Raporti i ngjarjeve, 6 maj 2025

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 89 shtetas, konkretisht: 21 shtetas janë vënë në pranga, 66 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 2 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste. 5 shtetas janë vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 4 raste. 1 shtetas është vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 11 raste. 2 shtetas janë arrestuar, 2 shtetas janë ndaluar dhe 11 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ekonomike, janë evidentuar 3 raste. 1 shtetas është arrestuar dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjes/tentativës për vjedhje të pronës dhe pasurisë janë evidentuar 3 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 14 raste. 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 13 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 8 raste të dhunës në familje. 1 shtetas është ndaluar, 5 shtetas janë arrestuar dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë plotësuar 6 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Është evidentuar nga një rast i shpërdorimit të detyrës, pastrimit të produkteve të veprimtarive kriminale, shpifjes, braktisjes së fëmijës së mitur dhe braktisjes së kafshës së shoqërimit, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

1 shtetas është arerstuar për vjedhje të energjisë elektrike.

3 shtetas janë arrestuar për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

11 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë për veprat penale “Shkelja e fshehtësisë së votimit” dhe “Shkelja e së drejtës së zgjedhjes”.

2 shtetas janë shpallur në kërkim për veprat penale “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim.

Kanë ndodhur 5 aksidente rrugore, me 1 viktimë dhe 7 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 14 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor. 5 shtetas janë vënë në pranga dhe 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan arrestuan në flagrancë shtetasin G. M., 36 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

 

Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin E. B., 24 vjeç, pasi ka prishur qetësinë publike duke bërtitur në rrugë dhe nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë, për shoqërimin e tij në Komisariat.

 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

DVP Kukës

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Has arrestuan në flagrancë shtetasin A. M., 45 vjeç, banues në Kukës, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj nënës së tij, duke i shkaktuar dëmtime të lehta.

 

Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore arrestuan në flagrancë shtetasin G. H., 59 vjeç, banues në Kukës, pasi duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur, ka humbur kontrollin dhe për pasojë automjeti është përplasur me barrierat metalike të rrugës. Nga aksidenti janë shkaktuar dëme materiale.

 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë

 

Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban Vlorë arrestuan shtetasin J. L., 47 vjeç, banues në Greqi, pasi është konstatuar në rrugën “Kosova”, Vlorë, duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë referuan materiale në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasin A. D., 36 vjeç, banues në Sarandë, pasi ndaj tij ka bërë kallëzim shtetasi A. P., banues në Sarandë, se për motive të dobëta, është goditur nga ky shtetas me sende të forta në trup.

 

Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Sarandë/Goditet një rast i tentativës për kalim të paligjshëm të kufirit.

 

Tentoi të ndihmonte disa emigrantë të huaj për të kaluar kufirin ilegalisht, arrestohet 30-vjeçari.

 

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve në DVP Vlorë, si rezultat i informacioneve të siguruara në rrugë operative se në Sarandë, një shtetas kishte siguruar biletat për disa shtetas të huaj, me qëllim që t’i ndihmonte për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, ndërhynë menjëherë dhe arrestuan në flagrancë shtetasin:

 

  1. N., 30 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë

 

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme, për një konflikt në ambientet e një lokali në lagjen nr. 2, Korçë, informojmë se specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasen F. D., 18 vjeçe, banuese në Cangonj, e cila dyshohet se për motive të dobëta, goditi me gotë, në fytyrë, shtetasen P. M., 19 vjeçe, e cila mori mjekim dhe është jashtë rrezikut për jetën.

 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë

 

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprat penale “Shkelja e fshehtësisë së votimit” dhe “Shkelja e së drejtës së zgjedhjes”, për shtetasin E. N., 24 vjeç, pasi ka publikuar në rrjetin social “TikTok”, një fotografi të fletës së votimit (të plotësuar) që e ka siguruar nëpërmjet shërbimit postar, duke qenë se është emigrant në Gjermani.

 

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpifja”, për shtetasin Gj. Gj., 55 vjeç, banues në Lezhë, kandidat për deputet i subjektit politik “Partia Demokratike”, pasi kanë kallëzuar shtetasit D. P., E. L., E. S., P. Gj. dhe R. N. (përfaqësues dhe simpatizantë të subjektit politik “Partia Socialiste”), se 55-vjeçari ka publikuar në rrjetin social “Facebook”, një postim, nëpërmjet të cilit shpif se 5 shtetasit janë të implikuar në blerje votash dhe intimidim zgjedhësish.

 

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprat penale “Prishja e qetësisë publike”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”, për shtetasin Gj. P., 38 vjeç, banues në fshatin Kolsh, pasi ka kallëzuar shtetasi F. Z., me detyrë Zëvendëskryertar i bashkisë Lezhë, se 38-vjeçari, për motive që lidhen me fushatën elektorale, ka penguar me automjetin e tij, lëvizjen e mjeteve në fshatin Kolsh.

 

Këto shërbime referuan materialet në Prokurori për shtetasin P. N., 28 vjeç, aktualisht në IEVP Reç, pasi ka kallëzuar vëllai i tij, shtetasi Z. Z., se 28-vjeçari e ka kanosur për jetën, nëpërmjet një telefonate.

 

Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. P., 37 vjeç, banues në Lezhë, pasi dyshohet se ka dëmtuar aksin rrugor “Shëngjin–Kune”, duke hapur një kanal për rregullimin e rrjetit ujësjellës, pa autorizim nga organet kompetente.

 

Specialistët e qarkullimit rrugor referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin P. G., 53 vjeç, banues në fshatin Barbullojë, pasi automjeti që drejtonte ky shtetas, është përplasur te kryqëzimi i Rrilës, me automjetin që drejtonte shtetasi A. Zh.. Si pasojë, është dëmtuar 53-vjeçari dhe një pasagjere në automjetin që drejtonte shtetasi A. Zh., të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.

 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.

Durrës

 

Zbardhet në kohë rekord plagosja e rëndë me thikë e 21-vjeçarit, e ndodhur dje, në lagjen nr.13.

 

Policia, në kuadër të operacionit “Baza”, identifikon, kap dhe vë në pranga autorin e dyshuar të plagosjes, si dhe sekuestron armën e krimit.

 

Gjatë operacionit, autorit të dyshuar i janë gjetur në banesë, pajisje që dyshohet se shërbenin për prodhimin e kriptomonedhave.

 

Strukturat e Komisariatit të Policisë Durrës, me marrjen e njoftimit se në Spitalin Rajonal Durrës, ishte paraqitur një shtetas i plagosur rëndë me mjet prerës, menjëherë kanë organizuar punën për zbardhjen e ngjarjes. Në kuadër të operacionit “Baza”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, kanë bërë të mundur identifikimin në kohë rekord dhe kapjen shtetasit E. P., i cili dyshohet se në vendin e quajtur “Baza e Hekurudhave”, ka plagosur me thikë, shtetasin L. I., 21 vjeç, banues në Durrës.

 

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit E. P. janë gjetur thika me të cilën ai dyshohet se ka kryer krimin dhe disa pajisje të cilat dyshohet se shërbenin për prodhimin e kriptomonedhave. Gjithashtu, u konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.

 

Pajisjet janë sekuestruar nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kibernetike të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, të cilët vijojnë veprimet hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë, për dokumentimin ligjor të kësaj veprimtarie.

 

Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve kanë arrestuar në flagrancë shtetasin E. P., 38 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”.

 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Dibër

 

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, lidhur me aksidentin e ndodhur në vendin e quajtur “Kryqëzimi Velia”, ju informojmë se specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasin A.Sh. (M), 27 vjeç, banues në Dibër, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

 

27-vjeçari, teksa drejtonte automjetin e tij në gjendje të dehur, humbi kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe për pasojë automjeti përplasi punonjësin e Policisë, shtetasin V.Gj., 64 vjeç, i cili ndodhet në Spitalin e Traumës, nën kujdesin e mjekëve.

 

Nga aksidenti ka mbetur i lënduar edhe një 20-vjeçar, i cili po merr trajtim mjekësor në Spitalin e Peshkopisë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme. Berat/Ndërhyrja e shpejtë policore parandaloi përshkallëzimin e një konflikti në fshatin Kutalli.

 

Dhunoi të afërmit dhe iu dëmtoi automjetin me sëpatë, kapet 36-vjeçari.

 

I arrestuari kishte 64.3 gramë Kokainë në automjet, me qëllim shitjen.

 

Procedohet penalisht një 26-vjeçar, për bashkëpunim për dhunimin e të afërmve të 36-vjeçarit.

 

Sekuestrohen sasia e lëndës narkotike, automjeti i të arrestuarit dhe sendi i fortë (sëpatë).

 

Menjëherë pas njoftimit për një konflikt në fshatin Kutalli, shërbimet e Stacionit të Policisë Dimal në bashkëpunim me strukturat e DVP Berat kanë organizuar punën dhe kanë shkuar në vendngjarje, me qëllim sqarimin e rrethanave të rastit.

Si rezultat i veprimeve të shpejta policore, u parandalua përshkallëzimi i këtij konflikti dhe u vu në pranga shtetasi V. P., 36 vjeç, banues në fshatin Kutalli.

 

Për motive të dobëta, 36-vjeçari dyshohet se dhunoi 2 dajat e tij dhe dëmtoi automjetin e njërit prej tyre, me send të fortë (sëpatë). Nga kontrolli në automjetin e tij, u gjetën 64.3 gramë lëndë narkotike Kokainë që dyshohet se e posedonte me qëllim shitjen.

 

Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. Z., 26 vjeç, banues në Kuçovë, pasi dyshohet se ka bashkëpunuar me shokun e tij, shtetasin V. P., për dhunimin e 2 shtetasve.

 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit, për veprime të mëtejshme.

Lushnjë/Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit:

-M. Dh., 29 vjeç, banues në Lushnjë pasi u kap duke kryer punime ndërtimi, pa leje;

-V. B., 60 vjeç, banues në Lushnjë, pasi kafsha në pronësi të tij (qen), ka dalë nga banesa dhe ka kafshuar në dorë, një 74-vjeçar në rrugë.

 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Fier/Informacion paraprak

 

Rreth orës 09:00, në fshatin Strum, Roskovec, shtetas indian D. J., 21 vjeç, duke drejtuar automjetin, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe për pasojë automjeti ka dalë nga rruga.

 

Si pasojë e daljes së automjetit nga rruga janë dëmtuar dy pasagjerë (shtetas indian), të cilët ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

 

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të daljes nga rruga.

Elbasan/Informacion paraprak

 

Rreth orës 08:45, në aksin rrugor “Elbasan-Librazhd”, automjeti me drejtues shtetasin F. A., 68 vjeç, është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin N. D., 33 vjeç.

 

Si pasojë e aksidentit ka humbur jetën shtetasi F. A., si dhe janë dëmtuar shtetasi N. D. dhe 3 pasagjerë në këto automjete, të cilët u dërguan në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

 

Grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë në vendngjarje vijojnë punën për përcaktimin e rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër

 

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë dje, për aksidentin në aksin rrugor “Shkodër-Velipojë”, informojmë se specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasen Z. K., 43 vjeçe, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, pasi duke drejtuar automjetin, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe për pasojë automjeti ka përplasur shtetasin Gj. N., 76 vjeç, këmbësor, i cili humbi jetën në vendgjarje.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin S. H., 57 vjeç, pasi është kapur duke kryer punime ndërtimi, pa leje.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Gj. B., 60 vjeç, pasi është kapur duke kryer punime ndërtimi, pa leje.

 

Ditën e djeshme, në fshatin Mesul, dyshohet se për shkak të një shkëndije elektrike, ka rënë zjarr në një stallë në pronësi të shtetasit K. K., 76 vjeç. Si pasojë është djegur plotësisht stalla dhe disa bagëti të imta.

 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Policia e Shtetit

 

Finalizohet në bashkëpunim me partnerët britanikë, operacioni policor i koduar “Akuzat”.

 

Kapet në Mbretëri të Bashkuar, një shtetas i dënuar nga Gjykata e Fierit, për armëmbajtje pa leje dhe për prodhim/shitje narkotikësh.

 

Si rezultat i koordinimit të informacionit dhe veprimeve operacionale të strukturave të Policisë së Shtetit, me homologët në Mbretëri të Bashkuar, u finalizua operacioni policor “Akuzat”, për kapjen e shtetasit shqiptar, të kërkuar ndërkombëtarisht, për llogari të Shqipërisë:

-Ervis Vrenozi, 39 vjeç.

 

Në vitin 2020, ai është dënuar nga Gjykata e Fierit, me 5 vjet e 4 muaj burgim, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

 

Interpol Tirana po bashkëpunon me Interpol Mançester, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e 39-vjeçarit, në Shqipëri.