Raporti i ngjarjeve, 9 shkurt 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Shkodër/Aksione intensive gjurmuese, për të lokalizuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, të kërkuarit për ngjarje kriminale të mëparshme.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Historiku”.

Reparti Special “RENEA”, në bashkëpunim me Policinë e Shkodrës, lokalizojnë, kapin dhe arrestojnë një shtetas me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore.

32-vjeçari i ndaluar, me precedent tejet të theksuar kriminal,

•i kërkuar në kuadër të operacionit “Metamorfoza”;

•qëlloi me armë zjarri 2 shtetas, në Shkodër, në vitin 2021;

•futi sende të kundërligjshme në IEVP Shënkoll.

Falë hartimit të detajuar të veprimeve operacionale, konspiracionit të plotë, koordinimit të shërbimeve dhe punës intensive të inteligjencës policore, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, të mbështetura nga ato të Repartit Special “RENEA”, organizuan dhe finalizuan operacionin policor i koduar “Historiku”.

Operacioni rezultoi me lokalizimin në banesën ku fshihej, në fshatin Kuç, kapjen dhe neutralizimin e shtetasit të shpallur në kërkim Sh. Xh., 32 vjeç.

32-vjeçari, shtetas me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore, për shkak të akuzave/dënimeve për një shumëllojshmëri veprash penale. Konkretisht, i akuzuar nga SPAK-u, në kuadër të operacionit “Metamorfoza”, për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, i shpallur në kërkim nga Policia e Shkodrës, pasi në vitin 2021, në bashkëpunim me 2 shtetas të tjerë, qëlloi me armë zjarri, shtetasit T. P. dhe K. M., si dhe i dënuar me 2 vjet burgim, nga Gjykata e Lezhës, për veprën penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme. 

Durrës/Vihen në pranga 4 shtetas, për vepra penale të ndryshme.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin A. K., 53 vjeç, banues në Durrës, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shijak arrestuan në flagrancë shtetasin E. D., 46 vjeç, banues në fshatin Kodër Sukth, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë arrestuan në flagrancë shtetasin L. K., 34 vjeç, banues në fshatin Lekaj, pasi nga kontrolli në automjetin me të cilin qarkullonte, u gjetën një sasi e vogël lënde narkotike kokainë dhe një përforcues grushti.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh arrestuan në flagrancë shtetasin L. Ç., 57 vjeç, banues në Durrës, pasi nga verifikimet e kryera në bashkëpunim me shërbimet mbështetëse, ka rezultuar se ka vjedhur energji elektrike, për pajisjet në lokalin e tij, në lagjen nr. 13.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

DVP Tiranë

Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike finalizon pas një pune të mirëfilltë hetimore, operacionin policor të koduar “Echo”.  

Vihen në pranga 2 shtetas dhe procedohet penalisht 1 tjetër, të cilët kishin përshtatur ambientet e disa subjekteve, për organizimin e lojërave të fatit, si dhe ushtronin veprimtarinë e paligjshme të vënies së basteve sportive, nëpërmjet celularëve. 

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale, 3 celularë që shërbenin për vënien e basteve sportive. 

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive të kundërligjshme në fushën e lojërave të fatit, pas një pune të mirëfilltë hetimore, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Echo”.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan shtetasit H. Xh., 18 vjeç, dhe A. Xh., 57 vjeç, të dy banues në Tiranë. Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin F. Xh., 37 vjeç.  

Gjatë kontrolleve të ushtruara në disa subjekte të vëna në dispozicion për organizimin e lojërave të fatit, u konstatuan këta shtetas, në celularët e të cilëve, shërbimet e Policisë gjetën faqe dhe linqe që shërbenin për vënien e basteve sportive.        

Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 3 celularë që shërbenin për këtë veprimtari të paligjshme. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. 

Policia e Shtetit/Finalizohet operacioni policor i koduar “Operacionalja 2”.

Operacioni, nga shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSH, në bashkëpunim me Policinë e Beratit, në kuadër të operacioneve të njëpasnjëshme policore, për kapjen e shtetasve të kërkuar ndërkombëtarisht.

I dënuar në Itali, me rreth 10 vjet burgim, për pjesëmarrje në një organizate kriminale për trafikim të lëndëve narkotike, lokalizohet dhe arrestohet me qëllim ekstradimin, 52-vjeçari.

Në vijim të operacioneve policore për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, të cilat zhvillohen në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, si dhe si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSH, në bashkëpunim me ato të DVP Berat, finalizuan operacionin policor të koduar “Operacionalja 2”.

Gjatë operacionit, në Berat, u lokalizua, u kap dhe u arrestua provizorisht, për t’u ekstraduar në Itali, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar Hari Basko alias Hari Bello, 52 vjeç.

Gjykata e Venecias e ka dënuar këtë shtetas, me 9 vjet, 3 muaj dhe 27 ditë burgim, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të organizatës kriminale, sipas parashikimeve të Kodit Penal të Italisë.

Interpol Tirana dhe Interpol Roma po bashkëpunojnë për të kryer ekstradimin e këtij shtetasi.

Gjirokastër  

•Specialistët e Seksionit të Trafikut Interurban dhe Urban arrestuan në flagrancë shtetasit:

-J. L., 58 vjeç, banues në Tiranë, pasi ditën e djeshme, automjeti që drejtohej nga 58-vjeçari, në gjendje të dehur, ka goditur një automjet të parkuar; 

-F. K., 18 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi u kap duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi.

•Pasditen e djeshme, në një rrugicë të fshatit Dervician, Dropull, është gjetur një sasi lënde plasëse, pa fitil zjarrpërcjellës. Po punohet për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, poseduesit, si dhe për të zbardhur rrethanat e rastit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 123 shtetas, konkretisht: 36 shtetas janë vënë në pranga, 83 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 9 raste– 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. 2 shtetas të kërkuar për vepra penale në këtë fushë, janë kapur.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 7 raste, 2 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar. 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 8 raste- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Ka ndodhur një tentativë për vrasje në Shkodër, për zbardhjen e së cilës, punohet intensivisht. Gjithashtu, 4 shtetas në kërkim për vepra penale në këtë fushë, janë kapur

Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 5 raste. 5 shtetas janë ndaluar, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të falsifikimit, 5 shtetas janë ndaluar, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 4 raste, 2 prej të cilave me autor/ë ende të paidentifikuar. 3 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë, për këtë veprimtari kriminale.

Janë evidentuar 4 raste të vjedhjes së energjisë elektrike. 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 15 raste. 2 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 19 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 8 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 6 shtetas janë vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 16 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-5 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrit të punonjësit të Policisë, me 3 shtetas të vënë në pranga, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të veprës penale “Përndjekja”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i veprës penale “Ngacmimi seksual”, me 1 shtetas të vënë në pranga;

-nga 1 rast i veprave penale “Vetëgjyqësia”, “Prishja e qetësisë publike”, “Marrja e padrejtë e fëmijës”, “Vrasja me dashje e kafshës së shoqërimit”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”, “Braktisja e fëmijëve të mitur”, me 9 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.

3 shtetas të shpallur në kërkim, përkatësisht për veprat penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Dhunimi i banesës”, janë kapur dhe ndaluar.

Kanë ndodhur 2 aksidente rrugore, me 1 viktimë dhe 2 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 17 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor. 5 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 13 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.