Raporti i ngjarjeve, 30, 31 korrik – 1 gusht 2025

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin L. Z., 43 vjeç, për veprën  penale “Fshehja e të ardhurave”, pasi u konstatua se transportonte pasagjerë, me automjetin e tij, pa e regjistruar këtë veprimtari në organet tatimore.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori, pasi dje, ka kallëzuar shtetasi F. M., 31 vjeç, se në afërsi të banesës së tij, është goditur fizikisht nga një shtetas që nuk e njeh. 31-vjeçari është në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit të rastit.

 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

 

Drejtoria Vendore e Policisë Dibër

 

Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasit:

-A. I., 57 vjeç, banues në Bulqizë, pasi u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.

-A.T., 21 vjeç, banues në Tiranë, pasi në aksin rrugor Gjoricë-Peshkopi, teksa drejtonte automjetin e tij në gjendje të dehur, ka humbur kontrollin dhe ka goditur një automjet tjetër, duke shkaktuar dëme materiale.

 

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit: R. M., 21 vjeç, banues në Durrës, dhe E. M., 23 vjeç, banues në Peshkopi, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjetën sasi lënde narkotike cannabis.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mat referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin F. K., 49 vjeç, banues në fshatin Fushë-Baz, Mat, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj vajzës së tij.

 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.

 

Kamëz/Finalizohet operacioni policor i koduar “The bag”.

 

U kapën në flagrancë me një çantë me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, që po e transportonin me qëllim shitjen në Tiranë, vihen në pranga 2 shtetas.

 

Sekuestrohet çanta me lëndë narkotike.

 

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, bazuar në informacionet e siguruara se dy shtetas do të transportonin një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, me qëllim shitjen, kanë organizuar operacionin policor të koduar “The bag”.

 

Si rezultat i operacionit u arrestuan shtetasit E. Ç., 18 vjeç dhe A. N., 26 vjeç.

 

Këta shtetas janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në fshatin Zall Mner, me një çantë me rreth 675 gramë lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, që dyshohet se po e transportonin në Tiranë, me qëllim shitjen.

 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

 

Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Rezultati”.

 

U kap në flagrancë duke vënë baste, në lokalin e tij në zonën e Xhamllikut, vihet në pranga 35-vjeçari.

 

Gjithashtu në pranga, administratori i lokalit dhe 3 shtetas, të cilët u kapën duke kryer të njëjtën veprimtari të kundërligjshme.

 

Sekuestrohen 6 celularë.

 

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të kontrolleve dhe punës hetimore, të kryera me qëllim konstatimin e ambienteve të përshtatura për organizim të kundërligjshëm të lojërave të fatit, finalizuar operacionin “Rezultati”, gjatë të cilit u vunë në pranga shtetasit Nj. P., 28 vjeç, A. Z., 35 vjeç, F. Ç., 41 vjeç, E. Ll., 36 vjeç dhe E. A., 24 vjeç.

 

Në lokalin në pronësi të 28-vjeçarit, që administrohej nga 35-vjeçari, në rrugën “Sadik Petrela”, u kapën këta të dy dhe 3 të arrestuarit e tjerë, duke vënë baste sportive, me celularë.

 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

 

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë

 

Në vijim të informacionit të dhënë më datë 30.08.2025, për aksidentin në aksin rrugor “Lezhë–Milot”, bëjmë me dije se shërbimet e Policisë Rrugore Lezhë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit R. D., 23 vjeç, banues në Lezhë, dhe F. P., 65 vjeç, banues në Ishull Shëngjin. Nga përplasja e automjetit me drejtues shtetasin F. P. me automjetin me automjetin me drejtues shtetasin R. D. është dëmtuar pasagjeri në automjetin e këtij të fundit, shtetasi M. V., 31 vjeç banues në Lezhë, i cili po mërr mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. M., 38 vjeç, banues në Lezhë, pasi në lagjen “Kolajakaj”, është konfliktuar fizikisht, për motive të dobëta, me shtetasit K. M., 18 vjeç, dhe L. M., 46 vjeç (kushërinj të tij).

 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

 

Durrës

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin A. L., 73 vjeç, banues në Durrës, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh ndaluan shtetasin M. M., 71 vjeç, banues në Durrës, pasi dje, ka kallëzuar një 21-vjeçare, se ai e ka ngacmuar seksualisht. Gjatë këqyrjes së celularit të shtetasit M. M. u konstatuan të hapura faqe për baste sportive.

 

Specialistët e Qarkullimit Rrugor të DVP Durrës:

-arrestuan në flagrancë shtetasit A. A., 50 vjeç dhe M. Sh., 38 vjeç, të dy banues në Durrës, pasi u kapën duke drejtuar automjetet përkatëse, në gjendje të dehur;

-ndaluan shtetasin në kërkim F. Gj., 48 vjeç, banues në Hamallaj, pasi Gjykata e Durrësit e ka dënuar me 6 muaj burgim, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

 

Në Komisariatin e Policisë Kavajë ka kallëzuar shtetasi Gj. E., 42 vjeç, banues në Kavajë, se është larguar nga banesa, vajza e tij, shtetasja D. E.., 17 vjeçe. Po punohet për gjetjen e saj.

 

Në Komisariatin e Policisë Durrës ka kallëzuar shtetasi G. Xh., 48 vjeç, banues në Durrës, se është larguar nga banesa, nipi i tij, shtetasi A. Xh., 21 vjeç. Po punohet për gjetjen e tij.

 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.

 

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Divjakë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin Sh. Xh., 31 vjeç, banues në fshatin Çermë e Sipërme, pasi gjatë kontrollit në automjetin që ai drejtonte, u gjetën 1 sëpatë dhe 1 thikë, të cilat u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin E. Q., 35 vjeç, banues në Lushnjë, pasi dyshohet se ka hedhur sende të forta në fushën e lojës, gjatë ndeshjes së futbollit “Lushnja-Skenderbeu”.

 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë

 

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasit:

E. K., 36 vjeç, banues në fshatin Vërdovë, pasi u kap duke drejtuar motomjetin, në gjendje të dehur dhe pa leje drejtimi;

L. B., 41 vjeç, banues në fshatin Zëmblak, pasi nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë, për të ndaluar automjetin, të cilin rezultoi se e drejtonte në gjendje të dehur.

 

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë arrestuan në flagrancë shtetasit:

F. S., 31 vjeç, banues në Korçë, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, që i kishte caktuar Gjykata e Korçës, duke dalë nga banesa;

G. A., 44 vjeç, banues në Korçë, dhe referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal për shtetasin A. R., 49 vjeç, pasi 44-vjeçari dyshohet se ka vjedhur në hyrjen e një pallati, një lavatriçe, të cilën më pas ia ka blerë 49-vjeçari.

 

Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal për shtetasin L. B., 57 vjeç, banues në Korçë, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka kanosur një 32-vjeçar;

-shpallën në kërkim shtetasin E. R., 26 vjeç, banues në Pogradec, pasi dyshohet se ka vjedhur një çantë në një dyqan në lagjen nr.3, Korçë.

 

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi ka kallëzuar një 49-vjeçare, se shtetasi M. L., 69 vjeç, ka ushtruar psikologjike ndaj saj.

 

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi ka kallëzuar një 15-vjeçare, se nëna e saj, shtetasja S. K., 34 vjeçe, ushtron dhunë psikologjike ndaj saj.

 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

 

Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Wrong calculation”.

 

Vodhën në mobilierinë ku punonin, materiale pune, prodhuan mobilie dhe i shitën pa i deklaruar, vihen në pranga 2 shtetas, procedohen penalisht 2 bashkëpunëtorët e tyre.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në kuadër të veprimeve hetimore të kryera mbi kallëzimin e adiministratores së një kompanie me veprimtari në fushën e prodhimit dhe tregtimit të mobilieve, për vjedhje nga disa punonjës, organizuan dhe finalizuan në drejtimin e Prokurorisë, operacionin policor të koduar “Wrong Calculation”.

 

Si rezultat i operacionit:

-u ndaluan shtetasit S. M., 31 vjeç, dhe F. B., 35 vjeç, me detyra respektive magazinier dhe përgjegjës në një mobilieri;

-nisi procedimi penal për shtetasit K. D., 47 vjeç dhe O. D., 32 vjeç, me detyra përgjegjesa në mobilieri.

 

Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke shpërdoruar detyrat, kanë vjedhur materiale pune, kanë prodhuar mobilie me to dhe i kanë shitur ato, pa i deklaruar. Ata i kanë shkaktuar kompanisë, 16 milionë lekë të rinjë dëm.

 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

 

Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Memaliaj shpallën në kërkim shtetasin A. K., 37 vjeç, banues në fshatin Xhafaj, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”. Punohet për kapjen e tij.

 

Gjatë natës, është thyer xhami i derës së godinës që ka shërbyer si shkollë, në fshatin Kordhoc, Lazarat. Punohet për përcaktimin e shkakut të dëmtimit.

 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Tiranë

 

Penguan qarkullimin në Unazë të Madhe, pasi ndaluan automjetet e destinuara për ceremoni martesore, procedohen penalisht 2 shtetas dhe punohet për shoqërimin e personit të tretë.

 

Vijojnë kontrolle për kapjen dhe identifikimin e drejtuesve të 4 automjeteve të tjera, të përfshirë në këtë rast.

 

Gjithashtu, punohet për sekuestrimin e automjeteve, të cilat nga verifikimet e deritanishme rezultojnë të marra me qira.

 

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Rrugore, si rezultat i administrimit të disa pamjeve filmike të publikuara më datë 24.08.2025, në të cilat shfaqeshin disa automjete të dekoruara për ceremoni martesore, të ndaluara në Unazë të Madhe, të cilat kishin penguar qarkullimin në këtë aks, kanë mundësuar identifikimin e disa prej shtetasve të implikuar në këtë paligjshmëri.

 

Konkretisht, u identifikuan 3 shtetas, E. D., 36 vjeç dhe D. M., 22 vjeçe, për të cilët nisi procedimi penal në gjendje të lirë, dhe Xh. A., 28 vjeç, i cili u shpall në kërkim. Punohet për kapjen e tij.

 

Më tej, vijojnë verifikimet dhe kontrollet, për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të 4 shtetasve të tjerë të implikuar në këtë rast, si dhe për gjetjen dhe sekuestrimin e automjeteve të përdorura.

 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

 

Policia e Shtetit apelon sërisht, për të gjithë qytetarët, që të respektojnë rregullat e qarkullimit në rrugë dhe të mos pengojnë lëvizjen normale të përdoruesve të rrugës, pasi do të përballen me ndëshkimet që parashikon Kodi Penal.

 

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë

 

Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban Vlorë dhe Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasit:

-G. H., 57 vjeç, banues në Tiranë, pasi është konstatuar nga shërbimet, në rrugën “Sazani” duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur;

-I. T., 58 vjeç, banues në Vlorë, pasi në rrugën “Ali Demi”, duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, është përfshirë në një përplasje me dëme materiale me një tjetër automjet, me drejtuese shtetasen Xh. R., 34 vjeçe;

-V. Sh., 41 vjeç, banues në Belgjikë, pasi është konstatuar në rrugën “Butrinti” duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.

 

Gjithashtu, nga këta specialistë u referuan materiale në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin P. N., 25 vjeç, banues në Sarandë, pasi më datë 31.08.2025, në rrugën “Gjergj Araniti”, Sarandë, duke drejtuar motomjetin ka përplasur këmbësoren Sh. Ç., 72 vjeçe, banuese në Sarandë. Të dy këta shtetas kanë marrë lëndime dhe pas ndihmës mjekësore në spital, janë larguar në banesë.

 

Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

 

Korçë/Zbardhet dinamika e konfliktit të ndodhur mbrëmjen e djeshme, në një lokal, ku mbetën të plagosur me mjet prerës (thikë), 2 shtetas.

 

Identifikohen dhe vihen në pranga 10 shtetasit që u konfliktuan me njëri-tjetrin, për motive të dobëta.

 

Shpallet në kërkim 1 shtetas tjetër i përfshirë në konflikt.

 

Procedohet penalisht pronari i lokalit ku ndodhi konflikti, pasi kishte punonjës të paregjistruar në organet kompetente.

 

Mbrëmjen e djeshme, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në lagjen nr.1, Korçë, në ambientet e një lokali, po ndodhte një konflikt, shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë shkuan në vendngjarje, për të parandaluar përshkallëzimn e konfliktit. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë, u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi i shtetasve të përfshirë në konflikt, konkretisht:

 

-D. P., 54 vjeç, banues në Korçë, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, “Plagosja e rëndë me dashje”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Shkatërrimi i pronës”, “Deklarimi i rremë para oficerëve të policisë gjyqësore”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”;

 

-P. R., 28 vjeç, I. Sh., 51 vjeç, R. K., 21 vjeç, S. A., 21 vjeç, M. Zh., 31 vjeç, S. M., 25 vjeç, G. D., 37 vjeç,  S. Sh., 31 vjeç, dhe M. L.  29 vjeç, të gjithë banues në Korçë, për veprat penale  “Plagosja e rëndë me dashje”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Shkatërrimi i pronës”, “Deklarimi i rremë para oficerëve të policisë gjyqësore” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

 

Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi E. K., 38 vjeç, banues në Korçë, i dyshuar i përfshirë në konflikt.

 

Këta shtetas janë konfliktuar fizikisht dhe me sende të forta me njëri-tjetrin, duke prishur qetësinë publike dhe duke shkaktuar dëme materiale në lokal. Gjatë  veprimeve procedurale, ata kanë dhënë deklarata të rreme përpara punonjësve të Policisë.

 

Në vijim të veprimeve për rastin u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për pronarin e lokalit ku ndodhi konflikti, shtetasin R. I., 45 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale “Punësimi i paligjshëm”, pasi nga verifikimet rezultoi se kishte punonjës të paregjistruar në organet kompetente.

 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.

 

 

Port Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Smartphone”, për goditjen e kontrabandës së mallrave.

 

Tentoi të kontrabandonte 49 celularë (iPhone), që i kishte fshehur në kabinën e kamionit, kapet në flagrancë nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe vihet në pranga 53-vjeçari.

 

Në vijim të kontrolleve intensive në hyrje/dalje të territorit, shërbimet e Policisë Kufitare të Portit të Durrësit, mbi bazën e analizës së riskut dhe kundër paligjshmërive në kufi, finalizuan operacionin policor “Smartphone”, si rezultat i të cilit u godit një rast në fushën e kontrabandës së mallrave.

 

Për këtë rast u arrestua në flagrancë shtetasi kosovar S. I., 53 vjeç, banues në Kosovë.

 

Në Port Durrës, në hyrje, shërbimet e Policisë Kufitare, gjatë kontrollit në automjetin që drejtonte shtetasi S. I, gjetën të fshehura në kabinë, 49 celularë (iPhone), për të cilët ky shtetas nuk kishte fatura blerjeje.

 

49 celularët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me kamionin dhe 2 celularë që përdorte shtetasi S. I.

 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Gjirokastër/Punonjësit e Policisë dhe shërbimet zjarrfikëse iu shkojnë në ndihmë 3 shtetasve që kishin mbetur të bllokuar në malin mbi fshatin Ndëran, Zagori. Gjatë eksplorimit të zonës, njëri prej tyre kishte rënë në përrua dhe e kishte të pamundur lëvizjen.

 

Salla operative e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër ka marrë njoftimin se në malin mbi fshatin Ndëran, njësia administrative Zagori, 3 shtetas, duke eksploruar me këmbë zonën, kishin mbetur të bllokuar pasi njëri prej tyre ishte rrëzuar në përrua.

 

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër dhe të Stacionit të Policisë Dropull-Libohovë, në bashkëpunim me  shërbimet zjarrfikëse, emergjencat civile dhe me ekipin mjekësor, u nisën në drejtim të zonës ku kishin mbetur të bllokuar 3 shtetasit. Shtetasi 70 vjeç që kishte rënë në përrua u nxorr nga aty në gjendje të mirë shëndetësore, iu dha ndihma e parë dhe më pas u transportua për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal Gjirokastër.

 

3 shtetasit falënderuan shërbimet e Policisë dhe shërbimet e tjera, për përkushtimin dhe humanizmin e treguar, si dhe për ndihmën e dhënë në kohë rekord.

 

Policia e qarkut Gjirokastër është e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve, dhe i fton ata që për çdo rast nevoje për ndihmë, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.

 

Kurbin/Vijon operacioni policor i koduar “Koordinata”, kundër kultivimit të bimëve narkotike.

 

Goditen 2 raste të kultivimit të bimëve narkotike, në fshatin Zhej. Asgjësohen 221 bimë narkotike, sekuestrohen 30 fara të kësaj bime.

 

Vihen në pranga 2 shtetas, shpallet në kërkim 1 tjetër, autorë të dyshuar të kultivimit të bimëve narkotike.

 

Gjatë kontrolleve në territor, në vijim të operacionit policor “Koordinata”, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, goditën 2 raste të kultivimit të bimëve narkotike në fshatin Zhej, njësia administrative Mamurras. Për këto raste:

 

– u arrestua shtetasi I. S., 45 vjeç, i cili u kap në flagrancë duke u kujdesur për 25 bimë narkotike që kishte kultivuar në oborrin e banesës;

 

-u shpall në kërkim shtetasi P. P., 64 vjeç dhe u vu në pranga bashkëshortja e tij, shtetasja A. P., 56 vjeçe, pasi dyshohet se kanë kultivuar 196 bimë narkotike në oborrin e banesës së tyre. Gjatë kontrollit në banesën e tyre, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 108 fara të bimës narkotike Cannabis Sativa.

 

Operacioni antikanabis i koduar “Koordinata” vijon në të gjithë territorin.

 

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë

 

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve arrestuan shtetasin A. M., 30 vjeç, si dhe referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin D. R., 32 vjeç, pasi shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” i gjetën 30-vjeçarit, një sasi Cannabisi, ndërsa 32-vjeçarit, një mjet prerës (thikë).

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1:

-arrestuan shtetasin E. Ç., 27 vjeç, pasi u kap jashtë banese, duke qenë me masë sigurie “Arrest në shtëpi”;

-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasen A. L., 35 vjeçe, kujdestare në një qendër rezidencale për fëmijë, pasi dyshohet në bazë të disa pamjeve filmike të publikuara në një portal, ka konsumuar elementët e veprës penale”Keqtrajtimi i të miturit”. Vijojnë hetimet për dokumentimin e rrethanave dhe përgjegjësive në lidhje me rastin.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 arrestuan shtetasin S. M., 25 vjeç, pasi ka kallëzuar përfaqësuesi i një objekti kulti, se e ka përndjekur dhe ka penguar besimtarë të hynë në objekt.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3:

-arrestuan shtetasin Sh. K., 29 vjeç, pasi dyshohet se ka vjedhur një biçikletë;

-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit S. I., 27 vjeç, F. P., 21 vjeçe, S. H., 22 vjeç dhe R. K., 30 vjeç, pasi dyshohet në bazë të disa pamjeve filmike të publikuara në një portal, se për motive të dobëta, janë konfliktuar fizikisht, në rrugën “Hysni Gërbolli”, si dhe i kanë bllokuar me automjete, lëvizjen, njëri-tjetrit. Gjithashtu, dyshohet se gjatë konfliktit, shtetasi R. K. ka dëmtuar automjetin që përdorte 27-vjeçari.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin S. A., 52 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka kanosur bashkëshortin e vajzës së tij.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin D. K., 23 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobtëa, ka kanosur me mjet prerës, fqinjin.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 arrestuan shtetasin E. H., 28 vjeç, pasi dyshohet se ka dhunuar babanë e tij.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 7 shpallën në kërkim shtetasin E. L., 48 vjeç, pasi ka kallëzuar një 52-vjeçar, se për motive të dobëta, e ka kanosur dhe goditur. Si pasojë, 52-vjeçari është dëmtuar lehtë. Punohet për kapjen e shtetasit E. L., si dhe për sqarimin e rrethanave të rastit.

 

Specialistët e qarkullimit rrugor:

-arrestuan shtetasin V. C., 32 vjeç, pasi u kap duke drejtuar automjetin, pa leje;

-arrestuan shtetasin A. R., 50 vjeç, pasi motomjeti që dyshohet se drejtonte pa leje dhe në gjendje të dehur, është përplasur me një automjet. Si pasojë, pati vetëm dëme materiale;

-arrestuan shtetasen E. P., 24 vjeçe, pasi me automjetin që drejtonte, ka përplasur këmbësorin, shtetasin M. H., 84 vjeç, i cili është në kujdesin e mjekëve;

-arrestuan shtetasin I. V., 35 vjeç, pasi ka humbur kontrollin mbi automjetin që drejtonte pa leje dhe si pasojë automjeti ka dalë nga rruga. Nga aksidenti është dëmtuar pasagjeri në këtë automjet, shtetasi P. Gj., i cili është në kujdesin e mjekëve;

-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. K., 44 vjeç, pasi dyshohet se ka humbur kontrollin mbi motomjetin që drejtonte dhe si pasojë motomjeti ka dalë nga rruga. Nga aksidenti është dëmtuar 44-vjeçari, i cili është në kujdesin e mjekëve.

 

Pas publikimit të një videoje në një portal, në të cilën shfaqet një shtetas që pengon qarkullimin në zonën e liqenit të Pakuqanit, nisën verfikimet e nevojshme, në përfundim të të cilave rezultoi se shtetasi që shfaqet në video, H. K., 34 vjeç, i ka kryer këto veprime, në gjendje të dehur. Ai u shoqërua në spital, për të marrë asistencën e nevojshme, dhe më pas në banesë.

 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Vlorë/Informacion paraprak

Sot, rreth orës 14:15, në aksin rrugor Fier-Vlorë, në vendin e quajtur “Kripa”, një automjet tip “Dacia”, me drejtues shtetasen italiane A. T., 28 vjeçe, është përplasur me një mjet tip kamionçinë, me drejtues shtetasin F. H., 62 vjeç, i cili nga goditja është përplasur me barrierat anësore të rrugës.

Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i kamionçinës ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa pasagjeri që udhëtonte në këtë mjet, shtetasi A. M., ka mbetur i dëmtuar rëndë dhe ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.