Raporti i ngjarjeve, 8 shkurt 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Durrës/Vijon megaoperacioni policor antidrogë i koduar “Tempulli 2”.

Lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga një 30-vjeçar i shpallur në kërkim për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Shkon 51 numri i shtetasve të vënë në pranga në kuadër të këtij megaoperacioni, në nivel qarku.

Si rezultat i veprimeve operacionale të kryera me intensitet nga Policia e Durrësit, në vijim të megaoperacionit “Tempulli 2”, si dhe i hetimeve të ndjekura me metoda proaktive, në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit, për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetasit që prodhojnë dhe/ose shesin lëndë narkotike, specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme të DVP Durrës ndaluan shtetasin P. B., 30 vjeç, banues në Durrës.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, në kuadër të megaoperacionit “Tempulli 2”, pasi nga hetimet dyshohet se është implikuar në veprimtaritë kriminale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.   

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme. 

Tiranë

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 1, operacioni policor i koduar “February”, për zbardhjen e disa rasteve të përsëritura të vjedhjes së monopatinave.        

Zbardhen dhe dokumentohen 18 raste të vjedhjeve të monopatinave.  

Vihet në pranga njëri nga autorët, procedohen në gjendje të lirë 3 të tjerë.   

Sekuestrohen 10 monopatina të dyshuara të vjedhura nga këta shtetas, në Tiranë.    

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes, si rezultat i administrimit të menjëhershëm të denoncimeve të qytetarëve të ndryshëm, për raste të vjedhjes së monopatinave të tyre, me mbështetjen e inteligjencës policore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “February”.    

Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua shtetasi A. Gj., 18 vjeç, banues në Tiranë, dhe nisi procedimi në gjenndje të lirë për 3 shtetas të mitur, të moshave 16 dhe 17 vjeç.   

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, gjatë muajve të fundit, kanë vjedhur 18 monopatina, në zona të ndryshme të Tiranës, 8 prej të cilave i kanë shitur. 10 monopatinat e tjera u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.    

Vijon puna për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas.  

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë

Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, u finalizua operacioni policor i koduar “Kutreq”. 

Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Nr. 4

Iu gjetën armë zjarri automatik, krëhër e municion luftarak, si dhe një mjet prerës thikë, në banesë, arrestohet në flagrancë 61-vjeçari.    

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Kutreq”.

Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi S. A., 61 vjeç, banues në Kutreq, Tiranë. 

Gjatë kontrollit në banesën e 61-vjeçarit, në fshatin Kutreq, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri automatik, krehër e municion luftarak, si dhe një mjet prerës thikë.   

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

DVP Elbasan/Vihet në pranga 1 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 3 të tjerë, për vepra të ndryshme penale.

Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore arrestuan në flagrancë shtetasin S. M., 49 vjeç, banues në Elbasan, pasi ditën e djeshme, në fshatin Kusarth, me motomjetin që e drejtonte në gjendje të dehur, ka përplasur automjetin me drejtues shtetasin G. M., 52 vjeç, banues në Elbasan.  

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Peqin referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit: 

-E. D., 34 vjeç, banues në Peqin, me detyrë punonjës i Policisë Bashkiake Peqin, pasi ditën e djeshme, gjatë një konflikti verbal për mbajtjen e radhës nga qytetarët, tek dera e jashtme e bashkisë, ka shtyrë një 54-vjeçar;           

-E. L., 29 vjeç, banues në Peqin, pasi me vetëgjyqësi ka dëmtuar disa pemë ulliri, në pronën e një 49-vjeçari.        

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Cërrik referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Y. Gj., 58 vjeç, banues në Belsh, pasi ka kallëzuar shtetasi S. Gj., 55 vjeç, se shtetasi Y. Gj., me vetëgjyqësi, i ka zaptuar dhe dëmtuar një sipërfaqe toke.      

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 86 shtetas, konkretisht: 15 shtetas janë vënë në pranga, 64 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe është shpallur në kërkim 7 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste– 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 5 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 9 raste – 2 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 10 raste, 5 prej të cilave me autorë ende të paidentifikuar. 1 shtetas është vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për këtë veprimtari kriminale.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 10 raste, 4 prej tyre me autorë ende të pëidentifikuar. 13 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë për raste në këto fusha.

Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 2 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 5 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-6 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 10 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-5 raste të kalimit të kundërligjshëm të kufijve, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i veprës penale “Mashtrimi”, me 1 shtetas të vënë në pranga;

-nga 1 rast i veprave penale “Përndjekja”, “Dhunimi i banesës” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me nga 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-nga 1 rast i veprave penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”, “Kallëzimi i rremë”, “Dhunimi i varreve”, “Fyerja”, “Goditjet për shkak të detyrës”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, me 10 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.

Kanë ndodhur 4 aksidente rrugore, me 7 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 15 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 5 shtetas janë vënë në pranga dhe 11 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.