Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Qarku Korçë
Komisariati i Policisë Maliq kapi dhe ndaloi shtetasen A. L., 37 vjeçe, banuese në fshatin Plasë, Maliq. Kjo shtetase ishte shpallur në kërkim pasi dyshohet se më datë 27.08.2024, ka dhunuar fëmijët e saj të mitur.
Komisariati i Policisë Devoll arrestoi në flagrancë shtetasin A. K., 55 vjeç, banues në Bilisht, pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një 26-vjeçare.
Komisariati i Policisë Pogradec arrestoi në flagrancë shtetasin J. Sh., 28 vjeç, banues në Pogradec, pasi dyshohet se ka dhunuar babanë e tij.
Sektori i Policisë Rrugore arrestoi në flagrancë shtetasin B. K., 43 vjeç, banues në fshatin Bulgarec, Korçë, pasi në lagjen nr.10, Korçë, automjeti tip “Fiat”, që drejtonte në gjendje të dehur, është përplasur më një automjet të parkuar. Nga përplasja e automjeteve është dëmtuar lehtë 43-vjeçari.
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, për një aksident rrugor, në fshatin Çiflig, Korçë, ju informojmë se Sektori i Policisë Rrugore referoi materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin G. K., 43 vjeç, banues në Korçë.
Po nga ky sektor u referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin A. R., 61 vjeç, banues në fshatin Libonik, Maliq, pasi duke drejtuar një mjet bujqësor (zetor), ka humbur kontrollin dhe për pasojë mjeti ka dalë nga rruga. Si pasojë është dëmtuar lehtë 61-vjeçari.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Korçë referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin D. M., 32 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
Qarku Shkodër/Megaoperacioni policor anticannabis “Territor i pastër”, asgjësohen 2449 bimë cannabisi.
Në kuadër të këtij megaoperacioni që ka si objektiva parandalimin, konstatimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të komisariateve në varësi të saj, kanë vijuar intensivisht kontrollet në të gjithë territorin e qarkut. Gjatë kësaj faze të megaoperacionit:
-shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër gjetën në territorin e njësive administrative Pult, Shalë dhe Postribë, dhe asgjësuan 606 bimë cannabisi;
-shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe gjetën në territorin e njësisë administrative Shkrel dhe asgjësuan 531 bimë cannabisi;
-shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës gjetën në territorin e njësisë administrative Shllak dhe asgjësuan 1312 bimë cannabisi.
Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të kultivimit të këtyre bimëve narkotike.
Kontrollet vijojnë.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër
Komisariati i Policisë Shkodër arrestoi shtetasin E. G., 36 vjeç, banues në Shkodër, pasi ka kallëzuar bashkëshortja e tij, se ai ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj dhe djalit të tyre.
Posta e Policisë Theth referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-K. G., 56 vjeç, banues në Shkodër, pasi ka kryer punime ndërtimi në fshatin Theth, pa lejen përkatëse;
-N. H., 46 vjeç, banues në fshatin Theth, pasi ka kryer punime ndërtimi në fshatin Theth, pa lejen përkatëse.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit
Operacioni “Para drejtësisë”, ekstradohet në Gjermani, një shtetas i akuzuar për plagosje dhe vjedhje, në një vendparkim automjetesh në Heiningen.
Në vijim të bashkëpunimit të ngushtë me homologët e Interpol Wiesbaden, specialistët e Interpol Tiranës finalizuan procedurën për ekstradimin nga Shqipëria në Gjermani, të shtetasit gjerman, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, Z. O., 35 vjeç.
Ai u ndalua në PKK Morinë, rreth 2 muaj më parë, pasi rezultoi se akuzohet nga autoritetet gjermane, për plagosje dhe për vjedhje. Dyshohet se në vitin 2019, 35-vjeçari, në një vendparkim automjetesh në Heiningen, ka goditur një shtetas, me grushte dhe me send të fortë, si dhe i ka vjedhur atij çantën me sende personale.
Policia e Shtetit vijon intensivisht bashkëpunimin me homologët, për të kapur dhe nxjerrë përpara drejtësisë, shtetasit e kërkuar ndërkombëtarisht.
Stacioni i Policisë Poliçan referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin I. B., 84 vjeç, banues në Qendrën Polivalente Poliçan, pasi dyshohet se për motive të dobëta, në ambientet e kësaj qendre, ka kanosur me mjet prerës (biçak), shtetasin N. N., 82 vjeç, banues në të njëjtën qendër. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kanosja”.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 77 shtetas, konkretisht: 18 shtetas janë vënë në pranga, 55 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 15 raste. Për 9 raste të kultivimit të bimëve narkotike, autorët janë ende të paidentifikuar, ndërsa për 6 rastet e tjera në fushën e narkotikëve, janë proceduar në gjendje të lirë 6 shtetas.
Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 4 raste, 2 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë ndaluar 2 shtetas të shpallur në kërkim për krime në këtë fushë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 5 raste, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë ndaluar 2 shtetas të shpallur në kërkim për krime në këtë fushë.
Janë evidentuar 4 raste të krimeve ekonomike, me 1 shtetas të vënë në pranga, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të vjedhjes, 3 prej të cilave me autorë të paidentifikuar. 1 shtetas i shpallur në kërkim për vjedhje të kryera më parë, është ndaluar, ndërsa për rastin tjetër është proceduar në gjendje të lirë 1 shtetas.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 14 raste- 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 13 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Dhuna në familje”. 5 shtetas janë arrestuar në flagrancë, 1 shtetas është ndaluar dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë. si dhe janë plotësuar 11 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar:
-6 raste të kalimit të kundërligjshëm të kufijve, me 8 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-3 raste të shfrytëzimit të të miturve, për të lypur, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të krimeve kibernetike, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar, ndërsa rasti tjetër me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-nga 1 rast i veprave penale “Përkrahja e autorit të krimit”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik“ dhe “Ngacmimi seksual”, me nga 1 shtetas të vënë në pranga;
-nga 1 rast i veprave penale “Përndjekja” dhe “Shkaktimi i vetëvrasjes”, mbetur në tentativë, me nga 1 shtetas të shpallur në kërkim;
-nga 1 rast i veprave penale “Keqtrajtimi i kafshës”, “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik” dhe “Braktisja e fëmijëve të mitur”, me 4 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë;
-1 rast i veprës penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”, për të cilin vijojnë hetimet për të përcaktuar autorësinë dhe për të zbardhur rrethanat e tij.
1 shtetas i shpallur në kërkim për veprën penale “Përndjekja”, është ndaluar.
Kanë ndodhur 5 aksidente rrugore, me 6 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 14 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, 2 prej tyre me autorë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.