Raporti i ngjarjeve, 30 prill 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Berat

Shiste doza kokaine, arrestohet në flagrancë 34-vjeçari.

Procedohet penalisht babai i tij, sepse iu gjetën në banesë 600 euro të dyshuara false.

Drejtoria Vendore e Policisë Berat, si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, në kuadër të megaoperacionit kombëtar antidrogë të koduar “Tempulli 2”, vuri në pranga shtetasin H. H., 34 vjeç, si dhe inicioi procedimin në gjendje të lirë për babanë e tij, shtetasin T. H., 66 vjeç, të dy banues në Berat.

Gjatë kontrollit në automjetin që drejtonte 34-vjeçari, u gjet një sasi lënde narkotike kokainë, e ndarë në doza, të gatshme për shitje, ndërsa në banesën e 66-vjeçarit u gjetën kartëmonedha me vlerë 600 euro, cilat dyshohet se janë të falsifikuara. Lënda narkotike dhe kartëmonedhat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Berat.

Tiranë

Plagosi me mjet prerës, një shtetas, gjatë një konflikti për motive të dobëta me të, kapet dhe vihet në pranga 32-vjeçari. 

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, pas marrjes së njoftimit se në rrugën “Kadri Roshi”, kishte ndodhur një konflikt gjatë të cilit ishte dëmtuar me mjet prerës një shtetas, kanë organizuar menjëherë punën për kapjen e autorit dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.  

Si rezultat, u kap dhe u arrestua shtetasi E. L., 32 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”. 

Nga veprimet hetimore dyshohet se 32-vjeçari, mbrëmjen e djeshme, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur me mjet prerës shtetasin V. B., 34 vjeç, banues në Tiranë, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.   

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Shkodër

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 28.04.2024, rreth orës 03:00, në lagjen “Tom Kola”, ku në portën e oborrit të banesës së shtetasit T. S., 62 vjeç, me detyrë Gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, është hedhur lëndë plasëse, ka ngritur një grup të posaçëm hetimor, me ekspertët më të mirë të DVP Shkodër dhe Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit.

Grupi i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, ka kryer një sërë veprimesh hetimore dhe procedurale, si dhe vijon punën intensivisht, për administrimin e çdo prove që do t’i shërbejë identifikimit të autorit/ëve, zbardhjes dhe dokumentimin të rrethanave të ngjarjes.

Krahas veprimeve intensive të grupit hetimor, Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e shtetasit që shfaqet në pamjet filmike të sekuestruara.

Për çdo informacion të vlefshëm që do t’i shërbejë hetimit, me qëllim identifikimin e autorit/ëve të rastit, DVP Shkodër vë në dispozicion shpërblimin 30 000 euro.

Kushdo që ka informacion duhet ta dërgojë në numrin 069 41 05 436. Policia e Shtetit iu garanton anonimat të sigurtë.

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër siguron qytetarët se është maksimalisht e angazhuar për të garantuar rend dhe siguri publike.

Kavajë

U kapën në flagrancë duke kryer punime ndërtimi, pa lejen e organeve kompetente, në një banesë trekatëshe, vihen në pranga 3 shtetas.        

Vihet në pranga edhe pronari i banesës ku po kryheshin punimet e paligjshme.       

Si rezultat i kontrolleve që po kryhen 24/7, me qëllim parandalimin dhe goditjen e rasteve të ndërtimeve pa leje, veçanërisht në zonat urbane dhe në ato bregdetare, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, të mbështetura nga informacionet e inteligjencës policore, evidentuan 1 rast të kësaj paligjshmërie, në fshatin Qerret.     

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestuan shtetasit: 

R. K., 59 vjeç, banues në Maminas, S. Ç., 49 vjeç, banues në Shijak, dhe B. Ç., 41 vjeç, banues në Durrës, pasi u kapën në flagrancë duke kryer punime ndërtimi, pa lejen e organeve kompetente, në një banesë trekatëse në fshatin Qerret;            

M. M., 64 vjeç, banues në Tiranë, pronari i banesës ku po kryheshin punimet e paligjshme.    

Vijojnë kontrollet dhe verifikimet për të konstatuar dhe goditur raste të tjera të ndërtimeve të paligjshme, si dhe të krimeve të tjera kundër mjedisit.               

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 88 shtetas, konkretisht: 23 shtetas janë vënë në pranga, 64 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe është shpallur në kërkim 1 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 5 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 12 raste- 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 14 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 2 raste- 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të krimeve kibernetike, me autorë ende të paidentifikuar.

Janë evidentuar 2 raste të falsifikimit- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 4 raste, 2 prej të cilave me autor/ë ende të paidentifikuar. 2 shtetas janëë proceduar në gjendje të lirë, për 2 vjedhjet e tjera.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 11 raste- 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 7 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-3 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-nga 1 rast i veprave penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Përndjekja”, “Prishja e qetësisë publike”, “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Marrja e padrejtë e fëmijës”, me 15 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i veprës penale “Ngacmimi seksual”, me 1 shtetas të vënë në pranga.

Kanë ndodhur 8 aksidente rrugore, me 2 viktima dhe 8 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 22 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 10 shtetas janë vënë në pranga dhe 13 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.