Raporti i ngjarjeve, 31 tetor 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Drejtoria Vendore e Policisë Berat

Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin D. B., 28 vjeç, banues në Dimal, pasi kishte punësuar në lokalin e tij, një shtetas, pa e siguruar në organet tatimore.

Komisariati i Policisë Kuçovë referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. Sh., 28 vjeç, banues në Kuçovë, pasi ka kallëzuar një 34-vjeçar, se ky shtetas i ka dëmtuar automjetin.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.

Dibër

Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër,  operacioni policor i koduar “Blackmail”, ndjekur me metoda speciale të hetimit.

Arrestohet çifti i të rinjve (burrë e grua) dhe një 17-vjecare, të cilët shantazhonin një shtetase17-vjeçe, për dhënie parash, për mospublikimin e videove dhe fotove personale, në rrjete sociale.

Sekuestrohen shuma parash dhe 4 celularë.

Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Mat,  në vijim të punës për goditjen e krimeve kibernetike, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Blackmail”, ndjekur me metoda speciale të hetimit.

Gjatë operacionit u arrestuan shtetasit I. M., 23 vjeç,  S. M., 24 vjeçe, (burrë dhe grua) dhe një 17-vjeçare (lidhje familjare me shtetasin I. M.), të gjithë  banues në Komsi, Mat.

Falë veprimeve hetimore profesionale të kryera gjatë zhvillimit të këtij operacioni, është bërë dokumentimi i plotë ligjor i veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve,  të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, krijonin profile në rrjetin social “Instagram”, dhe shtanatazhonin një 17-vjeçare,  duke i kërkuar vlera monetare për mospublikimin e disa fotove e videove intime.

Gjithashtu, nga veprimet hetimore të kryera është dokumentuar ligjërisht   se tre shtetasit e arrestuar,  kanë përfituar nga 17-vjeçarja,  shumën e parave prej 15.000 lekë.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar shuma parave dhe 4 celularë.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

DVP Vlorë

Kapet nga shërbimet e Forcës Operacionale, një 30-vjeçar i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Forest,” i dyshuar si bashkëpunëtor në kultivimin e 320 bimëve narkotike në fshatin Trevllazër.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vlorë, në vijim të kontrolleve për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative mbi vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim për kultivim të bimëve narkotike, kanë intensifikuar kërkimet për kapjen e tij.

Si rezultat i këtyre veprimeve, u bë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit R. H., 30 vjeç, banues në Vlorë, i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, me vendimin e datës 02.10.2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Ky shtetas akuzohet se në bashkëpunim me 2 shtetas të tjerë, të vënë në pranga nga Policia e Vlorës, në muajin qershor, gjatë operacionit të koduar “Forest”, ka kultivuar 320 bimë narkotike në territorin e fshatit Trevllazër.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë

Qarkullonte i armatosur, falë inteligjencës policore lokalizohet dhe arrestohet në flagrancë 34-vjeçari.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Driver” nga Sektori i Forcës së Posaçme “Shqiponja” në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2.

Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë me krëhër e municion luftarak.

Shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja” në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në inteligjencën informative për një shtetas që qarkullonte i armatosur në zonën e Unazës së Re, menjëherë kanë organizuar punën për kapjen e tij dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Driver”.

Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi D. R., 34 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Në rrugën “Teodor Keko”, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin D. R., dhe gjatë kontrollit të automjetit shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë me krëhër e municion luftarak.

Materialet i kaluan Prokurorisë.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 78 shtetas, konkretisht: 24 shtetas janë vënë në pranga, 48 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 6 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Për vepra penale fushën e narkotikëve, janë ndaluar 2 shtetas. Për një rast në këtë fushë, të goditur rishtas, është proceduar në gjendje të lirë 1 shtetas.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 5 raste. 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 7 raste. 1 shtetas është vënë në pranga dhe 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të krimeve ekonomike. 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 8 raste të vjedhjeve/tentativave për vjedhje, 6 prej tyre me autorë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 1 shtetas është vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 14 raste, 3 prej tyre me autorë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 7 raste të veprës penale “Dhuna në familje”. 4 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 13 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-3 raste të kalimit të kundërligjshëm të kufijve, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-nga 2 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrave të Policisë dhe thyerje të masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”, të gjitha me nga 1 shtetas të vënë në pranga;

-2 raste të prishjes së qetësisë publike, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i veprës penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, me 3 shtetas të vënë në pranga;

-1 rast i krimeve kibernetike, me 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-nga 1 rast i veprave penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, me 4 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë;

2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për veprime të dhunshme gjatë një ndeshje futbolli në Lushnjë.

4 shtetas u arrestuan dhe 2 shtetas u proceduan në gjendje të lirë për kundërshtim të punonjësve të Policisë, goditje dhe kanosje për shkak të detyrës, si dhe për prishje të qetësisë publike, në Tiranë.

1 shtetas i kërkuar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, u ndalua.

1 shtetas i kërkuar për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Prishja e qetësisë publike”, u ndalua.

Kanë ndodhur 5 aksidente rrugore, me 1 viktimë dhe 4 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 11 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, njëri prej tyre me autor të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.