Raporti i ngjarjeve, 3 tetor 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

PKK Morinë

Tentoi të fuste në Shqipëri, 18 000 euro, pa i deklaruar, procedohet penalisht 36-vjeçari (shtetas kosovar).

Sekuestrohet shuma e parave.

Shërbimet e Policisë Kufitare kanë rritur vigjilencën për goditjen e paligjshmërive në kufi. Në këtë kuadër, në bashkëpunim me autoritetet doganore, në hyrje të RSh-së, është kaluar në vijën e dytë, për kontroll të detajuar, automjeti tip “Golf” me drejtues shtetasin kosovar D. M.

Gjatë kontrollit u gjetën 18 000 euro, të cilat ky shtetas po tentonte t’i fuste në Shqipëri, pa i deklaruar konform ligjeve në fuqi.

Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin kosovar D. M., 36 vjeç, banues në Mamushë, Kosovë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.

Korçë/Vijon zbatimi i masave të përcaktuara në planin operacional “Sundimi i ligjit”.

Sekuestrohen dhjetëra doza kokaine që u gjetën në banesën e një shtetasi të dyshuar për shitje të lëndëve narkotike, organizim të lojërave të fatit dhe mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë.

Në vijim të veprimeve hetimore të kryera për një rast të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, kanë kryer kontroll në banesën e shtetasit të shpallur në kërkim M. D., 33 vjeç, banues në Korçë.

Gjatë kontrollit në këtë banesë u gjetën dhjetëra doza lënde të dyshuar narkotike kokainë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Shtetasi M. D. është shpallur në kërkim për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”. Më datë 27.09.2024, ai nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, për të ndaluar automjetin dhe është larguar me shpejtësi. Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas ushtronte veprimtaritë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike dhe të organizimit të lojërave të fatit.

Vijon puna për kapjen e tij.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Wiper” nga Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike.

Ndalohet një 36-vjeçar, pronar i një biznesi për shit-blerje aparatësh telefonikë, i cili duke ndërhyrë në sistemet operative iOS dhe android të smartphoneve, përvetësonte të dhënat kompjuterike të këtyre pajisjeve dhe njëkohësisht thyente sistemet operative të tyre në mënyrë të paligjshme, përfshirë këtu dhe sistemin online iCloud.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DVP Tiranë, në kuadër të një procedimi penal të vitit 2024, ndjekur me metoda speciale të hetimit, pas interceptimit te pulsimeve dixhitale, si dhe në zbatim të Vendimit nr. 5336, datë 01.10.2024, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithëm Tiranë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe Sektorin e Forcës së Posaçme Shqiponjat, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Wiper”.

Gjatë operacionit u arrestua shtetasi E. V., 36 vjeç, për veprat penale “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, “Ndërhyrja në sistemet kompjuterike”, “Keqpërdorimi i pajisjeve”, “Ndërhyrja në të dhënat e topografisë së qarkut të gjysmë përçuesit”, dhe “Shitja e paautorizuar e kartave SIM”, parashikuar nga nenet 293/b, 293/c, 293/ç, 149/b dhe 293/d të Kodit Penal.

Shtetasi E. V. dyshohet se nëpërmjet pajisjeve elektronike të posaçme, programeve të palicencuara, të cilat shiten në tregun e zi online, i quajtur ndryshe DarkWeb, si dhe nëpërmjet gjenerimit të numrave të telefonit të shteteve të ndryshme, nga programe specifike online, ka ndërhyrë në të dhënat kompjuterike të sistemeve operative të aparateve celularë. Kështu, ky shtetas ka arritur që të thyejë elementët e sigurisë të tyre, dhe më pas ka marrë në posedim të dhënat kompjuterike, të përdoruesve të mëparshëm dhe kthimin në gjendje fillestare të smartphoneve me qëllim shitjen e tyre.

Deri tani janë dokumentuar me prova ligjore 473 përvetësime të fjalëkalimeve të ndryshme.

Vijon puna për identifikimin e personave të tjerë, të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë.

Tiranë/Arrestohen 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve arrestuan shtetasin A. M., 33 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë, i gjetën dhe sekuestruan sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3 arrestuan shtetasin A. T., 26 vjeç, banues në Tiranë, pasi shërbimet e Policisë i kanë gjetur në aparatin celular faqe që shërbejnë për vendosjen e basteve sportive si dhe nuk i është bindur urdhrave të punonjësve të Policisë, gjatë kryerjes së detyrës.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasen  V. Z., 61 vjeçe, banuese në Tiranë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj nënës së saj.

Specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë arrestuan shtetasin F. D., 46 vjeç, banues në Tiranë, pasi u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.

Materialet i kaluan Prokurorisë.

Më datë 02.10.2024, rreth mbrëmjes, në rrugën “Mine Peza”, ka rënë nga një lartësi ku ishte duke punuar, shtetasi F. Sh., 42 vjeç, (punonjës i shërbimit zjarrfikës), banues në Tiranë. Aktualisht ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Më datë 03.10.2024, rreth orës 02:55, në një karburant në Mëzes, dy shtetas ende të paidentifikuar i kanë vjedhur një shumë  parash rojes së karburantit, dhe më pas janë larguar.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve të dyshuar.

Më datë 03.10.2024, rreth orës 03:00, në lagjen Nr. 1, Krujë, në ambientet e jashtme të banesës së shtetasit B. K., (te dera e banesës), dyshohet se ka shpërthyer një sasi e vogël lënde plasëse, dhe si pasojë ka vetëm dëme materiale.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 67 shtetas, konkretisht: 9 shtetas janë vënë në pranga, 49 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 9 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër

Oficerët e Policisë Gjyqësore referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi ne gjendje të lirë për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, për shtetasin E. M., 38 vjeç, banues në Shkodër, sepse ka kundërshtuar punonjësit e Policisë, pasi ata i kanë vënë një masë administrative.

Komisariati i Policisë Malësi e Madhe referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin L. J., 39 vjeç, banues në fshatin Lohe e Sipërme, për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm” dhe “Shpërdorimi i tokës”.

Informacione paraprake

-Rreth orës 06:45, në lagjen “Liria”, është gjetur e pajetë në shkallët e banesës së saj, shtetasja Sh. A., 70 vjeçe. Paraprakisht dyshohet se ajo e ka humbur jetën pasi ka pësuar arrest kardiak. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave të rastit.

-Rreth orës 08:30, në Urgjencën e Spitalit Rajonal Shkodër, është paraqitur për të marrë mjekim një 4-vjeçar, i cili dyshohet se është rrëzuar aksidentalisht në shkallët e një kompleksi në Malësi të Madhe, ku po qëndronte me familjen e tij. 4-vjeçari vijon të jetë në kujdesin e mjekëve.  Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të rastit.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 15 raste, 8 prej tyre, në fushën e kultivimit, me autorë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 1 shtetas është vënë në pranga dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 14 raste- 4 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 14 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ekonomike, janë evidentuar 2 raste- 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë janë evidentuar 2 raste- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë. Për vjedhje të mëparshme është ndaluar 1 shtetas, ndërsa 1 tjetër është identifikuar dhe shpallur në kërkim.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 8 raste- 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 1 shtetas është vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 6 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-4 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrit të punonjësve me funksione publike, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të veprës penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 2 shtetas të vënë në pranga;

-1 rast i veprës penale “Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”, me 1 shtetas të vënë në pranga;

-1 rast i veprës penale “Vepra të turpshme”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-nga 1 rast i veprave penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, “Vetëgjyqësia”, “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Prishja e qetësisë publike”, “Marrja e padrejtë e fëmijës” dhe “Dhunimi i banesës”, me 8 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.

Në Tiranë, 1 shtetas është arrestuar për veprimtari kriminale në fushat e krimeve kibernetike dhe krimeve ekonomike.

1 shtetas i shpallur në kërkim për krime ekonomike dhe për falsifikim, është ndaluar.

Kanë ndodhur 4 aksidente rrugore, me 4 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 7 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.