Raporti i ngjarjeve, 7 qershor 2024
Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Policia e Shtetit/Vijon megaoperacioni kombëtar anticannabis i koduar “Territor i pastër”. Kontrolle intensive në të gjithë territorin e vendit, me qëllim evidentimin dhe goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike. Si rezultat i kontrolleve, gjenden në qarqet Shkodër, Kukës dhe Vlorë, dhe asgjësohen 6065 bimë cannabisi. Identifikohen 4 autorë të kultivimit të bimëve narkotike në Selenicë. Procedohen penalisht 2 kryepleq fshatrash dhe 2 inspektorë pyjesh, për shpërdorim detyre dhe për moskallëzim krimi. Gjatë kontrolleve të kryera me mbështetjen e inteligjencës policore, në vijim të megaoperacionit mbarëkombëtar të koduar “Territor i pastër”, janë goditur disa raste të tjera të kultivimit të bimëve narkotike, konkretisht: shërbimet e Stacionit të Policisë Selenicë kanë gjetur në fshatin Mazhar, 741 bimë narkotike në proces tharjeje. Policia ka identifikuar 4 shtetas (vëllezër), autorë të dyshuar të kultivimit të këtyre bimëve, dhe po punon për kapjen e tyre. Gjithashtu, ka nisur procedimi penal për kryeplakun e fshatit Mazhar dhe për inspektorin e pyjeve, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”; shërbimet e Komisariatit të Policisë Has kanë gjetur në fshatin Zahrisht, 1570 bimë narkotike. Për këtë rast janë referuar materialet në Prokurori ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për kryeplakun e fshatit dhe për inspektorin e pyjeve, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”; shërbimet e DVP Shkodër kanë gjetur në njësitë administrative Postribë dhe Toplanë, 3754 bimë narkotike. Strukturat hetimore të drejtorive vendore të Policisë Vlorë, Shkodër dhe Kukës, në bashkëpunim me prokuroritë respektive, vijojnë punën për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të kultivimit të bimëve narkotike. Megaoperacioni “Territor i pastër” vijon.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 82 shtetas, konkretisht: 20 shtetas janë vënë në pranga, 60 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 2 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste, 3 prej tyre me autorë të paidentifikuar. Për rastet e tjera 1 shtetas është vënë në prangë, 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 3 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 1 shtetas është arrestuar, 1 tjetër është proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 6 raste- 11 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 2 raste- 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 3 raste – 1 shtetas është vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për këtë veprimtari kriminale.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 15 raste – 15 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 8 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Fsheja pse asgjësimi i kufomës” dhe “Marrëdhënie seksuale me dhunë” – 3 shtetas janë arrestuar.
Janë evidentuar nga 2 raste të veprave penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit” dhe “Prishja e qetësisë publike”– 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Braktisja e të miturve”, “Kontrabanda me mallra” dhe “Përndjekja”- 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Kanë ndodhur 6 aksidente rrugore, me 6 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 15 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor. 5 shtetas janë vënë në pranga dhe 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.