Raporti i ngjarjeve, 3 korrik 2025

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 104 shtetas, konkretisht: 23 shtetas janë vënë në pranga, 73 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 8 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste, 4 prej tyre në fushën e kultivimit, me autorë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 4 raste. 3 shtetas janë arrestuar, 4 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 17 raste. 1 shtetas është ndaluar, 3 shtetas janë arrestuar, 5 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 22 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ekonomike, janë evidentuar 2 raste. 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjes/tentativës për vjedhje të pronës dhe pasurisë janë evidentuar 5 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 2 shtetas janë vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 20 raste, 2 prej tyre me autorë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 1 shtetas është ndaluar, 1 shtetas është arrestuar, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 18 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 raste të dhunës në familje. 1 shtetas është ndaluar dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë plotësuar 8 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-5 raste të vetëgjyqësisë, me 10 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të krimeve kibernetike, për të cilat po punohet për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, përgjegjësit;

-3 raste të mosbindjes/kundërshtimi të urdhrave të punonjësve të Policisë. 2 shtetas janë arrestuar, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të shpërdorimit të detyrës, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i kallëzimeve/deklarimeve të rreme, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i kanosjes për dhënie pasurie, me 2 shtetas të shpallur në kërkim;

-1 rast i shkaktimit të vetëvrasjes, me 1 shtetase të shpallur në kërkim;

-1 rast i përndjekjes dhe prishjes së qetësisë publike, me 1 shtetas të arrestuar;

-1 rast i dhunimit të banesës dhe moskallëzimit të krimit, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-nga 1 rast i kalimit të kundërligjshëm të kufijve, vjedhjes së energjisë elektrike, trafikimit të mjeteve motorike, përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike, veprimeve në kundërshtim me vendimin e gjykatës dhe pengimit për ekzekutimin e gjykatës, me 7 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.

Kanë ndodhur 4 aksidente rrugore, me 2 viktima dhe 7 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 19 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor. 11 shtetas janë vënë në pranga dhe 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë

 

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq arrestuan shtetasin J. D., 40 vjeç, banues në fshatin Kakaç, pasi dyshohet se ka përndjekur një 22-vjeçar. Ditën e djeshme, gjatë tentativës për të goditur me mjet prerës, 22-vjeçarin, shtetasi J. D. ka dëmtuar lehtë, në dorë, shtetasin M. B., me të cilin shoqërohej 22-vjeçari, në atë moment.

 

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin K. J., 38 vjeç, banues në Korçë, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.

 

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë:

-referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit E. Ç., 38 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje;

-referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit E. Sh., 40 vjeç, banues në Korçë, pasi dyshohet se bashkë me 2 shtetas të tjerë, ende të paidentifikuar, kanë dhunuar banesën e një shtetaseje, të cilën gjithashtu e kanë kanosur dhe fyer. Punohet për identifikimin dhe kapjen e 2 shtetasve, si dhe për sqarimin e rrethanave të këtij rasti;

-shpallën në kërkim shtetasen V. K., 43 vjeçe, banuese në Vlorë, si dhe referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin R. A., 29 vjeç, banues në fshatin Vashtmi, pasi nga hetimet e deritanishme dyshohet se ata kanë kanosur shtetasin E. L., nëpërmjet mesazheve telefonike, për dhënie pasurie. Këto mesazhe dyshohet se kanë rënduar gjendjen psikologjike të shtetasit E. L., i cili më datë 28.06.2025, tentoi të vetëvritej, duke konsumuar një substancë kimike (Klor). Për këtë rast Policia e Korçës ka dhënë njoftim për median, më datë 29.06.2025. Më tej, gjatë kontrollit në banesën e 29-vjeçarit, u gjet 1 armë sportive të cilën e mbante pa leje, si dhe një shumë eurosh të dyshuara false. Punohet për kapjen e 43-vjeçares, si dhe në drejtimin e Prokurorisë, punohet për dokumentimin me prova ligjore të rrethanave të rastit.

 

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin G. B., 47 vjeç, banues në Stropckë, pasi dyshohet se për motive pronësie, ka dhunuar kushërirën e tij.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Korçë referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin A. C., 31 vjeç, banues në Devoll, për vepërn penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.

 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë

 

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit A. N., 49 vjeç, dhe L. B., 62 vjeç, pasi dyshohet se kanë trafikuar në Shqipëri, një automjet kamionçinë, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

 

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin E. F., 22 vjeç, banues në Ishull Shëngjin, pasi në qytetin e Shëngjinit, duke drejtuar automjetin, ka përplasur shtetasen A. P., 45 vjeçe, banuese në Lezhë, këmbësore, e cila po merr mjekim dhe është jashtë rrezikut për jetën.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kurbin referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin B. L., 70 vjeç, banues në fshatin Shullaz, pasi në Fushë-Shullaz, ka ndezur zjarr për të djegur barishte dhe nga përhapja e flakëve është djegur një sipërfaqe toke.

 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë

 

Në vijim të informacion të dhënë pasditen e djeshme, mbi vënien në pranga të shtetasit S. S., informojmë se në vijim të veprimeve, për këtë shtetas, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda:

-ekzekutuan vendimin e Gjykatës, për dënimin me 4 muaj burgim të tij, për plagosje të rëndë, në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme;

-ekzekutuan urdhrin e Prokurorisë, për ndalimin e këtij shtetasi, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Mbajta pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Më tej, në vijim të veprimeve hetimore në lidhje me rastin e djeshëm, u gjet në automjetin e sekuestruar, dhe u sekuestrua me cilësinë e provës materiale, një sasi lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa.

Vijojnë kontrollet për drejtuesin e automjetit, me të cilin lëvizte shtetasi S. S., të identifikuar nga Policia, menjëherë pas rastit.

Gjithashtu, në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet për të sqaruar të gjitha rrethanat e këtij rasti.

 

Në vijim të informacionit të dhënë mesditën e djeshme, në lidhje me aksidentin në aksin rrugor “Fushë Krujë-Thumanë”, informojmë se në përfundim të veprimeve të para hetimore, u bë arrestimi në flagrancë i shtetases M. K., pasi automjeti që drejtonte, përplasi automjetin që drejtonte shtetasi I. S.. Nga aksidenti humbi jetën shtetasja B. S. dhe u dëmtuan 3 shtetas që janë aktualisht në kujdesin e mjekëve.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim E. G., 38 vjeç, pasi Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtrimi”.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2:

-arrestuan shtetasin N. M., 28 vjeç, sepse është konfliktuar fizikisht me një shtetas, pasi i ka vjedhur atij, një shumë parash;

-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit D. H., 48 vjeç, E. K., 35 vjeç, M. Ll., 37 vjeç dhe A. Ll., 75 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin;

-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit Zh. B., 42 vjeç, S. B., 40 vjeç dhe M. K., 28 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 kapën dhe ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim, për veprën penale “Dhuna në familje”, S. O., 37 vjeç.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për dy 16-vjeçarë, pasi dyshohet se për motive të dobëta, kanë goditur me grushte, një bashkëmoshatar të tyre.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vorë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:

-M. M., 37 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj vëllait të tij;

-J. L., 31 vjeç dhe B. C., 39 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, janë konfliktuar fizikisht, me njëri-tjetrin.

 

Specialistët e qarkullimit rrugor:

-arrestuan shtetasin A. Gj., 24 vjeç, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur;

-arrestuan shtetasin F. Sh., 20 vjeç, pasi u kap duke drejtuar automjetin, pa leje;

-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. S., 33 vjeç, pasi nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë, për të kryer testin e alkoolit.

 

Me datë 02.07.2025, në një vendparkim automjetesh, është dëmtuar 1 automjet dhe është tentuar të vidhet 1 tjetër. Punohet për identifikimin e kapjen e autorit/ëve të rasteve.

 

Me datë 02.07.2025, shtetasja Xh. B. kallëzoi se i kanë dëmtuar automjetin, ndërkohë që ishte i parkuar në rrugën “Ramazan Kasa”. Punohet për identifikimin e kapjen e autori/ëve të rastit.

 

Me datë 01.07.2025, gjatë kontrolleve me dron, është konstatuar në fshatin Zgërdhesh, një ambient i përshtatur si serë, ku ishin kultivuar 45 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, të cilat u asgjesuan me anë të djegies. Punohet për identifikimin e kapjes e autorit/ëve të këtij rasti.

 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë referuan materiale në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasin R. L., 28 vjeç, pasi dyshohet se ka vjedhur një çantë dore me një shumë parash dhe disa dokumente, në automjetin e një shtetaseje.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë referuan materiale në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasit:

-E. K., 49 vjeç, dhe H. D., 43 vjeçe, banues në fshatin Gjashtë, Sarandë, pasi më datë 01.07.2025, ndaj tyre ka bërë kallëzim vajza e shtetasit E. K., 21 vjeçe, se babai i saj dhe shtetasja H. D., gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë ushtruar dhunë fizike ndaj saj.

-M. L., 61 vjeç, banues në Finiq, pasi dyshohet se gjatë një konflikti për shfrytëzimin e një kullote, është konfliktuar fizikisht me shtetasen Z. K., 31 vjeçe.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Delvinë referuan materiale në Prokurori, pasi më datë 02.07.2025, dyshohet se shtetasi S. P., 41 vjeç, ka djegur aksidentalisht banesën e tij, në fshatin Rusan, Delvinë.

 

Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban në Vlorë dhe Sarandë referuan materiale në Prokurori dhe:

-arrestuan shtetasin A. B., 40 vjeç, banues në fshatin Drashovicë, pasi është konstatuar nga shërbimet e Policisë, në qendër të qytetit të Himarës, duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.

-nisën procedimin penal për shtetasin F. S., 54 vjeç, banues në Tiranë, pasi më datë 02.07.2025, në aksin rrugor “Palasë-Orikum”, duke drejtuar automjetin tip “Benz”, është përplasur me automjetin tip “Fiat”, me drejtuese shtetasen M. N., 44 vjeçe, banuese në Itali, e cila si pasojë është dëmtuar dhe ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

-nisën procedimin penal për shtetasin Xh. Xh., 42 vjeç, banues në Vlorë, pasi më datë 01.07.2025, në aksin rrugor “Orikum-Vlorë”, duke drejtuar motomjetin, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij, është rrëzuar dhe si pasojë ka marrë dëmtime. Ky shtetas, pasi është konstatuar nga punonjësit e Policisë, ka refuzuar të kryejë testin e alkoolit.

 

Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër

 

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë dje, për aksidentin në aksin rrugor në fshatin Kryezi,  informojmë se specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, shtetasin R. V., 24 vjeç, banues në Tiranë. Nga përplasja e automjetit që drejtonte ky shtetas me motomjetin që drejtonte shtetasi sllovak Z. S., 63 vjeç, humbi jetën drejtuesi i motomjetit dhe u dëmtua bashkëshortja e tij, shtetasja K. S., 65 vjeçe, që udhëtonte me të, e cila ndodhet në Spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Velipojë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin P. K., 38 vjeç, banues në fshatin Bicaj, për veprën penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, pasi ka kallëzuar një 31- vjeçare, se shtetasi P. K. e ka kanosur dhe fyer nëpërmjet celularit.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Fushë Arrëz referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. D., 65 vjeç, banues në Fushë Arrëz, pasi është konfliktuar me shtetasen D. P., 58 vjeçe, banuese në Fushë Arrëz.

 

Mbrëmjen e djeshme është paraqitur në qendrën shëndetësore në Velipojë, një 15-vjeçar, i cili dyshohet se aksidentalisht ka thyer xhamin e derës në një shtëpi plazhi të marrë me qira, në fshatin Pulaj, dhe për pasojë ka dëmtuar duart. Aktualisht po merr mjekim dhe jashtë rrezikut për jetën.

 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

DVP Gjirokastër

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Dropull-Libohovë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin A. P., 48 vjeç, banues në fshatin Bulo, shtetas me probleme të shëndetit mendor, pasi zjarri që dyshohet se ka ndezur te një grumbull mbetjesh, ka djegur disa pemë frutore në pronësi të një shtetasi.

 

Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi në aksin rrugor “Memaliaj-Tepelenë”, shtetasi S. R., 46 vjeç, banues në Tepelenë, me automjetin që drejtonte, ka përplasur automjetin me drejtues shtetasin francez, J. N., 20 vjeç. Nga aksidenti u dëmtuan lehtë 20-vjeçari dhe pasagjerja në automjetin që drejtonte ai.

 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Divjakë arrestuan në flagrancë shtetasin B. M., 69 vjeç, banues në fshatin Shën e Premte, pasi zjarri që ka ndezur për të djegur mbeturina në tokën e tij, ka dëmtuar një sipërfaqe pylli dhe disa pemë ulliri të mbjella në këtë zonë.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier kapën dhe ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim, M. B., 25 vjeç, banues në Fier, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me grushte, shtetasit E. Ll., 28 vjeç dhe Y. R., 18 vjeçe, si dhe iu ka dëmtuar automjetin.

 

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për një shtetas 17 vjeç, pasi u kap duke drejtuar një automjet.

 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Kukës

 

Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore arrestuan shtetasin S. M., 56 vjeç, banues në Kukës, pasi ka pushuar në mënyrë të gabuar, automjetin që drejtonte në gjendje të dehur, në qytetin e Kukësit, dhe si pasojë ka penguar qarkullimin e mjeteve.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kukës referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin B. B., për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.

 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Kukësit, për veprime të mëtejshme.