Raporti i ngjarjeve, 8 nëntor 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Mirditë/Si rezultat i punës së inteligjencës policore, finalizohet operacioni policor i koduar “Rural”, kundër armëmbajtjes pa leje.

Sekuestrohen 1 armë zjarri pushkë dhe municion. Kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 53-vjeçari që i posedonte këto sende, pa leje, në banesën e tij në fshatin Kurbnesh.

Gjatë monitorimit të situatës në terren dhe punës së inteligjencës policore, të kryera në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, është siguruar informacion se 1 shtetas mbante pa leje, në banesën e tij, në fshatin Kurbnesh, armë zjarri. Informacioni është administruar menjëherë nga Komisariati i Policisë Mirditë, i cili në kuadër të operacionit policor të koduar “Rural”, ka kryer kontrolle në banesën e sinjalizuar.

Nga kontrollet, në këtë banesë janë gjetur 1 armë zjarri pushkë dhe municion, të cilat u sekuestruan nga Policia, me cilësinë e provës materiale.

Në përfundim të veprimeve procedurale për rastin, u bë arrestimi në flagrancë i pronarit të kësaj banese, shtetasit Gj. Gj., 53 vjeç, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Elbasan

Finalizohet operacioni policor i koduar “Retro”, zbardhen 2 raste të vjedhjes së automjeteve.

Vihet në pranga njëri nga autorët, vijon puna për kapjen e tjetrit.

Të 2 autorët, me precedent të mëparshëm kriminal në fushën e armëmbajtjes pa leje/prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.

Gjendet dhe sekuestrohet në cilësinë e provës materiale, njëri nga automjetet e vjedhura.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe për vënien përpara përgjegjësisë penale, të autorëve, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Retro”.

Si rezultat, u arrestua njëri nga autorët e dyshuar, shtetasi F. B., 26 vjeç, banues në Elbasan.

Ndërkohë vijon puna për kapjen e autorit tjetër, shtetasit L. P., 35 vjeç, banues në Elbasan.

Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se këta shtetas, më datë 06.10.2024, kanë vjedhur në lagjen “Shënkoll”, një automjet tip “Benz”, në pronësi të shtetasit E. D., 65 vjeç.

Gjithashtu, shtetasit F. B. dhe L. P. dyshohen autorë të vjedhjes së ndodhur më datë 24.09.2024, në lagjen “Brigada 17 Sulmuese”, të një automjeti tip “BMË”, në pronësi të shtetasit I. M., 78 vjeç.

Automjeti tip “Benz” i vjedhur, u gjet në lagjen “Shënkoll” dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

PKK Kakavijë

Tentoi të dilte nga Shqipëria, me 14 500 euro të padeklaruara, procedohet penalisht 54-vjeçari.

Sekuestrohet shuma e parave.

Si rezultat i rritjes së vigjilencës së shërbimeve të Policisë Kufitare, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve në kufi, në dalje të Shqipërisë, u krye kontroll në çantën e shtetasit R. H., ku u gjetën 14 500 euro, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar konform ligjit.

Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, për shtetasin R. H., 54 vjeç, banues në Vlorë. Gjithashtu, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, shuma e eurove.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 68 shtetas, konkretisht: 14 shtetas janë vënë në pranga, 41 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 13 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Janë evidentuar 6 kultivimit të bimëve narkotike, me autorë të paidentifikuar. Është evidentuar 1 rast i prodhimit/shitjes së lëndës narkotike Cannabis Sativa, me 1 shtetas të vënë në pranga.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 2 raste, me 2 shtetas të vënë në pranga.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 9 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 1 shtetas është vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 13 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të krimeve ekonomike, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të vjedhjes, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për 3 rastet e tjera, 1 shtetas është vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Për vjedhje të kryera më parë, janë ndaluar 5 shtetas, është identifikuar dhe shpallur në kërkim 1 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 2 të tjerë.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 7 raste- 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 9 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-2 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i falsifikimit të dokumenteve, me 1 shtetas të vënë në pranga;

-1 rast i cenimit të masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim.

Gjithashtu, 1 shtetas është arrestuar, 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë dhe 9 shtetas janë shpallur në kërkim, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditjet për shkak të detyrës”, “Shkatërrimi i pronës”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”.

Kanë ndodhur 4 aksidente rrugore, me 4 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 10 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.