Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Policia e Shtetit/Finalizohet operacioni policor ndërkombëtar i koduar “Sammogia”.
Operacioni, i iniciuar nga Policia italiane, u zhvillua njëkohësisht në Shqipëri, Itali dhe Gjermani.
Finalizimi i tij, rezultat i bashkëpunimit të shkëlqyer ndërmjet Departamentit të Policisë Kriminale/Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh, Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Zyrës së Interforcës Italiane në Shqipëri.
Pjesëtarë të një organizate kriminale në Itali, për trafikim narkotikësh, lokalizohen në Vlorë, kapen dhe vihen në pranga 3 shtetas.
Gjatë operacionit ndërkombëtar “Sammogia”, në total, në Shqipëri, Itali dhe Gjermani, u arrestuan 13 shtetas.
Si rezultat i partneritetit shumë të mirë ndërmjet Policisë së Shtetit dhe agjencive ligjzbatuese italiane, të konkretizuar me shkëmbim intensiv informacionesh dhe operacione të njëpasnjëshme të përbashkëta, me objektiv kapjen e shtetasve të kërkuar ndërkombëtarisht, Departamenti i Policisë Kriminale/Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe me Zyrën e Interforcës Italiane në Shqipëri, finalizuan operacionin ndërkombëtar të koduar “Sammogia”.
Gjatë këtij operacioni të zhvilluar paralelisht në Shqipëri, Itali dhe Gjermani, u lokalizuan në Vlorë, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit L. K., 52 vjeç, F. M., 38 vjeç dhe L. M., 33 vjeç.
Për të tre këta shtetas, Gjykata e Bolonjas ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të organizatës kriminale.
Interpol Tirana dhe homologët në Itali vijojnë bashkëpunimi për të kryer ekstradimin e këtyre shtetasve në Itali.
DVP Elbasan
Lokalizohet dhe kapet një 28-vjeçar i shpallur në kërkim, pasi ishte dënuar me 1 vit e 4 muaj burgim, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale, si rezultat i kontrolleve në terren në të gjithë qarkun, shërbimet e Policisë Rrugore të DVP Elbasan në bashkëpunim me ato të Komisariatit të Policisë Elbasan, kanë lokalizuar dhe kapur në fshatin Xibrakë, shtetasin në kërkim:
Orgest Koka, 28 vjeç, banues në Tiranë.
Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë e ka dënuar këtë shtetas me 1 vit e 4 muaj burgim, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Veprimet e mëtejshme procedurale do të kryhen nga Komisariati i Policisë Bulqizë, që e kishte shpallur në kërkim këtë shtetas.
Librazhd/Si rezultat i kontrolleve në terren dhe bashkëpunimit me inspektorët për mbrojtjen e pyjeve, goditen raste të prerjes së kundërligjshme të pyjeve në parqet kombëtare “Shebenik” dhe “Gavadec”.
Vihet në pranga 1 shtetas dhe punohet për kapjen e bashkëpunëtorit të tij 16 vjeç.
Në banesën e të arrestuarit u gjet një sasi drush për zjarr që dyshohet se janë prerë në këto parqe, në kundërshtim me ligjin.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Librazhd, në vijim të kontrolleve gjatë ditës dhe natës, me fokus parandalimin, konstatimin dhe goditjen e krimeve kundër mjedisit, në bashkëpunim me inspektorët për mbrojtjen e pyjeve, kanë evidentuar dhe goditur disa raste të kësaj veprimtarie të kundërligjshme.
Për to, u arrestua në flagrancë shtetasi Sh. B., 58 vjeç dhe u shpall në kërkim një 16-vjeçar, të dy banues në fshatin Rrajcë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, gjatë muajve mars dhe prill 2024, kanë prerë dru për zjarr, në zonat e mbrojtura të parqeve “Shebenik” dhe “Gavadec”.
Gjatë kontrolleve në banesën e shtetasit Sh. B., u gjet lëndë drusore, e dyshuar e përfituar në kundërshtim me ligjin.
Vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim, si dhe në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë veprimet hetimore për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të kundërligjshme.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”, kryer në bashkëpunim.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 82 shtetas, konkretisht: 21 shtetas janë vënë në pranga, 57 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar. Më tej, për veprimtari kriminale në këtë fushë, 1 shtetas është vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 7 raste- 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 3 raste- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 6 raste, 2 prej të cilave me autor/ë ende të paidentifikuar. 1 shtetas është vënë në pranga dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për vjedhje të kryera më parë.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 13 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar. Më tej, për veprimtari kriminale në këtë fushë, 1 shtetas është vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 16 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 2 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 6 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar:
-4 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrave të punonjësve të Policisë, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-3 raste të veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 1 shtetas të vënë në pranga, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 4 shtetas të vënë në pranga;
-2 raste të veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-1 rast i veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 1 shtetas të vënë në pranga;
-nga 1 rast i veprimtarive kriminale: kalim i kundërligjshëm i kufirit, falsifikim, mbajtje pa leje arme të ftohtë dhe kallëzim i rremë, me 5 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.
1 shtetas i kërkuar për veprën penale “Ngacmimi seksual”, është ndaluar.
Kanë ndodhur 7 aksidente rrugore, me 10 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 20 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, njëri prej tyre me autor ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 9 shtetas janë vënë në pranga dhe 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.