Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Tiranë/Finalizohet pas një pune të mirëfilltë hetimore, operacioni policor i koduar “Brands”.
Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Kontrabandonin nga Turqia, veshje të ndryshme, i stamponin logo false të markave të njohura dhe i shitnin me çmime shumë të larta, procedohet penalisht 59-vjeçari dhe vijon puna për kapjen e djalit të tij.
Sekuestrohen rreth 1000 konfeksione të ndryshme, logo dhe etiketa false të disa markave, si dhe një pajisje për stampimin e tyre.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Brands”, në kuadër të të cilit ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasin V. A., 59 vjeç, banues në Tiranë, si dhe po punohet për kapjen e djalit të tij, shtetasit D. A., 29 vjeç.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta dy shtetas magazinonin në banesën e tyre dhe në dy subjekte në rrugën “5 Maji”, mallra (veshje) të dyshuara të kontrabanduara nga Turqia, të cilave i vendosnin logo dhe etiketa të markave të njohura, me qëllim për t’i shitur me çmime shumë të larta.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan rreth 1000 konfeksione të ndryshme, logo dhe etiketa false të disa markave, si dhe një pajisje për stampimin e tyre.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
PKK Port, Durrës/Goditet një tjetër rast i mosdeklarimit të shumave të konsiderueshme të parave, në pikën e kalimit kufitar.
Sekuestrohen 9670 euro dhe 3345 paund, të padeklaruara konform ligjit në fuqi.
Procedohet penalisht 39-vjeçari që tentoi t’i nxirrte paratë nga Shqipëria, ilegalisht.
Shërbimet e Policisë Kufitare të portit të Durrësit, në vijim të kontrolleve në hyrje/dalje, të bazuara në analizën e riskut, me fokus parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive kufitare, në dalje të Republikës së Shqipërisë, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll të imtësishëm, shtetasin E. F..
Nga kontrolli fizik, këtij shtetasi iu gjetën 9670 euro dhe 3345 paund që tentonte t’i nxirrte nga vendi ynë, pa i deklaruar në pikën e kalimit kufitar.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. F., 39 vjeç, banues në Vlorë, si dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, shumat e parave.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 88 shtetas, konkretisht: 22 shtetas janë vënë në pranga, 57 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 9 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste– 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 4 raste- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 4 raste. 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 16 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 14 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. 3 të shpallur në kërkim për krime në këtë fushë, janë kapur.
Janë evidentuar 3 raste të krimeve kibernetike, 2 prej të cilave me autorë ende të paidentifikuar. Për rastin tjetër, janë proceduar në gjendje të lirë 2 shtetas.
Është evidentuar 1 rast i falsifikimit, me 2 shtetas të vënë në pranga.
Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 14 raste, 3 prej të cilave me autor/ë ende të paidentifikuar. 3 shtetas janë vënë në pranga, 5 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 10 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar. Në këtë fushë 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 6 raste të veprës penale “Dhuna në familje”. 1 shtetas është ndaluar dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë plotësuar 6 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar:
-3 raste të veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 3 shtetas të vënë në pranga;
-nga 1 rast i veprave penale “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, “Vetëgjyqësia”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike”, “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-1 rast i veprës penale “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”, me 1 shtetas të vënë në pranga;
-1 rast i veprës penale “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim.
2 shtetas të shpallur në kërkim, përkatësisht për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Kallëzimi i rremë” dhe “Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”, janë kapur dhe ndaluar, ndërsa për 1 shtetas të akuzuar për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”, ka nisur procedimi në gjendje të lirë.
Kanë ndodhur 3 aksidente rrugore, me 1 viktimë dhe 2 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 11 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 5 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.