Raporti i ngjarjeve, 4 korrik 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Tiranë

Komisariati i Policisë Nr. 1, në zbatim të masave të planit operacional “Sundimi i ligjit”, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për një shtetas që mbante armë zjarri pa leje, në banesë, ka organizuar punën për kapjen e tij, dhe ka finalizuar operacionin policor të koduar “Spot”. 

Si rezultat u arrestua në flagrancë shtetasi G. H., banues në Sauk, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

Gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri automatike, 1 armë gjahu, krehra dhe municion luftarak për to, si dhe një palë dylbi. 

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Vlorë/Vijojnë puna e inteligjencës policore dhe kontrollet intensive të shërbimeve, për të garantuar sundimin e ligjit në territor.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Strike 17”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje.

Mbante në banesë, armë zjarri pistoletë, armë sportive dhe doza cannabisi, arrestohet në flagrancë 24-vjeçari.

Sekuestrohen armët, municioni luftarak dhe dozat e lëndës narkotike.

Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të inteligjencës policore, të siguruar në vijim të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, se një shtetas mbante armë dhe lëndë narkotike, në banesën e tij, në lagjen “Pavarësia”, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe të Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, të DVP Vlorë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Strike 17”, gjatë të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:

R. B., 24 vjeç, banues në Vlorë.

Nga kontrollet në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë sportive, municion luftarak për to dhe doza të lëndës narkotike cannabis sativa. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Elbasan

Finalizohet si rezultat i një hetimi tremujor, me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Kalibri”.

Sekuestrohen 1 armë zjarri pistoletë, 1000 fishekë luftarak të kalibrave të ndryshëm, 4 krehra armësh, 2 kapsolla detonatore, 1 jelek antiplumb, një sasi lënde narkotike cannabis sativa dhe 1 automjet.

Arrestohet në flagrancë 28-vjeçari që lëvizte me armën e zjarrit me vete dhe që mbante sendet e tjera të sekuestruara, në banesë, dyshohet me qëllim trafikimin.

Si rezultat i një hetimi të kryer me metoda proaktive, për 3 muaj, nën drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, hetim i cili u iniciua në bazë të informacioneve nga inteligjenca policore, të siguruara në vijim të punës për të garantuar sundimin e ligjit në territor, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme i DVP Elbasan finalizoi operacionin policor të koduar “Kalibri”.

Gjatë këtij operacioni u kap në flagrancë dhe u vu në pranga shtetasi G. L., 28 vjeç.

Në automjet shërbimet e Policisë i gjetën këtij shtetasi, 1 armë zjarri pistoletë, ndërsa në banesë i gjetën 1000 fishekë luftarak të kalibrave të ndryshëm, 4 krehra armësh, 2 kapsolla detonatore, 1 jelek antiplumb dhe një sasi lënde narkotike cannabis sativa. Nga hetimet e deritanishme dyshohet se ky shtetas i posedonte këto sende, me qëllim trafikimin.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.      

Lezhë/Informacion paraprak

Rreth orës 07:24, në aksin rrugor “Lezhë-Milot”, janë përplasur automjeti me drejtuese shtetasen V. K., 53 vjeçe, me furgonin me drejtues shtetasin L. D., 31 vjeç. Nga përplasja kanë dalë nga rruga të dyja automjetet dhe si pasojë janë dëmtuar 53-vjeçarja dhe 2 pasagjerë në furgon, shtetasit I. K., 36 vjeç dhe R. D., 70 vjeç.

70-vjeçari i dëmtuar është transportuar në Spitalin e Traumës, për asistencë të specializuar mjekësore, ndërsa shtetasit I. K. dhe V. K. kanë marrë mjekim në spitalin e Lezhës, ku janë jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor po punon për sqarimim e rrethanave dhe shkakut të aksidentit.

Tiranë/Informacion paraprak

Më datë 04.07.2024, rreth orës 01:20, në autostradën Tiranë-Durrës, shtetasi R. T., 35 vjeç, duke drejtuar motomjetin, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe motomjeti ka dalë nga rruga. Si pasojë shtetasi R. T. ka ndërruar jetë në vendngjarje.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 67 shtetas, konkretisht: 18 shtetas janë vënë në pranga, 46 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 3 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 23 raste. Për 16 raste të kultivimit të bimëve narkotike, autorët janë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera në fushën e narkotikëve, janë vënë në pranga 4 shtetas, janë shpallur në kërkim 3 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 4 shtetas.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 5 raste- 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 4 raste- 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të krimeve ekonomike- me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 10 raste, 5 prej të cilave me autorë ende të paidentifikuar. 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për vjedhje të tjera.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 10 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 8 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-2 raste të largimit të të burgosurit nga vendi i qendrimit, me 2 shtetas të vënë në pranga;

-2 raste të prishjes së qetësisë publike, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-nga 1 rast i veprave penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, “Vetëgjyqësia”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Kanosja për shkak të detyrës”, “Pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës”, “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, “Vrasja me dashje e kafshës së shoqërimit” dhe “Fyerja”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i veprës penale “Moskallëzimi i krimit”, me 1 shtetas të vënë në pranga.

1 shtetas i shpallur në kërkim për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura”, është ndaluar.

Kanë ndodhur 3 aksidente rrugore, me 3 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 10 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 5 shtetas janë vënë në pranga dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.