Raporti i ngjarjeve, 3 qershor 2025

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 84 shtetas, konkretisht: 19 shtetas janë vënë në pranga, 74 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 11 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste, 2 prej tyre në fushën e kultivimit, me autorë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 12 raste. 21 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ekonomike, janë evidentuar 7 raste. 6 shtetas janë arrestuar, 4 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjes/tentativës për vjedhje të pronës dhe pasurisë janë evidentuar 5 raste, 2 prej tyre me autorë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 1 shtetas është vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 13 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 14 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 raste të dhunës në familje. 2 shtetas janë ndaluar dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë plotësuar 7 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-6 raste të përndjekjes. 1 shtetas është arrestuar, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë;

-4 raste të largimit të të burgosurit nga vendi i qendrimit. 2 shtetas janë arrestuar, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të falsifikimit. 4 shtetas janë arrestuar, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrave të punonjësve të Policisë. 1 shtetas është arrestuar dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të krimeve kibernetike, me 2 shtetas të shpallur në kërkim;

-2 raste kalimit të kundërligjshëm të kufirit. 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste kalimit të prishjes së qetësisë publike. 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike. 1 shtetas është shpallur në kërkim;

-nga 1 rast i organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, vjedhjes së energjisë elektrike, veprimeve në kundërshtim me vendimin e gjykatës dhe moskallëzimit të krimit, me 7 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.

Kanë ndodhur 8 aksidente rrugore, me 12 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 23 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor. 8 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 14 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër

 

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:

-Z. Rr., 68 vjeç, banues në Shkodër, pasi duke drejtuar motomjetin, ka humbur kontrollin dhe është rrëzuar;

-një 17-vjeçar, pasi duke drejtuar pa leje, një motomjet pa targa, ka humbur kontrollin dhe është rrëzuar.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi ditën e djeshme, në spitalin e Shkodrës, është paraqitur për mjekim, shtetasi S. V., 55 vjeç, i cili ka deklaruar se është se është rrëzuar ndërkohë që lëvizte me biçikletë.

 

Më datë 02.06.2025, në orën 19:30, në vendin e quajtur “Ish-shtëpia e ushtarakëve”, në Velipojë, Shkodër, është gjetur pa shenja jete, shtetasi T. B., 57 vjeç, i cili dyshohet se ka pësuar arrest kardiak.

 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të metejshme.

Informacion paraprak/Më datë 03.06.2025, rreth orës 00:15, Policia ka marrë njoftim se shtetasi E. N., 38 vjeç, rreth orës 19:00, ishte futur për t’u larë në liqenin e Grizhes dhe ishte mbytur.  Shërbimet e DVP Shkodër dhe shërbimet e Policisë Kufitare, pas disa orësh kërkime, kanë gjetur dhe kanë nxjerrë nga uji, trupin e pajetë të shtetasit E. N. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ai ka humbur jetën pasi ka pësuar arrest kardiak, ndërkohë që lahej në liqen.

 

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e rrethanave të rastit dhe dokumentimin e shkakut të humbjes së jetës së 38-vjeçarit.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë

 

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin B. C., 19 vjeç, banues në Vashtmi, pasi u kap duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kolonjë referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin J. B., 22 vjeç, banues në Taç, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, duke u larguar nga banesa.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin D. Sh., 33 vjeç, banues në Stropckë, pasi gjatë kontrollit në servisin e tij, në fshatin Leshnicë, u gjetën dhe u sekuestruan 4 automjete, pjësërisht të çmontuara, pa dokumentacionin përkatës, të cilat dyshohet se i ka kontrabanduar nga Britania e Madhe, me qëllim shitjen.

 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Berat

 

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. C., 47 vjeç dhe V. K., 31 vjeç, të dy banues në Berat, pasi gjatë kontrolleve në dyqanet që administronin, u gjetën dhe u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, 29 celularë në total, për të cilët nuk kishin fatura blerjeje.

 

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:

-R. Ç., 46 vjeç, banues në Berat, pasi në fshatin Poshnje, automjeti që drejtonte, është përplasur me një autobus. Si pasojë janë dëmtuar 46-vjeçari dhe bashkëshortja e tij, pasagjere në automjet, të cilët janë në kujdesin e mjekëve dhe aktualisht jashtë rrezikut për jetën;

-M. T., 20 vjeç, banues në Berat, pasi në lagjen “Çlirim”, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe si pasojë automjeti është përplasur në mur. Nga përplasja është dëmtuar 20-vjeçari dhe 2 pasagjerët në automjetin që drejtonte ai, të cilët janë në kujdesin e mjekëve dhe aktualisht jashtë rrezikut për jetën.

 

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kuçovë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin B. P., 50 vjeç, banues në Kuçovë, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka dëmtuar një makineri në pronësi të një 51-vjeçari.

 

Shërbimet e Stacionit të Policisë Poliçan referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një 17-vjeçar, pasi  dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me grushte, një 19-vjeçar.

 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë

 

Në vijim të informacionit të dhënë më datë 29.05.2025, për aksidentin e ndodhur në aksin rrugor “Mbikalimi i Patokut-Laç”, bëjmë me dije se nga veprimet hetimore të kryera nga specialistët e Sektorit të Policise Rrugore, është bere i mundur identifikimi i drejtuesit te automjetit që dyshohet se ka shkaktuar aksidentin, shtetasi D. N., 35 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas pasi ka shkaktuar aksidentin është larguar nga vendi ku dyshohet se ka përplasur me automjet, shtetasin F. H., 59 vjeç, i cili humbi jetën gjatë transportimit në spital. Vijon puna për kapjen e shtetasit D. N.

Kurbin/Më datë 02.06.2025, rreth orës 20:30, shtetasi M. P. ka njoftuar Policinë se ka konstatuar të dëmtuar, dyshohet me armë zjarri, vetratën e dritares së lokalit të tij, në lagjen nr. 3, Laç.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve.

Gjirokastër

 

Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore arrestuan në flagrancë shtetasin V. D., 60 vjeç, banues në Tiranë, pasi u konstatua në aksin rrugor “Ura e Leklit-Këlcyrë”, duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.

 

Gjithashtu, këta specialistë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin G. L., 44 vjeç, banues në fshatin Valare, pasi ditën e djeshme, në aksin rrugor “Gjirokastër-Valare”, duke drejtuar automjetin, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe ka përplasur një automjet tjetër. Nga aksidenti janë dëmtuar lehtë 2 shtetas.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit:

 

-H. L., 64 vjeç, pasi në pronën e tij janë konstatuar punime ndërtimi të kryera pa lejen e organeve kompetente;

-S. K., 41 vjeç, banues Gjirokastër, pasi ka goditur me grusht një 43-vjeçar, për motive të dobëta;

-T. M., 43 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi dyshohet se ka përndjekur një 24-vjeçare.

 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë

 

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve arrestuan shtetasit S. V., 28 vjeç dhe S. D., 23 vjeç, pasi gjatë kontrolleve fizike të tyre, iu gjetën një sasi Cannabisi, e cila u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve Kibernetike shpallën në kërkim shtetasit:

-Y. S., 53 vjeç, pasi dyshohet se ka përndjekur nëpërmjet rrjeteve sociale një 33-vjeçare.Punohet për kapjen e tij dhe sqarimin e rrethanave të rastit;

-A. Sh., pasi dyshohet se ka përndjekur nëpërmjet rrjeteve sociale ish-bashkëshorten e tij. Punohet për kapjen e tij dhe sqarimin e rrethanave të rastit.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për:

-shtetasit T. H., 66 vjeç dhe A. H., 61 vjeç(vëllezër), pasi dyshohet se për motive pronësie, janë konfliktuar fizikisht, me njëri-tjetrin;

-shtetasin E. A., 43 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta ka kanosur dhe goditur me grushte një 25-vjeçar;

-për 6 shtetase të mitura, pasi në sheshin “Nënë Tereza” për motive të dobëta, janë konfliktuar fizikisht me 2 shtetase të mitura.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3:

-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit J. G., 34 vjeç dhe R. S., 25 vjeçe, pasi pas një konflikti për motive të dobëta, kanë goditur me grushte një 25-vjeçar, i cili mori mjekim në spital;

-shpallën në kërkim shtetasin T. M., 26 vjeç, pasi nuk i ka bërë pagesën mjetit taksi me të cilën qarkulloi si dhe me anë të mashtrimit i mori drejtuesit të taksisë një shumë parash. Punohet për kapjen e tij.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasin B. Ç., 33 vjeç, pasi dyshohet se ka përndjekur një 20-vjeçare, si dhe nuk i është bindur urdhërit të punonjësit të policisë, për shoqërimin e tij.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5:

-kapën e ndaluan shtetasit D. L., 26 vjeç, dhe A. H., 42 vjeç, të dy të shpallur në kërkim për veprën penale “Dhuna në familje”;

-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. H., 30 vjeç, pasi dyshohet se ka përndjekur një 38-vjeçare;

-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin H. L., 61 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur një 70-vjeçar.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 7 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin G. S., 34 vjeç, pasi shfaqet në një video të postuar në rrjete sociale, duke bërë me motomjetin që drejtonte, manovra që prishin qetësinë publike.

 

Specialistët e qarkullimit rrugor:

-arrestuan shtetasin G. B., 57 vjeç, pasi është konstatuar duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur;

-arrestuan shtetasin K. L., 41 vjeç, pasi dyshohet se automjeti që drejtonte në gjendje të dehur ka përplasur biçiklistin shtetasin A. A, i cili është dëmtuar dhe ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve;

-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen V. K., 24 vjeçe, pasi automjeti që drejtonte ka përplasur këmbësoren shtetasen V. V, e cila ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve;

-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen M. I., 24 vjeçe, pasi automjeti që drejtonte ka përplasur monopatinën që drejtohej nga  shtetasi i mitur 16-vjeç. Aktualisht 16-vjeçari, ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë:

-arrestuan në flagrancë shtetasin R. B., 44 vjeç, banues në fshatin Golem i Madh, pasi u kap jashtë banesës, ndërkohë që ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Vjedhja”;

-arrestuan në flagrancë shtetasin G. Z., 38 vjeç, banues në Lushnjë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj nënës së tij;

-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin A. S., 38 vjeç, pasi dyshohet se ka kryer punime ndërtimi, pa leje;

-referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasen K. K., 59 vjeçe, banuese në Lushnjë, pasi kanë kallëzuar 2 shtetas, se shtetasja K. K., në cilësinë e avokates, iu ka marrë shuma të ndryshme parash, me anë të mashtrimit, duke iu premtuar përfaqësim gjyqësor. Punohet për kapjen e shtetases K. K.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin E. G., 38 vjeç, banues në Libofshë, pasi dyshohet se ka kanosur ish-bashkëshorten e tij, nëpërmjet thirrjeve telefonike.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mallakastër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin N. F., 68 vjeç, pasi dyshohet se ka kryer punime ndërtimi, pa leje.

 

Specialiatët për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasen G. Xh., 20 vjeçe, banuese në Fier, pasi gjatë kontrollit fizik, iu gjet një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa.

 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Elbasan/Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit:

-A. Gj., 54 vjeç dhe D. Gj., 49 vjeç, pasi kanë goditur me sende të forta shtetasin A. Sh., 33 vjeç, për motive të dobëta;

-D. Z., 52 vjeç, pasi dyshohet se, në gjendje të dehur, ka kanosur me fjalë, punonjësen e një marketi;

-një 17-vjeçar, pasi nga kontrolli fizik, iu gjet dhe sekuestrua një përforcues grushti.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë

 

Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban Vlorë arrestuan shtetasit:

V. Xh., 18 vjeç, banues në Vlorë, pasi u konstatua në rrugën “Sazani”, duke drejtuar një motomjet pa targa dhe pa leje drejtimi.

V. P., 18 vjeç, banues në Vlorë, pasi u konstatua në rrugën “Sazani”, duke drejtuar një motomjet pa leje drejtimi.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë referuan materiale në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasin M. S., banues në Sarandë, pasi ndaj tij ka bërë kallëzim bashkëjetuesja e tij, se ky shtetas ka dhunuar vajzën e saj, 28 vjeçe.

 

Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.