Raporti i ngjarjeve, 6, 7, 8 prill 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

DVP Korçë/Vijon me intensitet zbatimi i masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”.  

Finalizohet operacioni policor i koduar “Përsëritësi”, për goditjen e kontrabandës së mallrave.   

Kontrabandoi nga Maqedonia e Veriut, bagëti të imëta, me qëllim shitjen e tyre në Shqipëri, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 60-vjeçari, me precedent të mëparshëm penal në këtë fushë.   

Sekuestrohen 28 krerë bagëti të pamatrikulluara, automjeti kamionçinë me të cilin transportoheshin dhe një shumë parash.  

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit të paligjshëm të kontrabandës me mallra, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore Korçë-Elbasan, finalizuan operacionin policor të koduar “Përsëritësi”. Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi D. Xh., 60 vjeç, banues në fshatin Belorta, Korçë, me precedent të mëparshëm penal në fushën e kontrabandës.  

Në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore se një shtetas do të kontrabandonte bagëti të imëta, nga Maqedonia e Veriut në Shqipëri, u organizua puna me qëllim lokalizimin dhe ndalimin e tij. Shërbimet e Policisë kapën në rrugën “Goricë-Zvezdë”, në afërsi të fshatit Zvezdë, Maliq, shtetasin D. Xh., duke transportuar me kamionçinë, 28 krerë bagëti të imëta (dhi), të pamatrikulluara, pa dokumentacionin përkatës.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan bagëtitë, së bashku me mjetin që shërbente për transportimin e tyre, si dhe një shumë parash. 

Vijon puna për vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të kundërligjshme.  

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Kukës

Zbardhet brenda pak orësh, vjedhja e një shume parash, në banesën e një 39-vjeçareje.

Identifikohet, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar, të cilit iu gjetën të fshehura në banesën e tij, një pjesë e parave të vjedhura.

Menjëherë pas kallëzimit të bërë ditën e djeshme, nga një shtetase 39 vjeçe, se në banesën e saj në qytetin e Kukësit, i ishte vjedhur një shumë parash, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kukës organizuan punën me qëllim identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorit/ve të kësaj vjedhjeje.

Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera me mbështetjen e informacioneve nga inteligjenca policore, u bënë të mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi i autorit të dyshuar të rastit, shtetasit Sh. B., 49 vjeç, banues në Kukës.

Gjithashtu, u gjetën të fshehura në banesën e 49-vjeçarit, 19 500 lekë, të dyshuara të vjedhura në banesën e kallëzueses.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.

Lezhë/Vijojnë intensivisht megaoperacioni policor i koduar “Tempulli 2” dhe plani i posaçëm operacional për të parandaluar kultivimin e bimëve narkotike, që në fazën fillestare.

Goditen 3 raste të veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.

Sekuestrohen 2450 fara cannabisi, sasi kokaine, sasi cannabisi dhe pajisje për përpunimin e lëndëve narkotike.

Vihen në pranga 5 shtetas.

Si rezultat i punës së vazhdueshme policore dhe hetimore që po kryhet në kuadër të megaoperacionit mbarëkombëtar të koduar “Tempulli 2”, me objektiv parandalimin, konstatimin dhe goditjen e tentativave për kultivimin të bimëve narkotike, si dhe të rasteve të shitjes në sasi dhe/ose doza të lëndëve narkotike, në afërsi të shkollave dhe në ambiente të ndryshme, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, të DVP Lezhë, të mbështetur nga informacionet nga inteligjenca policore, goditën 3 raste në këto fusha.

-Pas shkëmbimit të informacionit me Policinë e Shkodrës dhe koordinimit të punës me të, u arrestuan në flagrancë, në qytetin e Lezhës, shtetasit F. C., 36 vjeç, Gj. I., 34 vjeç dhe E. Gj., 39 vjeç, pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, janë implikuar në veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve. Nga kontrollet fizike dhe në banesa, këtyre shtetasve iu gjetën 2450 fara cannabisi, një sasi lënde narkotike cannabis sativa, një grirëse për lëndën narkotike dhe 3 celularë.

-Në bashkëpunim me specialistët e qarkullimit rrugor të DVP Lezhë, arrestua në flagrancë shtetasi A. D., 23 vjeç, banues në Lezhë, pasi gjatë kontrolli fizik, iu gjet një sasi lënde narkotike kokainë, e ndarë në doza, dyshohet me qëllim shitjen në afërsi të shkollave.

-U arrestua në flagrancë shtetasi K. B., 29 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik, iu gjet një sasi lënde narkotike cannabis sativa, e ndarë në doza, dyshohet me qëllim shitjen në afërsi të shkollave.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Gramsh

Goditën me grushte një 40-vjeçar, për motive të dobëta, kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas. Në banesën e njërit prej tyre, Policia gjeti 1 përforcues grushti.   

Vihet në pranga edhe një 31-vjeçar, pasi dyshohet se ka patur dijeni për këtë rast, por nuk ka kallëzuar.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Gramsh, pas marrjes së njoftimit se në lagjen “Holta”, Gramsh, gjatë një konflikti për motive të dobëta ishte dëmtuar një 40-vjeçar, kanë organizuar punën për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të përfshirë në konflikt. 

Si rezultat i veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gramsh u bë identifikimi, kapja dhe arrestimi i shtetasve E. B., 21 vjeç dhe Xh. B., 22 vjeç, të dy banues në Gramsh. Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, më datë 06.04.2024, rreth orës 23:30, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë goditur me grushte shtetasin E. M., 40 vjeç, banues në Gramsh, i cili vijon të jetë në kujdesin e mjekëve.

Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit E. B., shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar një përforcues grushti.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast u arrestua edhe shtetasi Xh. K., 31 vjeç, banues në Gramsh, pasi dyshohet se ka patur dijeni për këtë rast dhe nuk ka njoftuar organet ligjzbatuese. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme. 

Durrës/Zbardhen 3 raste të vendosjes së lëndës eksplozive në një mobileri.

Identifikohet, lokalizohet dhe vihet në pranga 33-vjeçari nga Kruja, i cili 4 ditë më parë, dyshohet se vuri lëndë eksplozive në ambientet e jashtme të mobilierisë së një 48-vjeçari, në fshatin Rrashbull.

Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se ky shtetas, i dënuar më parë për krime në fushën e narkotikëve, është autor dhe i 2 shpërthimeve të tjera në këtë biznes, të kryera më datat 18.11.2023 dhe 07.03.2024.

Nga shpërthimet ka patur vetëm dëme të pjesshme materiale.

Sekuestrohen 2 automjete dhe 2 celularë të 33-vjeçarit, si dhe maska dhe veshje të dyshuara të përdorura gjatë krimeve.

Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, për të zbardhur 3 shpërthime të lëndëve eksplozive, të kryera gjatë 2 viteve të fundit, në biznesin (mobilieri) e shtetasit A. A., 48 vjeç, në fshatin Rrashbull, strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Durrës mundësuan identifikimin, lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar të këtyre rasteve, shtetasit A. Q., 33 vjeç, banues në fshatin Borizanë.

Nga këto veprime dyshohet se më datat 18.11.2023, 07.03.2024 dhe 03.04.2024, shtetasi A. Q. ka vënë lëndë eksplozive (mina artizanale), në ambientet e jashtme të mobilierisë së shtetasit A. A..

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Kukës

Ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve të Policisë parandalon përshkallëzimin e mëtejshëm të një konflikti në një lokal në qytet, ndërmjet 4 shtetasve, të afërm të njëri-tjetrit.

Vihen në pranga 2 shtetas të përfshirë dhe procedohen në gjendje të lirë 2 të tjerë.

Sekuestrohet sendi i fortë (shufra prej hekuri) që u përdor gjatë konfliktit për motive të dobëta.

Menjëherë pas njoftimit se mesditën e djeshme, në ambientet e jashtme të një lokali në qytetin e Kukësit, 4 shtetas ishin konfliktuar për motive të dobëta, fizikisht dhe me send të fortë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kukës organizuan punën dhe shkuan në vendngjarje, për të zbardhur rrethanat e rastit dhe për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, përgjegjësin/t.

Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë konflikt, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve E. S., 22 vjeç dhe A. B., 41 vjeç, si dhe u proceduan në gjendje të lirë vëllai dhe kushëriri i 41-vjeçarit, përkatësisht shtetasit N. B., 50 vjeç dhe B. B., 35 vjeç, të tre banues në fshatin Shtiqen.

Për shkak të dëmtimeve gjatë konfliktit, shtetasi A. B. po merr ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës, ku është jashtë rrezikut për jetën.

Gjithashtu, u gjet dhe u sekuestrua si provë materiale, sendi i fortë (shufra prej hekuri) që dyshohet se u përdor gjatë konfliktit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme. 

Shkodër

Zbardhen brenda pak orësh, rrethanat e konfliktit ndërmjet 2 shtetasve, që ndodhi pasditen e djeshme, në lagjen “Skënderbeg”, gjatë të cilit u qëllua me armë zjarri.

Lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga 50-vjeçari që tentoi të vriste me armë zjarri 24-vjeçarin.

Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale policore, të organizuara dhe të kryera menjëherë pas konfliktit ndërmjet shtetasve R. M. dhe M. Ç., që ndodhi rreth orës 16:00 të ditës së djeshme, në lagjen “Skënderbeg”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër lokalizuan, kapën dhe arrestuan shtetasin e përfshirë në konflikt M. Ç., 50 vjeç, banues në Shkodër.

Nga hetimet dyshohet se 50-vjeçari, për shkak të një konflikti të çastit, për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë me armë zjarri pistoletë, shtetasin R. M., 24 vjeç, banues në Shkodër.

Nga e shtëna nuk u dëmtua asnjë shtetas.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Rrëshen

Parandalohen të tjera ngjarje të rënda kriminale që do të kryheshin me mina me telekomandë.

Policia finalizon operacionin policor të koduar “Safe City 2”.

Me mina me telekomandë, eksploziv të lidhur me kapsolla dentonatore dhe lëndë eksplozive, nga Lura drejt Rrëshenit, kapet në flagrancë në hyrje të Rrëshenit, 45-vjeçari nga Lura.

Gjatë kontrollit në banesë në Lurë, Policia i gjeti 2 armë zjarri, lëndë eksplozive, kapsolla detonatore, qindra fishekë luftarak dhe fitil zjarrpërcjellës.

Dy muaj e gjysmë më parë, Policia vuri në pranga një 28-vjecar dhe sekuestroi 2 mina me telekomandë.

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për parandalimin e ngjarjeve kriminale, bazuar në inteligjencën policore dhe në zbatim të masave të planit operacional mbarëkombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”,   shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë siguruan informacion se një shtetas po transportonte mina me telekomandë, në drejtim të Rrëshenit.

Bazuar në këtë informacon organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Safe City 2”, gjatë të cilit, në hyrje të qytetit të Rrëshenit, u kap në flagrancë shtetasi A. K., 45 vjeç, lindur në Thumanë, Krujë.

Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj këtij shtetasi, Policia gjeti dhe sekuestroi:

 •4 mina me telekomandë te lidhura me aparat celular me lëndë të dyshuara eksplozive;

•3 kallëpe lënde të dyshuar eksplozive me kapsollë dhe fitil;

•3 kapsolla të lidhura me fitil;

•2 kallepë të tjera lënde të dyshuar eksplozive.

Në vijim të veprimeve, gjatë kontrolleve në banesën e vjetër të babait të shtetasit të arrestuar, në Lurë, Dibër, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, në bashkëpunim me Policinë e Dibrës, gjetën në banesë 2 armë zjarri, lëndë eksplozive si ajo që ishte montuar në minat me telekomandë, 10 ndezësa granatash ofensive/defensive, 10 kapsolla detonatore, dhjetëra metra fitil zjarrpërcjellës, si dhe qindra fishekë luftarak.

Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Mirditë, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti, si dhe për identifikimin dhe arrestimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Shkodër/Në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, goditet një tjetër rast i mbajtjes pa leje të armës së zjarrit.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Sinjali”, i organizuar nga Komisariati i Policisë Shkodër dhe Forca Kombëtare e Sigurisë, Njësia Shkodër.

Lëvizte i armatosur me pistoletë, arrestohet në flagrancë 18-vjeçari.

Sekuestrohen arma e zjarrit pistoletë, 2 krehra me fishekë, automjeti që drejtonte 18-vjeçari dhe celulari i tij.

Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të inteligjencës policore që sigurohet në kuadër të planit operacional kombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”, për shtetasit që posedojnë armë, pa leje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me ato të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, finalizuan operacionin policor të koduar “Sinjali”.

Gjatë operacionit u kap në flagrancë dhe u arrestua shtetasi J. D., 18 vjeç, banues në fshatin Boriç i Madh.

Në lagjen “Perlat Rexhepi”, shërbimet e Policisë sinjalizuan dhe ndaluan për kontrolle automjetin që drejtonte 18-vjeçari, ku gjetën 1 armë zjarri pistoletë të cilën ky shtetas e mbante pa leje dhe 2 krehra me fishekë luftarak.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Elbasan

Muajin e kaluar, vodhën me thyerje në 2 kioska në qytet, produkte me vlerë 75 000 lekë, vihen në pranga 2 shtetas dhe procedohet në gjendje të lirë 1 tjetër.

Njëri nga të arrestuarit, me precedent për vjedhje.

Sekuestrohen 1 sëpatë dhe 1 levë metalike, të dyshuara të përdorura gjatë vjedhjeve.

Si rezultat i veprimeve intensive hetimore të kryera në kuadër të planit operacional “Sundimi i ligjit”, me qëllim zbardhjen e vjedhjeve me thyerje, në 2 kioska në qytetin e Elbasanit, vjedhje të kryera gjatë muajit mars 2024, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, të mbështetur dhe nga inteligjenca policore, kanë identifikuar autorët e dyshuar të këtyre rasteve.

Konkretisht, u arrestuan në flagrancë shtetasit E. S., 31 vjeç dhe B. H., 38 vjeç, si dhe u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin M. L., 33 vjeç, të tre banues në Elbasan.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, më datat 17 dhe 19 mars 2024, kanë vjedhur në 2 kioska, në lagjet “11 Nëntori” dhe “28 Nëntori”, produkte me vlerë rreth 75 000 lekë.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 1 sëpatë dhe 1 levë metalike, të dyshuara të përdorura për të kryer vjedhjet

Vijojnë hetimet për të zbardhur vjedhje të tjera në të cilat mund të jenë implikuar këta shtetas.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme. 

Tiranë/Vihen në pranga 5 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasin K. Sh., 30 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëjetueses së tij.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 arrestuan shtetasin B. P., 39 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka përndjekur dhe kanosur me mjet prerës ish-të dashurën e tij.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 arrestuan shtetasin A. K., 32 vjeç, banues në Tiranë, pasi në një karburant në Vaqarr, ka furnizuar automjetin dhe është larguar pa kryer pagesën.

Specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore arrestuan shtetasit:

-R. B., 44 vjeç, banues në Tiranë, pasi u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur;

-E. E., 24 vjeç, banues në Tiranë, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në efektin e lëndëve narkotike.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjjthshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 229 shtetas, konkretisht: 62 shtetas janë vënë në pranga, 151 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 16 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, vijon intensivisht puna nga ana e strukturave të Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 30 raste- 11 shtetas janë vënë në pranga dhe 23 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 25 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 7 shtetas janë vënë në pranga, 6 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 24 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Është kryer një tentativë për vrasje, me 1 shtetas të vënë në pranga.

Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 15 raste- 8 shtetas janë vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 5 raste. 1 shtetas është vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për vepra penale në këtë fushë.

Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë/tentativat për vjedhje të pasurisë, janë evidentuar 13 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar. 6 shtetas janë vënë në pranga, 4 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 6 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, për veprimtari kriminale në këtë fushë.

Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me zjarr ose me mjete të ndryshme, janë evidentuar 20 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 2 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 25 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 14 raste- 8 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 11 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 19 kërkesëpadi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Janë evidentuar:

-9 raste të veprës penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, me 9 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-4 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-4 raste të veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 4 shtetas të vënë në pranga;

-3 raste të veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrave të punonjësve të Policisë, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të krimeve kompjuterike, me autorë ende të paidentifikuar;

-2 raste të veprës penale “Përndjekja”, me 2 shtetas të vënë në pranga;

-2 raste të veprës penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të falsifikimit, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-nga 1 rast i veprave penale “Moskallëzimi i krimit”, “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona në gjini ose nën kujdestari” dhe “Ngacmimi seksual”, me nga 1 shtetas të vënë në pranga;

-nga 1 rast i veprave penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, “Veprime të dhunshme në aktivitetet sportive”, “Keqtrajtimi i të miturit”, “Dhunimi i varreve”, “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura”, “Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”, “Trafikimi i mjeteve motorike”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Prishja e qetësisë publike”, “Dhunimi i banesës” dhe “Njoftimi i rremë në organet e rendit”, me 14 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.

5 shtetas të shpallur në kërkim përkatësisht për falsifikim, kalim të kundërligjshëm të kufijve, kanosje për shkak të detyrës dhe shkelje të disiplinës së punës në transport, janë kapur.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 14 aksidente, si pasojë e të cilave 26 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 36 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, njëri prej tyre me autor ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 15 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 20 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.