 automjetet.

Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Kukës arrestuan në flagrancë shtetasit B. L., 52 vjeç, dhe F. M., 55 vjeç, të dy banues në Kukës, për veprat penale “Kontrabanda me mallra që paguhet akcizë” dhe “Kontrabanda me mallra të tjera”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.

Durrës/Informacion paraprak

Rreth orës 12:30, në rrugën “Aleksandër Goga”, automjeti me drejtues shtetasin F. K., 54 vjeç, është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin E. N., 35 vjeç. Si pasojë janë dëmtuar lehtë shtetasit A. N., 85 vjeç dhe B. N., 76 vjeçe, pasagjerë në automjetin që drejtonte 35-vjeçari.

2 të dëmtuarit janë në kujdesin e mjekëve dhe aktualisht jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve arrestuan shtetasin A. R., 39 vjeç, banues në Himarë, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan 5 doza me lëndë narkotike kokainë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë referuan materiale në Prokurori dhe nisën procedimin penal për një shtetas të mitur, 17 vjeç, pasi nga kontrolli i ushtruar në prani të oficeres së sigurisë së shkollës ku studion, iu gjet dhe iu sekuestrua një mjet prerës (thikë).

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë referuan materiale në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasin P. D., 69 vjeç, banues në Vlorë, pasi ndaj tij ka bërë kallëzim shtetasi A. A., 45 vjeç, se ky shtetas e ka kanosur me fjalë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë referuan materiale në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasin P. N., 25 vjeç, banues në Sarandë, pasi ndaj tij ka bërë kallëzim shtetasi L. S., 62 vjeç, se për motive të dobëta, ky shtetas e ka kanosur me fjalë.

Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Himarë

Zbardhen dhe dokumentohen disa raste vjedhjeje në një market në “Livadh”, kapet dhe ndalohet autori i dyshuar.

Falë veprimeve të shpejta hetimore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë, në vijim të veprimeve për goditjen e krimeve kundër pronës, u bë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim, si autor i dyshuar i disa rasteve vjedhjeje në Himarë, konkretisht:

• M. B, alias M. Ç., 33 vjeç, banues në Elbasan, për veprat penale “Vjedhja”, “Prodhimi, mbajtja apo shitja e armëve të ftohta” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas, gjatë muajve shtator dhe tetor 2025, ka kryer disa vjedhje në një market ushqimor, në lagjen “Livadh”, Himarë, ku janë vjedhur një shumë prej 800 000 lekësh dhe produkte ushqimore me vlerë rreth 1 000 000 lekë .

Gjatë kontrollit në vendin ku qëndronte ky shtetas, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një sasi me lëndë narkotike cannabis sativa, 1 mjet prerës thikë, një palë doreza dhe veshje të përdorura gjatë vjedhjeve.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Sarandë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Deceiver”.

Prezantohej si prokuror, për të përfituar shërbime dhe dokumente, arrestohet 49-vjeçari, i cili dhe në momentin e ndalimit, iu prezantua punonjësve të Policisë, me këtë detyrë.

Ky shtetas ishte në kërkim pasi kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për të njëjtën veprimtari kriminale. Ai ka qenë i dënuar dhe më parë, për mashtrim të disa shtetasve, duke u prezantuar si funksionar publik.

Vihet në pranga dhe një shtetas që strehonte 49-vjeçarin, pasi posedonte në banesë, 1 armë zjarri automatik dhe municion luftarak.

Sekuestrohen arma e zjarrit, municion luftarak, si dhe dokumente të ndryshme që dyshohet se i ka përdorur 49-vjeçari, në këtë veprimtari kriminale.

Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë, në drejtimin e Prokurorisë, pas marrjes së informacionit se një shtetas prezantohej si funksionar publik, për qëllime përfitimi, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Deceiver”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

-A. M., 49 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Mashtrimi”, “Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”;

-E. Ç., 19 vjeç, banues në Sarandë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Nga hetimet dyshohet se duke u prezantuar si prokuror dhe duke i premtuar se do të paguheshin nga institucioni i Prokurorisë, shtetasi A. M. ka punësuar disa shtetas në shërbim të tij, të cilëve ia ka shkaktuar dëm të konsiderueshëm ekonomik. Gjithashtu, ka kërkuar favore në institucione dhe subjekte të ndryshme.

Nga verifikimet e kryera, rezultoi se 49-vjeçari ishte në kërkim pasi kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, caktuar nga Gjykata, për veprën penale “Mashtrimi”, pasi është paraqitur në institucione dhe iu ka marrë para qytetarëve, duke u prezantuar si prokuror.

Në vijim të veprimeve hetimore për dokumentimin e rastit, u krye kontroll në banesën e shtetasit E. Ç., në Sarandë, ku qëndronte shtetasi A. M. Gjatë kontrollit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri automatik tip “Shars”, municion luftarak dhe dokumente të ndyshme zyrtare, radio si të Policisë dhe një kompjuter të cilat dyshohen se janë përdorur nga shtetasi A. M., për mashtrime.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan

Në lidhje me 3 video të postuara në rrjete sociale, në të cilat shfaqen 3 automjete që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor, bëjmë me dije se:

Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore kanë kryer veprimet verifikuese dhe kanë vendosur masat përkatëse administrative si më poshtë:

✅Është ndëshkuar me masë administrative 10 000 lekë, bazuar në pikat 10 dhe 16 të nenit 146 të Kodit Rrugor, drejtuesi i automjetit që ka kryer parakalim të gabuar, në aksin rrugor “Elbasan-Peqin”;

✅Është ndëshkuar me masë administrative 10 000 lekë, bazuar në pikat 10 dhe 16 të nenit 146 të Kodit Rrugor, drejtuesi i automjetit që ka kryer parakalim të gabuar, në aksin rrugor “Elbasan-Peqin”;

✅Është ndëshkuar me masë administrative 10 000 lekë, bazuar në pikat 10 dhe 16 të nenit 146 të Kodit Rrugor, drejtuesi i automjetit që ka kryer parakalim të gabuar, në aksin rrugor “Elbasan-Librazhd”.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor në numrin pa pagesë 112, duke i garantuar se reagimi do të jetë i menjëhershëm dhe sipas ligjit.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës

Shërbimet e Policisë Rrugore arrestuan në flagrancë shtetasin E. K., 18 vjeç, banues në Durrës, pasi u kap duke drejtuar automjetin, pa leje.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh shpallën në kërkim shtetasit Xh. Z., 34 vjeç dhe Xh. Z., 33 vjeçe, banues në Durrës, pasi dyshohet se me anë të mashtrimit kanë përvetësuar paratë e pagesës së energjisë elektrike të shtetasve të ndryshëm, duke mos arkëtuar lekët në llogari të subjektit privat ku janë të punësuar. Punohet për kapjen e 2 shtetasve.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shijak arrestuan në flagrancë shtetasin M. L., 59 vjeç, banues në Shijak, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, kapën dhe ndaluan shtetasin R. K., 35 vjeç, i cili ishte në kërkim, pasi Gjykata e ka dënuar me 3 vite e 4 muaj burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Nga ky dënim, 35-vjeçarit i kanë mbetur për të vuajtur rreth 1 vit e 4 muaj burgim.

Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Narkotikëve arrestuan shtetasit:
-I. K., 37 vjeç dhe K. B., 33 vjeç, pasi shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 konstatuan se 37-vjeçari, ndërkohë që ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, lëvizte me automjet që drejtohej pa leje, nga shtetasi K. B.. Gjatë kontrollit fizik, shtetasit I. K. iu gjet një sasi Kokaine;
-B. D., 45 vjeç, pasi shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 i gjetën një sasi Kokaine.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Finanaciare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin I. P., pasi dyshohet se ka mashtruar, me qëllim fitimin e pronësisë mbi një sipërfaqe toke.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit Nr. 1 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-E. M., pasi dyshohet se nga pakujdesia, ka ndezur zjarr, si pasojë e të cilit janë djegur disa bimë;
-M. A., pasi dyshohet se për motive pronësie, ka ushtruar dhunë psikologjike, ndaj ish-bashkëshortes së djalit të tij.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit Nr. 2 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-O. J., pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me grushte, shtetasin A. Xh.;
-E. I., 36 vjeç, pasi dyshohet se i ka dërguar në rrjete sociale, mesazhe kanosëse, shtetasit Y. R., me profesion gazetar;
-D. B., D. C. dhe E. Gj., pasi dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, kanë goditur me grusht, shtetasin E. V..

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit Nr. 3 referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, për 2 të mitur, të cilët dyshohet se për motive të dobëta, janë konfliktuar fizikisht, me njëri-tjetrin.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin J. S., pasi dyshohet se nuk ka dorëzuar një shumë parash që ka përfituar për llogari të subjektit ku është i punësuar.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit Nr. 6 shpallën në kërkim shtetasin D. B., 34 vjeç, pasi dyshohet se ka goditur me grusht, shtetasin A. N.. Punohet për kapjen e 34-vjeçarit.

Specialistët e qarkullimit rrugor arrestuan shtetasin M. E., 27 vjeç, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.

Gjatë 48 orëve të fundit, kallëzuan shtetasit:
-P. K., se më datë 05.10.2025, ishte larguar nga banesa, djali i saj, shtetasi E. K., 35 vjeç. Punohet për gjetjen e këtij shtetasi;
-M. P., se i kanë vjedhur kredencialet e llogarisë në rrjete sociale, dhe se nëpërmjet saj, e kanosin. Punohet për kapjen e autorit, i cili është identifikuar nga Policia;
-Z. K., se është larguar nga banesa, vajza e tij, shtetasja F. K., 38 vjeçe. Punohet për gjetjen e saj.
-E. D., se i kanë vjedhur një shumë parash, në banesë. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve të këtij rasti.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Lezhë

Kryen parakalime të rrezikshme në aksin rrugor “Mabë–Lezhë”, ndëshkohen me masa administrative 2 drejtues automjetesh dhe iu zbriten 10 pikë nga leja e drejtimit.

Shërbimet e Policisë Rrugore të Lezhës, pas publikimit të një videoje në faqen “Harta Digjitale e Aksidenteve Rrugore”, në të cilën shfaqen dy automjete duke kryer parakalime të rrezikshme në aksin rrugor “Mabë–Lezhë”, kryen menjëherë veprimet për identifikimin e drejtuesve të automjeteve.

Nga verifikimet e kryera, u identifikuan drejtuesit e automjeteve, shtetasit N. Gj. dhe A. L.

Në bazë të Kodit Rrugor, secili nga këta shtetas u ndëshkua me masë administrative 12 000 lekë dhe iu zbritën 10 pikë nga leja e drejtimit.

Policia Rrugore e Lezhës falënderon qytetarët dhe median për kontributin në evidentimin e shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor dhe i fton ata të vijojnë të denoncojnë raste të tilla, duke i garantuar se reagimi i Policisë do të jetë i menjëhershëm, i paanshëm dhe në përputhje me ligjin.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit ekzekutuan masën e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasin në kërkim S. S., 30 vjeç, banues në Pogradec, caktuar nga Gjykata e Korçës, për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë. Ky shtetas dyshohet se më datë 11.01.2025, në lagjen nr. 1, Pogradec, gjatë një konflikti për motive të dobëta me shtetasin N. A., 23 vjeç, e ka goditur atë, me mjet prerës.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve vunë në pranga shtetasin K. K., 47 vjec, banues në Pogradec, pasi Gjykata e Korçës e ka dënuar me 1 vit, 10 muaj e 3 ditë burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec kapën dhe ndaluan shtetasin R. K., 41 vjeç, banues në fshatin Guras, pasi Gjykata e Korçës i ka caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Dhuna në familje”.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kolonjë arrestuan në flagrancë shtetasin S. Sh., 36 vjeç, banues në Ersekë, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, caktuar nga Gjykata e Korçës.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Devoll referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin E. M., pasi u kap duke kryer punime ndërtimi, pa leje.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq referuan materialet në Prokurori, pasi shtetasja J. P., 36 vjeçe, ka tentuar të vetëvritet në banesë, duke konsumuar një sasi medikamentesh. Ajo po merr ndihmën mjekësore në spital dhe aktualisht është jashtë rrezikut për jetën.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

DVP Kukës

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Tropojë arrestuan në flagrancë shtetasin G. N., 34 vjeç, banues në fshatin Llugaj, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe ka goditur me grushte shtetasin B. N., 31 vjeç, për motive të dobëta.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kukës referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal për shtetasin E. C., 35 vjeç, banues në Kukës, pasi duke parkuar automjetin në mënyrë të gabuar, në qytetin e Kukësit, ka penguar lëvizjen e lirë të përdoruesve të tjerë të rrugës.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë

Shërbimet e Policisë Rrugore Lezhë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasen R. Ll., 35 vjeçe, banuese në Lezhë, pasi dje, në hyrje të qytetit të Lezhës, automjeti që drejtonte është përplasur me motomjetin me drejtues shtetasin L. M., 60 vjeç, banues në Lezhë. Si pasojë është dëmtuar lehtë shtetasi L. M.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kurbin referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin M. Gj., 77 vjeç, banues në Kurbin, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.

Kurbin/Në vijim të planit operacional policor të koduar “Koordinata”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin gjetën në një sipërfaqe toke publike, në fshatin Vinjoll, 37 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa. Një pjesë e bimëve u sekuestrua si provë materiale, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua me anë të djegies. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër

Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore arrestuan shtetasin A. B., 54 vjeç, banues në fshatin Dobraç, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin M. S., 50 vjeç, banues në fshatin Levan, Fier, pasi dyshohet se nëpërmjet mashtrimit, i ka marrë një shumë parash, shtetasit A. M., 51 vjeç, banues në Shkodër.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi dje, në lagjen “Tepe”, Shkodër, në një vendgrumbullim mbeturinash, është gjetur një çantë e vjetër me municion luftarak dhe granata dore pa ndezës, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Më datë 08.10.2025, ka kallëzuar shtetasi P. K., 66 vjeç, se i kanë vjedhur një elektromotor dhe një transformator elektrik, në banesën e tij, në fshatin Plezhë, gjatë kohës që në banesë nuk ka patur njeri. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasen V. Xh., 49 vjeçe, banuese në fshatin Mbrostar Ura, pasi dyshohet se ka kanosur dhe ka goditur në zyrë, shtetasin A. K., 59 vjeç, banues në Fier, i cili është avokati që përfaqëson djalin e saj, në procesin gjyqësor kundër prindërve.

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor:
-arrestuan në flagrancë shtetasin J. K., 23 vjeç, banues në Lushnjë, pasi u kap duke drejtuar automjetin, pa leje;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një shtetas 17 vjeç, pasi dje, në Ballsh, me motomjetin që drejtonte, ka përplasur një shtetase 15 vjeçe, e cila pasi mori mjekim në spital, u largua në banesë.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. M., 18 vjeç, banues në Lushnjë, pasi posedonte doza Cannabisi.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

Interpol Tirana

Ekstradohet nga Dubai në Shqipëri, një 39-vjeçar i kërkuar nga autoritetet në Tiranë dhe në Fier, për përndjekje dhe për thyerje të masës së sigurisë.

Në vijim të bashkëpunimit të Drejtorisë së Interpolit, me zyrën e Interpol Abu Dhabit, me objektiv kapjen dhe ekstradimin e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, të cilët synojnë t’i fshihen drejtësisë shqiptare, duke qendruar në Dubai, u lokalizua dhe u kap, në kuadër të operacionit “The Wanted”, shtetasi K. A., 39 vjeç, i lindur në Lushnjë.

Ky shtetas kërkohej ndërkombëtarisht sepse në vitin 2024, Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Përndjekja”, pasi akuzohet se për disa vjet, ka përndjekur fizikisht dhe në rrjete sociale, shtetasin R. R. dhe familjarë të tij.

Gjithashtu, 39-vjeçari është dënuar nga Gjykata e Fierit, në vitin 2024, me 9 muaj burgim, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Fushë-Arrëz / Informacion paraprak

Mbrëmjen e djeshme, në aksin rrugor “Qafë Mali–Fierzë”, shtetasi P. U., 51 vjeç, duke drejtuar automjetin e tij, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit, i cili ka dalë nga rruga dhe ka rënë në një humnerë.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë, forcat zjarrfikëse dhe ambulanca, por shtetasi P. U. ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit.