Raporti i ngjarjeve, 31 mars 2026

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, si rezultat i kontrolleve dhe verfikimeve në subjekte të ndryshme në të gjithë territorin e qarkut, me qëllim goditjen e informalitetit, referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. J. dhe A. S., të dy banues në Kurbin. Gjatë kontrolleve në dyqanet që administonin, u gjetën celularë pa fatura blerjeje. Pajisjet u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin G. T., 36 vjeç, pasi në automjetin që drejtonte në Laç, u gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa.
Më tej, shërbimet e Komisatiatit të Policisë Kurbin referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për vëllanë e 36-vjeçarit, shtetasin E. T., 38 vjeç, pasi dyshohet se ka kundërshtuar dhe fyer punonjësit e Policisë që kryenin veprimet procedurale për rastin e shtetasit G. T.. Gjatë kontrolleve në banesën e 38-vjeçarit, u gjetën 250 fishekë armë gjahu që posedoheshin pa leje.
Municioni dhe lënda narkotike, automjeti dhe celulari i 36-vjeçarit u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Kibernetike referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një 16-vjeçare, pasi dyshohet se ka publikuar në rrjete sociale, fotografi të një 17-vjeçareje, pa pëlqimin e saj.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. B., 39 vjeç, banues në Shëngjin, pasi u kap duke hedhur inerte, pa autorizim, në një sipërfaqe toke (pronë shtetërore), si dhe duke kryer punime restaurimi, pa leje.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin:
-shpallën në kërkim shtetasin A. H., 49 vjeç, banues në Kurbin, pasi dyshohet se ka dhunuar psikologjikisht, djalin e tij, 17 vjeç, nëpërmjet mesazheve kanosëse në celular. I mituri ishte i pajisur me urdhër mbrojtjeje. Punohet për kapjen e 49-vjeçarit;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin G. G., 35 vjeç, banues në fshatin Delbnisht, pasi dyshohet se ka pushtuar një sipërfaqe toke në lagjen nr. 4, Laç, mbi të cilën ka kryer pa leje, punime ndërtimi;
-referuan materialet në Prokurori, për vlerësim të kallëzimit të shtetasit P. N., 76 vjeç, se shtetasi T. L., 60 vjeç, i kishte pushtuar një sipërfaqe toke në lagjen nr. 1, Laç.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor:
-arrestuan shtetasin N. I., 61 vjeç, banues në Shkodër, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin A. Gj., 40 vjeç, pasi automjeti që drejtonte është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin H. H. Si pasojë u dëmtua lehtë shtetasi H. H.;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin K. Zh., 33 vjeç, banues në fshatin Temal, pasi u kap duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër kapën shtetasin M. K., 32 vjeç, banues në fshatin Malecaj, i shpallur në kërkim për “Shkatërrim prone”. Pas konsultimit me prokurorin, u vendos që ky shtetas të ndiqet në gjendje të lirë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori për vlerësim, pasi mbrëmë, në fshatin Shtoj i Ri, në servisin në pronësi të shtetasit G. P., gjatë saldimit të automjetit në pronësi të shtetasit K. H., dyshohet se për shkak të një shkëndije elektrike, ka rënë zjarr, dhe si pasojë automjeti është djegur.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin kinez W. J., 43 vjeç, pasi ka kanosur shtetasin kinez G. J., 28 vjeç, për motive të dobëta.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pukë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin G. N., 23 vjeç, banues në fshatin Mëzi, pasi ka dhënë informacion të rremë, në sallën operative.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Qarku Durrës

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare ekzekutuan masën e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasin turk H. S., 42 vjeç, banues në Tiranë, caktuar nga Gjykata e Durrësit, më datë 03.02.2026, për veprën penale “Menaxhimi i mbetjeve”, në kuadër të operacionit policor “Eko-Toxic”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin A. T., 30 vjeç, banues në Durrës, pasi nga kontrolli i kryer nga punonjësit e Policisë, në banesën e tij, rezultoi se kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, caktuar nga Gjykata e Apelit Tiranë, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu, këta specialistë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-E. F., 27 vjeç dhe D. P., 26 vjeç (shtetas amerikanë), të dy banues në Durrës, si dhe A. N., 48 vjeç, banues në Tiranë, pasi në lagjen nr. 12, janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin, për motive të dobëta;
-D. L., 46 vjeç, banues në Durrës, pasi ka kallëzuar shtetasja D. L., se ai i ka djegur kasollen e kafshëve në lagjen nr. 8;
-Y. K., 43 vjeç, banues në Durrës, pasi ka kallëzuar shtetasja V. K., se 43-vjeçari (kunati i saj) e ka kanosur;
-A. I., 58 vjeç, banues në Durrës, pasi u konstatua duke kryer punime pa leje, në pronën e tij, në lagjen nr. 15;
-A. D., 31 vjeç, banues në Durrës dhe N. B., 64 vjeçe, banuese në Tiranë, pasi dyshohet se janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin, për motive pronësie;
R. V., 32 vjeç, banues në Sukth, pasi ka goditur me grushte një 33-vjeçar, për motive të dobëta.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Durrës referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin M. M., 26 vjeç, banues në fshatin Arapaj, pasi në lagjen nr. 13, gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis.

Specialistët e qarkullimit rrugor referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për një 16-vjeçar, pasi u kap duke drejtuar automjet, pa leje drejtimi.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Manëz referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. K., 37 vjeç, banues në Rrushkull, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin D. A., 40 vjeç, banues në Kavajë, pasi ka kryer punime ndërtimi, pa leje, si dhe ka kanosur një 65-vjeçar, për motive të dobëta.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasen E. F., 40 vjeçe, banuese në Tiranë, pasi dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka shtyrë me duar një 68-vjeçare, e cila është rrëzuar dhe për pasojë është dëmtuar në këmbë. Ajo po merr mjekim në spitalin e Durrësit dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shijak referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin Sh. Ç., 64 vjeç, banues në Shijak, me detyrë shef i ekipit të OSHE Shijak, pasi nga hetimet e kryera në kuadër të operacionit “Përshtatja”, dyshohet se nuk ka raportuar lidhjen e paligjshme të energjisë elektrike në ambientin e përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, që u zbulua gjatë këtij operacioni.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Kibernetike referuan materialet në Prokurori, pasi ka kallëzuar shtetasi A. D., se nëpërmjet falsifikimit të të dhënave, kanë regjistruar një subjekt në emër të tij, në Mbretërinë e Bashkuar. Vijojnë hetimet për rastin.

Specialistët e DVKM Durrës referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin K. S., 28 vjeç, banues në Fier, i dyshuar për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi dje, ka kallëzuar shtetasi A. E., se ka konstatuar mungesën e armës së gjahut që e posedonte me leje, në magazinën e tij.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve arrestuan shtetasin M. B., 26 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 i gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, e cila u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare ekzekutuan vendimin e Gjykatës, për shtetasit:
-P. C., administrator i një subjekti, për të cilin janë caktuar masat “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”;
-R. Sh., me detyrë Drejtor i IMT-së, për të cilin është caktuar masa “Pezullimi i ushtrimit të detyrës apo shërbimi publik”;
-E. P., Ish-specialist i IMT-së, për të cilin është caktuar masa “Pezullimi i ushtrimit të detyrës apo shërbimi publik”.

Gjithashtu, këta specialistë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-A. T., 29 vjeç, pasi dyshohet se nuk ka shlyer paratë që shtetasja Xh. P. ka marrë hua në bankë, për llogari të tij;
-A. A., pasi dyshohet se nëpërmjet mashtrimit, i ka marrë një shumë parash, shtetasit E. H.;
-I. S., pasi dyshohet se ka mashtruar shtetasin P. Sh., mbi shlyerjen e detyrimeve financiare që ky i fundit pretendon se i ka.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 arrestuan shtetasin T. R., 23 vjeç, pasi iu gjet me vete, 1 mjet prerës (thikë). Gjatë shoqërimit në ambientet e Policisë, 23-vjeçari ka kundërshtuar dhe ka goditur punonjësitë e policisë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin I. U., pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me grushte, shtetasin R. F.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-F. R., pasi dyshohet se ka kanosur shtetasin E. V., nëpërmjet thirrjeve/mesazheve telefonike;
-G. P., 34 vjeçe, pasi dyshohet se ka qëlluar me shpullë, shtetasen R. M., për motive të dobëta.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 7 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin Q. M., pasi dyshohet se ka kanosur kushërirën e tij.

Specialistët e qarkullimit rrugor:
-arrestuan shtetasin F. M., 66 vjeç, pasi dyshohet se me automjetin që drejtonte në gjendje të dehur, ka përplasur 3 automjete. Si pasojë pati vetëm dëme materiale;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin V. M., pasi me automjetin që drejtonte, ka përplasur këmbësoren, shtetasen V. B., 41 vjeçe, e cila është në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.

Më datë 30.03.2026, kallëzuan shtetasit I. S. dhe E. A., se iu kishin hapur llogari false, në rrjete sociale. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të rasteve.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Policia Rrugore e Dibrës

Monitorim intensiv me dronë, radarë dhe mjete inteligjente në të gjitha akset rrugore të qarkut, me qëllim parandalimin e ngjarjeve rrugore me pasoja, si dhe menaxhimin e trafikut.

Në mbështetje të patrullave të Policisë Rrugore të Dibrës, janë angazhuar edhe grupe nga Drejtoria e Policisë Rrugore.

✅ Si rezultat i monitorimit, gjatë 2 javëve të fundit të muajit mars, është arresruar në flagrancë 1 shtetas pasi u kap duke drehtuar automjetin në gjendje të dehur, si dhe janë ndëshkuar administrativisht 511 drejtues mjetesh, konkretisht:

● 148 drejtues automjetesh, për ndalim ose pushim të automjetit në kundërshtim me sinjalistikën rrugore;
● 156 drejtues mjetesh, për parakalime të gabuara;
● 28 drejtues mjetesh, për qarkullim me shpejtësi mbi normat e lejuara;
● 4 drejtues motomjetesh, për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse;
● 15 drejtues automjetesh, për mosvendosjen e rripit të sigurimit;
● 5 drejtues mjetesh, për drejtim të mjetit nën efektin e alkoolit;
● 6 drejtues mjetesh, për xhama të errët, të pahomologuar dhe pa dokumentacionin përkatës;
● 149 drejtues mjetesh, për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.

Policia Rrugore e Dibrës apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të tregojnë kujdes maksimal, pasi çdo shkelje mund të rrezikojë jetën e tyre dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës.

✅ Respektimi i rregullave të qarkullimit rrugor është detyrim për çdo përdorues të rrugës dhe një element thelbësor për parandalimin e aksidenteve, si dhe për garantimin e sigurisë për të gjithë.

Drejtoria Vendore e Policisë Dibër

Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore arrestuan në flagrancë shtetasin K.S, 38 vjeç, banues në Peshkopi, pasi u kap duke drejtuar automjetin tip “Audi”, në gjendje të dehur.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë

Specialistët e Sektorit të Trafikut Urban dhe Interurban të DVP Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasit:
-G. Gj., 41 vjeç, banues në Vlorë, pasi u konstatua duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur;
-E. S., 27 vjeç, banues në Sarandë, pasi u konstatua duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në Komisariatin e Policisë Sarandë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin F. M., 44 vjeç, banues në Sarandë, pasi ndaj tij ka bërë kallëzim shtetasi B. M., i cili pretendon se ky shtetas i ka përdorur të dhënat personale me qëllim përfitimi, duke falsifikuar dokumentet e banesës.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë referuan materialet në Prokurori, pasi në banesën e shtetasit L. Ll., 54 vjeç, në fshatin Panaja, janë vjedhur një automjet dhe një armë gjahu. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

Specialistët e Stacionit të Policisë Orikum referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin O. Sh., 41 vjeç, banues në Vlorë, pasi ka kryer punime pa lejen e organeve kompetente.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit e Policisë Sarandë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin K. P., 58 vjeç, banues në Ksamil, pasi ka kallëzuar shtetasja E. S., banuese në Ksamil, se ky shtetas ka shkelur urdhrin e mbrojtjes, duke e përndjekur, kanosur dhe fyer.

Më datë 30.03.2026, shtetasja N. K., banuese në fshatin Borsh, ka kallëzuar se është larguar nga banesa vajza e saj, shtetasja A. K., 30 vjeçe. Po punohet për gjetjen e saj.

Materialet procedurale iu referuan prokurorive kompetente, për hetime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor:
-arrestuan në flagrancë shtetasin E. K., 38 vjeç, banues në Durrës, pasi u kap në aksin rrugor “Korçë-Ersekë”, duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur;
-referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin R. S., 43 vjeç, banues në Korçë, pasi u kap në aksin rrugor “Qafë Thanë-Pogradec”, duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur;
-referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për një 17-vjeçar, banues në Korçë, pasi në bulevard “Republika”, në Korçë, me automjetin që drejtonte ka përplasur një automjet të parkuar dhe është larguar nga vendi i aksidentit. Pas verifikimit të kryer rezultoi se i mituri drejtonte automjetin, pa leje drejtimi.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë:
-arrestuan në flagrancë shtetasin E. L., 23 vjeç, banues në Korçë, pasi u kap nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, jashtë banesës, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës së Korçës, e cila i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;
-referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasen A. Z., 68 vjeçe, banuese në Korçë, pasi në lagjen nr. 1, Korçë, dyshohet se i ka vjedhur çantën një 34-vjeçareje, ku mbante celularin dhe një shumë parash. Gjatë kontrollit në banesën e shtetases A. Z., u gjetën një pjesë e shumës së parave dhe celulari i 34-vjeçares;
-referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit D. Sh., 18 vjeç dhe E. B., 30 vjeçe, pasi nga verifikimet e kryera, rezultoi se kjo shtetase kishte punësuar 18-vjeçarin në mënyrë të paligjshme. Gjithashtu gjatë kontrollit të celularit të tij u gjetën faqe për baste sportive. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua aparati celular;
-K. Xh., 30 vjeç, banues në fshatin Belorta, pasi u konstatua duke kryer punime ndërtimi pa leje.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin A. B., 50 vjeç, banues në fshatin Trestenik, Devoll, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera”. Ky shtetas është kapur nga shërbimet e DVP Korçë, në fshatin Trestenik, në afërsi të kufirit me shtetin grek, duke transportuar me mjet bujqësor (traktor me rimorkio), bombola me gaz freon, pa dokumentacionin përkatës. Mjeti dhe bombolat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Devoll:
-referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin Sh. G., 48 vjeç, banues në fshatin Kapshticë, Devoll, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka kanosur me një mjet prerës (thikë), shtetasin A. K.;
-referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasen A. K., 59 vjeçe, banuese në fshatin Miras, Devoll, sepse pas një konflikti verbal, dyshohet se ka qëlluar me shuplakë një 46-vjeçare.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Maliq:
-referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasen V. K., 36 vjeçe, banuese në fshatin Vreshtas, Maliq, pasi dyshohet se nuk ka lejuar ish-bashkëshortin e saj, që të takojë fëmijën e tyre të mitur, sipas vendimit të Gjykatës;
-referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin B. F., 60 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se me vetëgjyqësi, nuk lejon shtetasin F. F., të kalojë në pronën që ai posedon në fshatin Kakaç, Maliq.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.

Kolonjë/Më datë 30.03.2026, në fshatin Kreshovë, Kolonjë, ka rënë zjarr në automjetin e parkuar në pronësi të shtetasit M .L., banues në fshatin Qinam, Kolonjë. Nga veprimet hetimore të kryera, dyshohet se zjarri ka rënë aksidentalisht, si pasojë e një shkëndije elektrike.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan shtetasin J. V., 31 vjeç, banues në fshatin Dërmenas, Fier, pasi dyshohet se ka hyrë me forcë në banesën e një 31- vjeçareje dhe për motive të dobëta ka ushtruar dhunë ndaj saj.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë arrestuan shtetasin A. H., 25 vjeç, banues në Lushnjë, pasi u konstatua duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur, dhe gjatë shoqërimit, ka kundërshtuar me forcë punonjësit e Policisë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër

Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore arrestuan në flagrancë shtetasin A. P., 28 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi u konstatua duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin A. S., 55 vjeç, pasi u konstatua duke kryer punime ndërtimi, pa lejen përkatëse.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Dropull-Libohovë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin K. J., 66 vjeç, banues në fshatin Jorgucat, pasi mban me vetëgjyqësi, një objekt (magazinë) në pronësi të shtetasit V. M..

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.