Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Mirditë/Vijojnë kontrollet intensive të territorit dhe hetimet proaktive, në kuadër të planit operacional kombëtar të koduar “Territor i pastër”.
Identifikohet autori i dyshuar i kultivimit të 60 bimëve narkotike, në fshatin Lajthizë. Vijon puna për kapjen e tij.
Procedohen penalisht, për shpërdorim të detyrave, kryetari i fshatit Lajthizë dhe specialisti i pyjeve të zonës.
Asgjësohen nëpërmjet djegies, 60 bimët narkotike.
Si rezultat i një hetimi njëmujor, me metoda proaktive, të kryer në bashkëpunim me Prokurorinë e Lezhës, me qëllim përcaktimin e autorësisë së kultivimit të bimëve narkotike, në fshatin Lajthizë, Mirditë, Komisariati i Policisë Mirditë ka finalizuar një tjetër fazë të megaoperacionit të koduar “Territor i pastër”. Gjatë saj u gjetën të mbjella në këtë fshat, 60 bimë narkotike cannabis sativa, të cilat u asgjësuan nëpërmjet djegies. Gjithashtu, u identifikua autori i dyshuar i kultivimit të tyre, shtetasi A. Ll., 26 vjeç, banues në Lezhë, për lokalizimin dhe kapjen e të cilit, Policia vijon intensivisht punën.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasit A. Ll., 65 vjeç dhe Gj. Gj., 62 vjeç, përkatësisht kryetar i fshatit Lajthizë dhe specialist i pyjeve të zonës.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan
Komisariati i Policisë Elbasan arrestoi në flagrancë shtetasin A. S., 56 vjeç, banues në Elbasan, pasi dyshohet se për motive pronësie, ka ushtruar dhunë ndaj babait dhe vëllait të tij. Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin D. S., 22 vjeç, pasi dyshohet se gjatë konfliktit në familje, ka goditur me grushte xhaxhanë e tij, shtetasin A. S..
Komisariati i Policisë Gramsh referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin A. Ç., 38 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me grushte, 2 shtetas.
Sektori i Qarkullimit Rrugor referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-K. M., 22 vjeç, pasi u kap në vendin e quajtur “Kryqëzimi i xhamisë”, Gramsh, duke drejtuar motomjetin, pa leje drejtmi;
-G. K., 20 vjeç, banues në Tiranë, pasi pasditen e djeshme, në fshatin Bradashesh, automjeti që drejtonte ky shtetas, është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin K. Sh., 28 vjeç. Si pasojë është dëmtuar pasagjerja që udhëtonte në automjetin me drejtues shtetasin K. Sh., e cila është jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
-Në vijim të informacionit të dhënë më datë 28.08.2024, për largimin nga banesa të shtetasit A. B., 72 vjeç, iu informojmë se ky shtetas u gjet dhe iu dorëzua familjarëve të tij, në gjendje të mirë shëndetësore.
Tiranë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Xhamlliku”, nga Komisariati i Policisë Nr. 4.
Shantazhonin me anë të kanosjes për dhënie pasurie, arrestohen 3 shtetas.
Dokumentohen 2 ngjarje të kësaj natyre, kryer nga 3 autorët e dyshuar.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në çdo formë të shfaqjes së tyre, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Xhamlliku”.
Si rezultat i tij u ndalua shtetasi L. K., 20 vjeç, banues në Tiranë, si dhe 2 shtetas të moshës 16 dhe 17 vjeç, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 109/b i Kodit Penal.
Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se shantazhonin me anë të kanosjes, persona të ndryshëm, për dhënie pasurie, për shuma që varionin deri në 1000 €.
Gjatë hetimeve të kryera janë dokumentuar 2 raste të kësaj veprimtarie kriminale, me autorë të dyshuar 3 të ndaluarit.
Materialet i kaluan Prokurorisë.
Tropojë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Peraj”.
Theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, dhe posedonte 940 gramë cannabis sativa, në banesë, arrestohet 37-vjeçari.
Sekuestrohet lënda narkotike.
Komisariati i Policisë Tropojë, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve të DVP Kukës, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, me mbështetjen e informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, kanë organizuar në drejtimin e Prokurorisë dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Peraj”.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi A. P., 37 vjeç, banues në fshatin Peraj.
Ky shtetas është konstatuar nga shërbimet e Policisë, në një lokal, ndërkohë që ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Gjatë kontrollit në oborrin e banesës ku 37-vjeçari vuante masën e sigurisë, shërbimet e Policisë kanë gjetur 940 gramë lëndë narkotike cannabis sativa. Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës.
Shkodër/Vijon intensivisht megaoperacioni policor anticannabis, i koduar “Territor i pastër”.
Si rezultat i kontrolleve në terrene shumë të vështira malore, asgjësohen 3459 bimë kanabis dhe sekuestrohet mbi 8 kilogramë kanabis në formë boçeje.
Identifikohen dhe shpallen në kërkim babë e bir, pasi në oborr dhe në afërsi të banesës së tyre policia gjeti dhe sekuestroi 8 kilogramë e 256 gramë kanabis në formë boçeje.
Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar “Territor i pastër”, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, si dhe në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj kësaj veprimtarie kriminale, Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër dhe komisariatet në varësi të saj, kanë vijuar intensivisht kontrollet në terrene shumë të vështira malore në të gjithë territorin e qarkut.
Gjatë kontrolleve bazuar në pamjet filmike të siguruara gjatë monitorimeve me dron si dhe në inteligjencën policore u bë e mundur asgjesimi i 3459 bimëve narkotike kanabis dhe sekuestirmi i një sasi prej 8.256 kg kanabis në formë boceje.
Konkretisht në në fshatin Kasnec gjatë kontrollit të territorit në oborr dhe në afërsi të banesës së shtetasit N. Q., 66 vjeç, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 8. 265 kg lëndë e thatë e dyshuar narkotike kanabis sattiva në formë boçeje.
Për këtë rast Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Shkodër shpallën në kërkim shtetasin 66-vjecarin dhe djalin e tij 17 vjec.
Ndërkohë operacioni ka vijuar me kontrollet në terrene të vështira.
-Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër u asgjësuan në territoret e njësive administrative Pult, Shosh dhe Postribë, 1160 bimë të tjera kanabis;
-Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe u asgjësuan në territorin e njësisë administrative Kelmend, 691 bimë kanabisi;
-Ndërsa nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës u asgjësuan në territorin e njësisë administrative Shllak, 1608 bimë kanabis;
Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të kultivimit të këtyre bimëve narkotike.
Megaoperacioni “Territor i pastër” vijon.
Golem Kavajë/Policia e Kavajës kontrolle për zbatimin me rigorozitet të orarit për ndalimin e muzikës në orarin e përcaktuar, me qëllim garantimin e qetësisë së pushuesve.
Kishin vënë muzikë të lartë, gjatë natës, në një lokal në Golem dhe si pasojë kishin prishur qetësinë publike duke shqetësuar banorët, Policia procedoi penalisht menaxherin e lokalit.
Sekuestrohen disa pajisje që gjeneronin muzikë.
Shërbimet e Policisë gjatë kontrollove bazuar dhe në njoftimet e adresuara nga qytetarët për prishje të qetësisë publike, kanë konstatuar një lokal në Golem, ku kishte muzikë në tejkalim të nivelit dhe të orarit të përcaktuar, shkelje e cila përbënte shqetësim për banorët.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, kanë ndërhyrë menjëherë në lokal, për të ndaluar vijimin e muzikës dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale disa pajisje që gjeneronin muzikë.
Në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për menaxherin e lokalit, shtetasin K. G., 30 vjeç, banues në Tiranë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë administratorët e lokaleve të zbatojnë me rigorozitet orarin e ndalimit të muzikës pasi nuk do tolerohet asnjë rast dhe fton qytetarët të denoncojnë raste të prishjes së qetësisë publike duke ju garantuar ndërhyrje të menjëhershme konform ligjit.
Elbasan
Në zbatim të masave të përcaktuara në kuadër të planit operacional “Sundimi i ligjit” u finalizua operacioni policor i koduar “Deceit “.
Ndalohet një 51-vjeçar i shpallur në kërkim për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Si rezultat i kërkimeve dhe administrimit të informacioneve të inteligjencës policore, të kryera në vijim të megaoperacionit kombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”, me objektiv ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në bashkëpunim me forcën e Posaçme Shqiponja të DVP Elbasan finalizoi operacionin policor të koduar “Deceit”.
Në kuadër të operacionit u kap dhe u ndalua shtetasi në kërkim G. B., 51 vjeç, banues në Elbasan, pasi Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar Tiranë, me vendimin e datës 29.08.2024, ka urdhëruar ndalimin e tij, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi në muajin prill 2024, ka bashkëpunuar me dy punonjës të IMT Elbasan, për marrje rryshfeti, në lidhje me një objekt të ndërtuar pa leje.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar, për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit/Operacioni “Para drejtësisë”, ekstradohen në Turqi dhe në Itali, 3 shtetas të kërkuar ndërkombëtarisht.
I ekstraduari në Turqi, i dënuar me 4 vjet e gjysmë burgim, për 3 vepra penale.
2 të ekstraduarit në Itali, njëri i akuzuar për grabitje me armë, me pasojë, ndërsa tjetri i akuzuar për shfrytëzim për prostitucion dhe për kanosje.
Si rezultat i koordinimit të punës dhe bashkëpunimit ndërmjet Interpol Tiranës dhe strukturave homologe në Turqi dhe në Itali, u finalizuan procedurat për ekstradimin e 3 shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Konkretisht:
-u ekstradua në Turqi, shtetasi turk Koray Anic, 36 vjeç, pasi Gjykata e Stambollit, në vitin 2024, e ka dënuar me 4 vjet, 6 muaj e 5 ditë burgim, për rrëmbim, posedim të armëve të zjarrit dhe armëve shpërthyese dhe për kanosje;
-u ekstradua në Itali, shtetasi shqiptar M. L., 27 vjeç, i lindur në Dibër, pasi Gjykata e Torinos, në vitin 2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për grabitje me armë, me pasojë. Në vitin 2021, 27-vjeçari dyshohet se ka plagosur me armë zjarri pronarin e një banese në Itali, ku kishte hyrë për të vjedhur, së bashku me shtetas të tjerë;
-u ekstradua në Itali, shtetasi shqiptar A. A., 49 vjeç, i lindur në Skrapar, pasi Gjykata e Komos, në vitin 2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për shfrytëzim për prostitucion dhe për kanosje.
Operacioni “Para drejtësisë” vijon.
Durrës
Kërcënuan me sms për shkak të detyrës 62-vjeçarin, Policia kap dhe vë në pranga 5 shtetas si dhe procedon penalisht dy të tjerë.
Specialistët për hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:
R.L. 30 vjeç, P.S, 26 vjeç, B.S, 20 vjeç, S.S, 22 vjeç, dhe N.S, 57 vjeç, të gjithë banues në Krujë.
Si dhe u proceduan ne gjendje të lirë shtetasit A.S, 24 vjeç dhe A.S, 39 vjeç, të dy banues në Krujë.
Arrestimi dhe procedimi i tyre u bë pasi: Më datë 30.08.2024, rreth orës 21:30, kanë kërcënuar me anë të një mesazhi telefonik për shkak të detyrës shtetasin A.D, 62 vjeç, banues ne Durrës dhe më pas rreth orës 22:30, i kanë shkuar te banesa, me qëllim kërcënimin e tij.
Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë organizuan punën, duke lokalizuar, kapur dhe shoqëruar në Komisariat personat e dyshuar.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i pesë shtetasve dhe procedimi në gjendje të lirë i dy të tjerëve.
Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjitheshëm Durrës për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës” e kryer në bashkëpunim.
Berat
Veprime të thelluara hetimore për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në datën 26.08.2024, në rrugën e fshatit Dushnik, ku u qëllua me armë zjarri në drejtim të një automjeti, me qëllim vrasjen e drejtuesit të automjetit.
Identifikohet, kapet dhe ndalohet, shtetasi që largoi nga vendi i ngjarjes ku dogjën autmomjetin, autorët që qëlluan me armë në drejtim të automjetit që drejtohej nga 48-vjecari A. H.
Grupi i Posaçëm hetimor i Drejtorisë Vendore të Policisë Berat i ngritur për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mbasditen e datës 26.08.2024, në rrugën e fshatit Dushnik, ka vijuar intensivisht veprimet e thelluara hetimore në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Berat.
Si rezultat i veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në DVP Berat, identifikuan, kapën dhe vunë në pranga shtetasin I.T., 48 vjeç, banues në Divjakë.
Nga hetimet e thelluara procedurale rezultoi se 48-vjeçari ka përkrahur autorët e ngjarjes, duke i larguar ata me automjet nga fshati Kozare, ku u gjet i djegur automjeti i tyre.
Grupi i posaçëm hetimor vijon veprimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.
Tiranë
Ushtroi dhunë ndaj bashkëjetueses së tij, e cila si pasojë e dhunës tentoi të vetëvritej duke u hedhur nga kati i dytë i banesës, arrestohet 24-vjeçari.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas marrjes së njoftimit se mbrëmjen e djeshme rreth orës 23:30, një shtetase ishte vetëhedhur nga kati i dytë i banesës, menjëherë kanë organizuar punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e plotë ligjor të saj.
Në vijim të veprimeve hetimore të kryera, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasin E. H., 24 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Shkaktimi i vetëvrasjes” mbetur në tentativë, parashikuar nga nenet 130/a dhe 99 e 22 të Kodit Penal.
24-vjeçari dyshohet se mbrëmjen e djeshme, rreth orës 23:30 ka ushtruar dhunë ndaj bashkëjetueses së tij, e cila si pasojë e dhunës është vetëhedhur nga kati i dytë i banesës. Aktualisht ndodhet në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Materialet i kaluan Prokurorisë.
Policia e Shtetit
Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSh finalizon operacionin policor të koduar “Operacionalja 15”.
Kapet në Lezhë, një 28-vjeçar i akuzuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale në Itali, për trafikim të lëndëve narkotike.
Si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore dhe të shkëmbyera me partnerët në Itali, për vendndodhjen e një shtetasi shqiptar, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të Italisë, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, gjatë operacionit policor të koduar “Operacionalja 15”, kapi në Lezhë dhe vuri në pranga shtetasin A. Ll., 28 vjeç, i lindur në Pukë.
Në vitin 2023, Gjykata e Bolonjës i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në kuadrin e organizatës kriminale.
Gjatë muajit nëntor të vitit 2022, ky shtetas ishte pjesë e një organizate kriminale që merrej me trafikimin e dogave të forta si kokainë e heroinë, nga Belgjika në Itali.
Vijon bashkëpunimi ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, për ta ekstraduar këtë shtetas, në Itali.
Shkodër/Zbardhet ngjarja e ndodhur në lagjen “Skenderbeg” në oret e para të mëngjesit të datës 29.08.2024.
Si rezultat i veprimeve intensive hetimore, identifikohet dhe shpallet në kërkim 35-vjeçari që dyshohet se hodhi lëndë plasëse, në derën e një agjencie funerale, ditën e djeshme.
35-vjeçari, me precedent penal për armëmbajtje pa leje.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, si rezultat i veprimeve hetimore intensive të kryera për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mëngjesin e ditës së djeshme, në lagjen “Skenderbeg”, ku u hodh një sasi lënde plasëse në derën e agjencie funerale, kanë identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar të këtij rasti, shtetasin B. P., 35 vjeç.
Nga veprimet hetimore dyshohet se për shkak të një borxhi të pashlyer, ky shtetas ka hedhur në derën e agjencisë funerale në pronësi të bashkëshortëve F. F. dhe A. F., një sasi lënde plasëse, nga shpërthimi i së cilës u shkaktuan vetëm dëme materiale.
Vijon puna për kapjen e 35-vjeçarit dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 259 shtetas, konkretisht: 78 shtetas janë vënë në pranga, 160 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 21 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, vijon intensivisht puna nga ana e strukturave të Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 26 raste. 12 prej tyre, në fushën e kultivimit, janë me autorë të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera në këtë fushë, 4 shtetas janë vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 12 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 30 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 7 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 34 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 10 raste, 2 prej tyre me autorë të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 18 raste. 3 shtetas janë vënë në pranga, 5 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 12 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë/tentativat për vjedhje të pasurisë, janë evidentuar 14 raste, 8 prej tyre me autorë të paidentifikuar. 9 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë, për vjedhje të tjera.
Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me zjarr ose me mjete të ndryshme, janë evidentuar 23 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 21 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 35 raste- 17 shtetas janë vënë në pranga, 5 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 19 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 33 kërkesëpadi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Janë evidentuar:
-5 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 7 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-5 raste të veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 2 shtetas të shpallur në kërkim dhe 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-4 raste të veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar, ndërsa 3 rastet e tjera rezultojnë me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-3 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrave të punonjësve të Policisë, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-3 raste të veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 3 shtetas të vënë në pranga;
-3 raste të veprës penale “Dhunimi i banesës”, me 4 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-3 raste të veprës penale “Fyerja”, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-3 raste të veprës penale “Njoftimi i rremë në organet e rendit”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të kalimit të kundërligjshëm të kufirit shtetëror, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-1 rast i krimeve kibernetike, me autor/ë të paidentifikuar;
-1 rast i falsifikimit, me 1 shtetas të vënë në pranga;
-1 rast i veprës penale “Moskallëzimi i krimit”, me 1 shtetase të vënë në pranga;
-1 rast i veprës penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, me 3 shtetas të vënë në pranga;
-1 rast i veprës penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, me 2 shtetas të vënë në pranga;
-1 rast i veprës penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”, mbetur në tentativë, me 1 shtetas të vënë në pranga;
-1 rast i veprës penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”, me 1 shtetas të vënë në pranga;
-1 rast i veprës penale “Kanosja për shkak të detyrës”, me 5 shtetas të vënë në pranga dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-nga 1 rast i veprave penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Dhunimi i varreve”, “Keqtrajtimi i kafshës”, “Ngacmimi seksual”, “Veprime të dhunshme në aktivitetet sportive”, “Braktisja e fëmijëve të mitur”, “Peshkimi i ndaluar” dhe “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, me 10 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 8 shtetas të shpallur në kërkim, përkatësisht:
-2 për organizim të kundërligjshëm të lojërave të fatit;
-2 për krime kundër mjedisit/pronës;
-2 për mosbindje/kundërshtim të urdhrave të punonjësve të Policisë;
-1 për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”;
-1 për veprat penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”, mbetur në tentativë dhe “Përndjekja”.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 12 aksidente, si pasojë e të cilave 14 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 48 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, njëri prej tyre me autor të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 20 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 31 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.