Raporti i ngjarjeve, 5 qershor 2025
Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin A. B., 28 vjeç, banues në Fier, pasi mbrëmjen e djeshme, në fshatin Fermë Çlirim, automjeti që drejtonte është përplasur me një mjet pune (frezë me rimorkio) me drejtues shtetasin G. Ç., 50 vjeç. Si pasojë e përplasjes janë dëmtuar shtetasit G. Ç., A. Ç., 66 vjeç dhe një shtetas 14 vjeç, të cilët ndodheshin në rimorkion e frezës. Shtetasit G. Ç. dhe A. Ç. ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë:
-ndaluan shtetasin M. Ç., 36 vjeç, banues në Barbullinjë, Lushnjë, pasi nga hetimet dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me një shtetase 24 vjeçe, para disa muajsh;
-referuan materialet në Prokurori për vlerësim, ku nisi procedimi penal për shtetasit I. M., 49 vjeç, F. M., 32 vjeç, I. M., 42 vjeç dhe E. M., 20 vjeç, banues në Fiershegan, pasi dyshohet se për motive të dobëta, kanë qëlluar me grushte një shtetas 65 vjeç, banues në Fiershegan, dhe kanë thyer me mjete të forta, xhamat e lokalit të tij;
-referuan materialet në Prokurori, sepse ditën e djeshme, shtetasja M. V., 78 vjeçe, pas një injeksioni në ambulancën e lagjes Savër, ka pësuar reaksion. 78-vjeçarja është dërguar në spitalin e Lushnjës, por pavarësisht ndihmës mjekësore, ka humbur jetën. Po punohet për përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Berat
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-J. Ç., 46 vjeçe, banuese në Berat, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”;
-S. Q., 81 vjeç, banues në Berat, pasi dyshohet se në vendin e quajtur “Rruga e re”, ka marrë automjetin e një shtetasi.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kuçovë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-Xh. T., banues në Kuçovë, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”;
-E. K., 36 vjeç, banues në Kuçovë, pasi dyshohet se ka vjedhur disa vazo me lule, në një banesë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin arrestuan në flagrancë shtetasin V. H., 62 vjeç, banues në fshatin Gjormë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. P., 21 vjeç, banues në Pejë, Kosovë, pasi iu gjet me vete, një sasi Cannabisi, e cila iu sekuestrua me cilësinë e provës materiale.
Specialistët e Seksionit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin N. Sh., 57 vjeç, banues në Lezhë, pasi dyshohet se në aksin rrugor “Shëngjin–Lezhë”, ka humbur kontrollin mbi motomjetin që drejtonte dhe si pasojë motomjeti është përplasur me barrierat kufizuese të aksit. Nga përplasja është dëmtuar 57-vjeçari, i cili është në kujdesin e mjekëve, aktualisht jashtë rrezikut për jetën.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin P. M., 67 vjeç, banues në Lezhë, pasi administron një kopsht fëmijësh, dyshohet pa qenë i licencuar.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme shpallën në kërkim shtetasin A. V., 55 vjeç, banues në fshatin Ishull Lezhë, pasi dyshohet se ka trafikuar në Shqipëri, një mjet bujqësor të vjedhur. Punohet për kapjen e 55-vjeçarit.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë shpallën në kërkim shtetasit J. Ll., 23 vjeç dhe A. Ll., 27 vjeç, vëllezër, të dy banues në Rrëshen, pasi dyshohet se për motive të dobëta, kanë goditur me sende të forta, një 37-vjeçar.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin referuan materialet në Prokurori, me qëllim vlerësimin juridik të konfliktit për motive pronësie, ndërmjet vëllezërve, shtetasve N. L., 73 vjeç, banues në fshatin Gurëz dhe D. L., 76 vjeç, banues në Shëngjin.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë
Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban në Vlorë dhe Sarandë referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasit:
-M. D., 37 vjeç, banues në Tiranë, pasi në rrugën Vlorë–Sarandë, në afërsi të fshatit Lukovë, duke drejtuar motomjetin në gjendje të dehur, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe si pasojë është rrëzuar, duke marrë dëmtime trupore, jashtë rrezikut për jetën.
-O. Z., 28 vjeç, banues në Francë, pasi në rrugën “Gjergj Araniti”, Vlorë, duke drejtuar automjetin, ka aksidentuar këmbësoren shtetasen S. H., 24 vjeçe, e cila si pasojë është dëmtuar dhe ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasin M. M., 44 vjeç, banues në Himarë, pasi është konstatuar nga shërbimet e Policisë se në vendin e quajtur Gjilekë, ka kryer punime ndërtimi pa lejen e organeve kompetente.
Po këta specialistë referuan materiale në Prokurori për një ngjarje të dyshuar aksidentale, ku më datë 02.06.2025, në vendin e quajtur lagjja Spile, në Himarë, si pasojë e një shkëndije elektrike ka rënë zjarr në ambientet e subjektit në pronësi të shtetasit P. T., duke shkaktuar dëme të vogla materiale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Delvinë referuan material në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasin L. Ç., 60 vjeç, banues në Vergo, Delvinë, pasi dyshohet se ka kryer punime ndërtimi në pronën e një shtetasi tjetër, në fshatin ku jeton, pa lejen e organeve kompetente.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë referuan materialet për vlerësim, pasi më datë 04.06.2025, dyshohet se ka ndërruar jetë për shkaqe natyrore, në banesën e saj në Ksamil, shtetasja F. B., 66 vjeçe.
Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme procedurale.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin H. A., 73 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Ushtrimi i aktivitetit tregtar të paligjshëm” dhe “Fshehja e të ardhurave”, pronari i një tregu veshjesh, pasi nga verifikimet rezultoi se ushtronte aktivitetin pa dokumentacionin përkatës.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Velipojë referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi ka kallëzuar shtetasi F. Sh., 59 vjeç, se në varrezat e të afërmve të tij, në fshatin Rrjoll, ka konstatuar dy varre të dëmtuara.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pukë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen Xh. M., 55 vjeçe, banuese në Pukë, pasi nga kontrollet me shërbimet e OSHEE-së, u konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike në banesën e saj.
-Më datë 03.06.2025, ka kallëzuar shtetasja F. H., 66 vjeçe, se i kanë vjedhur një shumë parash, në banesën e saj, në lagjen “Liria”, gjatë kohës që në banesë nuk ka patur njeri. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.
-Më datë 05.06.2025, ka kallëzuar shtetasi G. Z., 69 vjeç, se është larguar nga banesa, vajza e tij, shtetasja G. Z., 41 vjeçe, e cila vuan nga sëmundje të shëndetit mendor. Punohet për gjetjen e saj.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan
Në vijim të njoftimit të dhënë ditën e djeshme, për dëmtimin e shtetasit R. M., gjatë punës në fabrikën e ferrokromit, bëjmë me dije se specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, në vijim të veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e rrethanave të rastit, arrestuan në flagrancë për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, shtetasit:
F.I., 27 vjeç, me detyrë inxhinier i fabrikës, A. L., 58 vjeç, me detyrë inxhinier mekanik dhe M. H., 59 vjeç, me detyrë brigadier.
Shtetasi R. M. është në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve arrestuan në flagrancë shtetasin D. L., 22 vjeç, pasi gjatë kontrollit në ambientet e lokalit të tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin M. B., 42 vjeç, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, arrestuan shtetasin B. Z., 29 vjeç, për veprat penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Librazhd referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, për shtetasit I. H., 58 vjeç dhe S. H., 54 vjeçe (bashkëshortë), pasi ka kallëzuar shtetasja G. Gj., se këta shtetas e kanë goditur me sende të forta, për motive pronësie.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasit:
Sh. G., 59 vjeç, banues në Maliq dhe A. Ç., 59 vjeç, banues në Korçë, pasi u kapën duke drejtuar motomjetet, pa leje drejtimi;
- D., 37 vjeç, banues në Korçë, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë arrestuan në flagrancë shtetasit:
G.T., 23 vjeç, banues në Korçë, pasi dyshohet se i ka marrë një shumë parash një 27-vjeçari, nëpërmjet mashtrimit;
A.S., 56 vjeç, banues në Korçë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje.
Po nga këta specialistë u referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit:
A.M., 51 vjeç dhe A. D., 58 vjeç, banues në Korçë, pasi në banesat e tyre janë konstatuar lidhje të paligjshme të furnizimit me ujë;
A.T., 59 vjeç, banues në Korçë, pasi u kap duke transportuar 5 m³ dru të prera në mënyrë të paligjëshme. Lënda drusore u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit S. M., 21 vjeç, K. Xh., 30 vjeç, A. Xh., 23 vjeç dhe A. Ç., 23 vjeç, banues në Korçë, pasi gjatë kontrollit në subjektet e tyre private u konstatua se ushtronin aktivitetet, pa dokumentacionin përkatës.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin Ll. V., 24 vjeç, banues në Korçë, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kolonjë referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin P. I., 52 vjeç, banues në Mësniçkë, pasi dyshohet se ka kanosur nëpërmjet celularit, një 46-vjeçar.
Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 131 shtetas, konkretisht: 37 shtetas janë vënë në pranga, 84 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 10 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 13 raste, njëri prej tyre në fushën e kultivimit, me autor/ë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 6 shtetas janë vënë në pranga dhe 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 6 raste. 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 16 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 4 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 21 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ekonomike, janë evidentuar 12 raste. 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 12 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Për veprat penale në fushën e vjedhjes/tentativës për vjedhje të pronës dhe pasurisë janë evidentuar 13 raste, 6 prej tyre me autorë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 2 shtetas janë vënë në pranga, 4 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 16 raste. 21 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 7 raste të dhunës në familje. 2 shtetas janë ndaluar, 5 shtetas janë arrestuar dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë plotësuar 5 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar:
-2 raste të falsifikimit dhe 2 raste të vetëgjyqësisë, të gjitha me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrave të punonjësve të Policisë. 1 shtetas është arrestuar dhe 1 shtetas është shpallur në kërkim;
-nga 1 rast i largimit të të burgosurit nga vendi i qendrimit dhe marrëdhënieve seksuale me dhunë me të rritura, me nga 1 shtetas të arrestuar;
-1 rast i shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë, me 3 shtetas të arrestuar;
-1 rast i përndjekjes dhe veprimeve në kundërshtim me vendimin e gjykatës, me 1 shtetas të arrestuar;
-1 rast i trafikimit të mjeteve motorike, me 1 shtetas të shpallur në kërkim. Për një rast të mëparshëm të kësaj vepre, është ndaluar 1 shtetas i shpallur në kërkim;
-1 rast i prishjes së qetësisë publike, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-nga 1 rast i kalimit të kundërligjshëm të kufirit dhe vjedhjes së energjisë elektrike, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Kanë ndodhur 9 aksidente rrugore, me 12 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 24 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor. 8 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 17 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.