Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 95 shtetas, konkretisht: 17 shtetas janë vënë në pranga, 69 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 9 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste. 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 5 raste. 2 shtetas janë arrestuar, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 13 raste. 1 shtetas është arrestuar, 5 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 16 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Për veprat penale në fushën e vjedhjes/tentativës për vjedhje të pronës dhe pasurisë janë evidentuar 11 raste, 6 prej tyre me autorë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 4 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 22 raste. 2 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 21 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 9 raste të dhunës në familje. 1 shtetas është vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë plotësuar 9 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar:
-3 raste të kalimit të kundërligjshëm të kufijve, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-nga 1 rast i përndjekjes dhe dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve, me nga 1 shtetas të arrestuar;
-nga 1 rast i falsifikimit dhe kanosjes për të mos kallëzuar, me nga 1 shtetas të shpallur në kërkim;
-nga 1 rast i krimeve ekonomike, vetëgjyqësisë dhe moskallëzimit të krimit, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
4 shtetase janë proceduar në gjendje të lirë, për ushtrim të prostitucionit.
1 shtetas është ndaluar për sigurim të kushteve/mjeteve për të kryer vrasje.
Për 1 shtetase të shpallur në kërkim ka nisur procedimi në gjendje të lirë për braktisje të fëmijës së mitur
Kanë ndodhur 5 aksidente rrugore, me 1 viktimë dhe 5 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 13 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, njëri prej tyre me autor të paidentifikuar. Për raste të tjera, 6 shtetas janë vënë në pranga dhe 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Drejtoria Vendore e Policisë Dibër
Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore arrestuan në flagrancë shtetasin K. N., 35 vjeç, banues në Tiranë, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur dhe pa leje.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Bulqizë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-P. D., 50 vjeç, banues në fshatin Trebisht, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me grushte, një 38-vjeçar;
-K. S., 19 vjeç, banues në Bulqizë, dhe E. D., 20 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se për motive të dobëta, kanë goditur me grushte, një 27-vjeçar.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mat referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin Sh. Gj., 68 vjeç, banues në Burrel, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje.
Dje, kallëzoi shtetasi M. K., se prej disa ditësh, ishte larguar nga banesa xhaxhai i tij, shtetasi S. K., 73 vjeç. Po punohet për gjetjen e këtij shtetasi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Berat
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen B. I., 41 vjeçe, banuese në fshatin Kamçisht, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj djalit 15-vjeçar të bashkëshortit të saj. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Dhuna në familje”.
Dje, kallëzoi një 37-vjeçare, banuese në Berat, se për motive të dobëta, është goditur me duar, nga shtetaset M. G., 37 vjeçe dhe H. D., 57 vjeçe, të dyja banuese në Berat. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, me qëllim vlerësimin juridik të rastit.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Cërrik referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-E. Sh., 44 vjeç, banues në Belsh, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij;
-N. D., 43 vjeç dhe T. J., 38 vjeç, pasi janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin, për motive të dobëta.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Librazhd referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasen F. K., 56 vjeçe, pasi ka goditur me grushte shtetasen V. H., për motive të dobëta.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gramsh referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin G. M., 59 vjeç, pasi ka kryer punime ndërtimi, pa leje.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Peqin referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin N. K., 33 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj babait të tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin M. B., 58 vjeç, pasi ka goditur me grushte shtetasin V. L., 82 vjeç, për motive të dobëta.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin B. P., 67 vjeç, banues në Cërrik, pasi në lagjen “28 Nëntori”, duke kryer manovrën indietro me automjet, ka aksidentuar shtetasin K. T., 61 vjeç, këmbësor, i cili është jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin J. K., 37 vjeç, banues në Lushnjë, pasi me automjetin që drejtonte, ka përplasur këmbësoren, shtetasen H. S., 73 vjeçe, e cila si pasojë, është në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Specialistët e Komisariatit të Policisë Fier:
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin A. H., 50 vjeç, banues në Fier, pasi dyshohet se ka vjedhur sende, në ambientet e jashtme të një banese;
-shpallën në kërkim shtetasin L. A., 45 vjeç, banues në fshatin Cakran, pasi dyshohet se ka kanosur shtetasin H. S., 73 vjeç, për të tërhequr kallëzimin e bërë në lidhje me një aksident rrugor. Punohet për kapjen e 45-vjeçarit;
-referuan materialet në Prokurori, në lidhje me kallëzimin e shtetases M. S., administratore në një market, se në çantat e disa punonjëseve, janë vjedhur shuma parash. Punohet për zbardhjen e autorësisë së këtyre rasteve dhe për verifikimin e kallëzimit.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-E. Sh., 38 vjeç, banues në Lushnjë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj motrës së tij;
-J. Gj., 39 vjeç, banues në Lushnjë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj vëllait të tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Divjakë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-Sh. H., banuese në fshatin Gërmenjë, pasi dyshohet se ka prerë disa rrënjë ulliri në pronësi të një 41-vjeçari;
-G. H., 21 vjeç dhe për një shtetas 17 vjeç, të dy banues në fshatin Çermë Sektor, pasi dyshohet se për motive të dobëta, kanë goditur me grushte, 2 shtetas (vëllezër).
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin M. L., 40 vjeç, banues në Korçë, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin R. B., 72 vjeç, banues në Plasë, Maliq, pasi dyshohet se ka kanosur me mjet prerës (thikë), një 44-vjeçare, për motive të dobëta.
Korçë/Më datë 28.04.2025, në lagjen nr.6, ka rënë zjarr në kasollen në pronësi të shtetasit B. Sh. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se zjarri është shkaktuar aksidentalisht nga një cigare. Nga flakët janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasit:
-E. S., 25 vjeç, banues në Shkodër, pasi u konstatua duke kryer manovra të gabuara me automjetin që e drejtonte pa leje drejtimi;
-B. Z., 19 vjeç, banues në Shkodër, pasi u kap duke drejtuar motomjetin, pa leje drejtimi.
Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit Gj. L., 52 vjeç, banues në fshatin Theth, dhe K. Gj., 46 vjeç, banues në Vlorë, pasi ditën e djeshme, në aksin rrugor “Bogë-Theth”, automjeti që drejtonte shtetasi Gj. L. është përplasur me motomjetin me drejtues shtetasin K. Gj. dhe pasagjere shtetasen Xh. K., e cila si pasojë është dëmtuar lehtë.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin S. B., 34 vjeç, banues në Ballsh, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën një sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin H. Xh., 59 vjeç, banues në fshatin Trush, pasi ka kryer punime ndërtimi, pa lejen përkatëse.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Velipojë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasve Z. G. dhe Z. B., të dy banues në Shkodër, pasi kanë kryer punime ndërtimi, pa lejet përkatëse, në Velipojë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pukë referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin P. L., 60 vjeç, banues në Pukë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës”, pasi ka dëmtuar një kontenier në përdorim nga Komisariati i Policisë Pukë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Vlorë referuan materiale në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasin K. K., 21 vjeç, banues në Mifol, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi lënde narkotike kanabis dhe kokainë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Sarandë referuan materiale në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin A. J., 24 vjeç, banues në Sarandë, pasi dyshohet se ka përdorur një kartëmonedhë 50 euro, e dyshuar e falsifikuar, për t’u furnizuar me karburant. Punohet për kapjen e tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Livadhja referuan materiale në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin A. M., 48 vjeç, banues në Sarandë, pasi dyshohet se ka vjedhur një shumë parash dhe disa produkte ushqimore në banesën e një shtetaseje, në fshatin Halo, Finiq. Punohet për kapjen e tij.
Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban Sarandë arrestuan shtetasin A. K., 26 vjeç, banues në Delvinë, pasi në aksin Sarandë-Delvinë, duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, është përplasur me bordurën e rrugës.
Materialet iu referuan Prokurorive përkatëse, për veprime të mëtejshme.
Durrës
Finalizohet operacioni policor i koduar “Provat”.
Tentoi të vidhte me dhunë 3 shtetase të huaja, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 18-vjeçari.
Zbardhen dhe dokumentohen dhe 2 vjedhje të tjera të kryera me dhunë nga ky shtetas.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të vjedhjeve të ndodhura më parë, kanë organizuar punën për zbardhjen e disa vjedhjeve të kryera me dhunë.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Provat”, u arrestua në flagrancë për veprat penale “Vjedhja me dhunë”, mbetur në tentativë, “Vjedhja”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Shkatërrimi i pronës”, shtetasi:
- A., 18 vjeç, banues në Durrës.
Ky shtetas dyshohet se në orët e para të mëngjesit në lagjen nr.13, Durrës, ka tentuar t’iu vjedhë me dhunë sendet personale, 3 shtetaseve italiane,.
Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se ky shtetas, më datë 27.04.2025, në lagjen nr. 13, ka thyer xhamin e një automjeti dhe ka marrë disa sende personale, dhe më datë 28.04.2025, ka thyer xhamin e një automjeti dhe ka marrë disa sende personale.
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit D. A., u gjetën dhe u sekuestruan një sasi municioni luftarak dhe disa sende të dyshuara të vjedhura.
Në lidhje me hetimet e kryera, u procedua në gjendje të lirë për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, shtetasi E. D., 36 vjeç, banues në Durrës.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të vjedhjeve të tjera që dyshohet se janë kryer nga ky shtetas.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrës, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër
Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin N. L., 58 vjeç, banues në fshatin Kallëmb, Memaliaj, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin I. V., 44 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj djalit të tij, i cili u pajis me urdhër mbrojtjeje.
Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori, pasi më datë 28.04.2025, rreth orës 23:00, në lagjen “18 Shtatori”, është gjetur në banesë, pa shenja jete, shtetasi A. M., 38 vjeç. Nga veprimet e para hetimore, dyshohet se ky shtetas ka humbur jetën për shkaqe natyrale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë
Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme nga Policia Kufitare, për parandalimin dhe goditjen e tentativës për dhënie ndihmë për kalim të kufirit në mënyrë të paligjshme.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Lugina 2”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt pagesës.
Organizonte dhe zhvillonte veprimtarinë e dhënies ndihmë për kalimin të kufirit në mënyrë të paligjshme, kundrejt fitimit, kapet dhe vihet në pranga 1 shtetas sirian.
Ky shtetas ndihmonte emigrantë nga Vendet e Treta, që të kalonin ilegalisht kufirin jeshil me Greqinë, me qëllim kalimin në Mal të Zi dhe më pas në vendet e BE-së.
Shtetasi sirian u kap në flagrancë gjatë natës, në fshatin Vidohovë, duke shoqëruar 6 shtetas egjiptianë dhe sirianë (4 prej të cilëve ishin të mitur).
Nga hetimet e thelluara të kryera prej disa muajsh rezulton se ky shtetas e ka kryer disa herë këtë veprimtari kriminale, më parë, por emigrantët janë kapur nga shërbimet policore, në tentativë për të kaluar drejt Malit të Zi.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë dhe me Prokurorinë e Korçës, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Lugina 2”. Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi sirian:
M. H., 18 vjeç, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë sirianë, ndihmonte emigrantë nga Vendet e Treta, kundrejt pagesës, që të kalonin ilegalisht në Shqipëri, nëpërmjet kufirit tokësor me Greqinë.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
Tiranë/Informacion paraprak
Rreth orës 14:00, në sallën operative të DVP Tiranë ka ardhur një telefonatë se në rrugën “Ali Demi” kishte një konflikt midis disa shtetasish, në ambientet e një zyre elektorale.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, është konstatuar i dëmtuar dyshohet me sende të forta xhami i zyrës së subjektit elektoral.
Po nga këqyrja e vendit të ngjarjes, janë konstatuar dy fishekë luftarak.
Menjëherë në vendin e ngjarjes, kanë shkuar forca të shumta policie dhe grupi hetimor. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të përfshirë në konflikt, të cilët janë larguar nga vendi i ngjarjes me një automjet.
Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e motivit të konfliktit dhe dokumentimin e rrethanave të rastit.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan në flagrancë shtetasit:
-D. K., 51 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”, pasi i ka vjedhur celularin një shtetasi, në Rrugën e Barrikadave;
-M. Y., 37 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj prindërve të tij;
-A. A., 42 vjeç, pasi gjatë kontrollit në automjetin e tij, u gjet dhe u sekuestrua një përforcues grushti (dorezë metalike);
-V. Gj., 41 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me grushte shtetasin G. D., 42 vjeç, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. Xh., 40 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka thyer xhamin e pasmë të një automjeti të parkuar. Gjatë kontrollit fizik, 40-vjeçarit iu gjetën një sasi e vogël Cannabisi dhe 2 mjete prerëse.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetaset spanjolle A. R., 26 vjeçe, B. P., 26 vjeçe, E. R., 26 vjeçe dhe S. R., 27 vjeçe, pasi u konstatuan në një apartament në rrugën e Kavajës, ku dyshohet se ushtronin prostitucion. Gjatë kontrollit në këtë ambient dhe kontrollit fizik ndaj 27-vjeçares, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan shuma parash dhe një sasi të vogël Cannabisi.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasit A. A., 33 vjeç dhe A. D., 33 vjeç, pasi kanë goditur me grushte një 40-vjeçar, për motive të dobëta.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. B., 36 vjeç, pasi ka goditur me grushte një bashkëmoshatar, për motive të dobëta.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 7 arrestuan shtetasin F. P., 37 vjeç, pasi dyshohet se ka përndjekur ish-bashkëshorten e tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë arrestuan shtetasin A. R., 25 vjeç, pasi dyshohet se i ka marrë me dhunë një shumë parash, një 41-vjeçari.
Specialistët e qarkullimit rrugor arrestuan shtetasit:
-J. M., 35 vjeç, pasi dyshohet se rreth orës 02:25 të datës 29.04.2025, automjeti që drejtonte ky shtetas ka përplasur një këmbësor ende të paidentifikuar, rreth 70 vjeç, i cili po kalonte trafikndarësen. Si pasojë, 70-vjeçari ka humbur jetën. Punohet për identifikimim e tij;
-T. B., 63 vjeç, pasi duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur, ka përplasur një automjet. Nga përplasja janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Tiranë/Vijojnë operacionet policore për zbardhjen e vjedhjeve dhe nxjerrjen e autorëve të tyre, përpara përgjegjësisë penale.
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 2, operacioni policor i koduar “April”.
Zbardhen 6 vjedhje/tentativa për vjedhje, të kryera gjatë këtij muaji.
Identifikohet dhe kapet autori i tyre, me precedent të theksuar për këtë krim.
Këtij shtetasi i gjendet dhe i sekuestrohet 1 celular, i dyshuar i vjedhur.
Si rezultat i hetimeve të kryera me qëllim zbardhjen e vjedhjeve të denoncuara nga qytetarë ose administratorë subjektesh, gjatë këtij muaji, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 finalizuan operacionin policor të koduar “April”.
Gjatë operacionit u vu në pranga shtetasi T. H., 30 vjeç, banues në Skrapar.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas ka vjedhur 3 celularë dhe një shumë parash në 2 dyqane, 1 monopatinë, një market, si dhe ka tentuar të vjedhë në 2 subjekte të tjera.
Punohet për të zbardhur vjedhje të tjera që mund të ketë kryer 30-vjeçari.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për 3 shtetas të mitur (dy prej tyre 17 vjeç, tjetri 16 vjeç), të tre banues në Lezhë, pasi kanë goditur me grushte 17-vjeçar.
Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori, pasi më datë 28.04.2025, shtetasi M. P. ka njoftuar Policinë, se në orët e para të mëngjesit, 2 shtetas kanë vjedhur me dhunë një shumë parash 290.000 lekë të rinj dhe një armë gjahu, në banesën e tij, në fshatin Gajush. Shërbimet e Policisë vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin M. B., 37 vjeç, banues në Kosovë, sepse dje, duke drejtuar automjetin, në dalje të tunelit të Kalimashit, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe si pasojë automjeti është përplasur me një autobus. Nga aksidenti janë dëmtuar lehtë shtetasi M. B. dhe pasagjerja në automjetin e tij, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.