Raporti i ngjarjeve, 5-6 shtator 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Sarandë

Finalizohet operacioni i koduar “Fokus 8”, si rezultat i informacioneve nga inteligjenca policore, për goditjen e një tentative për trafikimin e lëndëve narkotike.

Sekuestrohen 2.21 kg cannabis sativa, 2 automjete dhe 2 celularë.

Arrestohet një 20-vjeçar që transportonte lëndën narkotike, si dhe një shtetas tjetër që e shoqëronte dhe kishte dijeni për veprimtarinë e tij kriminale.

Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë finalizuan operacionin policor të koduar “Fokus 8”.

Gjatë operacionit, u kapën në flagrancë dhe u vunë në pranga shtetasit J. A., 20 vjeç, dhe F. Ll., 23 vjeç, të dy banues në Konispol.

Në afërsi të fshatit Vrin, shtetasit J. A. dhe F. Ll. ndaluan automjetet e tyre pranë një lavazhoje dhe, në momentin kur vunë re shërbimet e Policisë, shtetasi J. A. tentoi të fshehë lëndën narkotike duke e hedhur nga automjeti i tij, por u arrestua menjëherë së bashku me F. Ll., i cili kishte dijeni për lëndën narkotike që 20-vjeçari po transportonte.

Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan 2.21 kg lëndë narkotike cannabis sativa, 2 automjete dhe 2 celularë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë/Arrestohen 3 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 6 arrestuan shtetasin A. D., 40 vjeç, banues në Angli, pasi dyshohet se ka vjedhur disa shishe me pije alkoolike, në një qendër tregtare.

Specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore arrestuan shtetasit:

-E. B., 20 vjeç, banues në Tiranë, pasi u kap duke drejtuar motomjetin pa leje drejtimi;

-G. T., 53 vjeç, banues në Tiranë, pasi në Zhurje, duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, është përplasur me një mjet tjetër dhe si pasojë ka vetëm dëme materiale.

Gjithashtu, po nga këta specialistë u procedua penalisht shtetasi E. R., 33 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”. Ky shtetas, mbrëmjen e djeshme, duke drejtuar motomjetin, në afërsi të nënkalimit te Parku Zoologjik i Tiranës, është përplasur me trafikndarësen. Si pasojë është dëmtuar dhe ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.

Materialet i kaluan Prokurorisë.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan

Sektori i Qarkullimit Rrugor arrestoi në flagrancë shtetasit:

-S. M., 35 vjeç, banues në Korçë, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur;

-Xh. K., 41 vjeç, banues në Gramsh, pasi u kap duke drejtuar motomjetin, pa leje drejtimi.

Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin E. P., 40 vjeç, banues në Maliq, pasi është konstatuar duke transportuar me automjetin kamioçinë, 108 krerë bagëti të imta, pa dokumentacion.

Komisariati i Policisë Librazhd referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit I. B., 40 vjeç dhe A. F., 48 vjeç, pasi u konstatuan duke transportuar me kamion, 5 m3 lëndë drusore, pa dokumentacion, si edhe shtetasi  A. F., nuk është i regjistruar në organet tatimore.

Komisariati i Policisë Gramsh referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit:

-F. C., 54 vjeç, pasi qeni që ai mbante, ka kafshuar në dorë, një 40-vjeçar;

-A. I., 53 vjeç dhe B. I., 32 vjeç, pasi kanë ushtruar dhunë fizike ndaj 2 shtetasve, për motive të dobëta.

Komisariati i Policisë Elbasan referoi materialet në Prokurori dhe shpalli në kërkim shtetasin K. B., 54 vjeç, me detyrë administrator në një kompani për prodhimin e plastikës, pasi në fabrikën palstike, në fshatin Bradashesh, ka rënë zjarr dhe si pasojë e tymit të çliruar u shkaktua ndotje e ajrit. Vijon puna për kapjen e shtetasit K. B.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Shkodër

U konfliktua fizikisht, për arsye konkurrence, me një 52 vjeçar, dhe mbante pa leje armë zjarri e municion luftarak, vihet në pranga 63 vjeçari.

Policia sekuestron një armë zjarri psitoletë dhe municion lutarak.

Rreth orës 11:15, në lagjen “Vojo Kushi”, shtetasi C. S., 63 vjeç,  dyshohet se  për motive konkurrence, para stacionit të furgonave për transport pasagjerësh është konfliktuar fizikisht me shtetasin D. Gj., 52 vjeç.

Si pasojë 52-vjeçari është dëmtuar fizikisht dhe ndodhet në spital për ndihmë mjekësore.

Shërbimet e Policisë me marrjen e njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendin ku po ndodhte konflikti duke ndërhyrë dhe parandaluar përshkallzimin e  mëtejshëm të konfliktit.

Shërbimet e Policisë gjatë kontrollit të banesës së shtetasit C. S, kanë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak, të cilat 63 vjeçari i mbante pa leje.

Në përfundim të  veprimeve të kryera nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Shkodër, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit C. S.

Materialet procedurale shtesë i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

Tiranë

Në zbatim të masave të caktuara në planin operacional “Sundimi i ligjit”, për goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, finalizohet operacioni policor i koduar “Road”.

Operacioni u zhvillua nga Sektori i Forcës së Posaçme “Shqiponja” në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 6.

Sekuestrohet 1 armë zjarri pistoletë, me krëhër e municion luftarak, vihet në pranga poseduesi.

Shërbimet e Sektori i Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 6, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se në afërsi të Casa Italias, me një automjet  tip “Ford”, qarkullonte një shtetas i armatosur, kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Road”.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi A. M., 28 vjeç, banues në Valias.

Shërbimet e Policisë në afërsi të Casa Italias, kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin A. M. Gjatë kontrollit çantës së 28-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë, me krëhër e municion luftarak.

Materialet i kaluan Prokurorisë.

Kavajë

I vuri zjarrin një stalle bagëtish, në Golem, për motive të dobëta, arrestohet 25-vjeçari.

Si pasojë e përhapjes së flakëve u dogjën një objekt njëkatësh, sipërfaqja e tokës përreth dhe ushqimi i bagëtive.

Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve operacionale, të kryera me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të zjarrvënieve të qëllimshme apo nga pakujdesia, Komisariati i Policisë Kavajë arrestoi shtetasin:

  1. A., 25 vjeç, banues në Golem.

Ky shtetas dyshohet se i ka vënë zjarrin stallës së bagëtive në pronësi të kushëririt të tij, për motive të dobëta. Nga përhapja e flakëve është djegur objekti njëkatësh ngjitur me stallën e bagëtive, një sasi e konsiderueshme baze ushqimore për bagëtitë dhe sipërfaqja e tokës përreth.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Policia Rrugore arrestoi shtetasin K. S., 50 vjeç, banues në Lushnjë, pasi automjeti që drejtonte është përplasur me motoçikletën me drejtues shtetasin R. K., 42 vjeç. Nga përplasja është dëmtuar lehtë pasagjerja në motoçikletë. Shtetasi K. S. është larguar nga vendi i aksidentit, por është kapur më pas nga shërbimet e Policisë.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:

-N. S., 38 vjeç, banues në Fier, pasi automjeti që drejtonte është përplasur me automjetin me drejtuese shtetasen K. Gj., 24 vjeçe, e cila u dëmtua lehtë;

-një shtetas 17 vjeç, pasi u konstatua duke drejtuar motomjetin, pa leje drejtimi.

Komisariati i Policisë Lushnjë arrestoi shtetasin K. Sh.(B)., 42 vjeç, banues në Lushnjë, pasi ka dëmtuar dhe më pas ka djegur automjetin e një shtetasi, për motive të dobëta.

Sektori për Hetimin e Trafiqeve i DVP Fier referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin E. M., 32 vjeç, banues në Tiranë, pasi automjeti që ky shtetas përdor për biznesin e tij, dyshohet se është i vjedhur dhe i trafikuar. Automjeti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Shkodër/Finalizohet operacioni policor i koduar “Fjalëkryqi”.

Operacioni, rezultat i punës intensive dhe profesionale hetimore të shërbimeve të DVP Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Tiranë dhe me Prokurorinë e Shkodrës.

Zbardhet vrasja e shtetasit E. Rr. (Sh.), kryer më datë 30.08.2024, në një lokal në lagjen “Ahmet Haxhia”.

Kapet dhe vihet në pranga një shtetas i implikuar në këtë rast. Punohet intensivisht për kapjen e 3 bashkautorëve të kësaj vrasjeje, të cilët janë identifikuar tashmë nga Policia.

Zbulohet një garazh në territorin e bashkisë Tiranë, që iu shërbente 4 shtetasve, si bazë kriminale për të fshehur automjete të trafikuara, të cilat do të përdoreshin gjatë kryerjes së krimeve.

Sekuestrohen 3 automjete të trafikuara nga shtete të ndryshme të Europës dhe pjesë të automjetit të përdorur nga autorët, gjatë vrasjes së shtetasit E. Rr. (Sh.).

Si rezultat i një pune intensive operative dhe hetimore, të kryer nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe me Prokurorinë e Shkodrës, me qëllim zbardhjen e dinamikës dhe autorësisë së vrasjes së shtetasit E. Rr. (Sh.), kryer më datë 30.08.2024, në një lokal në lagjen “Ahmet Haxhia”, u finalizua operacioni policor i koduar “Fjalëkryqi”.

Në kuadër të këtij operacioni, u identifikua, u kap dhe u vu në pranga shtetasi Xh. M., 26 vjeç, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Veprime që pëngojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”, kryer në bashkëpunim. Gjithashtu, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”, kryer në bashkëpunim, shtetasit J. Xh., 31 vjeç, V. Xh., 38 vjeç dhe D. M., 42 vjeç.

Nga hetimet dyshohet se këta 4 shtetas kanë organizuar dhe kanë kryer vrasjen e shtetasit E. Rr. (Sh.).

Në vijim të operacionit, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Tiranë, u zbulua në territorin e bashkisë Tiranë, një garazh, ku këta 4 shtetas mbanin automjete të trafikuara nga shtete të ndryshme të Europës, të cilat dyshohet se janë siguruar për të shërbyer gjatë kryerjes së krimeve të rënda kundër personit.

Nga kontrollet në këtë ambient u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3 automjete të dyshuara të trafikuara dhe pjesë të automjetit të dyshuar të përdorur nga autorët, gjatë vrasjes së shtetasit E. Rr. (Sh.).

Vijojnë intensivisht kërkimet me qëllim lokalizimin dhe ndalimin e 3 shtetasve të shpallur në kërkim.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.

DVP Vlorë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Notification”, për goditjen e një rasti të mashtrimit të operatorëve ekonomikë.

Tentuan të përfitonin 8 000 euro, nga një operator ekonomik në Himarë, me anë të mashtrimit, identifikohen dhe arrestohen 3 shtetas.

Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Himarë, pas denoncimit nga administratori i një subjekti tregtar në Himarë, se i kishin kërkuar një shumë parash, gjatë komunikimeve në aplikacionin “Signal”, kanë organizuar operacionin policor të koduar “Notification”, për zbardhjen e rastit dhe identifikimin e autorëve.

Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera në kuadër të këtij operacioni, u identifikuan dhe u arrestuan shtetasit: S. D., 30 vjeçe dhe K. D.(K.), 32 vjeç (bashkëshortë), dhe D. V., 27 vjeçe, të tre banues në Vlorë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas kanë kontaktuar administratorin e subjektit tregtar nëpërmjet një numri telefoni të regjistruar si numër kontakti i një zyrtari, në aplikacionin “Signal”, duke rritur kështu besueshmërinë e kërkesave të tyre për të përfituar shumën prej 8 000 euro.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 automjet dhe 4 celularë.

Në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës, vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 48 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 179 shtetas, konkretisht: 46 shtetas janë vënë në pranga, 121 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 12 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, vijon intensivisht puna nga ana e strukturave të Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 27 raste. 13 prej tyre, në fushën e kultivimit, janë me autorë të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera në këtë fushë, 6 shtetas janë vënë në pranga dhe 12 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 20 raste- 4 shtetas janë vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 26 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 8 raste- 4 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 6 raste. 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë/tentativat për vjedhje të pasurisë, janë evidentuar 11 raste, 4 prej tyre me autorë të paidentifikuar. 3 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 5 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, për vjedhje të tjera.

Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me zjarr ose me mjete të ndryshme, janë evidentuar 19 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 2 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 21 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 12 raste- 3 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 8 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 19 kërkesëpadi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Janë evidentuar:

-4 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-4 raste të veprës penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Përndjekja”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 2 shtetas të vënë në pranga;

-2 raste të veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Moskallëzimi i krimit”, me 2 shtetas të vënë në pranga;

-1 rast i krimeve kibernetike, me 2 shtetase të shpallura në kërkim;

-1 rast i veprës penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i veprës penale “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, me 2 shtetas të vënë në pranga;

-1 rast i veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, me 1 shtetas të vënë në pranga;

-1 rast i veprës penale “Braktisja e fëmijëve të mitur”, me 1 shtetase të shpallur në kërkim;

-nga 1 rast i veprave penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Shitja e paautorizuar e kartave SIM”, “Braktisja e kafshës të shoqërimit”, “Ndërhyrje të padrejta në jetën private” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

3 shtetas të kërkuar përkatësisht për veprat penale “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, janë kapur.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 11 aksidente, si pasojë e të cilave 1 shtetase ka humbur jetën dhe 4 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 39 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 17 shtetas janë vënë në pranga dhe 25 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.