Raporti i ngjarjeve, 31 korrik 2025

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 105 shtetas, konkretisht: 17 shtetas janë vënë në pranga, 70 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 18 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 15 raste, 13 prej tyre, në fushën e kultivimit, me autorë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 1 shtetas është ndaluar, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 9 raste. 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 13 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ekonomike, janë evidentuar 6 raste. 1 shtetas është arrestuar, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjes/tentativës për vjedhje të pronës dhe pasurisë janë evidentuar 10 raste, 2 prej tyre me autorë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 7 shtetas janë shpallur në kërkim.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 21 raste. 1 shtetas është vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 19 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 7 raste të dhunës në familje. 1 shtetas është vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë plotësuar 11 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-7 raste të pengimit të qarkullimit të mjeteve të transportit, me 7 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-5 raste të kalimit të kundërligjshëm të kufijve, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të largimit të të burgosurit nga vendi i qendrimit. 2 shtetas janë arrestuar dhe 1 shtetas është shpallur në kërkim;

-2 raste të krimeve kibernetike, njëri me autor/ë të paidentifikuar, ndërsa rasti tjetër me 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-2 raste të braktisjes së fëmijëve të mitur, për të cilat po hetohet për të identifikuar autorët;

-nga 2 raste të mosbindjes/kundërshtimit të punonjësve të Policisë dhe falsifikimit, secili me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-nga 1 rast i dhunimit të banesës dhe dhunimit të banesës, me nga 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-1 rast përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike, me autor/ë ende të paidentifikuar;

-nga 1 rast i mbajtjes pa të drejtë të uniformës, shpifja, trafikimi i mjeteve motorike dhe veprimeve në kundërshtim me vendimin e gjykatës, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

1 shtetas i kërkuar për plagosje të lehtë me dashje, është kapur.

1 shtetas i kërkuar për kultivim të bimëve narkotike në ambient të mbyllur, është kapur.

Kanë ndodhur 4 aksidente rrugore, si pasojë e të cilave kanë humbur jetën 3 shtetas dhe janë dëmtuar 5.

Janë kryer 13 vepra penale në fushën e qarkullimit rrugor. 7 shtetas janë vënë në pranga dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan

Kapet në Cërrik dhe vihet në pranga një 51-vjeçar që dyshohet se i vodhi celularin një pushuesi, në plazhin e Durrësit.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Cërrik, si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera mbi bazën e informacionit të shkëmbyer me strukturat e Policisë së Durrësit, bënë të mundur lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar të vjedhjes së një celulari në plazhin e Durrësit, shtetasit S. I., 51 vjeç, banues në Cërrik.

Ky shtetas dyshohet se më datë 28.07.2025, në plazhin e Durrësit, i ka vjedhur celularin shtetasit Sh. M., 42 vjeç, banues në Tiranë.

Celulari i vjedhur iu gjet shtetasit S. I. dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasit:
-S. Sh., 49 vjeç, pasi u kap duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi;
-E. Sh., 19 vjeç, pasi u kap duke drejtuar motomjetin, pa leje drejtimi.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Kibernetike referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin E. B., 37 vjeç, pasi ka shqetësuar me mesazhe në celular, shtetasin A. B., 38 vjeç.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Peqin referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin G. M., 31 vjeç, pasi dyshohet se gjatë natës, në lagjen “Çezme”, ka thyer xhamin e automjetit të shtetasit B. A., 35 vjeç, dhe ka vjedhur aty, një shumë parash. Po punohet për kapjen e 31-vjeçarit.

Më datë 30.07.2025, rreth orës 23:30, në aksin rrugor “Cërrik-Gramsh”, shtetasi O. K., 66 vjeç, duke drejtuar motomjetin, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe për pasojë motomjeti ka dalë nga rruga. Për shkak të dëmtimeve, drejtuesi i motomjetit ka humbur jetën.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë

Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 1:
-arrestuan shtetasin E. Ç., 27 vjeç, pasi u kap në cënim të masës së sigurisë “Arrest në shtëpi” të caktuar nga Gjykata;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit V. K., E. R., M. Sh dhe J. Sh, pasi në rrugën “Aleksandër Marteli” për motive të dobëta, janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin.

Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 2:
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit O. A dhe K. A, pasi në Rrugën e Dafinave, për motive të dobëta, janë konfliktuar me 2 shtetase;
-shpallën në kërkim shtetasin A. M., 55 vjeç, pasi dyshohet se me anë të mashtrimit i ka marrë një shumë parash një shtetase. Punohet për kapjen e tij dhe sqarimin e rrethanave të rastit.

Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 3 referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin A. N., 26 vjeç, pasi dyshohet se ka përndjekur një 21-vjeçare. Punohet për kapjen e tij dhe sqarimin e rrethanave të rastit.

Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 6:
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. C., 28 vjeç, pasi nuk i është bindur urdhërit të punonjësit të policisë për ndalimin e automjetit;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin B. S., 80 vjeç, pasi në fshatin Pezë e Madhe, dyshohet se nga pakujdesia ka djegur disa shkurre ngjitur me pronën e tij;
-referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin F. H., 44 vjeç si dhe shpallën në kërkim shtetasin E. H., 24 vjeç, pasi për motive të dobëta kanë goditur me sende të forta një 32-vjeçar. Punohet për kapjen e 24-vjeçarit.

Specialistët e qarkullimit rrugor:
-arrestuan shtetasin A. M., 32 vjeç, pasi u kap duke drejtuar automjetin në gjëndje të dehur;
-arrestuan shtetasin M. Sh., 36 vjeç, pasi u kap duke drejtuar automjetin pa leje.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor:
-arrestuan në flagrancë shtetasin E. L., 44 vjeç, banues në Lushnjë, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur;
-kapën shtetasin e shpallur në kërkim A. M., 73 vjeç, banues në Roskovec, pasi Gjykata e Fierit e ka dënuar me 1 muaj burgim, për veprën penale “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt”;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin A. Sh., 55 vjeç, banues në fshatin Rrapëz, pasi ditën e djeshme, në aksin rrugor “Lushnjë-Fier”, motomjeti që drejtonte, është përplasur me automjetin që drejtonte shtetasja S. U., 36 vjeçe, banuese në Tiranë. Për pasojë është dëmtuar 1 pasagjer në automjet dhe drejtuesi i motomjetit, të cilët pasi morën mjekim, u larguan në banesa.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mallakastër kapën shtetasin A. D., 30 vjeç, banues në fshatin Bulo, Gjirokastër, i cili ishte i shpallur në kërkim nga DVP Gjiroksatër, për veprën penale “Vjedhja”. Ky shtetas iu dorëzua shërbimeve të Stacionit të Policisë Dropull, për veprime të mëtejshme.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin B. H., 48 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj djalit të tij 21 vjeç.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Divjakë referuan materialet në Prokurori, për vlerësim të mëtejshëm, pasi ditën e djeshme, në fshatin Sopës, shtetasi T. K., 68 vjeç, gjatë punës për saldimin e portës në pronësi të shtetasit V. K., ka rënë nga lartësia e portës dhe si pasojë ka humbur jetën në spital.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Berat

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin B. Z., 43 vjeç, banues në Berat, pasi ka kallëzuar bashkëjetuesja e tij, se ka marrë kredi në emër të saj, pa qenë i autorizuar prej saj. Punohet për verifikimin e kallëzimit.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin S. D., 26 vjeç, banues në Poliçan, pasi iu gjet në automjet, një sasi e vogël Kokaine.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kuçovë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit S. D., 49 vjeç dhe E. M., 36 vjeç, të dy banues në Kuçovë, pasi ka kallëzuar një 54-vjeçare, se të dy e kanë dhunuar. Punohet për verifikimin e kallëzimit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë

Borsh/Në vijim të veprimeve për dokumentimin e aksidentit të ndodhur më 30.05.2025, në rrugën e Plazhit, Borsh, ku humbën jetën dy shtetas dhe u plagosën dy të tjerë, u arrestua në flagrancë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, drejtuesi i automjetit tip “Benz”, shtetasi M. Q., 29 vjeç, banues në Vlorë.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas, duke drejtuar automjetin tip “Benz”, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe është përplasur me një mjet të llojit furgon, që drejtohej nga shtetasi K. M., 66 vjeç, i cili së bashku me pasagjeren D. P., 70 vjeçe, ka humbur jetën në vendngjarje.

Drejtuesi shtetasi M. Q. dhe pasagjeri në automjetin e tij, shtetasi P. A., 23 vjeç, janë transportuar në QSUT, Tiranë, për ndihmë mjekësore të specializuar.

Ksamil/Në vijim të veprimeve hetimore lidhur me shpalljen në kërkim të një shtetasi hungarez, i cili më datë 28.07.2025, në Ksamil, dyshohet se ka vjedhur një portofol me një shumë parash dhe karta bankare të një shtetasi tjetër, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Kufitare në PKK Qafë Botë, gjatë tentativës për të dalë nga territori i Shqipërisë, ndaluan shtetasin:

A. S., 36 vjeç, banues në Hungari, i shpallur në kërkim për këtë ngjarje.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip Volkswagen, në pronësi të këtij shtetasi, u gjet dhe u sekuestrua një përforcues grushti metalik.

Materialet për të dy rastet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme procedurale.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë arrestuan në flagrancë shtetasin G. T., 23 vjeç, banues në Korçë, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata e Korçës, për veprën penale “Mashtrimi”.

Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin G. M., 66 vjeç, banues në fshatin Voskop, pasi dyshohet se nga pakujdesia, ka ndezur zjarr, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe toke me bimësi.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Maliq referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin E. B., 29 vjeç, banues në Pirg, pasi ka kallëzuar një 36-vjeçare, se ai i ka hyrë në oborrin e banesës, pa pëlqimin e saj.

Në vijim të informacionit të dhënë dje, për largimin nga banesa, të shtetasit A. B., 70 vjeç, banues në Libonik, me probleme të shëndetit mendor, bëjmë me dije se ky shtetas u gjet dje pasdite, në gjendje të mirë shëndetësore, dhe iu dorëzua familjarëve.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë

Specialistët për Hetimin e Krimeve Kibernetike referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin F. B., 37 vjeç, banues në Rrëshen, pasi ka kallëzuar ish-bashkëshortja e tij, shtetasja F. B., 40 vjeçe, se 37-vjeçari, në një llogari që administron, në rrjetin social “Facebook”, ka publikuar statuse me tekste fyese ndaj saj. Vijon puna për kapjen e shtetasit F. B..

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin N. P., 68 vjeç, banues në fshatin Krajen, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr për djegien e mbeturinave në tokën e tij dhe nga përhapja e flakëve janë djegur 15 pemë ulliri.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kurbin arrestuan në flagrancë shtetasin M. K., 39 vjeç, banues në fshatin Sanxhak, pasi ka kallëzuar ish-bashkëshortja e tij, shtetasja M. K., 29 vjeçe, se ai ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj, për motive të dobëta.

Shëngjin/Informacion paraprak-Më datë 30.07.2025, rreth orës 22:00, në spitalin e Lezhës, është dërguar nga familjarët, për mjekim, një fëmijë 2 vjeç. Sipas deklarimeve të familjarëve, fëmija është rrëzuar në një kënd lojërash, në ambientet e një kompleksi pushimi, në Shëngjin. 2-vjeçari është transportuar për ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës dhe është jashtë rrezikut për jetën. Po punohet për verifikimin e rrethanave të rastit.

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër identifikuan dhe shpallën në kërkim shtetasin K. Gj., 54 vjeç, banues në fshatin Brojë, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në fshatin Brojë dhe nga përhapja e tij është djegur një sipërfaqe toke me bimësi dhe shkurre. Punohet për kapjen e tij.

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për një 16-vjeçar, pasi duke drejtuar motomjetin, ka humbur kontrollin dhe si pasojë motomjeti është përplasur me murin rrethues të një banese. Nga aksidenti u dëmtuan lehtë 16-vjeçari dhe një 13-vjeçar që udhëtonte me të.

Në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër është paraqitur një shtetase 44 vjeçe, e cila ka kallëzuar se në rrjetin social “TikTok”, është hapur një llogari në të cilën janë postuar video me tekste fyese për të dhe të dhëna personale të saj. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.