Elbasan/Vijojnë kontrollet për kapjen e shtetasve në kërkim.
I dënuar me 1 vit e 8 muaj burgim, për vjedhje, kapet në rrugën “17 Marsi”, 29‑vjeçari në kërkim.
Si rezultat i kontrolleve të vazhdueshme të kryera në bazë të informacioneve të shkëmbyera me strukturat e DVP Tiranë, për një shtetas të shpallur në kërkim që fshihej në Elbasan, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Elbasan organizuan punën për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Në rrugën “17 Marsi”, u lokalizua, u kap dhe u vu në pranga shtetasi E. Gj., 29 vjeç, banues në Elbasan.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Nr. 1 Tiranë, pasi Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin e datës 14.10.2025, e ka dënuar me 1 vit e 8 muaj burgim, për veprën penale “Vjedhja”.
Veprimet procedurale do të kryhen nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.
Policia Rrugore e Elbasanit, me mbështetjen edhe të shërbimeve të Njësisë Operacionale të Drejtorisë së Policisë Rrugore, ka marrë masa për monitorimin e qarkullimit në aksin rrugor Elbasan–Prrenjas, me fokus të veçantë segmentin ku rruga pësoi shembje dhe për pasojë, qarkullimi tashmë është devijuar.
Shërbimet e Policisë Rrugore janë shtrirë në gjithë aksin rrugor, me qëllim marrjen e masave për lëvizjen e lirë të automjeteve pas rihapjes së tij mesditën e sotme.
Policia Rrugore apelon që drejtuesit e mjeteve, në këtë aks rrugor, për shkak se kryhen edhe punime, të tregojnë kujdes, të monitorojnë shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën rrugore, si dhe të ndjekin udhëzimet e shërbimeve të Policisë Rrugore dhe të ARRSH-së.
Drejtuesit e automjeteve, në rast nevoje, të informojnë në numrin 112.
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Mbështetjen Operacionale, ndaluan shtetasin J. M., 35 vjeç, banues në fshatin Xhuxhë, pasi Gjykata e Lezhës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim. Nga hetimet rezulton se ky shtetas, në bashkëpunim me të tjerë, gjatë vitit 2024, ka kultivuar në fshatin Batra, 374 bimë narkotike Cannabis Sativa, të cilat u asgjësuan nga shërbimet e Policisë, në kuadër të operacionit të koduar “Seven”.
Gjithashtu, këto shërbime referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin E. K., 35 vjeç, banues në Laç, pasi dyshohet se ka vrarë me armën e zjarrit që mbante me leje, kafshën (qen) e një shtetasi. Arma e zjarrit pistoletë u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin arrestuan në flagrancë shtetasit F. Gj., 23 vjeç dhe B. H., 31 vjeç, të dy banues në Lezhë, përkatësisht punonjës dhe ish-punonjës në një fabrikë, pasi dyshohet se kanë vjedhur naftë nga automjete në këtë subjekt. Me cilësinë e provës materiale u sekuestrua një sasi nafte e dyshuar e vjedhur.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës
Specialistët e qarkullimit rrugor referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-K. F., 20 vjeç, banues në Kullë, pasi në aksin rrugor “Manëz-Kullë”, dyshohet se ka përplasur biçikletën me të cilën lëvizte një 32-vjeçar dhe është larguar nga vendi i aksidentit;
-një 17-vjeçar, pasi është konstatuar duke drejtuar një automjet, pa leje drejtimi.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-E. P., 36 vjeç, banues në Fier, pasi ka kallëzuar shtetasja A. B., (ish bashkëjetuesja e tij), se ky shtetas ka tentuar ti futet me forcë në banesën ku tani ajo jeton vetëm me djalin e saj të mitur;
-një 15-vjeçar, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet një mjet prerës (thikë), i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Manëz referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin G. C., 23 vjeç, banues në Rrushkull, pasi ka qëlluar me me shuplakë një 24-vjeçar, për motive të dobëta.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë shpallën në kërkim shtetasin S. D., 34 vjeç, banues në Tiranë, pasi nga hetimet dyshohet se më datë 24.02.2026, gjatë natës, ka tentuar të djegë me lëndë djegëse, lokalin në pronësi të shtetasit D. T., lagjen nr. 1 Kavajë. Punohet për kapjen e shtetasi S. D.
Gjithashtu, këta specialistë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-A. B., 51 vjeç dhe A. B., 55 vjeç, pasi dyshohet se një konflikti për motive të dobëta, kanë goditur me grushte një 22-vjeçar;
-Q. Gj., 62 vjeç, banues në Kavajë, pasi dyshohet se ka shpërdoruar një sipërfaqe toke;
-një 14-vjeçar, pasi dyshohet se ka vjedhur një shumë parash në banesën e shtetasit B. Sh., në Golem.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, për dy raste:
-dje, është dërguar në Spitalin e Traumës, për të marrë mjekim, një fëmijë 1 vjeç, e cila dyshohet se i ka rënë aksidentalisht nga duart, gjyshes së saj, në banesë;
-dje, në lagjen nr. 8 Durrës, dyshohet se për shkak të një shkëndije elektrike, ka rënë zjarr në dyqanin në pronësi te shtetasit A. T. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Dje, shtetasi R. N., kallzoi se ka humbur kontaktet me babanë e tij, shtetasin P. N., 75 vjeç. Punohet për gjetjen e tij.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.
Qarku Korçë
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë dje, për aksidentin në fshatin Vishocicë, Devoll, bëjmë me dije se specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore arrestuan në flagrancë për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, shtetasin A. P., 48 vjeç, banues në Korçë, i cili duke drejtuar furgonin, aksidentoi me pasojë vdekjen, shtetasen H. M., 83 vjeçe, banuese në fshatin Vishocicë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Korçë referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, për shtetasin N. B., 44 vjeç, banues në fshatin Rrushkull, Durrës, pasi dyshohet se ka kaluar ilegalisht në Greqi.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin Xh. A., 48 vjeç, banues në fshatin Lin, Pogradec, pasi në afërsi të fshatit Lin, ka ndezur zjarr për të djegur mbeturina dhe nga përhapja e flakëve është djegur një sipërfaqe toke me bimësi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.
Kolonjë/Në vijim të informacionit të dhënë më datë 27.02.2026, për largimin nga banesa të shtetasit T. C., 40 vjeç, bëjmë me dije se ky shtetas u gjet dhe u rikthye te familjarët e tij.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasit:
-L. H., 35 vjeç, banues në Vlorë, pasi u kap nga shërbimet e Policisë, jashtë banesës së tij, duke thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”;
-E. P., 27 vjeç, banues në Vlorë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Gjithashtu, këta specialistë referuan materialet në prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-B. V., 43 vjeç, banues në fshatin Kutalli,Berat , pasi ka kallëzuar shtetasi I.S, se 43-vjeçari e shqetëson dhe e kanos vazhdimisht, nëpërmjet celularit;
-A. B., 32 vjeç, banues në Vlorë, pasi ka goditur me grushte kushëririn e tij, për motive të dobëta;
Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi R. S., 37 vjeç, banues në Vlorë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij.
Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban të DVP Vlorë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-M. A., 26 vjeç, banues në Vlorë, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur;
-O. K., 18 vjeç, banues në Vlorë, pasi u kap duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme.
Cërrik/Vodhën me thyerje një shumë parash në një dyqan në lagjen nr. 2, identifikohen 2 shtetas. Vihet në pranga 36-vjeçari, procedohet penalisht nipi i tij i mitur.
36-vjeçari, i dënuar më parë për të njëjtën vepër penale.
Procedohet penalisht vëllai i shtetasit të mitur, pasi dyshohet se ka patur dijeni për vjedhjen dhe nuk ka kallëzuar.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Cërrik, pas marrjes së njoftimit për një rast vjedhjeje me thyerje në një dyqan, në lagjen nr. 2, kanë organizuar menjëherë punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Si rezultat i reagimit të shpejtë dhe veprimeve hetimore, u bë i mundur identifikimi i autorëve të dyshuar të vjedhjes, shtetasit A. M. dhe nipit të tij 15 vjeç.
Në përfundim të veprimeve:
-u arrestua në flagrancë shtetasi A. M., 36 vjeç, banues në lagjen nr. 2, Cërrik, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim. Ky shtetas ka qenë i dënuar për të njëjtën vepër penale;
u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për 15-vjeçarin, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim;
Nga hetimet dyshohet se shtetasi A. M. dhe nipi i tij i mitur, në orët e para të mëngjesit të datës 02.03.2026, kanë vjedhur me thyerje në dyqanin e shtetasit F. H., 57 vjeç, një shumë parash.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin O. Z., 19 vjeç, vëllai i 15-vjeçarit, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi dyshohet se ka pasur dijeni për këtë rast dhe nuk ka kallëzuar.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Vlorë/Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme kundër armëmbajtjes pa leje.
Lëvizte me pistoletë në brez, në qytet, kapet në flagrancë nga shërbimet e Policisë dhe vihet në pranga 21-vjeçari.
Sekuestrohet pistoleta.
Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në vijim të punës për goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale, kanë goditur një tjetër rast në këtë fushë.
Bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, për një shtetas që lëvizte me armë zjarri në qytet, është organizuar puna për kapjen e tij. Në lagjen “28 Nëntori”, shërbimet e Policisë lokalizuan shtetasin e dyshuar E. M. dhe gjatë kontrollit fizik ndaj tij, i gjetën në brez, një armë zjarri (pistoletë), e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve procedurale, shtetasi E. M., 21 vjeç, banues në Vlorë, u arrestua në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasin J. Sh., 45 vjeç, banues në Divjakë, pasi u kap duke drejtuar në gjendje të dehur, motomjet pa targë.
Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për një 17-vjeçar, pasi u kap duke drejtuar automjet, pa leje drejtimi.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit E. K., 24 vjeç, M. V., 19 vjeç, J. T., 19 vjeç, dhe F. M., 44 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik, iu janë gjetur dhe sekuestruar sasi të lëndës së dyshuar narkotike kanabis.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.
DVP Korçë/Goditet një rast i armëmbajtjes pa leje.
Posedonte pistoletë si stilolaps, me fishekë, kapet në flagrancë në një lokal dhe vihet në pranga 32-vjeçari.
Sekuestrohet pistoleta me formën e stilolapsit.
Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje dhe kontrolleve të shtuara për rritjen e parametrave të sigurisë, strukturat e DVP Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se një shtetas posedonte armë zjarri pa leje, organizuan punën dhe lokalizuan shtetasin e dyshuar, në një lokal në fshatin Podgorie, Maliq.
Gjatë kontrollit fizik, shtetasit E. Xh. iu gjet një send i dyshuar pistoletë me fishekë, i ngjashëm me stilolapsin, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Maliq arrestuan në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, shtetasin E. Xh., 32 vjeç, banues në fshatin Podgorie, Maliq.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve arrestuan shtetasin O. Sh., 48 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik, iu gjet një sasi lënde të dyshuar narkotike Kokainë, e cila u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Kibernetike referuan materialet në Prokurori për shtetasin F. D, pasi dyshohet se ka hapur disa profile false me fotot e një 30-vjeçareje, duke përdorur shprehje fyese dhe denigruese për figurën e saj.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-K. V., pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka kanosur shtetasen A. Q.;
-K. H, pasi dyshohet se nuk i është bindur urdhërit të punonjësit të policisë, për të paraqitur dokumentacionin e automjetit.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-K. J, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka kanosur shtetasin B. M;
-Nj. S dhe A. S, pasi nuk i janë bindur urdhërit të punonjësit së Policisë, për të ushtruar kontroll në automjetin ku u konstatuan.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për:
-2 shtetas të mitur, pasi dyshohet se kanë goditur me shpulla një shtetas të mitur. Punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rast;
-F. H dhe Sh. D, pasi dyshohet se për motive të dobëta kanë goditur me grushte njëri-tjetrin.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5:
-arrestuan shtetasin B. K., 40 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëjetueses së tij. Gjithashtu, gjatë shoqërimit, 40 vjeçari ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit K. H dhe E. K, pasi për motive të dobëta janë konfliktuar me njëri-tjetrin;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin M. P, pasi në pronën e tij, u konstatuan materiale inerte dhe dhera.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6:
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit I. P dhe E. Z, për motive të dobëta janë konfliktuar me njëri-tjetrin;
-shpallën në kërkim shtetasin E. M, pasi dyshohet se ka goditur shtetasin S. G. Punohet për sqarimin e rrethanave të rastit.
-me datë 02.03.2026, kallëzoi shtetasi D. H., se i kishin vjedhur automjetin, të cilin e kishte lënë të hapur me çelësa në kuadër. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve të rastit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Dibër
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mat arrestuan në flagrancë shtetasin E.C., 34 vjeç, banues në Burrel, pasi ka ushtruar dhunë psikologjike dhe ka kanosur me fjalë vjehrrin e tij.
U referuan materialet në Prokurori dhe u shpall në kërkim shtetasi G.K., 22 vjeç, banues në Klos, pasi dyshohet se ka dëmtuar rrjetin elektrik të ndriçimit në segmentin e Rrugës së Arbrit. Punohet për kapjen e tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Dibër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin Sh.T., 57 vjeç, banues në Peshkopi, pasi ka pushtuar një sipërfaqe toke në pronësi të shtetasit I.K.
U referuan materialet në Prokurorinë Dibër për vlerësim, pasi shtetasja A.H., 45 vjeçe, e cila kurohej për probleme të shëndetit mendor, në gjendje të rënduar psikologjike, ka dëmtuar veten me mjet prerës. 45-vjeçarja ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.
Durrës
Shkon në 10 numri i drejtuesve të automjeteve të arrestuar/proceduar penalisht, që kanë tentuar të korruptojnë punonjësit e Policisë, me qëllim shmangien e përgjegjësisë penale apo administrative.
Goditet një tjetër rast i tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë Rrugore.
Procedohet penalisht 61-vjeçari që ofroi para, për të mos u ndëshkuar administrativisht.
Gjatë patrullimit me objektiv parandalimin e aksidenteve dhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor, shërbimet e Policisë Rrugore të Durrësit i bënë shenjë ndalimi, një automjeti që u konstatua në rrugën “Martin Camaj”, duke lëvizur kundërvajtje.
Gjatë veprimeve të punonjësve të Policisë, drejtuesi i automjetit iu ka ofruar atyre 1 500 lekë, me qëllim shmangien e masës administrative për shkeljen e kryer.
Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, u kryen veprimet administrative dhe u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin L. C., 61 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasin N. P., 52 vjeç, banues në fshatin Gomsiqe, pasi u kap duke drejtuar pa leje drejtimi dhe në gjendje të dehur, një motomjet pa targë.
Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-T. F., 78 vjeç, banues në fshatin Bardhaj, pasi u kap duke drejtuar motomjetin, pa leje drejtimi;
-I. B., 28 vjeç, banues në fshatin Mjedë, pasi duke drejtuar pa leje drejtimi, një motomjet pa targë, dyshohet se ka përplasur nga mprapa automjetin me drejtues shtetasin E. H., 61 vjeç. Si pasojë është dëmtuar në këmbë shtetasi I. B..
Po ashtu, u referuan materialet në Prokurori, pasi më datë 01.03.2026, në aksin rrugor “Koplik-Tamarë”, shtetasi M. A., 32 vjeç, banues në fshatin Dobraç, duke drejtuar motomjetin, ka humbur kontrollin, është rrëzuar dhe për pasojë është dëmtuar. Ai po merr mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasen P. S., 49 vjeçe, pasi nga kontrollet e kryera në bashkëpunim me shërbimet e OSHEE-së, u zbulua se në banesën e tij kishte lidhje të paligjshme për furnizimin me energji elektrike.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër kryen veprimet procedurale të ndalimit të shtetasve: P. K., 20 vjeç, banues në fshatin Luarzë, S. K., 19 vjeç dhe D. Sh., 20 vjeç, të dy banues në fshatin Pulaj, A. P., 46 vjeç dhe S. K., 44 vjeç, të dy banues në fshatin Torovicë, P. M., 60 vjeç dhe A. M., 30 vjeç, të dy banues në fshatin Baks-Rrjoll, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës”, “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik” dhe “Plagosja e rëndë me dashje”, pasi më datë 28.02.2026, në fshatin Rrjoll, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, banorë të zonës, kanë organizuar protestë për pengimin e punimeve që po kryhen nga një firmë ndërtimi. Gjatë protestës, ata kanë goditur punonjësit e kompanisë së sigurisë private, njëri nga të cilët është dëmtuar rëndë, si dhe kanë shkatërruar makineri të firmës që po kryen punimet.
Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin G. P., 55 vjeç, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
