Raporti i ngjarjeve, 28,29,30 shtator 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Lushnjë/ Vijon megaoperacioni i koduar “Tempulli”.

Shpërndanin lëndë narkotike cannabis sativa dhe heroinë, vihen në pranga 2 shtetas.

Sekuestrohet lënda narkotike.

Komisariati i Policisë Lushnjë, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier, nga kontrollet e vazhdueshme për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, në kuadër të megaoperacionit “Tempulli”, kanë goditur 2 raste.

Për këto raste u arrestuan në flagrancë shtetasit H. K., 27 vjeç, dhe K. K., 46 vjeç, të dy banues në Lushnjë, pasi nga kontrolli fizik dhe i banesës, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar doza të lëndëve narkotike cannabis sativa dhe heroinë.

Nga kontrolli në aparatët celular të shtetasve të mësipërm, shtetasit K. K., iu gjetën në aparatin celular foto të biletave të basteve sportive.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda narkotike, një shumë parash që dyshohet të jetë përfituar nga kjo veprimtari dhe 4 aparatë celular.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Policia Rrugore arrestoi shtetasin E. M., 36 vjeç, banues në fshatin Gradisht, pasi u konstatua duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.

Sektori për Hetimin e Trafiqeve i DVP Fier referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin S. D., banues në Tiranë, pasi automjeti në pronësi të tij, dyshohet të jetë i vjedhur dhe i trafikuar.

Materialet Procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Tiranë

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 angazhim maksimal 24/7 për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale, në çdo formë të shfaqjes së tyre.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Lugina”.

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale bimë të dyshuara narkotike kanabis, sasi lënde plasëse e dyshuar tritol me fitil përcjellës dhe kapsollë, 6 ndezës unifikues granatash, 1 kapsollë detonatore, 1 armë gjahu, 2 qyta arme, 3 krëhëra automatiku, municion luftarak dhe 1 bajonetë metalike.

Arrestohet një shtetas si autor i kultivimit të bimëve dhe posedues i sendeve të jashtligjshme, procedohet penalisht një tjetër për shpërdorim detyre.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 gjatë kontrolleve intensive në terren, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale, në fshatin Shesh, kanë konstatuar një parcelë në të cilën ishin mbjellë 48 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.

Pas konstatimit të këtyre bimëve shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, janë angazhuar maskimalisht dhe kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.

Pas një pune të mirefilltë hetimore dhe profesionale, bazuar në inteligjencën informative është bërë identifikimi dhe arrestimi i shtetasit R. R., 28 vjeç, banues në Pezë Helmës, i dyshuar për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”, parashikuar nga nenet 278/4, 279, 280 dhe 284 të Kodit Penal.

Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë shtetasi A. L., ndërlidhës me komunitetin në fshatin Shesh, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Në vijim të veprimeve hetimore, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit R. R., shërbimet e Policisë, gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale sasi lënde plasëse e dyshuar tritol me fitil përcjellës dhe kapsollë, 6 ndezës unifikues granatash, 1 kapsollë detonatore, 1 armë gjahu pa lejen e organeve kompetente, 2 qyta arme, 3 krëhëra automatiku, municion luftarak dhe 1 bajonetë metalike.

Materialet i kaluan Prokurorisë.

Korçë/Informacion paraprak

Rreth orës 13:00, në Komisariatin e Policisë Korçë, është paraqitur dhe ka bërë kallëzim shtetasi O.C, banues në lagjen nr 3, Korçë,  i cili ka deklaruar se  mesditën e sotme  kur është kthyer nga Greqia ka konstatuar se  i kishin vjedhur në banesë televizorin, një shumë parash dhe sende të tjera.

Pas kallëzimit të marrë nga shtetasi O.C, grupi hetimor ka shkuar në vendngjarje.

Nga veprimet e shpejta hetimore  të kryera në vendngjarje dhe informacionet e marra në rrugë operative nga  Specialistët për Hetimin e Krimit, rezultoi se autori i dyshuar i vjedhjes ishte shtetasi  E.B, 37 vjeç, banues në lagjen nr 3, Korçë,  person i dënuar më parë për një seri vjedhjesh të ndodhura në Korçë gjatë vitit 2021.

Bazuar mbi këto dyshime, shërbimet e Policisë kanë shkuar në banesën e shtetasit  E.B, për ta shoqëruar në Komisariat, si person i dyshuar për vjedhjen e ndodhur.

Në momentin që shërbimet e Policisë kanë shkuar te banesa dhe i kanë komunikuar shtetasit E.B, që do shoqërohej në Komisariat për tu marrë në pyetje, ky shtetas ka përplasur derën duke thyer xhamin e derës  dhe ka tentuar të largohej nga dera  tualetit, por nuk ka mundur të largohej pasi është prangosur nga shërbimet e Policisë.

Shtetasi E.B, është shoqëruar në spital dhe mori ndihmë mjekësore pasi u dëmtua në dorë nga xhamat e derës.

Njëkohësisht edhe një nga punonjësit e policisë mori mjekim pasi u dëmtuar nga xhamat gjatë prangosjes së shtetasit E.B.

Shtetasi E.B,  pas mjekimit është shoqëruar në ambientet e Policisë për veprime të mëtejshme procedurale të cilat po kryhen nën drejtimin e Prokurorisë  dhe të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.

Policia e Shtetit

Ekstradohet nga Italia, një shtetas shqiptar i akuzuar për përndjekje.

Operacioni “Para drejtësisë”, 33-vjeçari, duke u prezantuar si një shtetas tjetër, kanosi një shtetase, në vitin 2019, që t’i dërgonte video intime.

Si rezultat i bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve në Itali, me qëllim finalizimin e procedurave për ekstradimin e shtetasve të kërkuar ndërkombëtarisht, u ekstradua në Shqipëri, shtetasi shqiptar i arrestuar në Itali, E. H., 33 vjeç.

Drejtoria e Interpol Tiranës e ka shpallur në kërkim ndërkombëtar këtë shtetas, sepse më datë 19.07.2023, i është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Përndjekja”. Nga hetimet dyshohet se në vitin 2019, ky shtetas, duke u prezantuar si shtetasi E. Sh., ka kanosur një shtetase, për t’i dërguar video intime.

Tiranë/Arrestohen 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve arrestuan shtetasen K. P., 22 vjeçe, si dhe proceduan në gjendje të lirë shtetasin R. I., 29 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal. Shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë shtetasen K. P., duke i shitur 29-vjeçarit një dozë me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3 arrestuan shtetasin E. Xh., 30 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se i ka vjedhur skuterin elektrik një shtetasi.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6 arrestuan shtetaset Xh. Xh., 57 vjeçe, dhe A. Xh., 50 vjeçe, të dyja banuese në Tiranë, pasi dyshohet se kanë ushtruar dhunë ndaj mbesës së tyre.

Materialet i kaluan Prokurorisë.

Pukë/Informacion paraprak

Mëngjesin e sotëm, familjarët e shtetasit G.K, 34 vjeç, banues në fshatin Berishë Vendi, kanë njoftuar Policinë se kishin humbur kontaktet me shtetasin G.K, që prej  mbrëmjes së datës 28.09.2024.

34 vjeçari ditën e djeshme kishte shkuar në fshatin Iballë dhe në mbrëmje kishte njoftuar familjen se po kthehej për në banesë.

Gjatë kontrollit të rrugës paraditen e sotme, në vendin e quajtur “Laku i Qershisë”, në një rrugë dytësore që të çon në lagjen Bullicë të fshatit Berishë Vendi, rreth 50 metra poshtë rrugës është gjetur i pajetë shtetasi G.K.

Dyshohet se shtetasi G.K, duke u kthyer me  automjet për në banesë, si pasojë e motit të keq ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe  automjeti ka dalë nga rruga.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë  po punon për sqarimin e rrethanave dhe shkakut  të aksidentit.

Shkodër/Informacion paraprak

Rreth orës 12:45, në aksin rrugor “Shkodër- Lezhë”, një automjet tip Benz, me drejtues shtetasin E. M., ka përplasur motomjetin me drejtues shtetasin  E. S., 28 vjeç.

Si pasojë është dëmtuar shtetasi E. S, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave dhe shkakut  të aksidentit.

Shkodër

Vihen në pranga 2 vëllezër pasi kundërshtuan me forcë dhe ushtruan dhunë ndaj punonjësve të Policisë të Forcës së Posaçme “Shqiponja”.

Procedohet penalisht dhe një 19-vjeçar, për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë.

Gjatë patrullimit të zakonshëm në sheshin “Prek Cali”, punonjësit  e Policisë të Forcës së Posaçme “Shqiponja” kanë konstatuar një automjet dhe i kanë bërë me shenjë që të ndalonte, për të ushtruar kontroll për sende të kundërligjshme. Automjeti drejtohej nga shtetasi E. L., 19 vjeç.

Gjatë kontrollit fizik ndaj 19-vjeçarit, ky shtetas ka tentuar të largohet me vrap, por është kapur dhe ndaluar nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”.

Në momentin e shoqërimit të automjetit, shërbimet e Policisë janë kundërshtuar me forcë nga shtetasit M. D., 29 vjeç dhe M. M. alias M. D., 38 vjeç (vellezër), të cilët kanë kryer veprime të dhunshme gjatë shoqërimit të automjetit dhe në ambientet e brendshme të Drejtorisë Vendore.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Kavajë/Vijon megaoperacioni “Sundimi i ligjit”, për kapjen e personave të shpallur në kërkim.

I kërkuar për abuzim seksual me një shtetase të mitur, kapet dhe vihet në pranga 33-vjeçari.

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara për kapjen e personave në kërkim, bazuar dhe në inteligjencën policore, se një i kërkuar do të hynte në Shqipëri, nëpërmjet PKK Rinas, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit, kapën në hyrje, në Rinas, shtetasin E. S., 33 vjeç, banues në Çermë, Lushnjë.

Ky shtetas në vitin 2023, ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Marrëdhënia seksuale ose homoseksuale me të mitur”.

Në muajin gusht 2023, dyshohet se shtetasi E. S. ka abuzuar seksualisht me një shtetase të mitur, rast i cili është transmetuar në emisionin “Piranjat”, më datë 13 shtator 2024.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Policia falënderon gazëtarët e emisionit “Piranjat”, për denoncimin e rastit, si dhe fton ata, median dhe qytetarët që të kallëzojnë çdo paligjshmëri që hasin. Reagimi ndaj autorëve të tyre do të jetë i shpejtë dhe me ashpërsinë e ligjit.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë

Sektori i Policisë Rrugore arrestoi në flagrancë shtetasin E. S., 39 vjeç, banues në fshatin Çiflig, Korçë, pasi u kap në lagjen nr. 17, duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi.

Komisariati i Policisë Pogradec referoi materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit:

  1. A., 47 vjeç, banues në fshatin Leshnicë, pasi dyshohet se ka vjedhur një sasi të konsiderueshme rrushi në vreshtat e një 61-vjeçari;
  2. T., 49 vjeç, banues në Pogradec, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëjetueses së tij;
  3. Ç., 34 vjeç, banues në fshatin Tushemisht, Pogradec, pasi dyshohet se ka kanosur me fjalë, një 59-vjeçar, për motive pronësie.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Komisariati i Policisë Berat

-referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin N. S., 57 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka kanosur një 47-vjeçar dhe i ka dëmtuar atij, automjetin;

-referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. M., 62 vjeç, banues në Berat, pasi dyshohet se për shkak të një konflikti për motive të dobëta, ka dëmtuar lehtë, me mjet prerës (biçak), një 21-vjeçar;

-referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin D. Sh., 28 vjeç, banues në Berat, pasi dyshohet ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj babait të tij.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 184 shtetas, konkretisht: 40 shtetas janë vënë në pranga, 120 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 24 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, vijon intensivisht puna nga ana e strukturave të Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 17 raste. 6 prej tyre, në fushën e kultivimit, janë me autorë të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera në këtë fushë, 5 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 26 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 3 shtetas janë vënë në pranga, 9 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 24 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 8 raste- 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 8 raste- 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit kibernetik janë evidentuar 3 raste, njëri prej të cilave me autor/ë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë/tentativat për vjedhje të pasurisë, janë evidentuar 23 raste, 13 prej tyre me autorë të paidentifikuar. 5 shtetas janë vënë në pranga, 5 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 1 është proceduar në gjendje të lirë, për vjedhje të tjera.

Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me zjarr ose me mjete të ndryshme, janë evidentuar 18 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 20 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 21 raste- 8 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 14 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 25 kërkesëpadi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Janë evidentuar:

-6 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrave të punonjësve të Policisë, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-4 raste të veprës penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-4 raste të trafikimit të mjeteve motorike, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-3 raste të shpërdorimit të detyrave, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të prishjes së qetësisë publike, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të veprës penale “Ngacmimi seksual”, me 1 shtetas të vënë në pranga;

-2 raste të veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 2 shtetas të shpallur në kërkim;

-2 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-nga 1 rast i falsifikimit, vjedhjes së energjisë elektrike, përndjekjes dhe pastrimit të parave, me nga 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-nga 1 rast i veprave penale “Vetëgjyqësia”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”, “Veprime të dhunshme në aktivitetet sportive”, “Kallëzimi i rremë”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike” dhe “Njoftimi i rremë në organet e rendit”, me 8 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 2 shtetas të shpallur në kërkim përkatësisht për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” ose “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 12 aksidente, si pasojë e të cilave 2 shtetas kanë humbur jetën dhe 17 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 34 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor. 13 shtetas janë vënë në pranga dhe 24 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.