Raporti i ngjarjeve, 30.01.2026

Sarandë

Finalizohet operacioni i koduar “Meantime”, goditet një rast i shitjes së lëndëve narkotike.

Kapet në flagrancë me një sasi lënde narkotike kanabis të ndarë në doza gati për shitje, vihet në pranga 30-vjeçari.

Sekuestrohen lënda narkotike, 1 peshore elektronike dhe automjeti i të arrestuarit.

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Komisariatit të Policisë Sarandë organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Meantime”, si rezultat i të cilit u arrestua shtetasi:

-A. M., 30 vjeç, banues në Sarandë.

Ai u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, ndërkohë që qarkullonte me automjet, në qytetin e Sarandës, dyshohet me qëllim shitjen e dozave të kanabisit.

Sasia e lëndës narkotike kanabis që iu gjet në automjet dhe një sasi tjetër që iu gjet në banesë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin dhe 1 peshore elektronike.

Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin J. Gj., 22 vjeç, banues në Vlorë, pasi u kap duke shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të vendosur nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë.

Më datë 29.01.2026, shtetasi A.M ka kallëzuar se i kanë vjedhur një shumë parash në dyqanin e tij. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan shtetasin M. M., 71 vjeç, banues në Fier, pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një shtetase të mitur.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë arrestuan shtetasin P. G., 49 vjeç, banues në Lushnjë, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje.
Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin A. F., 59 vjeç, banues në Fier, pasi dyshohet se i ka vjedhur një shumë parash një shtetaseje në automjetin e saj.

Specialistët për Hetimim e Narkotikëve të DVP Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-A. K., 41 vjeç, banues në fshatin Çermë, Divjakë, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën një sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike kokainë;
-E. K., 24 vjeç, banues në Lushnjë, pasi gjatë kontrolli fizik, shërbimet e Policisë i gjetën një sasi të vogël lënde e dyshuar narkotike kanabis;
-një 17-vjeçar, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetë një përforcues grushti, ndërsa gjatë kontrollit në banesë i gjetën 1 përforcues grushti, 2 shufra metalike, 1 shkop bejzbolli dhe 1 mjet prerës (thikë).
Lënda narkotike dhe armët e ftohta u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Specialistët e qarkullimit qrugor të DVP Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin R. S., 19 vjeç, banues në Lushnjë, pasi drejtonte automjetin, pa leje drejtimi.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mallakastër referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasen F. Y., 31 vjeçe, banuese në Ballsh, pasi ka hyrë në banesën e vjehrrës së saj, e cila është e pajisur me urdhër mbrojtjeje ndaj 31-vjeçares.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

Komisariati i Policisë Rrugore Tiranë/72 orë intensive, në të gjitha akset e kryeqytetit.

Fokus i këtij plani të posaçëm masash, evidentimi i: mosrespektimit të rradhës në trafik ; mosvënies së kaskës mbrojtëse gjatë drejtimit të motomjetit ; bërjes drift me automjet ; pengimit të qarkullimit .

Në zbatim të planit, shërbime të Policisë Rrugore të Tiranës, të pajisur me pajisje logjistike bashkëkohore, gjatë 72 orëve të fundit, janë planëzuar në pika kyçe të kryeqytetit, si dhe kanë kryer verifikime intensive rreth rasteve të shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor, që publikohen në rrjete sociale.

Për mosrespektim të rradhës në trafik, mosvënie të kaskës dhe pengim të qarkullimit, u vunë 237 masa administrative dhe u ngritën me mjet ngritës, 29 automjete.

Ndërkaq, janë identifikuar shtetas që duke bërë drift me automjete, kanë cenuar jetën e qytetarëve dhe kanë prishur qetësinë publike (disa raste janë publikuar në rrjete sociale). Për ta po vijojnë veprime procedurale, për të marrë masat e duhura në bazë të Kodit Rrugor dhe atij Penal.

Monitorimi vijon.

Policia Rrugore iu bën apel drejtuesve të automjeteve, që të tregojnë përgjegjësi maksimale, të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe sinjalistikën rrugore, si dhe të shmangin çdo manovër në rrugë, që cenon sigurinë.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kolonjë arrestuan në flagrancë shtetasit E. Sh., 29 vjeç dhe E. N., 35 vjeç, banues në Ersekë, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”. Këta shtetas dje, në lagjen nr.1, Ersekë, janë konfliktuar me njeri-tjetrin. Më pas 35-vjeçari është konfliktuar edhe me shtetasen N. Sh., 41 vjeçe, banuese në Ersekë. Në momentin kur kanë shkuar shërbimet e Policisë për të neutralizuar situatën, dy shtetasit E. Sh., dhe E. N., për shkak të detyrës, kanë kundërshtuar punonjësit e policisë së rendit publik.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-N. Q., banues në Durrës, për veprën “Ndërtimi i paligjshëm”;
-A. K., 54 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka kanosur një shtetas, me mjet prerës.

Gjithashtu, këta specialistë referuan materialet në Prokurori, për vlerësim të kallëzimit të shtetasit E. K., se ndiqej me automjet, prej ditësh. Menjëherë pas kallëzimit, janë kryer verifikimet e nevojshme, nga të cilat ka rezultuar se automjeti i pretenduar ishte në pronësi të shtetasit A. F., 60 vjeç. 60-vjeçari ka deklaruar se nuk ka konflikt me shtetasin E. K. dhe se ka ndjekur me automjet, itinerarin e vet, dhe nuk ka qarkulluar me qëllimin ndjekjen e ndonjë shtetasi.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin Xh. M., 54 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se ka mashtruar një shtetase, në lidhje me një shumë parash të marra borxh.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policise Kavajë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për një 15-vjeçar, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka kanosur 2 bashkëmoshatarë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.

DVP Dibër

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Dibër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:

S.Z., 41 vjeç, banues në fshatin Staravec, pasi për motive të dobëta është konfliktuar verbalisht dhe ka shtyrë, duke e lënë të dëmtuar lehtë, shtetasin L.R.

R.S., 31 vjeç, banues në Peshkopi, pasi u kap duke transportuar me një mjet furgon një sasi lënde drusore, që dyshohet se është prerë në mënyrë të paligjshme.

A.S., 26 vjeç, banues në Peshkopi, pasi, për shkak të një konflikti të mëparshëm, ka kanosur me fjalë shtetasin I.S.

A.P., 59 vjeç, banues në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi, me anë të vetëgjyqësisë, i ka penguar shtetasit A.P. rrugën e kalimit për në banesën e tij.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Dibrës, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin N. M., banues në fshatin Bardhaj, pasi u kap duke drejtuar pa leje drejtimi, një motomjet dhe pa targë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-D. K., 45 vjeç, pasi më datë 28.01.2026, në ambientet e Spitalit Rajonal Shkodër, është konfliktuar për motive të dobëta, me shtetasin kosovar N. G., 47 vjeç;
-Gj. P., 40 vjeç, pasi ka kryer punime ndërtimi, pa leje.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Shkodër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin E. S., 41 vjeç, banues në Vermosh, për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë” dhe “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, pasi më datë 28.01.2026, nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë Kufitare në Pikën e Kalimit Kufitar Bashkim, për të kryer procedurat e regjistrimit në hyrje të RSH-së.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve arrestuan shtetasit:
-K. M., 22 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” i gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike Kanabis, e cila u sekuestrua me cilësinë e provës materiale;
-F. V, 27 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 i gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike Kokaine, e cila u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetaset e huaja, A. B., D. M. dhe J. A., pasi dyshohet se secila ushtronte prostitucion, në 3 apartamente të marra me qira.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2 bënë ekzekutimin e vendimit të Gjykatës për ndalimin e shtetases J. H., 23 vjeçe, të cilën e ka dënuar me 4 muaj burgim për veprën penale “Vjedhja”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin L. K, pasi nuk i është bindur urdhërit të punonjësit të policisë për të ndaluar automjetin që drejtonte.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 kapën e ndaluan personin në kërkim shtetasin E. M(L)., 24 vjeç, pasi me datë 15.01.2026, ka vjedhur një shumë parash në kompaninë ku ishte i punësuar.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-K. R., pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij;
-F. B, pasi dyshohet se për motive të dobëta ka kanosur dhe goditur një shtetase.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-A. Ç., pasi dyshohet se ka kryer vepra të turpshme në rrugë;
-D. S., E. S, një shtetas të mitur dhe E. S., pasi dyshohet se për motive të dobëta, D. S, E. S dhe i mituri janë konfliktuar fizikisht dhe me sende të forta me shtetasin E. S.

Më datë 29.01.2026:
-është çuar për mjekim, në spital, një shtetase 22-vjeçe, pasi në banesë, është vetëdëmtuar dyshohet me mjet prerës. Aktualisht, ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën;
-në rrugën “Kastriotët”, një automjet me drejtues ende të paidentifikuar, ka përplasur këmbësorin, shtetasin A. B., 38 vjeç, dhe më pas është larguar. 38-vjeçari, ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit të rastit, si dhe për sqarimin e rrethanave.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Fier

Reagimi i shpejtë i Policisë identifikon dhe çon në pranga 25-vjeçarin që vodhi me forcë, një shumë parash, në një farmaci në lagjen “Liri”.

Sekuestrohet një pjesë e parave që vodhi 25-vjeçari dhe veshjet që ai ka patur gjatë vjedhjes.

Si rezulat i hetimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier, pas kallëzimit nga punonjësja e një farmacie, për vjedhjen e një shume parash, në farmaci, u identifikua, u kap dhe u vu në pranga autori i dyshuar, shtetasi:

-I. Gj., 25 vjeç, banues në Fier.

Ky shtetas dyshohet se ka vjedhur me forcë, 126 000 lekë në farmacinë në lagjen “Liri”. Një pjesë e shumës së parave dhe veshjet që ka patur autori, gjatë vjedhjes, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprën penale “Vjedhja”.

Policia e Shtetit, nëpërmjet Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik, informon dhe ndërgjegjëson qytetarët në lidhje me raste të mashtrimeve online që kanë të bëjnë me oferta të rreme për kredi.

Janë evidentuar raste kur persona të panjohur, përmes faqeve të dyshimta në internet, rrjeteve sociale apo mesazheve elektronike, paraqiten si përfaqësues të institucioneve financiare dhe i nxisin qytetarët të aplikojnë online për kredi, me qëllim përfitimin monetar në mënyrë mashtruese.

Këto oferta janë mashtruese dhe synojnë përvetësimin e të dhënave personale dhe financiare të qytetarëve.

Policia e Shtetit këshillon qytetarët që:

Të tregojnë kujdes të shtuar dhe të mos dërgojnë para, të dhëna bankare apo dokumente personale te persona të paidentifikuar apo faqe interneti të pasigurta.

Përpara se të aplikojnë për kredi pranë institucioneve financiare, të verifikojnë gjithmonë informacionin.

Të komunikojnë drejtpërdrejt me personelin bankar, duke përdorur vetëm kontaktet zyrtare të publikuara në faqet zyrtare të bankave përkatëse, veçanërisht në rastet kur nuk kanë mundësi të paraqiten fizikisht në degët bankare.

Qytetarët ftohen që çdo rast të dyshuar për mashtrim ta denoncojnë menjëherë pranë Policisë së Shtetit, me qëllim parandalimin dhe hetimin e këtyre veprave penale.

Policia e Shtetit mbetet e angazhuar në luftën kundër krimit kibernetik dhe apelon për kujdes, verifikim dhe bashkëpunim nga ana e qytetarëve.

Bulqizë

Plagosi me mjet prerës (thikë) djalin e tij, falë reagimit dhe ndërhyrjes në kohë të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Bulqizë, parandalohet përshkallëzimi i mëtejshëm i ngjarjes.

Arrestohet autori dhe sekuestrohet mjeti prerës (thikë).

Rreth orës 23:00, të datës 29 janar 2026, në fshatin Ostren, dyshohet se pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta, shtetasi B.N., 58 vjeç, brenda banesës, ka plagosur me mjet prerës (thikë) djalin e tij, shtetasin K.N., 29 vjeç.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë kanë shkuar në vendngjarje, ku falë reagimit dhe ndërhyrjes së menjëhershme kanë parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit, si dhe kanë kapur dhe arrestuar autorin e dyshuar të ngjarjes, shtetasin B.N., 58 vjeç. Gjithashtu, është sekuestruar mjeti prerës (thikë) i përdorur nga autori.

29-vjeçari i dëmtuar ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.

Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Etiketa”.

Zbulohet një tjetër subjekt, ku shiteshin produkte me logo false, për të cilat nuk posedoheshin fatura blerjeje dhe nuk lëshoheshin fatura shitjeje.

Arrestohet pronari i dyqanit në rrugën “Sulejman Delvina”.

Sekuestrohen mallrat.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, si rezultat i kontrolleve dhe verifikimeve, me qëllim konstatimin e subjekteve që zhvillojnë aktivitetin e tyre, në informalitet, duke shmangur detyrimet tatimore, finalizuan operacionin e koduar “Etiketa”, gjatë të cilit u zbulua në këtë paligjshmëri, një dyqan në rrugën “Sulejman Delvina”.

Gjithashtu, në kuadër të operacionit u arrestua pronari i dyqanit, shtetasi H. R., 29 vjeç, banues në Tiranë.

Në këtë subjekt, gjatë kontrolleve, u gjetën mallra të ndryshme (veshje, çanta, syze dhe ora) me logo të markave ndërkombëtare, të dyshuara false.
29-vjeçari nuk kishte fatura mbi origjinën e mallrave.
Gjithashtu, dyshohet se nuk lëshonte kuponë për shitjen e tyre, me qëllim shmangen e detyrimeve tatimore.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë

Shërbimet e Policisë Rrugore bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. Gj., 48 vjeç, pasi automjeti që drejtonte në gjendje të dehur, është përplasur në aksin rrugor “Laç – Patok”, me automjetin që drejtonte shtetasin K. T., 29 vjeç. Si pasojë është dëmtuar 48-vjeçari, i cili është jashtë rrezikut për jetën.

Shërbimet e Policisë Rrugore të autostradës “Milot – Morinë” referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin I. P., 32 vjeç, pasi automjeti që drejtonte, është përplasur me tri automjete. Si pasojë janë dëmtuar 32-vjeçari dhe 2 pasagjerë në automjetin e tij, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.

Dje, kallëzoi shtetasja M. D., se ishte shqetësuar në rrjete sociale dhe në celular, nga 1 shtetas i panjohur prej saj. Punohet për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorit të rastit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.

DVP Fier/Finalizohet operacioni i koduar “Destinacioni”.

Arrestohet në flagrancë 1 shtetase që ushtronte prostitucion.

Procedohen penalisht 3 shtetas që kanë përfituar nga kjo veprimtari kriminale.

Sekuestrohen 2 celularë.

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të DVP Fier, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative për një shtetase që ushtronte prostitucion, kanë organizuar operacionin e koduar “Destinacioni”, për dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale. Si rezultat i operacionit u arrestua shtetasja:

-A. Xh., 41 vjeçe, banuese në Patos.
Kjo shtetase dyshohet se ushtronte prostitucion në ambiente të ndryshme në qytetin e Fierit.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit: E. Sh., 41 vjeç, T. Ç., 39 vjeç dhe M. B., 34 vjeç, për veprën penale “Prostitucioni”, pasi kanë përfituar nga kjo veprimtari kriminale.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 celularë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

DVP Korçë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Veprimtaria”.

Shiste lëndë narkotike në lokalin e tij, kapet dhe vihet në pranga 49-vjeçari.

Procedohet penalisht dhe një 15-vjeçar, i cili kishte blerë, një sasi me lëndë narkotike, tek pronari i lokalit.

Sekuestrohen një sasi me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, 3 celularë dhe një sasi lekësh.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Korçë, në zbatim të planit të masave të hartuar për vitin 2026, me objektiv parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative për një shtetas që shiste lëndë narkotike në lokalin e tij në Pogradec, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Veprimtaria”.

Në kuadër të operacionit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit K. S., 49 vjeç, banues në fshatin Buçimas, Pogradec.

Gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin e këtij shtetasi në lagjen nr. 1, Pogradec, iu gjet dhe sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, një sasi me lëndë narkotike cannabis sativa. Gjithashtu u referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal edhe për një 15-vjeçar, pasi gjatë kontrollit fizik, iu gjet një sasi e vogël me lëndë të dyshuar cannabis, të cilën ia kishte shitur shtetasi K. S.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestra një sasi me lëndë narkotike, 3 celularë dhe një sasi lekësh.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Shijak

Finalizohet operacioni policor i koduar “Decision”

Lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga një 53-vjeçar i kërkuar nga autoritetet italiane.

53-vjeçari i dënuar me 9 vite burg për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve dhe të shfrytëzimit të prostitucionit.

Në kuadër të punës për gjurmimin, lokalizimin dhe kapjen e personave në kërkim, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shijak dhe Forcat Operacionale të DVP Durrës, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Decision”.

Gjatë operacionit u bë e mundur kapja dhe arrestimi i përkohshëm, me qëllim ekstradimi, i shtetasit Festim Keci, 53 vjeç, banues në Shijak.

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit e Torinos/Itali, në vitin 2023, e ka dënuar me 9 vite burg, për veprat penale “Trafikim të lëndëve narkotike”, “Pjesëmarrje në organizatë kriminale” dhe “Shfrytëzim prostitucioni”, parashikuar nga Kodi Penal italian.

Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me qëllim ekstradimin drejt Italisë.