Raporti i ngjarjeve, 6 shkurt 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Kavajë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Pjesëtari”, për kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të Italisë.

Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Kavajë dhe Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, në bashkëpunim me FAST Albanian, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”.

Arrestohet në Golem, për t’u ekstraduar në Itali, pjesëtari i një organizate kriminale me veprimtari në fushat e shitjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

Si rezultat i aksioneve intensive të Policisë, të kryera me qëllim kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore dhe të shkëmbyera ndërmjet zyrave homologe të Interpolit, mbi vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të Italisë, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Pjesëtari”.

Gjatë operacionit, në Golem, Kavajë, u lokalizua, u kap dhe u arrestua provizorisht, për t’u ekstraduar në Itali, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar E. M., 46 vjeç.

Gjykata e Firences i ka caktuar 46-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprimtaritë kriminale të posedimit, shitjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike, të kryera në kuadër të organizatës kriminale.

Interpol Tirana dhe Interpol Roma po bashkëpunojnë për ekstradimin e këtij shtetasi, në Itali.

Vau i Dejës

U kap në flagrancë, në banesën ku kishte hyrë për të vjedhur, vihet në pranga 39-vjeçari.

Si rezultat i ndërhyrjes së shërbimeve të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, menjëherë pas njoftimit se po tentohej të vidhej në një banesë aktualisht të pabanuar, në fshatin Bushat, u bë i mundur arrestimi i autorit të këtij rasti, shtetasit N. M., 39 vjeç, banues në fshatin Reç i Ri.

Shërbimet e Policisë e kapën 39-vjeçarin në flagrancë, në ambientet e banesës, ku kishte hyrë me qëllim vjedhjen.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Tiranë

Në kuadër të operacionit mbarëkombëtar antidrogë “Tempulli 2”, u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Astir”.

Sekuestrohen rreth 1 kg e 500 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë.

Operacioni u zhvillua nga Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në DVP Tiranë. 

Vihen në pranga 2 shtetas, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tyre.

Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në DVP Tiranë, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, të mbështetura nga inteligjenca operative, kanë organizuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Astir”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve  E. G., 37  vjeç, dhe F. Ç., 33 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Gjithashtu, vijon puna për kapjen e shtetasit B. K., i dyshuar si bashkëpunëtor i dy të arrestuarve.

Shërbimet e Policisë, kanë lokalizuar në Bulevardin e Kasharit, shtetasit E. G., dhe F. Ç. Gjatë kontrollit fizik dhe të banesës së shtetasit E. G., shërbimet e Policisë, i gjetën rreth 1 kg e 500 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë.

Lënda narkotike së bashku me dy aparate celulare dhe një automjet, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Punohet për kapjen e shtetasit B. K.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme. 

Policia Rrugore e Tiranës

Gjatë 48 orëve të fundit, janë arrestuar në flagrancë 5 drejtues mjetesh, konkretisht: A. K., 39 vjeç, G. H., 30 vjeç, B. C., 20 vjeç, E. C., 50 vjeç dhe E. D., 40 vjeç, për tentativa për të korruptuar punonjësit e Policisë Rrugore.

Këta shtetas kanë tentuar t’iu ofrojnë punonjësve të Policisë së Shtetit, ryshfet, pasi u kapën në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Lufta kundër kësaj veprimtarie të kundërligjshme do të intensifikohet ndaj shkelësve dhe ndaj punonjësve të Policisë, në çdo rast që ata do të kapen duke kryer korrupsion pasiv.

Për të përmbushur këtë qëllim, ftojmë qytetarët dhe mediat që të denocojnë çdo rast të abuzimit të punonjësve të Policisë, me detyrën.

Policia e Shtetit/Finalizohet operacioni policor i koduar “Operacionalja”.

Operacioni, për kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar, u zhvillua nga shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale.

I akuzuar nga autoritetet e Italisë, si bashkëpunëtor për trafikim të lëndëve narkotike, kapet në Durrës dhe arrestohet me qëllim ekstradimin, 26-vjeçari.

Si rezultat i aksioneve intensive gjurmuese dhe lokalizuese për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, të cilat kryhen në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, si dhe si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale finalizuan operacionin policor të koduar “Operacionalja”.

Gjatë operacionit, në Durrës, u lokalizua, u kap dhe u arrestua provizorisht, për t’u ekstraduar në Itali, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar K. K., 26 vjeç.

Autoritetet në Itali i kanë caktuar 26-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, sipas përcaktimeve të Kodit Penal të Italisë.

Shtetasi K. K. akuzohet se në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka trafikuar dhe ka shitur në Itali, lëndë narkotike të ndryshme.

Interpol Tirana dhe Interpol Roma po bashkëpunojnë për ekstradimin e këtij shtetasi.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 97 shtetas, konkretisht: 21 shtetas janë vënë në pranga, 58 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 18 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste– 2 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 3 raste- 4 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 9 raste- 1 shtetas është vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. 1 shtetas tjetër është vënë në pranga për vrasje nga pakujdesia.

Në fushën e krimeve ekonomike, janë evidentuar 9 raste- 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 8 raste- 3 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të shpallur në kërkim.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 12 raste- 4 shtetas janë vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 10 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 2 shtetas janë vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 9 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-3 raste të veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, me 7 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-nga 1 rast i veprimtarive kriminale: organizim i kundërligjshëm i lojërave të fatit dhe ngacmim seksual, me nga 1 shtetas të vënë në pranga;

-nga 1 rast i veprimtarive kriminale: në fushën e krimeve kompjuterike dhe largim i të burgosurit nga vendi i qendrimit, me nga 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-nga 1 rast i veprave penale “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, “Braktisja e fëmijëve të mitur“ dhe “Marrja e padrejtë e fëmijës”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

2 shtetas të kërkuar përkatësisht për veprat penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit” dhe “Përndjekja”, janë kapur dhe ndaluar.

Nga hetimet është identifikuar 1 shtetas si autor i dyshuar për veprën penale “Kanosja për të mos kallëzuar”. Vijon puna për kapjen e tij.

Kanë ndodhur 8 aksidente rrugore, me 1 viktimë dhe 11 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 15 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 14 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.