Raporti i ngjarjeve, 6 gusht 2025

Tiranë/Operacione të njëpasnjëshme, si rezultat i kontrolleve dhe punës informative, kundër armëmbajtjes pa leje.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Kryqëzimi”.
Arrestohet te kryqëzimi i Valiasit, një 21-vjeçar që posedonte armë zjarri me municion, armë të ftohtë, pranga si të Policisë dhe 1 kapuç për maskim.
Sekuestrohen sendet e kundërligjshme.
Në vijim të punës intensive, për identifikimin e shtetasve që posedojnë armë dhe cenojnë rendin dhe sigurinë e qytetarëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 finalizuan operacionin “Kryqëzimi”, gjatë të cilit u vu në pranga shtetasi G. Q., 21 vjeç, banues në Babrru.
Ai u ndalua nga shërbimet e Policisë, teksa lëvizte me një automjet tip “Audi”, te kryqëzimi i Valiasit.
Në vijim të veprimeve procedurale u kryen kontrolle në automjetin dhe në banesën e 21-vjeçarit, ku u gjetën 1 armë zjarri pushkë me municion, 1 armë e ftohtë (thikë), pranga si të Policisë dhe 1 kapuç për maskim.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Vain, Ishull Lezhë
Qarkulloi me automjet tip “G-Class”, në breg të detit, dhe cenoi sigurinë e pushuesve, identifikohet dhe shoqërohet në komisariat.
Në përfundim të veprimeve procedurale, 23-vjeçari u ndëshkua për shkeljen e kryer, me 50 000 lekë gjobë.
Shërbimet e Policisë Rrugore të Lezhës, menjëherë pas publikimit të një video-je në portalin “JOQ Albania”, në të cilën shfaqet një automjet tip “G-Class” duke lëvizur në brezin e rërës në breg të detit, në plazhin e Vainit, kryen verifikimet, me qëllim nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore të drejtuesit të automjetit.
Në përfundim të tyre, u identifikua dhe u shoqërua në komisariat, shtetasi A. N., 23 vjeç, banues në Lezhë.
Ai u ndëshkua me masë administrative 50 000 lekë, për shkelje të neneve 7 dhe 139 të Kodit Rrugor.
Policia e Lezhës falenderon qytetarët dhe median për kontributin për evidentimin e shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor, si dhe fton që të vijojnë të denoncohen raste të tilla, pasi reagimi do të jetë i menjëhershëm, i paanshëm dhe konform ligjit.
DVP Durrës/Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme të shfrytëzimit për prostitucion.
Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, pas një hetimi disajavor, me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Storm 5”.
Kishin përshtatur 2 apartamente të marra me qira (pa kontrata), për ushtrim të prostitucionit, vihen në pranga 2 shtetase kineze.
Në pranga edhe pronari i apartamenteve, që i kishte dhënë ambientet me qira, pa kontrata.
Procedohen penalisht 7 shtetas (2 kineze dhe 5 shqiptarë).
Sekuestrohen shuma parash, celularë dhe karta banke.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve, pas një hetimi dyjavor, me metoda proaktive, për veprat penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, “Prostitucioni” dhe “Përshtatja e ambienteve për prostitucion”, të kryer në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës dhe me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, në drejtimin e Prokurorisë, finalizuan operacionin “Storm 5”.
Si rezultat i këtij operacioni, në lagjen nr. 13, Durrës, u arrestuan shtetaset kineze D. Sh., 54 vjeçe dhe S. Y., 40 vjeçe.
Gjithashtu, u arrestua shtetasi S. M., 39 vjeç, banues në lagjen nr. 13, pasi kishte dhënë apartamentet me qira, pa kontrata, dhe i kishte përshtatur ato për shfrytëzim të prostitucionit.
Më tej, në kuadër të operacionit, u proceduan në gjendje të lirë, për veprën penale “Prostitucioni”, 2 shtetase kineze dhe 5 shtetas shqiptarë.
Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan pasaporta të shtetaseve kineze, shuma parash, celularë, karta krediti, etj.
Nga veprimet hetimore të kryera në kuadër të këtij procedimi, rezultoi se dy shtetaset kineze të arrestuara kishin marrë me qira, pa kontrata, 2 apartamente në lagjen nr. 13, të cilat i kishin përshtatur për shfrytëzim të prostitucionit.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijojnë hetimet, pasi dyshohet se ka shtetas të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari, e cila dyshohet se e ka qendrën jashtë vendit, pasi rezultoi se telefonatat kryheshin nëpërmjet call center-it.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.
Lezhë
Pengoi qarkullimin, duke parkuar automjetin në një zonë me fluks levizjeje, procedohet penalisht dhe i sekuestrohet automjeti.
Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, gjatë kontrolleve me objektiv konstatimin e parkimeve të gabuara të mjeteve, që bëhen shkak për pengimin e qarkullimit në qytet dhe në zona me lëvizje të lartë, konstatuan një rast të tillë, në rrugën “Luigj Gurakuqi”.
Në përfundim të veprimeve procedurale, nisi procedimi penal për drejtuesin e automjetit, shtetasin P. P., 45 vjeç, banues në Lezhë, për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë apelon të gjithë drejtuesit e mjeteve, që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të shmangin parkimet në zona të ndaluara, me qëllim që të mos pengojnë lëvizjen e mjeteve dhe qytetarëve. Shkeljet do të trajtohen me masa të menjëhershme penale dhe administrative.
Fier/Informacion paraprak
Rreth orës 11:00, në vendin e quajtur “Rotondo e Levanit”, automjeti me drejtues shtetasin I. P., është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin L. B., 51 vjeç.
Si pasojë e përplasjes ka humbur jetën shtetasi L. B. dhe kanë shkuar në spital për të marrë mjekim shtetasi I. P. dhe katër pasagjerë.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit.
Bulqizë /informacion paraprak
Me datë 06.08.2025,  rreth orës 11.40, dyshohet se është aksidentuar gjatë punës në një subjekt minerar në Bulqizë dhe ka humbur jetën, shtetasi F.V.,  rreth 66 vjeç, me detyrë ndihmës armator.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e shkaqeve të kësaj ngjarjeje.
Krujë/Ndërhyrja e menjëhershme e Policisë, parandalon ngjarje kriminale në një familje në fshatin Qerekë.
Arrestohet një 41-vjeçar që kanoste për jetën, familjarët e tij.
Në banesën e tij, u gjetën 3 armë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, sapo janë njoftuar se një shtetas po kanoste me armë zjarri kallashnikov, familjarët, në banesën e tyre, në fshatin Qerekë, kanë organizuar punën dhe kanë shkuar në vendngjarje.
Si rezultat i ndërhyrjes së shpejtë dhe veprimeve policore profesionale, u vu në pranga autori i rastit, shtetasi E. V., 41 vjeç.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, u gjet arma e zjarrit kallashnikov me të cilën dyshohohet se kanosi familjarët, si dhe 2 armë gjahu.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë referuan materiale në Prokurori dhe:
•ndaluan dy shtetas të mitur, përkatësisht 16 dhe 17 vjeç, pasi dyshohen si autorë të disa vjedhjeve. Më konkretisht: më datë 02.08.2025, kanë vjedhur kasën e një supermarketi me një shumë monetare; më datë 04.08.2025, kanë vjedhur një motor; si dhe kanë hapur me thyerjen dritaren e një banese në lagjen “Kushtrimi”. Vijon puna për dokumentimin e rasteve të tjera të vjedhjes ku dyshohen si autorë këta shtetas.
•nisin procedimin në gjendje të lirë për shtetaset vietnameze Th. Q., 39 vjeçe, dhe Th. L., 48 vjeçe, pasi dyshohen se ushtronin prostitucion në një apartament të marrë me qira në lagjen “28 Nëntori”, Vlorë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Orikum referuan materiale në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasin E. Sh., 43 vjeç, banues në Orikum, pasi dyshohet si autor i zjarrvënies së një sipërfaqeje me bimësi dhe shkurre pranë rrethrrotullimit të Orikumit.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë referuan materiale në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasin T. M., 21 vjeç, banues në Tiranë, pasi në vendin e quajtur “Rruga e Portit”, Himarë, është konstatuar se me automjetin e tij tip “Land Rover”, të parkuar në mënyrë të gabuar, ka penguar qarkullimin e mjeteve të transportit rrugor.
Po këta specialistë referuan materiale në Prokurori për vlerësim, pasi ka bërë kallëzim shtetasi G. S., 37 vjeç, banues në Gjilan, Kosovë, me pretendimin se më datë 04.08.2025, për motive të dobëta, është konfliktuar verbalisht dhe fizikisht me administratorin dhe menaxherin e lokalit ku punonte si kamarier, shtetasit G. B., 37 vjeç, dhe A. H., 41 vjeç.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Delvinë arrestuan në flagrancë shtetasin L. M., 33 vjeç, banues në Vlorë, si dhe shpallën në kërkim shtetasin L. C., 31 vjeç, banues në Vlorë, pasi dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 03.08.2025, kanë vjedhur në një supermarket në fshatin Vllahat, Delvinë. Vijon puna për dokumentimin e rasteve të tjera ku dyshohen si autorë këta shtetas.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë referuan materiale në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasin D. J., 43 vjeç, banues në Poloni, pasi ndaj tij ka bërë kallëzim shtetasja me shtetësi italiane K. T., 46 vjeçe, me pretendimin se, për motive të dobëta, është konfliktuar fizikisht me të dhe bashkëshortin e saj.
Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban Vlorë referuan materiale në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasit:
•B. H., 46 vjeç, dhe K. M., 83 vjeç, pasi datë 04.08.2025, në rrugën automobilistike në fshatin Poro, shtetasi B. H., duke drejtuar automjetin tip “Ford”, është përplasur me motomjetin me drejtues shtetasin K. M., i cili e drejtonte pa leje drejtimi. Ky i fundit si pasojë e aksidentit është dëmtuar dhe ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
•V. M., 19 vjeç, dhe O. K., 18 vjeç, pasi janë konstatuar duke drejtuar secili nga një ciklomotor elektrik pa leje drejtimi. Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit V. M., iu gjet një sasi lënde narkotike e dyshuar cannabis sativa.
•D. D., 28 vjeç, banues në Itali, dhe I. Sh., 27 vjeç, banues në Vlorë, pasi në rrugën “Ibrahim Avdullai”, Vlorë, shtetasi D. D., duke drejtuar automjetin tip “Nissan”, është përplasur me motomjetin “Honda” me drejtues shtetasin I. Sh., i cili rezultoi se nuk zotëronte leje drejtimi përkatëse për llojin e motomjetit. Si pasojë e aksidentit, ky i fundit ka marrë dëmtime dhe ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasin B. B., 26 vjeç, banues në Danimarkë, pasi duke drejtuar në gjendje të dehur automjetin tip “Audi”, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe është përplasur me një automjet tip “Benz” të parkuar, e më pas është larguar nga vendi i aksidentit.
Vlorë/Informacion paraprak
Sot, rreth orës 13:15, në lagjen “Uji i Ftohtë”, në afërsi të tunelit, dyshohet se ka humbur jetën si pasojë e mbytjes në det, shtetasja R. Gj., 59 vjeçe, banuese në Greqi.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes, e cila dyshohet aksidentale.
Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Gjirokastër
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin Ç. B., 50 vjeç, banues në Belsh, si dhe për shtetasit L. K., 53 vjeç dhe K. M., 23 vjeç, të dy banues në Fier, pasi gjatë kontrollit në automjetin me të cilin lëviznin, u gjetën produkte ushqimore, pije alkoolike dhe steka me paketa me cigare, të dyshuara të kontrabanduara, pasi nuk ishin të pajisura me fatura blerjeje.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin G. P., 27 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Përmet referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit Th. T., 59 vjeç dhe A. T., 55 vjeçe, bashkëshortë, të dy banues në Përmet, pasi dyshohet se për motive të dobëta, kanë dhunuar fizikisht një 68-vjeçar.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Këlcyrë referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi konstatuan se shtetasi Y. T., 61 vjeç, po kryente punime ndërtimi, dyshohet pa leje. Vijojnë verifikimet në lidhje me këtë rast.
Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin J. M., 68 vjeç, banues në fshatin Dervician, pasi dje, në aksin rrugor “Gjirokastër-Kakavije”, automjeti që ai drejtonte në gjendje të dehur, është përplasur me një automjet tjetër. Nga përplasja pati vetëm dëme materiale.
Dje, kallëzoi një 17-vjeçare, se i kanë publikuar pa pëlqimin e saj, një fotografi, në rrjetin social “Instagram”. Punohet për përcaktimin e autorësisë së rastit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë ndaluan shtetasin E. D., 42 vjeç, banues në Sarandë, të shpallur në kërkim për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mirditë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit Xh. T., 27 vjeç dhe E. P., 42 vjeç, të dy banues në Rrëshen, pasi dyshohet se për motive të dobëta, janë konfliktuar fizikisht, me njëri-tjetrin.
Specialistët e Sektorit të Policise Rrugore referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin S. Gj., 25 vjeç, banues në Kurbin, pasi ka kallëzuar shtetasi i huaj O. O., se më datë 26.07.2025, automjeti që drejtonte 25-vjeçari, është përplasur me automjetin që drejtonte ai, në aksin “Lezhë-Milot”. Si pasojë ka patur vetëm dëme materiale. Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se shtetasi S. Gj. nuk kishte leje për drejtimin e automjetit, i cili u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kurbin shpallën në kërkim shtetasin F. D., 25 vjeç, banues në Laç, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar për veprën penale “Vjedhja”, dhe dyshohet se më datat 25.07.2025 dhe 03.08.2025, ka kryer 2 vjedhje. Punohet për kapjen e 25-vjeçarit.
Dje, dyshohet se si pasojë e një shkëndije elektrike, ka rënë zjarr në oborrin e banesës së shtetasit B. D., 67 vjeç, në Mamurras. Si pasojë janë djegur disa pemë frutore. Grupi hetimor po punon për dokumentimin e shkakut të zjarrit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin A. K., 47 vjeç, banues në fshatin Baban, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë referuan materialet në Prokurori:
-ku filloi procedimi penal për shtetasen K. Z., 29 vjeçe, banuese në Korçë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortit të saj, i cili u pajis me urdhër mbrojtjeje;
-ku filloi procedimi penal për shtetasin K. F., 43 vjeç, me probleme të shëndetit mendor, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj babait të tij;
-për vlerësim, mbi kallëzimin e shtetasit K. M., 65 vjeç, se mëngjesin e djeshëm, ka gjetur të thyer njërin xham të automjetit të tij, të parkuar në afërsi të banesës. Vijojnë hetimet për të sqaruar shkakun e thyerjes dhe rrethanat e tjera të rastit.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kolonjë referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin G. J., 80 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Maliq referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin E. K., për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetaset B. B., 42 vjeçe, S. F., 22 vjeçe, J. L., 20 vjeçe dhe E. P., 28 vjeçe, si dhe për shtetasin V. N., 42 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, 4 shtetaset janë konfliktuar fizikisht dhe i kanë dëmtuar sende përsonale, njëra-tjetrës, ndërsa 42-vjeçari, gjatë përpjekjes për të neutralizuar konfliktin, ka shtyrë fizikisht, 42-vjeçaren, e cila është dëmtuar lehtë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
Qarku Shkodër
Shërbimet e Policisë Kufitare të Hanit të Hotit ndaluan në dalje të RSh-së, shtetasit:
-E. K., 28 vjeç, i shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Malësi e Madhe, për veprën penale “Mashtrimi”;
-E. N., 27 vjeç, i shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Nr. 4, për veprën penale “Dhuna në familje”.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve arrestuan në dalje të RSh-së, shtetasin kosovar H. Q., 29 vjeç, pasi shërbimet e Policisë Kufitare të Muriqanit i gjetën në automjet, një sasi të vogël Cannabisi.
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor:
-arrestuan në flagrancë shtetasin S. G., 50 vjeç banues në Shkodër, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.
-referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. K., 23 vjeç, banues në Shkodër, pasi furgoni që drejtonte, është përplasur me motomjetin që drejtonte shtetasi M. R., 40 vjeç. Si pasojë është dëmtuar lehtë, drejtuesi i motomjetit.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodrer referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-E. R., 26 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka vjedhur 1 celular;
-M. Ç., 41 vjeç, pasi dyshohet se ka kryer punime ndërtimi, pa leje.
Dje, kallëzuan shtetasit:
-V. Gj., se ishte larguar nga banesa, vajza e tij 17 vjeçe. Punohet për gjetjen e të miturës.
-F. R., 39 vjeç, se i kanë vjedhur biçikletën, para pallatit ku banon, në lagjen “Vasil Shanto”. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve të vjedhjes.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Durrës
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin L. Sh., 31 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj nënës së tij, për t’i marrë një shumë parash.
Specialistët e qarkullimit rrugor arrestuan në flagrancë shtetasit:
-O. M., 44 vjeç, banues në Durrës, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjëndje të dehur;
-I. M., 37 vjeç, banues në fshatin Shkallnur, pasi me automjetin që drejtonte në gjendje të dehur, ka përplasur automjetin që drejtonte shtetasja I. K.. Si pasojë pati vetëm dëme materiale;
-D. T., 43 vjeç, banues në Durrës, pasi me automjetin që drejtonte në gjendje të dehur, ka përplasur një automjet të parkuar, dhe ka dëmtuar lehtë, një punonjëse policie që ishte me shërbim.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen A. D., 32 vjeçe, pasi dyshohet se i ka marrë një shumë parash një 30-vjeçari, nëpërmjet mashtrimit, me pretendimin se do t’i kryente disa punime për mobilimin e banesës së tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit E. S., A. M. dhe F. M., pasi në rrugën “Ali Demi”, për shkak të mosshlyerjes së një borxhi, me vetëgjyqësi kanë kanosur një 35-vjeçar.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2:
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Sh. T., 55 vjeç, pasi në rrugën “Ramazan Demneri” ka shtyrë fizikisht komshien e tij;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin G. P., 55 vjeç, pasi dyshohet se nëpërmjet mashtrimit i ka marrë një shumë parash një 57-vjeçari;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen F. K., 31 vjeçe, pas kallëzimit të një 44-vjeçareje, e cila pretendon se, për shkak të neglizhencës gjatë trajtimit mjekësor në klinikën private që administrohet nga 31-vjeçarja, ka qenë e detyruar të qëndrojë disa ditë e hospitalizuar. Materialet iu referuan Prokurorisë për hetime të mëtejshme mbi veprën penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një shtetas të mitur 17 vjeç, pasi dyshohet se ka kanosur përmes telefonit një bashkëmoshatar të tij, për motive të dobëta. Gjatë kontrollit në banesë iu gjet dhe sekuestrua një armë sportive;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. D., 30 vjeç, pasi në rrugën “Gjik Kuqali”, dyshohet se ka kanosur me një send të fortë një 48-vjeçar, për motive të dobëta;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin S. Rr., 28 vjeç, pasi dyshohet se në lokalin në pronësi të tij, ka prishur qetësinë publike duke gjeneruar muzikë me volum të lartë;
-shpallën në kërkim shtetasin K. C., 28 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj partneres së tij. Vijon puna për kapjen e tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-S. D., 42 vjeç, pasi nëpërmjet mashtrimit me qëllim kryerjen e disa punimeve në banesë, i ka marrë një shumë parash një 55-vjeçareje;
-U. G., 31 vjeç, pasi ka kanosur një 29-vjeçare, për motive të dobëta;
-I. D., 25 vjeç, pasi ka kanosur një 28-vjeçare, për motive të dobëta.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4:
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen F. R., 31 vjeçe, pasi në rrugën “Ferit Xhajko”, ka goditur dhe kanosur një 40-vjeçare, për motive të dobëta;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen S. G., 29 vjeçe, pasi dyshohet se ka kanosur një 32-vjeçar, për motive të dobëta;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. A., 36 vjeç, pasi ka qëlluar me pëllëmbë një të mitur 13 vjeç;
-shpallën në kërkim shtetasin E. N., 30 vjeç, pasi dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka ushtruar dhunë ndaj të dashurës së tij. Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6:
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit F. L. dhe K. L., babë e bir, pasi në fshatin Zhurje, për motive të dobëta, kanë kanosur një 85-vjeçar;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin F. S., 51 vjeç, pasi në ambientet e një lokali, ka kanosur një 34-vjeçare;
-shpallën në kërkim shtetasin A. D., 45 vjeç, pasi dyshohet se ka përndjekur një 34-vjeçare dhe ka publikuar foto personale të saj në rrjetin e tij social. Punohet për kapjen e tij;
-shpallën në kërkim shtetasin F. O., 29 vjeç, pasi dyshohet se ka marrë xhiron ditore të firmës ku punon si shofer dhe është larguar. Punohet për kapjen e tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë arrestuan shtetasin P. Ç., 51 vjeç, pasi u kap në shkelje të masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. B., 38 vjeç, pasi automjeti që drejtonte përplasi këmbësoren A. T., 73 vjeçe, e cila ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Më datë 05.08.2025:
-Shtetasi A. H., 30 vjeç, kallëzoi se i është krijuar një profil i rremë në rrjete sociale, në të cilin përmendet emri i tij në mesazhe private. Policia ka identifikuar autorin dhe po punon për dokumentimin e plotë të rastit;
-Shtetasja B. B., 25 vjeçe, kallëzoi se i kanë ndërhyrë në rrjetin social dhe në adresën e saj të emailit. Policia ka identifikuar autorin dhe po vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave;
-Është paraqitur për ndihmë mjekësore shtetasi S. D., 23 vjeç, i cili është dëmtuar aksidentalisht në këmbë, gjatë kohës që ishte në punë në një dyqan. Pas trajtimit mjekësor, është larguar në banesë;
-Është paraqitur për ndihmë mjekësore shtetasi L. Gj., 49 vjeç, i cili është dëmtuar aksidentalisht gjatë punës në një firmë ndërtimi. Pas trajtimit mjekësor, është larguar në banesë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.