Lezhë/Konfiskohen në zbatim të një vendimi të GjKKO-së, 7 sipërfaqe toke dhe 2 apartamente, të ndodhura në Shëngjin, Ishull Shëngjin dhe në Ishull Lezhë.
9 pasuritë, me sipërfaqe totale rreth 33 815 m², janë përfituar nga veprimtari kriminale.
Në vijim të punës hetimore dhe operacionale, për gjurmimin e aseteve kriminale, gjatë 2 muajve të fundit janë sekuestruar në qarkun Lezhë, 29 pasuri me sipërfaqe totale rreth 132 322 m².
27 prej pasurive, sipërfaqe toke në zona bregdetare, lumore dhe të mbrojtura.
Në zbatim të një vendimi të GjKKO-së, të vitit 2021, të lënë në fuqi me një vendim të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të vitit 2022, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Lezhë, në bashkëpunim me specialistët e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, konfiskuan 9 pasuri të paluajtshme të përfituara nga veprimtari kriminale.
Pasuritë, konkretisht: 6 sipërfaqe toke të llojit “Arë”, 1 sipërfaqe toke e llojit “Kënetë” dhe 2 apartamente, ndodhen në Shëngjin, Ishull Shëngjin dhe në Ishull Lezhë dhe kanë sipërfaqe totale rreth 33 815 m².
DVP Elbasan
Vijon operacioni policor i koduar “Strike”, me objektiv identifikimin, kapjen dhe individualizimin e përgjegjësisë penale, të të gjithë shtetasve të përfshirë në vrasjen e shtetasit M. M. alias E. H..
Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve të shpejta operacionale, është identifikuar dhe kapur një bashkëpunëtor i dyshuar në këtë krim.
I arrestuari, me precedent të theksuar kriminal në disa fusha, ndër to, për tentativë për vrasje.
Sekuestrohen 1 automjet, 1 celular dhe sende të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.
Në vijim të veprimeve operacionale të kryera në bazë dhe për llogari të hetimeve intensive që po kryhen për të dokumentuar ligjërisht autorësinë dhe rrethanat e vrasjes së kryer më datë 30.11.2025, në ambientin e jashtëm të një karburanti në lagjen “Emin Matraxhiu”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda ekzekutuan urdhrin e prokurorit, për ndalimin e shtetasit:
-N. S., 29 vjeç, banues në Prrenjas, për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Nga verifikimet rezultoi se ky shtetas kishte precedent penal për tentativë për vrasje, armëmbajtje pa leje, shtrëngim me anë të kanosjes/dhunës për dhënie të pasurisë, si dhe për vjedhje.
Ndërkaq, nga hetimet e deritanishme dyshohet se ai është përfshirë në ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e datës 30.11.2025, në ambientin e jashtëm të një karburanti në lagjen “Emin Matraxhiu”, ku u vra me armë zjarri, shtetasi M. M. alias E. H..
Hetimet vijojnë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Kukës
Zbardhet ngjarja e ndodhur më datë 27.11.2025, në lagjen Drinas të fshatit Mamëz, Kukës, ku u qëllua me armë zjarri në drejtim të një biznesi.
Identifikohen 2 autorët e dyshuar (babë e bir).
Kapet dhe vihet në pranga njëri nga autorët, shpallet në kërkim djali i tij.
Sekuestrohet automjeti i dyshuar me të cilin babë e bir kanë lëvizur kur kanë kryer veprën penale.
Shërbimet e DVP Kukës, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kukës dhe nën drejtimin e Prokurorisë, si rezultat i hetimeve të thelluara me metoda proaktive, për zbardhjen e autorësisë së ngjarjes së ndodhur në lagjen Drinas, bazuar në informacionet e siguruara, organizuan operacionin policor të koduar “Drinas”.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Drinas”, u bë kapja dhe ndalimi i njërit prej autorëve, shtetasit Xh. M., 59 vjeç, si dhe u shpall në kërkim djali i tij, shtetasi M. M., 26 vjeç, banues në Kukës, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Këta shtetas, më datë 27.11.2025, në lagjen Drinas, dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të dyqanit në pronësi të shtetasit T. O., duke dëmtuar fasadën me xham të dyqanit.
Vijon puna intensive për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim, i cili nuk u gjet në banesë gjatë operacionit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve ndaluan shtetasin Sh. K., 53 vjeç, banues në Fier, pasi Gjykata e Apelit i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i veprave të artit dhe kulturës” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Ky shtetas akuzohet se para 2 vjetësh, ka bashkëpunuar për trafikim të veprave të artit/kulturës, si dhe ka mbajtur në banesë, lëndë narkotike Cannabis Sativa.
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin D. N., 36 vjeç, pasi dje, në Lushnjë, me automjetin që drejtonte, ka përplasur këmbësorët, shtetasit I. D., 72 vjeç dhe D. D., 68 vjeçe (bashkëshortë), të cilët janë në kujdesin e mjekëve.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier:
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin G. H., 47 vjeç, banues në Fier, pasi me automjetin që kishte parkuar gabim, kishte penguar lëvizjen në lagjen “15 tetori”;
-shpallën në kërkim shtetasin N. Dh., 53 vjeç, banues në Fier, pasi dyshohet se ka kanosur nëpërmjet rrjeteve sociale, vajzën e tij. Punohet për kapjen e 53-vjeçarit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasen A. N., 38 vjeçe, banuese në fshatin Grudë e Re, pasi duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe si pasojë automjeti është përplasur me dy automjete të parkuara dhe me një shtyllë ndriçimi.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-M. Sh., pasi ka kryer punime ndërtimi, pa lejen përkatëse;
-B. V., pasi ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj babait të tij;
-Gj. P., pasi u kap duke transportuar 3 m³ lëndë drusore të prerë në mënyrë të kundërligjshme. Lënda drusore u sekuestrua si provë materiale.
Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori, pasi ka kallëzuar shtetasi M. M., 70 vjeç, banues në lagjen “Manush Alimani”, se dje, ka konstatuar të dëmtuar xhamin e automjetit të tij.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq arrestuan në flagrancë shtetasin L. R., 40 vjeç, banues në fshatin Podgorije, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj babait të tij.
Në vijim të informacionit të dhënë më datë 28.11.2025, për shpalljen në kërkim të një 17-vjeçari, si autor i dyshuar për vjedhje në dy subjekte në qytetin e Korçës, bëjmë me dije se specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë kanë kapur 17-vjeçarin, banues në Korçë, për të cilin nisi procedimi në gjendje të lirë. Nga hetimet ky shtetas dyshohet dhe si autor i vjedhjes së një shume parash në një dyqan në Tiranë.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori dhe u shpall në kërkim shtetasi N. D., 35 vjeç, pasi dyshohet se ka kanosur nëpërmjet celularit, një 18-vjeçar, për një shumë lekësh që ky shtetas i kishte borxh.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin E. T., 38 vjeç, banues në Përenjas, pasi u kap duke transportuar një sasi lënde drusore të prerë në kundërshtim më ligjin. Lënda drusore dhe automjeti u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet proedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
Devoll
Zbulohet një lokal në qytetin e Bilishtit, i vënë në dispozicion të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit.
Vihen në pranga administratori i lokalit dhe menaxheri, i cili ishte punësuar në mënyrë të paligjshme.
Procedohen penalisht 2 shtetas që u kapën duke luajtur lojëra fati, në ambientet e lokalit.
Sekuestrohen pajisjet që shërbenin për lojëra fati dhe bileta sportive.
Si rezultat i kontrollit të kryer në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Devoll kanë zbuluar një lokal në qytetin e Bilishtit, ku organizoheshin lojëra fati. Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestuan në flagrancë shtetasit:
-P. M., 45 vjeç, banues në Bilisht, administratori i lokalit, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojrave të fatit në kundërshtim me ligjin”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra fati”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Punësimi i paligjsjëm”;
-E. M., 26 vjeç, banues në Bilisht, menaxheri i lokalit, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojrave të fatit në kundërshtim me ligjin”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra fati” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit E. U., 25 vjeç, dhe F. M., 23 vjeç, banues në Bilisht, të cilët u kapën në lokal, duke luajtur lojëra fati.
Nga hetimet rezultoi se 45-vjeçari kishte marrë me qira lokalin dhe kishte punësuar në mënyrë të paligjshme, si menaxher, shtetasin E. M. Në lokalin e përshtatur për veprimtarinë e paligjshme të lojërave të fatit, u gjetën pajisje elektronike që shërbenin për këtë veprimtari dhe disa bileta, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.
Durrës
Vijojnë operacionet për zbardhjen e vjedhjeve të automjeteve të ndodhura më parë.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Markat”.
Vidhte automjete në lagje të ndryshme të Durrësit dhe në qarkun e Dibrës, me qëllim shitjen e tyre te personat me precedent kriminal për të kryer krime ndaj jetës dhe personit; kapet dhe vihet në pranga 21-vjeçari, i shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Durrës.
Gjenden dhe sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 4 automjete të vjedhura nga ky shtetas.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë, identifikimin dhe kapjen e autorëve, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Markat”.
Bazuar në informacionet e siguruara, shkëmbimin dhe bashkëpunimin me Komisariatin e Policisë nr. 4 në Tiranë dhe Komisariatin e Policisë Bulqizë, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit K. Ll., 21 vjeç, lindur dhe banues në Bulqizë.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës, pas informacioneve të marra në rrugë operative, kanë shkuar në Bulqizë dhe në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë kanë ushtruar kontroll në vendin ku dyshohej se ndodhej shtetasi i kërkuar.
21-vjeçari, që pak minuta më parë kishte vjedhur një automjet Benz në fshatin Gjoricë, Bulqizë, në pronësi të shtetasit V. Xh., sapo ka parë shërbimet e Policisë, është larguar me shpejtësi bashkë me automjetin, në drejtim të Tiranës.
Në kuadër të operacionit “Markat”, shërbimet e Komisariatit të Policisë nr. 4 në Tiranë kanë bërë të mundur bllokimin e automjetit, si dhe kapjen e 21-vjeçarit, të cilin ia kanë dorëzuar shërbimeve të Komisariatit të Policisë Durrës për veprime të mëtejshme.
Nga veprimet hetimore të kryera rezulton se 21-vjeçari ka vjedhur edhe tre automjete të tjera në lagjet nr. 15 dhe nr. 17 të Durrësit, si dhe sende personale në një automjet, po në lagjen nr. 15, Durrës.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit, kanë gjetur dhe sekuestruar automjetet e vjedhura të markave Benz, Toyota, Volkswagen dhe Ford Focus.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që dyshohet se janë kryer nga ky shtetas.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
