Raporti i ngjarjeve, 30 gusht 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Qarku Korçë

Komisariati i Policisë Maliq arrestoi në flagrancë shtetasin P. L., 71 vjeç, banues në fshatin Sheqeras, Maliq, pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një 9-vjeçare.

Komisariati i Policisë Pogradec referoi materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin E. T., 37 vjeç, banues në fshatin Velçan, Pogradec, pasi u kap në fshatin Proptisht, Pogradec, duke transportuar me furgon, 10 m sterë lëndë drusore të prerë në mënyrë të paligjshme. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lënda drusore dhe furgoni.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Korçë referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin V. T., 61 vjeç, banues në Greqi, pasi në dalje të RSh-së, automjeti tip “Toyota” që drejtonte rezultonte i shpallur në kërkim nga Interpol Bjellorusia. Automjeti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë/Arrestohen 8 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve ndaluan shtetasin M. H., 28 vjeç, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasit:

-L. B., 42 vjeç, dhe M. B., 21 vjeç, (babë e bir), pasi dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta, kanë ushtruar dhunë dhe goditur me mjet prerës shtetasin J. J., 26 vjeç (nipi i tyre). 26-vjeçari pasi ka marrë ndihmën mjekësore në spital, është larguar për në banesë;

-Z. Z., 43 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 5 ekzekutuan vendimin penal për shtetasin A. R., 26 vjeç, banues në Bathore, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë e ka dënuar me 3 muaj burgim për veprën penale “Vjedhja”.

Po nga këta specialistë u arrestua shtetasi D. K., 44 vjeç, banues në Bathore, pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një shtetase të mitur.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 7 arrestuan shtetasin F. K., 35 vjeç, banues në Marqinet, pasi gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës shtetasin Q. K., 58 vjeç (burrin e hallës së tij). 58-vjeçari ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.

Specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë arrestuan shtetasin A. K., 18 vjeç, banues në Tiranë, pasi është kapur duke drejtuar automjetin pa leje drejtimi dhe nuk i është bindur punonjësve të Policisë për të ndaluar.

Materialet i kaluan Prokurorisë.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda arrestoi shtetasin B. M., 21 vjeç, banues në fshatin Libofshë, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës (gërshërë), shtetasin H. F., 31 vjeç. Si pasojë e dëmtimeve, 31-vjeçari është në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Komisariati i Policisë Mallakastër arrestoi shtetasin I. B., 42 vjeç, banues në fshatin Hekal, pasi në një sipërfaqe toke, pronë publike, në afërsi të banesës së këtij shtetasi, u gjet e mbjellë, 1 bimë cannabisi.

Stacioni i Policisë Roskovec arrestoi shtetasin E. G., 39 vjeç, banues në Roskovec, pasi dyshohet se ka përndjekur një shtetase 39 vjeçe.

Sektori për Hetimin e Narkotikëve i DVP Fier referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin G. K., 19 vjeç, banues në Fier, pasi nga kontrolli fizik, iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi e vogël cannabisi.

Më datë 29.08.2024, në Komisariatin e Policisë Lushnjë, shtetasi G. K., 38 vjeç, banues në fshatin Golem i Madh, ka kallëzuar se i kanë vjedhur në banesë, një shumë parash dhe një unazë floriri. Po punohet për verifikimin e këtij kallëzimi, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Malësi e Madhe/Vijojnë kontrollet dhe hetimet proaktive, në kuadër të megaoperacionit policor antidrogë të koduar “Territor i pastër”.

Bashkëpunëtorë në kultivimin e 561 bimëve narkotike, në fshatin Fushë Zezë, vihen në pranga 3 shtetas (2 prej tyre vëllezër).

Si rezultat i hetimeve të kryera gjatë këtij muaji, me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, në vijim të megaoperacionit “Territor i pastër”, për goditjen e një rasti të kultivimit të bimëve narkotike, në fshatin Fushë Zezë, Malësi e Madhe, u arrestuan shtetasit E. K., 29 vjeç, S. K., 23 vjeç (vëllezër) dhe E. V., 20 vjeç.

Tre shtetasit janë kapur gjatë operacionit në aksin rrugor  Tamarë-Shkodër duke qarkulluar me dy automjete.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas kanë bashkëpunuar për të kultivuar 561 bimë narkotike në tokë publike, në fshatin Fushë Zezë, të cilat janë asgjësuar nga Policia, ditën e djeshme, me anë të djegies.

Ndërsa dy automjetet e përdorura nga autorët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

DVP Lezhë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Bet2024”.

Kishte përshtatur lokalin e marrë me qira në Laç, me 8 makineta, 18 kompjuterë dhe celularë, për organizim të kundërligjshëm të lojërave të fatit, arrestohet 35-vjeçari.

Në pranga dhe 1 shtetas që u kap duke luajtur në lokal.

Procedohet në gjendje të lirë, pronari i ambientit.

Policia ka sekuestruar pajisjet dhe një shumë parash, që i shërbenin kësaj veprimtarie të kundërligjshme.

Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se në një lokal në lagjen nr. 4, Laç, luheshin lojëra fati, me pajisje të ndryshme, Seksioni i Hetimit të Krimit Ekonomik, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit dhe me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, finalizuan operacionin policor të koduar “Bet2024”.

Gjatë ndërhyrjes në ambientet e lokalit, në kuadër të këtij operacioni, u vunë në pranga qiramarrësi i lokalit, shtetasi E. M., 35 vjeç dhe shtetasi Xh. V., 31 vjeç, i cili u kap në flagrancë, duke luajtur lojëra fati, në këtë ambient. Në vijim të operacionit nisi procedimi në gjendje të lirë për pronarin e lokalit, shtetasin P. L., 66 vjeç.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 95 shtetas, konkretisht: 28 shtetas janë vënë në pranga, 61 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 6 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 20 raste. Për 16 raste të kultivimit të bimëve narkotike, autorët janë ende të paidentifikuar, ndërsa për raste të tjera në fushën e narkotikëve, janë vënë në pranga 4 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 2 të tjerë.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 5 raste, 5 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 8 raste- 1 shtetas është vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 13 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të krimeve ekonomike, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 8 raste të vjedhjeve ose tentativave për vjedhje. 4 raste janë me autorë të paidentifikuar, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 2 shtetas të vënë në pranga, 2 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 12 raste me 12 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. 1 shtetas është ndaluar për një rast të mëparshëm në këtë fushë.

Janë evidentuar 9 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 5 shtetas janë vënë në pranga dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 16 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-8 raste të kalimit të kundërligjshëm të kufijve, me 8 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Ngacmimi seksual”, me 2 shtetas të vënë në pranga;

-2 raste të veprës penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të krimeve kibernetike, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar, ndërsa rasti tjetër me 1 shtetas të shpallur në kërkim. 1 shtetas tjetër i kërkuar për një rast të mëparshëm në këtë fushë, u kap nga Policia;

-1 rast i organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-nga 1 rast i veprave penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Përndjekja”, me nga 1 shtetas të vënë në pranga;

-nga 1 rast i veprave penale “Prishja e qetësisë publike”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”, me 4 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.

Është ndaluar 1 shtetas i kërkuar për veprën penale “Vetëgjyqësia” dhe për të ka nisur procedimi në gjendje të lirë.

Kanë ndodhur 6 aksidente rrugore, me 1 viktimë dhe 9 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 14 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 5 shtetas janë vënë në pranga dhe 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.