Raporti i ngjarjeve 7, 8, 9 shtator 2024

Raporti i ngjarjeve 7, 8, 9 shtator 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Elbasan – Përplasi një motomjet dhe u largua nga vendi i aksidentit, identifikohet, kapet dhe arrestohet drejtuesi i automjetit. Gjendet dhe sekuestrohet automjeti tip “Benz”. Si rezultat i veprimeve intensive hetimore dhe procedurale të kryera me zbardhjen e rrethanave të një aksidenti të ndodhur më datë 07.09.2024, në lagjen “28 Nëntori”, ku u përplasën një automjet me një motomjet, specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e drejtuesit të automjetit, shtetasit H. O., 62 vjeç. Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, mbrëmjen e datës 07.09.2024, në lagjen “28 Nëntori”, duke drejtuar automjetin, ka përplasur motomjetin me drejtues shtetasin A. B., 45 vjeç, banues në Elbasan, dhe më pas është larguar nga vendi i aksidentit. Si pasojë e aksidentit janë dëmtuar drejtuesi i motomjetit dhe pasagjerja, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën. Në vijim të veprimeve procedurale u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për drejtuesin e motomjetit, shtetasin A. B., 45 vjeç, pasi nuk ishte i pajisur me leje drejtimi. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjetin tip “Benz” që drejtonte 62-vjeçari, në momentin e aksidentit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 192 shtetas, konkretisht: 52 shtetas janë vënë në pranga, 133 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 7 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, vijon intensivisht puna nga ana e strukturave të Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 21 raste. 9 prej tyre, në fushën e kultivimit, 8 janë me autorë të paidentifikuar, ndërsa për rastin tjetër është vënë në pranga 1 shtetas. Për rastet e tjera, 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 29 raste- 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 30 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 6 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 7 raste. 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë/tentativat për vjedhje të pasurisë, janë evidentuar 10 raste, 3 prej tyre me autorë të paidentifikuar. 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 4 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, për vjedhje të tjera.

Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me zjarr ose me mjete të ndryshme, janë evidentuar 27 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 27 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 19 raste- 5 shtetas janë vënë në pranga dhe 14 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 31 kërkesëpadi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Janë evidentuar:

-2 raste të veprës penale “Përndjekja”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 raste i veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i veprës penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me 1 shtetas të arrestuar;

-nga 1 rast i veprave penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, “Mashtrimi”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 5 aksidente, si pasojë e të cilave janë dëmtuar 8 shtetas. Janë evidentuar në total 38 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 18 shtetas janë vënë në pranga dhe 20 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.